KAPTINA XXVI.
1 Edhe Iesui kur mbaroi gjithë këto fjalë, u tha dishepujvet vet:
2 E dini se mbas dy ditsh ashtë pashka, edhe i bir’ i nieriut nepetë ndër duer për me u kryqëzuem.
3 Atëherë u mbëlothnë Krye-priftënit’ edhe Shkruesit’ edhe pleqt’ e popullit ndë oborr të Krye-priftit, qi thohei Kaiafë;
4 edhe banë këshille për me zanë Iesunë me gënjim, edhe me e vramë.
5 Edhe thoshinë: Mos e zamë për ditë feste, qi të mos bahetë të përziem ndë popullit.
6 Edhe Iesui kur ishte ndë Bethani, ndë shtëpi të Simonit kromosunë,
7 i erdhi përanë nji grue qi kishte nji alabastër me voj ere shumë të shtrejtë, edhe ia derdhi mbi kryet, atie ku ishte ndenjunë ndë mësallë.
8 Edhe dishepujt’ e ati kur panë, u zemëruen’, e thanë: Për ç’punë me hupunë?
9 Sepse kyi voj ere mundei me u shitunë me shumë nder , edhe me u dhanë ndëpër të vobegjit.
10 Edhe Iesui si muer vesht, u tha atyneve: Përse i nepni mundime gruesë? Sepse ajo bani punë të mirë mbë mue.
11 Sepse të vobegjit’ i keni përherë me vetëhenë tuei, por mue nukë më keni përherë.
12 Sepse ajo kur derdhi këte voj ere mbi korpinë t’em, e bani për të vorruemit t’em.
13 Për të vërtet po u thom juve: Kudo me u predikuem kyi ungjill ndë gjithë botënë, ka me u folun’ edhe se qish bani ajo, qi të përmendet’ ajo.
14 Atëherë shkoi nji prei të dy-mbë-dhetësh, ai qi quhei Iudë Iskarioti, te Krye-priftënit,
15 e tha: Qish doni me më dhanë, edhe unë do t’u nap juve ndër duer ate? Edhe ata i dhanë tri-dhet’ argjanda.
16 Edhe çë mb’atëherë kërkonte kohë me e trathtuem.
17 Edhe të parënë ditën’ e të pabrumievet dishepujt’ erthnë përanë Iesuit, e i thanë: Ku do të bajmë gati për tyi me ngranë pashkënë?
18 Edhe ai tha: Shkoni ndë qytet tek akë-cilli, edhe i thoni - Mieshtri thotë: Koha eme ashtë ngjat; kam me bamë pashkënë te ti, bashkë me dishepujt’ e mi.
19 Edhe dishepujtë banë sikurse i porositi Iesui, edhe banë gati pashkënë.
20 Edhe kur u ngrys, ishte tue ndenjunë ndë mësallë bashkë me të dy-mbë-dhetët.
21 Edhe ata tue ngranë, tha: Për të vërtet po u thom juve, se nji prei jush ka me më trathtuem.
22 Edhe ata u idhënuenë fort, e filluenë me i thanë gjithë-se-cilli prei atyneve: Zot, mos jam unë?
23 Edhe ai u përgjeq, e tha: Ai qi ngjeu dorënë ndë kupët bashkë me mue, kyi ka me më trathtuem.
24 I bir’ i nieriut shkon, sikurse ashtë shkruem për atë: - Por mjer ati nieriu, qi trathtohet’ i biri i nieriut prei ati! Ishte mirë për atë nieri, mos me pasunë lemë.
25 Edhe Iuda, ai qi e trathtoi, u përgjeq, e tha: Rabbi, mos jam unë? I thotë: Ti po thue.
26 Edhe ata tue ngranë, Iesui muer bukë’ edhe e bekoi, edhe e theu, e ua dha dishepujvet, edhe tha: Mirrni, e hani; kyi ashtë korpi em.
27 Edhe muer potirinë, edhe si u fal nders, ua dha, tue thanë: Pini të gjithë prei këti,
28 sepse kyi ashtë gjaku em i dhiatësë re, qi derdhetë për shumë për ndëjesën’ e fajevet.
29 Edhe po u thom juve, se s’kam me pimë, çë tashti e mbaskëndai, prei kësai peme qi piell hardhia, deri mb’atë ditë, kur ta pij të re bashkë me ju ndë mbëretënit të t’im et.
30 Edhe ata si thanë kankën’ e uratësë, duelnë ndë Malt të Ullivet.
31 Atëherë Iesui u thot’ atyneve: Gjithë ju keni me u shkandalizuem mbë mue këte natë, sepse ashtë shkruem: “Kam me i ranë bariut, edhe dhentë kanë me u shpërdamë prei tubësë”.
