1 Kur Jezusi kreu së porosituni dymëdhjetë nxanësit e vet, u nis prej andej, për me mësue e me dhanë kumtin në qytetet e tyne.
Dërgata e Gjon Pagëzuesit
2 Kur Gjoni ndigjoi në burg për veprat e Krishtit, çoi fjalë me anë të nxanësve të vet 3 dhe e pyeti: «A je ti ai që vjen, apo të presim një tjetër?». 4 Jezusi u përgjigj e u tha: «Shkoni e njoftoni Gjonin për çka shihni e ndigjoni. 5 Të verbtët shohin rishtas dhe të çalët ecin. Të gërbulunit pastrohen e shurdhët ndigjojnë. Të vdekunit ngjallen e të skamunit po marrin ungjillin. 6 E lum ai që nuk pengohet prej meje».
7 Kur shkuen ata, Jezusi nisi me u folë turmave për Gjonin: «Çka dolët me kundrue në shkretinë. Një kallam të lëkundun nga era? 8 Por, çka dolët me pa? Një njeri të veshun me petka të buta? Ja, ata që mbajnë petka të buta janë në pallatet e mbretënve. 9 Porse, çka shkuet me pa? Një profet? Po, po ju them, edhe ma shumë se një profet. 10 Ky asht ai për të cilin qe shkrue:
Ja, unë po dërgoj
ljamësin tim para teje
me përgatitë udhën tande para teje .
11 Vërtet po ju them: nuk u lund nga të lindunit prej grave dikush ma i madh se Gjon Pagëzuesi. Por, ma i vogli në mbretninë e qiejve asht ma i madh se ai. 12 Qysh prej ditëve të Gjon Pagëzuesit deri tani, mbretnia e qiejve dhunohet dhe dhunuesit e marrin. 13 Të gjithë profetët e ligji deri te Gjoni profetizuen. 14 Dhe, nëse doni me e pranue, ai asht Elia që do të vijë. 15 Kush ka veshë, të ndigjojë.
16 Me çka ta përngjasoj këtë brezni? Asht e ngjashme me fëmijët që rrinë ulun nëpër sheshe, që u bëzajn të tjerëve 17 tue thanë:
"I ramë fyellit për ju e nuk vallëzuet,
vajtuem e nuk mbajtët zi".
18 Erdhi Gjoni, pa hangër e pa pi, e thonë: "Ka djallin". 19 Erdhi Biri i njeriut, tue hangër e tue pi, e thonë: "Ja një njeri llupës e pijanec vene, mik i tagrambledhësve e mëkatnorëve". Por urtisë i japin të drejtë veprat e veta».
Mjerimi i qyteteve
20 Atëherë nisi me qortue qytetet në të cilat ndodhën shumica e mrekullive të tij, ngaqë nuk u penduen: 21 «Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti, Betsaidë! Se po të kishin ndodhë në Tir e Sidonë mrekullutë që ndodhën ndër ju, kaherë do të kishin ba pendesë me thes e me hi. 22 Megjithatë, po jua them, Tiri e sidona do ta kenë ma kollaj se ju në ditën e gjyqit.
23 E ti, Kafarnaum,
mos do të naltohesh deri në qiell?
Në skëterrë do të rrokullisesh.
Se, po të kishin ndodhë në Sodomë mrekullitë që ndodhën në ty, do të ishte mbetë deri më sot. 24 Megjithatë, po ju them se toka e Sodomës do ta ketë ma kollaj se ti në ditën e gjyqit».
Mbretnia u takon të thjeshtve
25 Në atë kohë Jezusi vijoi e tha: «Të lëvdoj, o Atë, Zot i qiellit e i tokës, se ua mshehe këto të ditunve e të mençunve dhe ua zbulove të thjeshëtve. 26 Po, o Atë, se kështu u krye çka asht e pëlqyeshme për ty. 27 Gjithçka mu dorëzue mue prej Atit tim e askush nuk e njeh birin përveç Atit. As Atin nuk e njeh kush, përveç Birit dhe atij që Biri dëshiron me ia zbulue.
28 Ejani te unë të gjithë ju të kapitun e të randuem, e unë do t'ju çlodh. 29 Merrni përsipër zgjedhën time e mësoni prej meje, se jam i prujtë e me zemër të përulun dhe do të gjeni pushim për shpirtënt tuej. 30 Se zgjedha ime asht e kollajtë e barra ime e lehtë».
