KAPTINA XXVII.
1 Edhe si u ba mëngjesie, gjithë Krye-priftënit’ edhe pleqt’ e popullit dhan’ e muernë këshille kundrë Iesuit, për me e vramë.
2 Edhe si e lidhnë, e prunë, edhe e dhanë ndër duer të Pontiut Pilatit guvernatorit.
3 Atëherë kur pa Iuda, ai qi e trathtoi, se u gjukue për vdekë, u pendue, edhe këtheu tri-dhet’ argjandatë te Krye-priftënit’ edhe te pleqtë,
4 tue thanë: Fëjeva qi dhashë ndër duer gjak të pafaj. Edhe ata thanë: Ç’gaile kena na? Ti ke për ta pamë.
5 Edhe ai hodhi argjandatë ndë tempull, e iku; edhe voiti, e vuer vetëhenë.
6 Edhe Krye-priftënitë si muernë argjandatë, thanë: Nuk’ asht’ e udhësë me i vumë ndë kurbana, sepse janë nder gjaku.
7 Edhe si dhan’ e muernë këshille, blen’ arën’ e tiegullarit me ato, për me vorruem të huejtë.
8 Përandai ajo arë u queitë Arë gjaku, deri mbë ditë të sotshime.
9 Atëherë u mbush qish ashtë thanë prei anësë profetit Ieremi, qi tha: “Edhe muernë tri-dhet’ argjandatë, nderin’ e të përnderumit, të cillin’ e përnderuenë prei të bijsh Israelit;
10 edhe i dhanë nd’arë të tiegullarit, sikurse më urdhënoi Zoti”.
11 Edhe Iesui ndeiti përpara guvernatorit, edhe guvernatori e pyeti, tue thanë: Ti je mbëret’ i Iudevet? Edhe Iesui i tha: Ti po thue.
12 Edhe ai kur përflitei prei Krye-priftënavet edhe prei pleqvet, nukë përgjegjei aspak.
13 Atëherë Pilati i thotë: Nukë ndëgjon sa bajnë deshmi kundrë teje?
14 Por ai s’iu përgjeq as mbë ndonji fjalë, kaqi sa guvernatori mërekullohei fort.
15 Edhe guvernatori kishte zakon për ditë feste me i lishuem gjindëjesë nji të lidhunë, cillinë të dojshin’ ata .
16 Edhe atëherë kishinë nji të lidhunë me emënë, qi thohei Barabba.
17 Edhe ata kur ishinë mbëledhunë, Pilati u tha atyneve: Cillinë doni me u lishuem juve? Barabbanë, apor Iesunë qi thohetë Krisht?
18 Sepse e dinte, se e dhanë ndër duer prei zmirit.
19 Edhe ai tue ndenjunë mbi shkamp të gjyqit, grueja e ati dërgoi tek ai, e tha: Ti mos i ban gja ati të dreitë, sepse sot hoqa shumë nd’andërrë për ate.
20 Edhe Krye-priftënit’ edhe pleqt’ i mbushnë mendienë gjindëjesë me lypunë Barabbanë, edhe me prishunë Iesunë.
21 Edhe guvernatori u përgjeq, e u tha atyneve: Cillinë doni prei kësi të dysh me u lishuem juve? Edhe ata thanë: Barabbanë.
22 Pilati u thot’ atyneve: Qish do ta baj pra Iesunë qi thohetë Krisht? Të gjith’ i thonë: Le të kryqëzohetë.
23 Edhe guvernatori tha: Përse, qish të keq ka bamë? Por ata bërtitshinë ma tepërë, tue thanë: Le të kryqëzohetë.
24 Edhe Pilati si pa se s’qitei mbë krye aspak, por ma tepërë të përziem bahetë, muer ujë, e lau duertë përpara gjindëjesë, tue thanë: Jam pa faj prei gjakut këti të dreiti; ju keni për ta pamë.