32 Por mbassi të ngjallem unë, kam me votunë përpara jush ndë Galile.
33 Edhe Pietri u përgjeq, e i tha: Edhe të gjithë ndë u shkandalizofshinë mbë tyi, unë s’kam me u shkandalizuem kurrë.
34 Iesui i tha: Për të vërtet po të thom, se këte natë, para se të këndojë gjeli, tri herë ke me më mohuem.
35 Pietri i thotë: Edhe ndë u lypstë me vdekun’ unë bashkë me tyi, s’kam me të mohuem. Kështu than’ edhe gjithë dishepujtë.
36 Atëherë Iesui vien bashkë me ata ndë nji katund qi thohetë Gethsimani, edhe u thotë dishepujvet: Rrini aty, deri sa të vete, e të falem atie.
37 Edhe muer me vetëhe Pietrin, edhe dy të bijt’ e Zebedeut, e filloi me u idhënuem, e me i ardhunë randë.
38 Atëherë u thot’ atyneve: Shpirti em asht’ i idhënueshim deri mbë vdekë; mbetni këtu, edhe rrini qutë bashkë me mue.
39 Edhe si shkoi pak përpara, ra me faqe përmbys, tue u falun’, e tue thanë: Ati em, ndë qoftë se mundetë, le të shkojë prei meje kyi potir, por jo si të demi unë, por si të duesh ti.
40 Edhe vien te dishepujt, e i gjen tue fjetunë, edhe i thote Pietrit: Kështu nukë muftët me ndenjunë qutë nji orë bashkë me mue?
41 Rrini qutë, edhe faluni, qi të mos hyni ndë ngasëje, sepse shpirti ashtë gati, por mishi asht ’ i pafuqishim.
42 Për-së-ri për së dyti voiti, edhe u fal, tue thanë: Ati em, ndë qoftë se nukë mundetë me shkuem prei meje kyi potir, qi të mos e pij, u baftë dashunimi yt.
43 Edhe si erdhi, i gjen për-së-ri tue fjetunë, sepse syt’ e atyneve ishinë randuem.
44 Edhe si la ata, voiti për-së-ri, e u fal’ për së treti, tue thanë por ate fjalë.
45 Atëherë vien te dishepujt e vet; edhe u thot’ atyneve: Flini pra, edhe prahi: qe tek u afrue ora, edhe i bir’ i nieriut nepetë ndër duer të fajtorëvet.
46 Çohi, le të shkojmë: qe tek u afrue ai qi më trathton.
47 Edhe ai kur ishte tue folë, qe tek erdhi Iuda, nji prei të dy-mbë-dhetësh, edhe bashkë me atë erthnë shumë gjindëje me thika e me druna, prei anësë Krye-priftënavet edhe pleqvet popullit.
48 Edhe ai qi e trathton u bani atyneve shenjë, tue thanë: Ate qi të puth unë, ai ashtë; zinia.
49 Edhe përnjiherë erdhi përanë Iesuit, e tha: Falemi, Rabbi; edhe e puthi.
50 Edhe Iesui tha: Mik, përse erdhe? Atëherë u afruen’, e vunë duertë mbi Iesunë, edhe e zunë.
51 Edhe qe nji prei asish qi ishinë bashkë me Iesunë, shtrini dorën’ e nxuer thikën’ e vet, edhe i ra shërbëtorit Krye-priftit, e i preu veshinë.
52 Atëherë Iesui i thotë: Këthe thikënë tande ndë vend të vet, sepse gjith’ ata qi venë dorë mbë thikë, kanë me u bierrë.
53 Apor të duketë se nukë mundem tashti t’i lutem t’im et, edhe ka me më nxierrë përpara ma tepërë se dy-mbë-dhetë legjeona engjujsh?
54 Si kanë me u mbushunë shkronjatë pra, se kështu duhetë me u bamë?
55 Mb’ate herë Iesui i tha gjindëjesë: Porsi mbi kursarë keni dalë me thika e me druna për me më zanë? Përditë rrishiem te ju tue mësuem ndë tempull, edhe nukë me zutë.
56 Por gjithë këjo u ba, qi të mbushenë shkronjat’ e profetënavet. Atëherë gjithë dishepujt’ e lan’, e iknë.
57 Edhe ata si kapnë Iesunë, e prunë te Kaiafa Krye-prifti, atie ku ishinë mbëledhunë Shkruisit’ edhe pleqtë.
58 Por Pietri e merrte mbrapa prei së largut, deri nd’oborr të Krye-priftit, edhe si hyni mbrenda, rrinte bashkë me shërbëtorët, për me pamë të mbrapmenë.