1 Si u mësoi këto gjëra dymbëdhjetë dishepujve, Jezui u largua që andej e shkoi për të mësuar njerëzit e për të predikuar në qytetet përreth.
Të dërguarit e Gjon Pagëzorit
(Lk 7.18-35)
2 Gjoni ishte në burg dhe, kur dëgjoi për veprat e Krishtit, i çoi fjalë përmes dishepujve të vet 3 për t'i thënë: «A je ti ai që duhet të vijë apo duhet të presim një tjetër?». 4 Jezui u përgjigj kështu: «Shkoni e i tregoni Gjonit çka po dëgjoni e po shihni. 5 Të verbrit po shohin përsëri e të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen e të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen e të varfërve po u shpallet ungjilli. 6 Lum ai, të cilit unë nuk i bëhem pengesë».
7 Kur u larguan ata, Jezui filloi t'u fliste turmave për Gjonin e tha: «Çfarë shkuat të shihnit në shkretëtirë? Një kallam që e lëkund era? 8 Çfarë shkuat të shihnit, pra? Një njeri të veshur me rroba të buta? Ata që vishen me rroba të buta gjenden në pallatet mbretërore. 9 Çfarë shkuat të shihnit, atëherë? Një profet? Po, po ju them, madje më shumë se një profet. 10 Gjoni është ai për të cilin është shkruar:
ja, unë po dërgoj
lajmëtarin tim para teje,
që të përgatisë udhën tënde.
11 Me të vërtetë po ju them se asnjë grua nuk ka lindur njeri më të madh se Gjon Pagëzori. Por, më i vogli në mbretërinë e qiejve është më i madh se ai. 12 Që nga dita e Gjon Pagëzorit e deri tani mbretëria e qiejve fitohet me përpjekje të mëdha dhe atë e fitojnë ata që përpiqen . 13 Të gjithë profetët dhe ligji profetizuan deri në kohën e Gjonit. 14 Dhe doni apo s'doni ta pranoni, ai është Elia që duhej të vinte. 15 Kush ka veshë, le të dëgjojë.
16 Me çfarë ta krahasoj këtë brezni? Ajo u ngjan fëmijëve që ulen shesheve dhe u thërrasin të tjerëve 17 e u thonë:
“I ramë fyellit për ju
e nuk kërcyet,
vajtuam
e ju nuk mbajtët zi”.
18 Erdhi Gjoni që as ha e as pi dhe njerëzit thonë: “Është i pushtuar nga djalli”. 19 Erdhi Biri i njeriut që ha e pi dhe njerëzit thonë: “Ja grykësi e pijaneci, miku i tagrambledhësve e i mëkatarëve”. Por, urtia e Perëndisë del e drejtë nga vetë veprat e veta ».
Qytetet e papenduara
(Lk 10.13-15)
20 Atëherë Jezui filloi të qortonte qytetet ku u bënë pjesa më e madhe e mrekullive të tij, por që nuk ishin penduar: 21 «Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti, Betsaidë! Po të ishin bërë në Tir e në Sidon mrekullitë që u bënë ndër ju, ata do të ishin penduar me kohë, duke veshur thasë e duke hedhur hi mbi kokë. 22 Por unë po ju them se Tiri e Sidoni do ta kenë më të lehtë se ju në ditën e gjykimit.
23 Po ti, Kafarnaum,
mos vallë do të lartësohesh deri në qiell?
Në skëterrë do të plandosesh.
Sepse Sodoma do të kishte mbetur deri më sot po të ishin bërë aty mrekullitë që u bënë te ti. 24 Por po ju them se toka e Sodomës do ta ketë më të lehtë se ju në ditën e gjykimit».
Jezui jep prehje
(Lk 10.21-22)
25 Atëherë Jezui tha: «Të falënderoj, o Atë, Zot i qiellit e i tokës, se ua ke fshehur këto gjëra të urtëve e të mençurve dhe ua ke zbuluar fëmijëve të vegjël. 26 Po, o Atë, se kështu të ka pëlqyer ty. 27 Gjithçka më është dhënë nga Ati im. Askush nuk e njeh Birin përveç Atit dhe askush nuk e njeh Atin përveç Birit dhe atij, të cilit Biri dëshiron t'ia zbulojë.
28 Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur e të munduar, se unë do t'ju çlodh. 29 Merrni mbi vete zgjedhën time e mësoni nga unë, sepse kam zemër të butë e të përulur. Kështu do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj, 30 se zgjedha ime është e butë e barra ime është e lehtë».