25 Edhe gjithë populli u përgjeq, e tha: Gjaku i ati qoftë mbi ne, edhe mbi bijt t’anë.
26 Atëherë u lishoi atyneve Barabbanë, edhe mbassi rrafi me tërfurk Iesunë, e dha ndër duer për me u kryqëzuem.
27 Atëherë ushtëtorët’ e guvernatorit muernë me vetëhe Iesunë ndë shtëpi të guvernatorit, edhe mbëlothnë mbi atë gjithë tubën’ e ushtëtorëvet.
28 Edhe e sveshnë, e i veshnë nji kllamidë të kuqe.
29 Edhe gërshetuenë nji kunorë ferrash, e ia vunë mbi kryet t’ati, edhe i dhanë nji kallam ndë dorë të diathtë; edhe ranë ndë gjunjë përpara ati, e luejshinë me atë, tue thanë: Falemi, Mbëret’ i Iudevet.
30 Edhe si e pështynë, muernë kallamin’ edhe i bijshinë ndë kryet.
31 Edhe mbassi lueitnë me atë, i sveshnë kllamidën’ edhe i veshnë petkat’ e ati, edhe e prunë për me e kryqëzuem.
32 Edhe tue dalë, gjetnë nji nieri Kyreneas, qi e kishte emninë Simon; këte e zun’ angari qi të ngrejë kryqin’ e ati.
33 Edhe kur erthnë ndë nji vend, qi thohetë Golgotha, ai ashtë qi thohetë Vend i kresë,
34 i dhanë me pim’ uthëllë përziem bashkë me t’amëlth, por ai si e vuni ndë buzë, nukë deshi me pimë.
35 Edhe si e kryqëzuenë, shtinë shortë, e danë petkat’ e ati, qi të mbushetë qish ashtë thanë prei profetit: “Danë petkat’ e mia mbë vetëhen’ e atyneve, edhe shtinë shortë mbi petkunë t’em”.
36 Edhe tue ndenjunë ruejshin’ ate atie.
37 Edhe vunë sipër mbi kryet t’ati punën’ e ati shkruem: KYI ASHT’ IESUI MBËRETI I IUDEVET.
38 Atëherë kryqëzohenë bashkë me ate dy kursarë, nji prei së diathtet, edhe nji prei së rrëmaktet.
39 Edhe ata qi shkojshinë për-anë nemshin’ ate, tue tundunë krenët’ e vet,
40 e tue thanë: Ti qi prish tempullin’, edhe e ndërton për tri ditt, shpëto vetëhenë tande, ndë je i Bir’ i Perëndisë, sdryp prei kryqit.
41 Kështu edhe Krye-priftënitë tue lueitunë bashkë me Shkruisit edhe me pleqt, thoshinë:
42 Të tierë shpëtoi, vetëvetëhenë nukë mundetë me e shpëtuem. Nd’ashtë mbëret’ i Israelit, le të sdrypi tashti prei kryqit, edhe kena me i besuem.
43 Mbahei mbë Perëndinë; le ta shpëtojë tashti, ndë e dashtë, sepse tha, se: Jam Bir Perëndie. -
44 Ashtu edhe kursarëtë qi ishinë kryqëzuem bashkë me ate e shajshinë.
45 Edhe çë prei orësë gjashtë u ba nji errësinë mbë gjithë dhenë, deri mbë nand’orë.
46 Edhe mbë të nandën’ orë Iesui bërtiti me za të math, tue thanë: “Eli, Eli, lama sabahthani?”, qi do me thanë: “Perëndia em, Perëndia em, përse më lishove prei duersh?”
47 Edhe disa prei asish qi ishin’ atie, kur ndëgjuenë, thanë, se: Kyi po thërret Elinë.
48 Edhe përnjiherë u tuerr nji prei asish, edhe muer nji shpuzë, edhe e mbushi me uthëll, edhe e vuni mbë nji kallam, e i nepte me pimë.