59 Edhe Krye-priftënit’ edhe pleqt’ edhe gjithë bashkë-ndeitia kërkojshinë deshmi mbë rrenë kundrë Iesuit, për me e vramë,
60 por nukë gjetnë. Edhe ndonëse erthnë shumë deshmitarë rrenës, por nukë gjetnë. Edhe mbasandai erthnë dy deshmitarë rrenës,
61 e thanë: Kyi tha, se - Mundem me prishunë tempullin’ e Perëndisë, edhe për tri ditt me e ndërtuem.
62 Edhe Krye-prifti u ngrit, e i tha: S’po përgjegje aspak? Ç’deshmi bajnë këta kundrë tejet?
63 Por Iesui nukë pëzante. Edhe Krye-prifti u përgjeq, e i tha: Të ve mbë be për Perëndin’ e gjallë, të na thuesh, ndë je ti Krishti, i Bir’ i Perëndisë.
64 Iesui i thotë: Ti po thue: por unë po u thom juve, se çë tashti e mbaskëndai keni me pamë të birin’ e nieriut tue ndenjunë prei së diathtësë fuqisë, edhe tue ardhunë mbi renat e qiellit.
65 Atëherë Krye-prifti shqeu petkat’ e veta, tue thanë, se: Vlasfimisi. Ç’nevojë kena ma për deshmitarë? Qe tashti tek e ndëgjuetë vlasfimin’ e ati.
66 Si u duketë juve? Edhe ata u përgjegjën, e thanë: Ashtë fajtuer për vdekë.
67 Atëherë e pështynë ndër sy, edhe i ranë me grushta; edhe të tierë i ranë me shuplaka,
68 tue thanë: Profetizo mbë ne, o Krisht; cilli asht’ ai qi të ra?
69 Edhe Pietri rrinte përjashta ndë oborr, edhe i erdhi për-anë nji shërbëtore, tue thanë: Edhe ti ishie bashkë me Iesu Galileasinë.
70 Por ai e mohoi përpara të gjithëve, tue thanë: Nukë dij se qish thue.
71 Edhe ai kur duel ndë derë të oborrit, e pa nji tietër, edhe u thot’ atyneve qi ishin’ atie: Edhe kyi ishte bashkë me Iesu Nazoreasinë.
72 Edhe për-së-ri e mohoi me be, se: Nuk’ e dij nierinë.
73 Edhe mbas nji grimet erthnë për-anë ata qi ishinë tue ndenjun’, e i thanë Pietrit: Për të vërtet edhe ti je prei asish; sepse edhe të folunitë t’at të difton.
74 Atëherë filloi me nemë, e me bamë be, se: Nuk’ e dij atë nieri. Edhe përnjiherë këndoi gjeli.
75 Atëherë i ra ndër mend Pietrit fjala e Iesuit, qi i pat thanë, se: Para se të këndojë gjeli, tri herë ke me më mohuem. Edhe duel jashtë, e qjau idhët.
Shestimi kundër Jezusit
1 Kur Jezusi i kreu të gjitha këto fjalë, u tha nxanësve të vet: 2 «Ju e dini se mbas dy ditësh vijnë Pashkët dhe Biri i njeriut asht tue u dorëzue për me u kryqëzue».
3 Atëherë kryepriftënt dhe pleqtë e popullit u mblodhën në tremen e pallatit të kryepriftit, që quhej Kajafa, 4 e morën vendimin e përbashkët me e kapë Jezusin me dredhi, për ta vra. 5 Por thonin: «Jo gjatë festës, që të mos ketë rropatje në popull».
Vojimi i Jezusit
6 Kur Jezusi ishte në Betani, në shtëpinë e Simon të gërbulun, 7 iu avit një grue, me një enë alabastri me mirrë shumë të kushtueshme, dhe ia dikoi mbi krye, kur ai ishte në tryezë. 8 Nxnësit e panë dhe u zemrëuen e thanë: «Pse gjithë kjo humbje? 9 Mundte me u shitë shtrejtë, për me u dhanë të varfënve». 10 Por Jezusi, tue e ditë, u tha: «Pse po i qitni punë kësa grueje? Vepër të bukur bani ajo për mue. 11 Të varfnit i keni gjithmonë me ju, por mue nuk më keni gjithmonë. 12 Tue dikue këtë mirrë mbi trupin tim, bani çka lypet për varrim. 13 Vërtet po ju them, kudo të kumtohet ky ungjill, në mbarë botën, do të përflitet edhe çka bani ajo, në kujtim të saj».
