Ponëtorët e vreshtit
1 «Mbretnia e qiejve i ngjan një kryeshtëpiaku, i cili doli në nadje herët, me lidhë punëtorë me rrogë për vreshtin e vet. 2 Kur u pajtue me punëtorët për një denar në ditë, i çoi në vreshtin e vet. 3 Doli rreth orës së tretë dhe pa do të tjerë të papunë, tue qëndrue te tregu. 4 U tha: "Shkoni edhe ju në vresht dhe, çka asht e drejtë, kam me jua dhanë". 5 E ata shkuen. Rishtas, doli në orën e gjashtë e nantë e veproi njësoj. 6 Doli edhe rreth orës së njëmbëdhjetë dhe gjeti do të tjerë, tue ndejtë. E u tha: "Pse rrini këtu tanë ditën pa punë?". 7 I thanë: "Se askush nuk na ka lidhë rrogë". Ai u tha: "Shkoni edhe ju ne vresht". 8 Kur ra mbramja, i zoti i vreshtësi i tha mbikëqyrësit të vet: "Thirri punëtorët e jepu rrogën, tue fullue nga i fundit deri te i pari". 9 Erdhën ata të rreth orës së njëmbëdhjetë e morën nga një denar. 10 Kur erdhën të parët, kujtuen se do të merrnin ma shumë, por edhe ata morën nga një denar. 11 Tue e marrë, ankoheshin ndaj kryeshtëpiakut, 12 tue thanë: "Këta të fundit banë një orë e ti i bane njësoj me ne, që bajtëm barrën e ditës e vapën". 13 Por ai iu përgjigj njënit porej tyne e tha: "Shok, nuk po të baj padrejtësi. A nuk u pajtove me mue për një denar? 14 Merr gjanë tande e shko. Se unë deshiroj me i dhanë këtij të fundit sa edhe ty. 15 A nuk më lejohet me ba me gjanat e mia çka të due? Apo të lakmon syni, se unë jam i mirë?
16 Kështu, të fundit do të jenë të parët e të parët, të fundit».
Paralajmërimi i tretë i pashkëve
17 Kur Jezusi po ngjitej në Jerusalem, mori të dymëdhjetë nxanësit më vete dhe udhës u tha: 18 «Ja, po ngjitemi në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t'u dorëzohet kryepriftënve e shkrestarëve. Ata do ta dënojnë me dvekje, 19 do t'ua dorëzojnë paganëve, për me e shpotitë, me e fshikullue dhe me e kryqëzue. Të tretën ditë ai do të ngjallet».
20 Atëherë iu afrue nana e bijve të Zbedeut me bijtë e saj, u përkul dhe i lypi diçka. 21 Ai i tha: «Çka dëshiron?». Ia ktheu: «Që, në mbretninë tande, këta dy djemtë e mi të ulen njëni në të djathtën e tjetri në të majtën tande». 22 Por Jezusi iu përgjigj e i tha: «Nuk dini çka lypni. A mundeni me e pi kelkun që unë do të pi?». I thonë: «Mundemi». 23 Ai u thotë: «Kupën time, njëmend, do ta pini, por me u ulë në të djathtën time e në të majtën, nuk me takon mue me e caktue, por u takojmnë atyne për të cilët asht përgatitë prej Atit tim». 24 Kur të dhjetët ndigjuen, u zemruen me dy vëllaznit. 25 Por Jezusi i thirri pranë e u tha: «E dini se prijësit e kombeve sillen si sundimtarë mbi ta e të mëdhejtë e tyne sillen si pushtetarë. 26 Jo kështu ndër ju! Por, kush dëshiron me u ba i madh ndër ju, të jetë shërbëtori juej 27 dhe, kiush ndër ju dëshiron me qenë i pari, të jetë skllavi juej. 28 Sikurse Biri i njeriut nuk erdhi me u shërbye, por me shërbye e me dhanë jetën e vet, në këmbim të të shumëve».
Jezusi shëron dy të verbtë
29 Kur po largoheshin nga Jerikoni, po e ndiqte një turmë e madhe. 30 Dy të verbtë, ulun anë rrugës, kur ndigjuen se po kalonte Jezusi, gërthitën tue thanë: «Na përdëlle, o Zot, Bir i Davidit!». 31 Turma iu akërrye, që të pranin, por ata gërthitën edhe ma shumë, tue thanë: «Na përdëlle, o Zot, Bir i Davidit!». 32 Jezusi qëndroi, u bani za e tha: «Çka doni të baj për ju?». 33 I thanë: «Zot, të na çelen sytë!». 34 I mallëngjyem, Jezusit u preku sytë e menjëherë panë rishtas e shkuen mbas tij.