49 Edhe të tierë thoshinë: Leni të shofimë, ndë qoftë se vien Elia me e shpëtuem.
50 Edhe Iesui për-së-ri bërtiti me za të math, e dha shpirtinë.
51 Edhe qe kurtina e tempullit tek u ça mbë dy prei së naltit deri poshtë; edhe dheu u tund, edhe gurëtë plasnë.
52 Edhe vorret’ u hapnë, edhe shumë korpëna prei asi shenjtënash qi kishinë vdekun’ u ngjallnë,
53 edhe duelnë prei vorresh, mbas të ngjallunit ati, e hynë ndë shenjtinë qytet, edhe u duknë mbë shumë vetë .
54 Edhe urdhën-qindësi, edhe ata qi ishinë bashkë me atë tue rueitunë Iesunë, kur panë tërmetin’ edhe se qish u banë, u frikuenë fort, e thanë: Për të vërtet kyi paska qenë Bir Perëndie.
55 Edhe atie ishinë shumë gra tue vum’ ore prei së largut, të cillat e kishinë marrë mbrapa Iesunë prei Galilesë, tue i shërbyem;
56 ndër ato ishte Maria Magdalena, edhe Maria e ama Iakobit edhe Ioseut, edhe e ama të bijvet Zebedeut.
57 Edhe si u ngrys, erdhi nji nieri i pasunë prei Arimathesë, qi e kishte emninë Iosef, qi edhe ai vetë kishtë pasë qenë dishepull’ i Iesuit;
58 kyi voiti për-anë Pilatit, e lypi korpin’ e Iesuit. Atëherë Pilati urdhënoi me iu dhanë korpi.
59 Edhe Iosefi si muer korpinë, e mpshtuell me pëlhurë të pastër,
60 edhe e vuni ndë vorr të vet të rinë, qi e kishte gërmihunë ndë shkamp të gurit ; edhe si rrokulloi nji gur të math ndë derët të vorrit, iku.
61 Edhe atie ishte Maria Magdalena, edhe Maria tietër, tue ndenjunë kundruell vorrit.
62 Edhe ndë të nesërmenë, qi ashtë mbas të prendesë, u mbëlothnë Krye-priftënit’ edhe Fariseitë te Pilati,
63 tue thanë: Zot, na u kujtue, se ai gënjeshtari tha, kur qe i gjallë, se : Mbas tri ditsh kam me u ngjallë.
64 Urdhëno pra të ruhetë vorri deri mbë të tretënë ditë, se mos vinë dishepujt’ e ati natënë, edhe e viedhinë, edhe i thonë popullit, se : U ngjall prei së vdekunish, edhe ka me qen’ e mbrapmeja gënjeshtrë, ma e keqe se e para.
65 Edhe Pilati u tha atyneve: Keni rueitësa, shkoni, e siguronia si ta dini.
66 Edhe ata voitnë, e siguruenë vorrinë, tue bulosunë gurinë bashkë me rueitësat.
Jezusi para Pilati
1 Kur agoi, të gjithë kryepriftënt e pleqtë e popullit vendosën bashkarisht ta dënonin Jezusin me vdekje. 2 Mbasi e lidhën, e çuen e ia dorëzuen Pilatit, qeveritarit.
Vdekja e Judës
3 Atëherë Juda, ai që e kishte dorëzue, kur pa se dënuen, u pendue, ua ktheu tridhjetë monedhat e argjendta kryepriftënve e pleqve 4 dhe u tha: «Mëkatuva, tue dorëzue gjak të pafajshëm». Ata i thanë: «Ç'na duhet neve! Shihe vetë». 5 Hodhi monedhat e argjendta në tempull, u largue dhe shkoi e u fur.