Juda pajtohet për tradhti
14 Atëherë, njeri prej të dymbëdhjetëve, i quejtuni Judë Iskarioti, shkoi te kryepriftënt 15 e u tha: «Çka doni me më dhanë e unë do t'jua dorëzoj?». E i caktuen tridhjetë monedha argjendi. 16 Qysh atëherë kërkonte rastin e volitshëm për ta dorëzue.
Përgatitja e Pashkëve
17 Ditën e parë të bukëve të pambrueme nxanësit iu afruen Jezusit e i thanë: «Ku dëshiron ta bajmë gati për ty darkën e Pashkëve?». 18 Ai u tha: «Shkoni në qytet, te filani, e i thoni: “Mësuesi thotë: Koha ime asht afër. Te ti po i baj Pashkët, me nxanësit e mi”». 19 Nxanësit vepruen si i urdhnoi Jezusi dhe përgatitën Pashkët
20 Kur ra mbramja, u ul shtrue me të dymbëdhjetët. 21 Kur ishin tue hangër, tha: «Vërtet po ju them, njeni prej jush do të më dorëzojë». 22 Ata u trishtuen shumë e nisën tue e pyet, njeni mbas tjetrit: «Nuk jam unë, Zot?». 23 Ai u përgjigj: «Ai që zhyti dorën në kupë me mue, ai do të më dorëzojë. 24 Biri i njeriut po shkon, si asht shkrue për të, por mjerë ai njeri, prej të cilit po dorëzohet Biri i njeriut! Do t'i kishte pasë hije të mos kishte lindë ai njeri». 25 Juda, ai që po e dorëzonte, ia ktheu: «Nuk jam unë, rabbi?». Ai i tha: «E the vetë».
Darka e Zotit
26 Tue hangër, Jezusi mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu, ua dha nxanësve e tha: «Merrni, hani, ky asht trupi im». 27 Mandej mori kelkun, u falënderue e ua dha, tue thanë: «Pini prej tij të gjithë. 28 Ky asht gjaku imi besëlidhjes, që derdhet për hir të shumtëve, për faljen e mëkateve. 29 Por, po ju them, nuk do të pi ma, qysh tash, nga kjo dhunti i hardhisë, deri atë ditë, kur do ta pi me ju, të re, në mbretëninë e Atit tim».
30 Dhe, mbasi kënduen himnin, dolën drejt Malit Ullijve.
Parashikimi i mohimit të Pjetrit
31 Atëherë Jezusi u tha: «Të gjithë ju do të birreni prej meje këtë natë, sepse asht e shkrueme:
Do të godas bariun
e delet e grigjës do të turiten.
32 Por, mbasi të ngjallem, do t'ju prij në Galile». 33 Pjetri i tha: «Edhe nëse të gjithë do të birren prej teje, unë nuk do të burrem kurrë». 34 Jezusi i tha: «Vërtet po të them se, këtë natë, para se të këndojë gjeli, tri herë do të më shpërnjohësh». 35 Pjetri i tha: «Edhe nëse duhet të vdes me ty, nuk do të të shpërnjoh». Kështu thanë të gjithë nxanësit.
Lutja në Gjetseman
36 Atëherë Jezusi me ta në një vend që quhet Gjetsemani e u tha nxanësve: «Uluni këtu, ndërsa unë po shkoj me u lutë atje». 37 Mori me vete Pjetrin dhe dy bijtë e Zebedeut e filloi me u trishtue e me u angështue. 38 Mandej u tha: «Shpirti im asht i trishtuem deri në vdekje. Qëndroni këtu e rrini zgjuet me mua». 39 Shkoi pak ma andej, ra me fytyrë përdhe e u lut: «Ati im, nëse asht e mundun, ma largo këtë kelk. Megjithatë, jo si due unë, por si të duesh ti».
40 Erdhi te nxanësit dhe i gjeti fjetë. I tha Pjetrit: «Nuk ia dolët me ndejtë zgjuet me mue veç një orë? 41 Rrini zgjuet e lutuni mos me hy në sprovë, se shpirti asht i vrullshëm, por mishi asht i dobët». 42 Shkoi prap për të dytën herë e u lut: «Ati im, nëse ky kelk nuk mund të shmanget pa e pi, u baftë vullneti yt!».
43 Kur u kthye, i gjeti prap fjetë, se u ishin randue sytë. 44 I la sërish dhe shkoi e u lut për të tretën herë, tue thanë prap të njëjtat fjalë.
