KAPTINA II.
1 Por ti fol sa duhenë për mësimin’ e shëndoshë.
2 - Pleqtë të jenë të esullë, të hieshim, të urtë, të shëndoshë ndë besët, ndë dashunit, ndë durimt.
3 Kështu edhe plakatë të bihenë sikurse u ka hie shenjtënavet, mos jenë kallëzimtore, mos jenë dhanë mbas venësë shumë,
4 të jenë mësimtorë të mira, qi të mësojënë të ratë, të kenë dashuni mbë burrat, e dashuni mbë dielmt,
5 të urta, të qiruta, shtëpiare, të mira, krye-ulta mbë burrat e veta, qi të mos nemetë fjala e Perëndisë.
6 Kështu porosit edhe të ritë të jenë të urtë.
7 Mbë të gjitha punët të diftojsh vetëhenë tande për figure të vepëravet mira, tue rueitunë ndë mësimt pa prishie e hieshim,
8 fjalë të shëndoshë e të pazanë me faj, qi të turpënohet’ ai qi ashtë kundrë, a të mos ketë me folunë për ju as ndonji të keqe.
9 Shërbëtorëtë t’u ulinë kryetë zotënivet vet, mbë gjithë punët të jenë të pëlqyeshim, të mos dalinë kundrë me fjalë.
10 Të mos viedhinë, por të diftojënë qish do besë të mirë, qi të stolisinë ndër gjithë punët mësimin’ e Shëlbyesit t’ynë Perëndisë.
11 Sepse u duk i shpëtueshimi hir i Perëndisë mbë gjithë nierëzit,
12 qi na mëson neve me mohuem pabesëninë edhe dëshërimet’ e botësë, e të rroimë ndë këte jetë me urti e me dreitëni, e me besë të mirë,
13 tue pritunë të lumenë shpëresë, edhe të dukunit’ e laftit të madhit Perëndi, edhe Shëlbyesit t’ynë Iesu Krishtit,
14 i cilli dha vetëvetëhenë për ne, qi të na shpërblejë prei qish do farë paligjënie, edhe të na qirojë për vetëhen’ e ati popullë të sgjedhunë, zemër-përvëlutë për vepëra të mira.
15 Këto fol, e porosit, e qarto me qish do farë urdhëni, askushi le të mos të hedhi poshtë.
Mësimi i shëndoshë
1 Por ti mësoju të tjerëve ato që përkojnë me mësimin e shëndoshë.
2 Të moshuarit të jenë me mendje të kthjellët, të respektueshëm, të urtë, të fortë në besim, në dashuri e në durim.
3 Po ashtu, edhe të moshuarat të kenë një sjellje prej besimtareje, të mos jenë shpifëse e të mos bëhen skllave të verës së tepërt. Ato t'u mësojnë të rejave të mirën, 4 duke i këshilluar me urti që të duan burrat dhe fëmijët e tyre, 5 të jenë të urta, të dëlira, të zellshme në punët e shtëpisë, të mira, të nënshtruara ndaj burrave të tyre, që të mos shahet fjala e Perëndisë.
6 Po kështu këshillo të rinjtë të jenë të matur 7 për çdo gjë.
Tregoje veten shembull të veprave të mira. Kur u mëson të tjerëve besimin, të jesh i sinqertë e me dinjitet. 8 Përdor fjalët e duhura e që nuk kanë të sharë, që kundërshtari të turpërohet e të mos ketë asgjë të keqe për të thënë kundër nesh.
9 Skllevërit t'u nënshtrohen zotërinjve të tyre në gjithçka, të përpiqen t'u pëlqejnë atyre, të mos ua kthejnë fjalën 10 e të mos i vjedhin, por të tregohen tërësisht të mirëbesueshëm, që mësimi i Perëndisë, shpëtimtarit tonë, të zbukurohet në çdo gjë.
11 Hiri shpëtues i Perëndisë iu shfaq të gjithë njerëzve. 12 Ky hir na mëson të mohojmë jetën e mbrapshtë dhe dëshirat e liga të botës, të jetojmë me maturi, me drejtësi e të jemi të përkushtuar ndaj Perëndisë në këtë jetë, 13 duke pritur shpresën e lume dhe ardhjen e lavdisë së Perëndisë madhështor dhe shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. 14 Ai e dha veten për ne, që të na shpengojë nga çdo paudhësi dhe të na bëjë një popull të pastër për veten e tij dhe të zellshëm për vepra të mira.
15 Këto gjëra thuaju të tjerëve dhe këshillo e qorto me pushtet të plotë. Mos lejo njeri të të përçmojë.