Punëtorët e vreshtit
1 «Mbretëria e qiejve është si i zoti i shtëpisë që doli në mëngjes herët për të gjetur punëtorë për vreshtin e vet. 2 Pasi u mor vesh me punëtorët që t'i paguante për një denar në ditë, i dërgoi në vreshtin e vet. 3 Kur doli rreth orës nëntë , pa disa të tjerë që po rrinin pa punë te tregu 4 e u tha: “Shkoni edhe ju në vresht e do t'ju jap aq sa është e drejtë”. 5 Dhe ata shkuan. Ai doli përsëri rreth orës dymbëdhjetë e rreth orës tre. 6 Doli edhe rreth orës pesë, gjeti të tjerë që po rrinin e u tha: “Përse rrini kot këtu gjithë ditën?”. 7 Ata i thanë: “Sepse askush nuk na ka marrë në punë”. Ai u tha: “Shkoni edhe ju në vresht ”. 8 Kur erdhi mbrëmja, i zoti i vreshtit i tha nëpunësit të tij: “Thirri punëtorët e jepu shpërblimin, duke filluar nga i fundit e deri te i pari”. 9 Kur erdhën ata që kishte thirrur rreth orës pesë, secili prej tyre mori nga një denar. 10 Kur erdhën të parët, mendonin se do të merrnin më shumë, por edhe secili prej tyre mori nga një denar. 11 Kur e morën, iu ankuan të zotit të shtëpisë 12 e i thanë: “Këta të fundit punuan vetëm një orë dhe i pagove aq sa ne që kemi duruar mundin e ditës e të nxehtin”. 13 Por ai iu përgjigj njërit prej tyre: “Mik, nuk po të bëj padrejtësi. A nuk u morëm vesh për një denar? 14 Merr atë që të takon e shko. Unë do t'i jap këtij të fundit sa ty. 15 A nuk më lejohet mua të bëj ç'të dua me gjënë time? Apo ke zili që jam i mirë?”.
16 Kështu, të fundit do të jenë të parët dhe të parët do të jenë të fundit ».
Paralajmërimi sërish i Pashkës
(Mk 10.32-34Lk 18.31-34)17 Kur po shkonte në Jerusalem, Jezui mori mënjanë dymbëdhjetë dishepujt dhe gjatë rrugës u tha: 18 «Ja, ne po shkojmë në Jerusalem dhe Biri i njeriut do t'u dorëzohet kryepriftërinjve e shkruesve. Ata do ta dënojnë me vdekje, 19 do t'ua dorëzojnë kombeve që ta tallin, ta fshikullojnë e ta kryqëzojnë, por ditën e tretë ai do të ngjallet».
Mbretërimi si shërbim
(Mk 10.35-45)20 Atëherë erdhi te Jezui nëna e bijve të Zebedeut bashkë me djemtë e saj, i ra në gjunjë dhe i kërkoi diçka. 21 Jezui i tha: «Çfarë dëshiron?». Ajo i tha: «Urdhëro që këta dy djemtë e mi të ulen njëri në të djathtën e tjetri në të majtën tënde, në mbretërinë tënde». 22 Por Jezui iu përgjigj: «Ju nuk dini çfarë kërkoni. A mund ta pini ju kupën që do të pi unë ?». Ata iu përgjigjën: «Mundemi». 23 Jezui u tha: «Kupën time do ta pini , por që të uleni në të djathtën e në të majtën time nuk më takon mua ta vendos, sepse vendet u takojnë atyre që ua ka bërë gati Ati im». 24 Kur e dëgjuan këtë gjë, dhjetë të tjerët u zemëruan me dy vëllezërit. 25 Por Jezui i thirri pranë vetes e u tha: «Ju e dini se krerët e kombeve sundojnë mbi ta dhe të mëdhenjtë e tyre ushtrojnë pushtet mbi ta. 26 Me ju nuk duhet të ndodhë kështu, por nëse dikush nga ju dëshiron të bëhet i madh, le të bëhet shërbëtori juaj 27 dhe nëse dikush dëshiron të jetë i pari, le të jetë shërbëtori juaj, 28 sikurse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t'i shërbejnë, por për të shërbyer e për të dhënë jetën e vet si shpengim për shumë njerëz».
Shërimi i dy të verbërve
(Mk 10.46-52Lk 18.35-43)29 Kur po dilnin nga Jerikoja, Jezuin po e ndiqte një turmë e madhe. 30 Dy të verbër që rrinin ulur në anë të rrugës, kur dëgjuan se po kalonte Jezui, bërtitën: «Ki mëshirë për ne, o Zot, Biri i Davidit!». 31 Turma i qortoi që të heshtnin, por ata bërtitën edhe më fort: «Ki mëshirë për ne, o Zot, Biri i Davidit!». 32 Jezui ndaloi, i thirri e u tha: «Çfarë doni të bëj për ju?». 33 Ata i thanë: «Zot, duam të na hapen sytë!». 34 Jezui ndjeu dhembshuri për ta e u preku sytë. Atyre iu kthye menjëherë shikimi e shkuan pas tij.