45 Atëherë erdhi te nxanësit e u tha: «Ende po flini e po pushoni? Ja, u afrue ora e Biri i njeriut po u dorëzohet në duert e mëkatarëve. 46 Çohuni të shkojmë. Ja, po afrohet ai që po më dorëzon».
Dorëzimi dhe kapja
47 Ishte ende tue folë dhe, ja, erdhi Juda, njeni prej të dymbëdhjetëve, me një turmë të madhe, me shpata e shtaga, të dërguem nga kryepriftënt e pleqtë e popullit. 48 Tradhtari u kishte dhanë këtë shenjë: «Kë të puth unë, ai asht. Atë kapni!». 49 E menjëherë iu afrue Jezusit e i tha: «Të falem, rabbi!». Dhe e puthi. 50 Jezusi i tha: «Shok, për këtë je këtu». Atëherë u afruen, vunë dorë mbi Jezusin dhe e kapën. 51 Dhe ja, njeni prej atyne që ishin me Jezusin nxori shpatën, goditi shërbëtorin e kryepriftit e i këputi veshin. 52 Atëherë Jezusi i tha: «Ktheje shpatën në vendin e vet. Të gjithë ata që marrin shpatën, nga shpata do të vdesin. 53 A mendoni se nuk mundem me iu lutë Atit tim me më dërgue fill ma shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh? 54 Por, si do të plotësoheshin shkrimet, që thonë se kjo duhet të ndodhë?».
55 Në atë kohë Jezusi u tha turmave: «Erdhët si për një cub, me më marrë me shpata e shtaga? Çdo ditë rrija tue mësue në tempull e nuk më kapët. 56 Por gjithë kjo ndodhi që të plotësohen shkrimet e profetëve».
Atëherë të gjithë nxanësit e lanë e ikën.
Jezusi para sinedrit
57 Ata që e kishin kapë, e çun te kryeprifti Kajafa, ku ishin mbledhë shkrestarët e pleqtë. 58 Pjetri e ndoqi prej së largu deri te tremja i pallatit të kryepriftit. Hyni mbrenda dhe ul me shërbëtorët, me pa përfundimin.
59 Kryepriftënt dhe krejt sinedri lypnin dëshmi të rreme kundër Jezusit, që ta vritnin, 60 por s'gjetën gja, megjithëse u paraqitën shumë dëshmitarë të rremë. Përfundimisht u paraqitën dy vetë 61 e thanë: «Ky ka thanë: “Mundem me e shkatërrue tempullin e Hyut dhe me e ndërtue mbas tri ditësh”».
62 U çue kryeprifti e tha: «Nuk përgjigjesh fare për çka po dëshmojnë këta kundër teje?». 63 Por Jezusi heshtte. Kryeprifti i tha: «Të përbej pash Hyun e gjallë me na thanë a je ti Krishti, Biri i Hyut?». 64 Jezusi i tha: «Vetë e the. Megjithatë, po ju them
prej tashit
do ta shihni Birin e njeriut
ndejun në të djathtën
e Hyut së fuqishëm,
dhe tue ardhë mbi retë e qiellit ».
65 Atëherë kryeprifti shqeu petkat e tha: «Blasfemoi! Ç'na nevojitet me pasë dëshmitarë? Sapo e ndigjuet blasfeminë. 66 Çka mendoni?». Ata u përgjigjën: «Meriton vdekjen». 67 Atëherë filluen ta pështynin në fytyrë e ta rrihnin. Disa e gjuenin me shpulla 68 e i thoshin: «Profetizo, o Krisht! Kush po të qëllon?».
Mohimi i Pjetrit
69 Pjetri ishte ulë përjashta në treme. Iu afrue një shërbëtore e i tha: «Edhe ti ishe me Jezu Galileasin». 70 Por ai e mohoi para të gjithëve e tha: «Nuk e di ç'po thue!». 71 Kur po dilte drejt portikut, e vërejti një shërbëtore tjetër e u tha atyne që gjendeshin aty: «Ky ishte me Jezusin e Nazaretit». 72 Por Pjetri e mohoi rishtas me be: «Nuk e njoh njeriun». 73 Mbas pak, të pranishmit iu afruen Pjetrit e i thanë: «Vërtet je një prej tyne, se edhe e foljma të zbulon». 74 Por Pjetri filloi me mallkue e me u betue: «Nuk e njoh njeriun».
Menjëherë këndoi gjeli 75 e Pjetrit iu kujtuen fjalët e Jezusit, që i kishte thanë: «Para se të këndojë gjeli, tri herë do të më mohosh». Doli jashtë e qau idhtë.