KAPTINA III.
1 Së mbrapëni, o vëllazën, fali për ne, qi të eci fjala e Zotit, edhe të lavdohetë, sikurse edhe te ju,
2 edhe qi të shpëtoimë prei nierëzëvet kotë e të këqi, sepse nukë janë të gjithë besëtarë,
3 por besëtar ashtë Zoti, qi ka me u forcuem juve, e ka me u rueitunë prei së keqit.
4 Edhe kemi shpëresë mbë ju me anë të Zotit, se ato qi u porositëm juve, edhe i bani, edhe keni me i bamë.
5 Edhe Zoti dreitoftë zemëratë tueja ndë dashuni, edhe ndë durim të Krishtit.
6 Edhe u porosisimë juve, o vëllazën, mb’emënë të Zotit t’ynë Iesu Krishtit, të mërgohi prei qish do vëllai qi ecën pa udhë, edhe jo mbas asai porosisë qi muer prei nesh.
7 Sepse ju e dini, se si duhetë me na marrë mbrapa, sepse nuk’ u prum pa udhë ndër ju,
8 as bukë nukë hangrëm dhunëti prei kuit, por me mundim e me fëdigë, tue punuem nat’ e ditë, qi të mos i bahemi barrë ndonjianit prei jush.
9 Jo se s’kemi pushtet, por qi t’apimë vetëhenë t’onë shëmbëllëtyrë për me na marrë mbrapa.
10 Sepse edhe kur ishim te ju, këte u porositëm juve, se ndë mos dashtë kushi me punuem, as le të mos hajë.
11 Sepse ndëgjoimë disa vetë ndër ju tue ecunë pa udhë, edhe nukë punojnë kreit, por sillenë rrotullë me vum’ ore punë të kota.
12 Edhe të tillëtë nierës i porosisim’ e i mësoimë për Zotinë t’anë Iesu Krishtinë, të hanë bukën’ e vet tue punuem me urti.
13 Por ju, o vëllazën, mos lodhi tue bamë mirë.
14 Edhe ndë mos i ndëgjoftë kushi fjalësë t’onë shkruem me anë të kësai letërësë, shënonia ate, edhe mos bashkohi me atë, qi t’i vijë turp,
15 por mos e vini ore ate si anëmik, por mësonia si vëlla.
16 Edhe vetë Zoti i paqtimit u dhashtë juve paqtiminë kurdo me qish do mëndyrë. Zoti qoftë bashkë me ju të gjithë.
17 Të falunitë me shëndet u shkrue me dorënë t’eme të Paulit, qi ashtë shenjë mbë qish do letërë, kështu shkruej.
18 - Hiri i Zotit t’ynë Iesu Krishtit qoftë bashkë me ju të gjithë. Amen.
E dyta (letërë) mbë Thessalonikanët u shkrue prei Athine .