Shëmbëlltyra e dasmës
1 Jezusi filloi me u folë rishtas me shëmbëlltyra: 2 «Mbretnia e qiejve i ngjan mbretit që i bani dasmën të birit. 3 Çoi shërbëtorët e vet me thirrë të thirrunit në dasëm, por këta nuk deshën me ardhë. 4 Rishtas çoi shërbëtorë të tjerë, tilëve u tha: "Thoniu të thirrunve: ja, darka ime asht gati. Demat e mi dhe bagëtitë e majmuna janë therë e gjithçka asht gati. Ejani në dasmë". 5 Por ata shkuen, pa u mendue, kush në arën e vet e kush në punët e veta, 6 ndërsa të tjerët i kapën shërbëtorët e tij, i rrahën e i vranë. 7 Mbreti u idhnue, çoi ushtarët e vet, të cilët i rrënuen vrasësit dhe qytetin e tyne e dogjën. 8 Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: "Dasma asht gati, por të thirrunit nuk ishin të denjë. 9 Dilni, pra, nëpër udhëkryqe e thirrni në dasmë këdo që gjeni". 10 Ata shërbëtorë dolën udhëve, mblodhën gjithë sa gjetën, të këqij e të mirë e dasma u mbush plotë me gostarë. 11 Por, kur mbreti hyni me vështrue të thirrunit, pa aty një njeri që nuk ishte i veshun me petkun e dasmës 12 e i tha: "Shok, si ke hy këtu pa petkun e dasmës?". Ai meu. 13 Atëherë mbreti u tha shërbestarëve: "Lidheni kambë e duer e qiteni në terrin e përjashtëm. Atje do të ketë vajtim e kërcëllim dhambësh".
14 Shumë janë të thirrun, por pak të zgjedhun».
Tagri i Cezarit
15 Atëherë farisejtë shkuan e qitën shestën si me e zanë në kurth për fjale. 16 Çuen te ai nxanësit e tyre me disa herodianë, me i thanë: «Mësues, e dimë se je i vërtetë dhe se udhën e Hyut e mëson me vërtetësi, pa e vra mendjen për kënd. Ti s'ke nevojë me i këqyrë njerëzit në fytyrë. 17 Na thuej, pra, çka mendon: a a lejohet me ia pague tagrin Cezarit, apo jo?». 18 Meqë Jezusi e njihte ligësinë e tyne, tha: «Pse më sprovoni, o dyfytyrësha? 19 Ma diftoni monedhën e tagrit». Dhe i sollën një denar. 20 Ai u tha: «E kujt asht kjo figurë e mbishkrimi?». 21 I thanë: «E Cezarit». Atëherë u tha: «Jepni, pra, Cezarit çka i takon Cezarit dhe Hyut çka i takon Hyut». 22 Kur e ndigjuan këtë, mbetën të mahnitun dhe e lanë me shkue.
Për ngjalljen
23 Atë ditë iu afruen disa saducej, që thonë se nuk ka ngjallje, dhe e pyetën: 24 «Mësues, Moisiu ka thanë: nëse dikush vdes pa lanë fëmijë, vëllai i tij duhet t'ia marrë të shoqen, për me ia mëkambë farën vëllait të vet. 25 Ishin, ndër ne, shtatë vëllazën. I pari u martue e vdiq, por tue mos pasë lanë fëmijë dhe i la gruen e vet vëllait të vet. 26 Kështu edhe i dyti, edhe i treti, e deri te i shtati. 27 Grueja vdiq e fundit. 28 Në ngjallje, e cilit prej të shtatëve do të jetë grueja, meqë të gjithë e patën për grue?». 29 Por Jezusi u përgjigj: «Gaboheni, se nuk njihni as Shkrimet, as fuqinë e Hyut. 30 Në ngjallje nuk do të martojnë as do të martohen, por do të jenë si engjëjt në qiell. 31 Për ngjalljen e të vdekunve, a nuk keni çka ju asht thanë prej Hyut: 32 unë jam Hyu i Abrahamit, Hyu i Isakut dhe Hyu i Jakobit . Ai nuk asht Hyu i të vdekunve, por i të gjallëve».
33 Dhe turmat hutoheshin me mësimin e tij.
Urdhnimi i madh
34 Farisejtë, kur ndigjuen se ua kishte mbyllë gojën saducejve, u mblodhën 35 dhe një prej tyne, një mësues i ligjit, e pyeti për e vue në provë: 36 «Mësues, cili asht urdhnimi ma i madh nmë ligj?». 37 Ai i tha: «Dueje Zotin, Hyun tand, me gjithë zemrën tande, me gjithë shpirtin tand dhe me gjithë mendjen tënde. 38 Ky asht i madh e i pari urdhnim. 39 I dyti ngjan me të: Dueje të afërmin tand si veten . 40 Nga këto dy urdhnime varet krejt ligji e profetët».
Biri i Davidit
41 Kur farisenjtë ishin të mbledhun, Jezusi i pyeti: 42 «Çka mendoni për Krishtin? Biri i kujt asht?». I thanë: «Biri i Davidit». 43 Jezui u tha: «Si vallë, Davidi përmes Shpirtit e thërret Zot, kur thotë:
44 i tha Zoti Zotit tim:
ulu në të djathtën time
derisa t'i vej armiqtë e tu
nën kambët tueja ?
45 Nëse Davidi e thërret Zot, si qenka biri i vet?». 46 E askush nuk mundi me i kthye fjalë, as guxoi kush me e pyetë ma.
