Ngjallja
1 Të shtunën herët, në agun e ditës së parë, Maria Magdalenë dhe Maria shkuen me këqyrë varrin. 2 Dhe, ja, ra një tërmet i fortë. Një engjëll i Zotit zbriti nga qielli, u afrue me rrokullisë gurie e u ul mbi të. 3 Fytyra e tij ishte si vetima e petkat e tij vëzulluese si bora. 4 Prej frikës së tij u drodhën rojet e u banë si të vdekun. 5 Engjëlli u kthye e u foli grave: «Mos u tutni, ju! E di se po kërkoni Jezuin, të kryqëzuemin. 6 Nuk asht këtu, se u ngjall siç pati thanë. Ejani e shihni vendin ku ishte shtri.
7 Shkoni shpejt e thoniu nxanësve të tij se ai u ngjall prej të vdekunve e të shkojë përpara jush në Galile. Atje do të shfaqet. Ja, jua thashë».
8 Ato u larguan shpejt nga varri dhe plot frikë e gëzim të madh vrapuen n joftue nxanësit. 9 Dhe, ja, Jezusi i takoi e u tha: «Ju falem!». Ato iu afruen, i mbërthyen kambët dhe e adhuruan. 10 Atëherë Jezusi u tha: «Mos u tutni! Shkoni e njoftoni vëllaznit të mi të shkojnë në Galile. Atje do të më shohin».
Dëshmia e rojeve
11 Kur po ecnin, ja, disa prej rojtarisë shkuen në qytet e njoftuen krepriftën për gjiçka kishte ndodhë. 12 Kryepriftënt e pleqtë morën vendimin me u dhanë ushtarëve një shumë të madhe paresh 13 e u thanë: «Thoni se nxanësit e tij erdhën gjatë dhe e vodhën kur ju po flinit. 14 Nëse kjo merret vesh nga qeveritari, na do ta bindim e do t'ju lirojmë nga telashet». 15 Ata morën paret e vepruem simbas mësimit që morën.
E kjo fjalë asht përhapë ndër judej deri më sot.
Porosia
16 Të njëmbëdhjetë nxanësit shkuen në Galile, në malin që u kishte caktue Jezusi. 17 Kur e panë, e adhuruen, por disa prej tyre u ndërdyshën. 18 Jezui afrue e u foli: «Mue më asht dhanë çdo pushtet në qiell e mbi dhe, 19 prandaj shkoni e mësoni të gjitha kombet dhe pagëzojini në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit të Shenjtë. 20 Mësojini me zbatue gjithçka ju urdhnova unë. Dhe, ja, unë jam me ju të gjitha ditët, deri në të sosun të botës».
Ngjallja
(Mk 16.1-8Lk 24.1-12Gjn 20.1-10)
1 Pas së shtunës, në mëngjes herët, Maria Magdalena dhe Maria tjetër erdhën për të parë varrin. 2 Papritur ra një tërmet i fortë dhe një engjëll i Zotit zbriti nga qielli, rrokullisi gurin e u ul mbi të. 3 Fytyra e engjëllit shndriste si vetëtima e rrobat i kishte të bardha si dëbora. 4 Rojat i zuri një frikë aq e madhe, saqë u drodhën e mbetën si të vdekur. 5 Engjëlli foli e u tha grave: «Mos kini frikë! E di se po kërkoni Jezuin, të kryqëzuarin. 6 Nuk është këtu, se ai u ngjall siç pati thënë. Ejani e shihni vendin ku qe vënë .
7 Shkoni shpejt e u thoni dishepujve të tij se ai u ngjall prej të vdekurve dhe se do të shkojë përpara jush në Galile. Atje do ta shihni. Këto kisha për t'ju thënë».
8 Ato u larguan me të shpejtë nga varri dhe plot frikë e gëzim të madh vrapuan për të lajmëruar dishepujt. 9 Dhe ja, Jezui u doli përpara e u tha: «Ju përshëndes!». Ato iu afruan, i rrokën këmbët dhe e adhuruan. 10 Atëherë Jezui u tha: «Mos kini frikë! Shkoni e u thoni vëllezërve të mi të shkojnë në Galile. Atje do të më shohin».
Dëshmia e rojave
11 Ndërsa gratë ishin rrugës, disa roja shkuan në qytet e u treguan kryepriftërinjve gjithçka që kishte ndodhur. 12 Kryepriftërinjtë e pleqtë u mblodhën e pasi ranë në një mendje, u dhanë ushtarëve një shumë të madhe parash 13 e u thanë: «Ju duhet të thoni se dishepujt e tij erdhën gjatë natës kur ju po flinit dhe e vodhën trupin e tij. 14 Po ta marrë vesh qeveritari, do ta bindim ne e nuk do të lejojmë që ju të ndëshkoheni». 15 Ata morën paratë e bënë siç i mësuan.
Kështu këto fjalë janë përhapur ndër judenjtë deri në ditët e sotme.
Porosia
(Mk 16.14-18Lk 24.36-49Gjn 20.19-23Vp 1.6-8)
16 Të njëmbëdhjetë dishepujt shkuan në Galile, në malin që u kishte thënë Jezui. 17 Kur e panë Jezuin, e adhuruan, por disa prej tyre dyshuan. 18 Jezui iu afrua e u tha: «Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë, 19 prandaj shkoni e mësojini të gjitha kombet dhe pagëzojini në emër të Atit, të Birit e të Shpirtit të shenjtë. 20 Mësojini të zbatojnë gjithë sa ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju të gjitha ditët, deri në mbarim të botës».