KAPTINA I.
1 Pauli shërbëtor’ i Perëndisë, edhe apostull’ i Iesu Krishtit, mbas besësë të sgjedhunivet Perëndisë, edhe mbas së ngjofëmesë të vërtetësë qi ashtë mbas besësë mirë.
2 Për Shpirtin’ e jetësë pasosëme, qi ka zotuem i parrenësi Perëndi para motevet pa-sosunë.
3 Edhe nxuer për faqe ndë kohëna të urdhënueme fjalën’ e vet me anë të predikimit qi i kam zanë besë unë mbas porosisë Perëndisë t’onë Shëlbuesit;
4 mbë Titonë të thieshtinë dialë mbas besësë rëndomshime, qoftë hir, përdëllimt’, paqtim, prei Perëndisë Atit, edhe prei Zotit Iesu Krisht, Shëlbuesit t’ynë.
5 Përandai të lashë ndë Kretë, qi të ndreqish të mangunatë, edhe të veshë pleq qytet mbë qytet,
6 sikurse të kam urdhënuem kur të jet’ i patërhiekunë për faj, burr i nji gruejë, qi ka bij besëratë, qi të mos u ketë dalunë zani për plank-prishës, a për të pabindunë.
7 Sepse episkopi duhetë me qenun’ i patërhiekunë për faj, porsi guvernuer i Perëndisë, jo krye-naltë, jo zemërak, jo pianec, jo rrafës, jo asi qi lakëmon mbë fitim të keq,
8 por derë-çelë mbë të huejt, miku i së mirësë, i urtë, i dreitë, shenjt, asi qi përmba vetëhenë,
9 ngjitunë mbrapa mbas fjalësë zanë besë të mësimit, qi të mundetë me ngutunë të tierëtë me mësimin’ e shëndoshë, edhe të qartojë ata qi flasinë kundrë.
10 Sepse janë shumë të pabindunë, fjalë-kotë e mend-marrës, ma fort ata qi janë prei rreth-presëjesë. Atyneve duhetë me u mbëçelunë gojënë,
11 të cillëtë këthejënë përmbys shtëpia të tana tue mësuem sa s’duhetë, për fitim të ndytë.
12 Nji prei atyneve tha, vetë profeti i atyneve: “Kretasitë janë kurdo rrenësa, bisha të këqia, barqe të përtueshim”.
13 Ajo deshmi asht’ e vërtetë, për ate punë qartoi ata fort, qi të shëndoshenë ndë besët,
14 edhe të mos u venë vesh përrallavet Iudejvet, edhe porosivet nierëzëvet qi i këthejënë shpinënë të vërtetësë.
15 Të gjitha janë të qirueme mbë të qiruemit, por mbë të ndyemit e mbë të pabesët asgja s’asht’ e qirueme, por edhe mendia e atyneve edhe ndërgjegjëja asht’ e ndyeme.
16 Rrëfejënë me gojë se ngjofinë Perëndi, por me punë e mohojënë, sepse janë të ndyem, edhe të pabindunë, edhe të paprovueshim mbë qish do farë pune të mirë.
Përshëndetje
1 Unë, Pali, jam shërbëtor i Perëndisë dhe apostull i Jezu Krishtit, për t'u predikuar besimin të zgjedhurve të Perëndisë e për t'u bërë të njohur të vërtetën e besimit tonë, 2 që të kenë shpresën e jetës së amshuar. Perëndia që nuk gënjen, e premtoi këtë jetë që përpara fillimit të kohëve 3 dhe në kohën e duhur e bëri të njohur me fjalën e tij në predikimin që m'u besua sipas urdhrit të Perëndisë, shpëtimtarit tonë.
4 Po të shkruaj ty, o Tit, që je për mua bir i vërtetë në besimin tonë të përbashkët: hiri dhe paqja nga Perëndia Atë dhe nga Krishti Jezu, shpëtimtari ynë, qofshin me ty!
Puna e Titit në Kretë
5 Arsyeja pse të lashë në Kretë është që të rregullosh gjërat e papërfunduara e të caktosh pleq nëpër kisha në çdo qytet, ashtu siç të urdhërova.
6 Plaku i kishës duhet të jetë i paqortueshëm, bashkëshort i një gruaje, t'i ketë fëmijët besimtarë që nuk përfliten për shthurje a për mosbindje.
7 Peshkopi, si kujdestar i shtëpisë së Perëndisë, duhet të jetë i paqortueshëm, jo përbuzës, as gjaknxehtë, as i dhënë pas verës, as i dhunshëm, as lakmitar përfitimesh të pandershme. 8 Por ai duhet të jetë mikpritës, dashamirës, i urtë, i drejtë, i shenjtë e i matur. 9 Ai duhet t'i qëndrojë besnik fjalës së besueshme të mësimit që mori, që të jetë i aftë të këshillojë të tjerët me mësimin e shëndoshë e të bindë ata që e kundërshtojnë.
10 Në të vërtetë ka shumë të pabindur, dërdëllitës e mashtrues, veçanërisht mes besimtarëve të rrethprerë. 11 Atyre u duhet mbyllur goja, sepse për të përfituar në mënyrë të pandershme po shkatërrojnë familje të tëra, duke u mësuar njerëzve gjëra që nuk duhen. 12 Njëri nga ata, njëri nga profetët e tyre, ka thënë: «Kretasit janë gjithnjë gënjeshtarë, shtazarakë të ligj dhe grykës përtacë».
13 Kjo dëshmi është e vërtetë. Prandaj qortoji rreptë që të jenë të shëndetshëm në besim, 14 pa përfillur përrallat e judenjve dhe urdhërimet e njerëzve që shtrembërojnë të vërtetën.
15 Të gjitha gjërat janë të pastra për të pastrit, por për të ndoturit e të pafetë asgjë nuk është e pastër. Atyre u është ndotur edhe mendja, edhe ndërgjegjja. 16 Pohojnë se e njohin Perëndinë, por me veprat e tyre e mohojnë duke qenë të neveritshëm, të pabindur e të paaftë për ndonjë vepër të mirë.