Të ftuarit në dasmë
(Lk 14.15-24)1 Jezui filloi t'u fliste përsëri me shëmbëlltyra: 2 «Mbretëria e qiejve i ngjan mbretit që bëri dasmë për të birin. 3 Ai dërgoi shërbëtorët e vet për të thirrur ata që ishin ftuar në dasmë, por këta nuk donin të vinin. 4 Përsëri dërgoi shërbëtorë të tjerë e u tha: “U thoni të ftuarve se gostia është gati. Demat e bagëtitë e majme i kam therur dhe gjithçka është përgatitur. Ejani në dasmë”. 5 Por këta nuk u vunë vesh e shkuan kush në arën e vet e kush për punët e veta, 6 ndërsa të ftuarit e tjerë i kapën shërbëtorët, i rrahën dhe i vranë. 7 Mbreti u zemërua dhe dërgoi ushtarët e vet, që i vranë ata vrasës dhe i vunë zjarrin qytetit të tyre. 8 Atëherë u tha shërbëtorëve të vet: “Dasma është gati, por të ftuarit nuk ishin të denjë, 9 prandaj dilni nëpër udhëkryqe e ftoni në dasmë këdo që të gjeni”. 10 Shërbëtorët dolën nëpër rrugë dhe mblodhën të gjithë ata që gjetën, të këqij e të mirë. Kështu dhoma e dasmës u mbush plot. 11 Por, kur hyri për të parë të ftuarit, mbreti pa një njeri që nuk ishte i veshur si për dasmë 12 e i tha: “Mik, si ke hyrë këtu pa rrobën e dasmës?”. Ai nuk e hapi gojën. 13 Pastaj mbreti u tha shërbëtorëve: “Lidheni këmbë e duar e hidheni përjashta në errësirë. Atje do të ketë vajtim e kërcëllimë dhëmbësh”.
14 Shumë janë të thirrur, por pak të zgjedhur».
Taksa e Cezarit
(Mk 12.13-17Lk 20.20-26)15 Pastaj farisenjtë shkuan e u këshilluan si ta zinin Jezuin në kurth për ndonjë fjalë. 16 Kështu dërguan te Jezui dishepujt e tyre dhe disa herodianë që i thanë: «Mësues, e dimë se je i vërtetë dhe se u mëson të tjerëve me vërtetësi udhën e Perëndisë, pa pyetur për njeri e pa u ndikuar nga askush. 17 Na thuaj, pra, çfarë mendon, a është e lejueshme t'i paguhen taksat Cezarit, apo jo?». 18 Por Jezui, duke e njohur ligësinë e tyre, u tha: «Përse më vini në provë, o hipokritë? 19 Ma tregoni monedhën e taksës». Ata i sollën një monedhë. 20 Jezui u tha: «E kujt është kjo figurë e ky mbishkrim?». 21 Ata i thanë: «Të Cezarit». Atëherë Jezui u tha: «Jepini, pra, Cezarit ç'është e Cezarit dhe Perëndisë ç'është e Perëndisë». 22 Kur e dëgjuan këtë, ata u mrekulluan. Pastaj e lanë Jezuin dhe ikën që andej.
Diskutimi për ngjalljen
(Mk 12.18-27Lk 20.27-40)23 Po atë ditë erdhën te Jezui disa saducenj. Këta thonë se nuk ka ngjallje, prandaj e pyetën: 24 «Mësues, Moisiu ka thënë: nëse një njeri vdes pa lënë fëmijë, vëllai i tij duhet të martohet me të venë për t'i dhënë trashëgimtarë të vëllait. 25 Na ishin shtatë vëllezër. I pari u martua, vdiq pa lënë fëmijë dhe i la të venë vëllait të vet. 26 Kështu ndodhi me të dytin, të tretin, e deri te i shtati. 27 Pas të gjithëve vdiq edhe gruaja. 28 Pas ngjalljes, gruaja e cilit prej të shtatëve do të jetë ajo, meqenëse të gjithë e patën për grua?». 29 Por Jezui u përgjigj: «Gaboheni, se nuk njihni as Shkrimet, as fuqinë e Perëndisë. 30 Pas ngjalljes njerëzit as nuk do të martohen, as nuk do të martojnë, por do të jenë si engjëjt në qiell. 31 Për sa i përket ngjalljes së të vdekurve, a nuk e keni lexuar çfarë ju ka thënë Perëndia: 32 unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit. Ai nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve».
33 Dhe turmat mahniteshin kur dëgjonin mësimin e tij.
Urdhërimi i madh
(Mk 12.28-34Lk 10.25-28)34 Kur dëgjuan se Jezui ua kishte mbyllur gojën saducenjve, farisenjtë u mblodhën 35 dhe njëri prej tyre, një mësues i ligjit, e pyeti për ta zënë në kurth: 36 «Mësues, cili është urdhërimi më i madh i ligjit?». 37 Jezui i tha: «Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd e me gjithë mendjen tënde. 38 Ky është urdhërimi më i madh dhe i pari. 39 Dhe urdhërimi i dytë, i ngjashëm me këtë, është: duaje të afërtin si veten. 40 Nga këto dy urdhërime varen tërë ligji dhe profetët».
Biri i Davidit
(Mk 12.35-37Lk 20.41-44)41 Ndërsa farisenjtë ishin të mbledhur së bashku, Jezui i pyeti: 42 «Çfarë mendoni për Krishtin? Biri i kujt është?». Ata i thanë: «Biri i Davidit». 43 Jezui u tha: «Si vallë, Davidi përmes Shpirtit e quan atë Zot kur thotë:
44 i tha Zoti Zotit tim:
ulu në të djathtën time
derisa t'i vë armiqtë e tu
nën këmbët e tua.
45 Nëse Davidi e quan Krishtin Zot, si mund të jetë ai Biri i Davidit?». 46 Askush nuk mundi t'i përgjigjej qoftë edhe me një fjalë. Që nga ajo ditë askush nuk guxoi ta pyeste më.