6 Kryepriftënt morën monedhat e argjendta e thanë: «Nuk lejohet me i qitë këto para kushtimore sep janë pare gjaku». 7 Atëherë morën vendim të blinin me to arën e një poçari për varrimin e të huejve. 8 Prandaj ajo arë u quejt «Ara e Gjakut», deri sot. 9 Kështu u plotësue çka qe thanë prej Jeremisë profet:
Morën tridhjetë monedhat e argjendta,
çmimi e të çmuemit,
që u çmue nga bijtë e Izraelit,
10 e i dhanë për Arën e Poçarit,
siç më kishte urdhnue Zoti.
Jezusi para Pilatit
11 Jezusi u vu para qeveritari. Qeveritari e pyeti: «A je ti mbreti i judejve?». Jezusi i tha: «Ti po thue». 12 Por, kur e paditnin kryepriftërinjtë dhe pleqtë, nuk përgjigjej fare. 13 Atëherë Pilati i tha: «A nuk po ndigjon sa çka po dëshmojnë kundër teje?». 14 Ai nuk iu përgjigj për asnjë gja, saqë e çuditi shumë qeveritarin.
Dënimi me vdekje
15 Për çdo festë qeveritari e kishte ba doke me lirue një të burgosun, atë që dëshironin. 16 Asokohe kishin një të burgosun të bujshëm, që quhej Jezu Baraba. 17 Kur u mblodhën, Pilati u tha: «Cilin doni t'ju liroj, Jezu Barabën apo Jezusin që quhet Krisht?». 18 E dinte se Jezusin e kishin dorëzue nga smira.
19 Ndërsa ishte ndejë në gjykatore, e shoqja i çoi fjalë: «Mos të kesh gja me atë të drejtë, se sot kam vuejt shumë në andërr për shkak të tij». 20 Por kryepriftënt e pleqtë e bindën turmën me kërkue Barabën e Jezusin me e vra. 21 Qeveritari u tha rishtas: «Cilin prej të dyve doni me ju lirue?». Ata iu përgjigjën: «Barabën!». 22 Pilati u thotë: «Çka të baj, pra, me Jezusin që quhet Krisht?». Të gjithë i thonë: «Të kryqëzohet!». 23 Ai u tha: «Pse, ç'të keqe bani?». Por ata bërtitnin edhe ma fort: «Të kryqëzohet!». 24 Kur Pilati e pa se nuk po arrinte asgjë, përkundrazi, po fillonte rrëmuja, mori ujë, lau duert para turmës e tha: «Jam i pafajshëm për gjakun e këtij. Shiheni ju». 25 Mbarë populli u përgjigj: «Gjaku i tij raftë mbi ne e mbi fëmijët tanë!». 26 Atëherë Pilati liroi Barabën, ndërsa Jezusin, mbasi e fshikulluen, e dorëzoi të kryqëzohej.
Jezusi para përqeshësve
27 Atëherë ushtarët e qeveritarit e morën Jezuin në pretorium dhe bashkuen rreth tij tanë kohortën. 28 E zhveshën dhe i hodhën sipër një pelerinë të kuq. 29 Thurën një kunorë ferrash, ia vunë në krye e i dhanë një kallam në dorën e djathtë. Tue ra në gjuj para tij, e qesëndisnin e i thonin: «Të falemi, o mbreti i judejve!». 30 E pështynë, morën kallamin e ia gjuenin kresë. 31 Mbasi e qesëndisën, ia hoqën pelerinën, e veshën me petkat e veta dhe e çuen për ta kryqëzue.
Kryqëzimi
32 Tue dalë, hasën në një njeri kireneas me emnin Simon, të cilin e detyruen me i mbartë kryqin. 33 Kur shkuen te një vend, që quhet Golgota, domethanë «Vendi i Kafkës», 34 i dhanë me pi verë të përzieme me vner, por kur i ndjeu shijen, nuk deshi me e pi.
35 Si e kryqëzuen, hodhën short për me nda petkat e tij 36 dhe u ulën e po e ruenin. 37 Mbi krye i vunë me shkrim shkakun arsyen: «Ky asht Jezusi, mbreti i judejve». 38 Atëherë kryqëzuen me të dy cuba, njenin në të djathtë e tjetrin në të majtë.
39 Kalimtarët e fyenin, tundnin kryet 40 e thonin: «Ti, që e shkatërron tempullin dhe e ndërton për tri ditë, shpëto veten, nëse je Biri i Hyut, e zbrit nga kryqi!». 41 Njësoj edhe kryepriftënt, shkrestarët e pleqtë e tallnin e thonin: 42 «Të tjerët i shpëtoi, veten nuk mundi me e shpëtue. Mbreti i Izraelit! Të zbresë tash nga kryqi e do të besojmë në të. 43 Besoi në Hyun, ta lirojë tash Hyu po deshi, meqë tha se asht Biri i Hyut!». 44 Edhe cubat, që ishin të kryqëzuem me të, e përqeshnin.
Vdekja
45 Që nga mesdita e deri në orën tre pasdite u bë errësirë në gjithë tokën. 46 Rreth orës tre pasdite Jezui thirri me zë të lartë: «Eli, Eli, lema sabakthani ?» që do të thotë: «Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise ?». 47 Disa nga ata që ishin aty kur e dëgjuan, thanë: «Ky po thërret Elinë». 48 Njëri prej tyre vrapoi, mori një sfungjer, e ngjeu në uthull, e vuri në një kallam e ia dha për ta pirë. 49 Të tjerët thoshin: «Prisni të shohim nëse do të vijë Elia për ta shpëtuar».
50 Jezui thirri përsëri me zë të lartë e dha shpirt. 51 Atëherë veli i tempullit u gris më dysh nga lart deri poshtë, toka u drodh e shkëmbinjtë u çanë. 52 Edhe varret u hapën e shumë trupa të shenjtësh që kishin vdekur u ngjallën 53 dhe, pasi dolën nga varret pas ngjalljes së tij, shkuan në qytetin e shenjtë e iu shfaqën shumë njerëzve.
54 Kryeqindësi dhe të tjerët që ishin me të për të ruajtur Jezuin, kur panë tërmetin dhe gjithçka që ndodhi, u frikësuan shumë e thanë: «Me të vërtetë ky qenka Biri i Perëndisë».
55 Aty gjendeshin edhe shumë gra që kishin shkuar pas Jezuit që nga Galilea dhe i kishin shërbyer. Ato po shikonin nga larg. 56 Ndër to ishte Maria Magdalena, Maria, nëna e Jakobit dhe Jozefit, si dhe nëna e bijve të Zebedeut.
Varrimi
57 Kur ra mbramja, erdhi një njeri i pasun nga Arimateja, me emnin Jozef. Edhe ai kishte qenë nxanësi Jezusit. 58 Shkoi te Pilati e i lypi trupin e Jezuit. Atëherë Pilati urdhënoi t'ia jepnin.
59 Jozefi e mori trupin e Jezuit, e mbështolli me li të pastër 60 dhe e vuni në varrin e ri, që kishte hapë për vete në shkamb. Rrokullisi një gur të madh te gryka e varrit e shkoi.
61 Maria Magdalenë e Maria ishin ulun kundruell varrit.
Rojat e varrit
62 Të nesërmen, që i bie me qenë mbas të premtes, kryepriftënt e farisenjtë u mblodhën te Pilati 63 e i thanë: «Zotni, na u kujtuem se ai mashtrues pati thanë, sa ishte gjallë: “Pas tri ditësh jam i gjallë”. 64 Prandaj, urdhno të sigurohet varri deri ditën e tretë, që të mos shkojnë dishepujt e tij me e vjedhë e me i thanë popullit: “U ngjall prej të vdekunve”. E mashtrimi i mbramë do të jetë më i keq se i pari». 65 Pilati u tha: «I keni rojtarët. Shkoni e sigurojeni si të dini». 66 Ata shkuan dhe e siguruen varrin, tue e vulosë gurin me rojtarë.