KAPTINA VIII.
1 Tashti pra s’ashtë ndonji dënim për ata qi janë mbë Iesu Krishtinë, qi s’ecinë mbas mishit, por mbas shpirtit.
2 Sepse ligja e shpirtit jetësë mbë Iesu Krishtinë më liroi prei ligjësë fajit edhe vdekësë.
3 Sepse ate qi s’mundei me bamë ligja, sepse ishte e pafuqishime prei mishit, Perëndia dërgoi birin’ e vet me shëmbëllim mishi të fajit, edhe për faj, dënoi fajinë ndë misht,
4 qi të mbushetë dreitënimi i ligjësë mbë ne qi nuk’ ecimë mbas mishit, por mbas shpirtit.
5 Sepse ata qi rrojnë mbas mishit, kanë ndër mend punët’ e mishit, e ata qi rrojnë mbas shpirtit, kanë ndër mend punët e shpirtit.
6 Sepse mendia e mishit ashtë vdekë, por mendia e shpirtit ashtë jetë edhe paqtim.
7 Sepse mendia e mishit asht’ anëmiqësi te Perëndia, sepse nukë përungjetë mbë ligjët të Perëndisë, por as nukë mundetë.
8 Edhe sa janë të mishit, nukë mundenë me i pëlqyem Perëndisë.
9 Por ju nukë jeni të mishit, por të shpirtit, ndë ndejtë Shpirti i Perëndisë ndër ju. Por ndë mos pastë kushi Shpirtin’ e Krishtit, kyi nuk’ asht’ i ati.
10 Por ndë qoftë Krishti ndër ju, korpi asht’ i vdekunë për fajinë, por shpirti ashtë jetë për dreitëninë.
11 Por ndë ndejtë ndër ju Shpirti i ati qi ngjalli Iesunë së vdekunish, ai qi ngjalli Krishtinë prei së vdekunish, ka me u dhanë jetë edhe korpënavet tuei të mortshimvet me anë të Shpirtit vet qi rri ndër ju.
12 Pra, o vëllazën, jemi detorë jo ndë misht, qi të rrojmë mbas mishit.
13 Sepse ndë rrofshi mbas mishit, keni me vdekunë, por ndë vrafshi punët’ e korpit me anë të Shpirtit, keni me rruem.
14 Sepse ata qi guvernohenë prei Shpirtit Perëndisë, këta janë të bijt’ e Perëndisë.
15 Sepse s’keni marrë shpirt shërbëtyre, qi të keni frikë për-së-ri, por keni marrë shpirt birënie të zanë, me anë të cillit thërrasimë: Abba, Atë.
16 Ai Shpirt deshmon bashkë me shpirtinë t’anë, se jemi dielmt’ e Perëndisë.
17 Edhe ndë qofshim dielm, jemi edhe trashigimtarë: trashigimtarë të Perëndisë, edhe trashigimtarë bashkë me Krishtinë, por ndë shëfrefshim me ate, qi të lavdohemi bashkë me ate.
18 Sepse unë mendohem, se pësimet’ e kësai kohe tashti nukë janë të vëjefshime për me u vumë nji me nji me ate laftinë qi ka me u sbuluem mbë ne.
19 Sepse shpëresa madhe e krijesësë pret të sbuluemen’ e të bijvet Perëndisë.
20 Sepse krijesa uli vetëhenë ndë kotësinët, jo me dashunim të vet , por për ate qi e vuni ndënë vetëhenë,
21 me shpëresë, se edhe ajo krijesa ka me u dëlirunë prei prishëjesë shërbëtyrësë, e ka me ardhunë ndë dëlirëni të laftit dielmvet Perëndisë.
22 Sepse e dimë se gjithë krijesa fshan, e ka të dhimtunë bashkë deri tashti.
23 Edhe jo vetëm’ ajo , por edhe ata qi kanë pemën’ e parë të Shpirtit, edhe na vetë fshajmë me vetëhenë t’onë, tue pritunë për birënin’ e zanë, për shpërblimin’ e korpit t’ynë.
24 Sepse me shpëresënë shpëtuem, por ajo shpëresë qi shifetë, nuk’ ashtë shpëresë, sepse ate gja qi e shef kushi, qish shpëresë ka ma?
25 Por ndë shpërefshim për ate gja qi nuk’ e shofimë, e presimë me anë të durimit.
26 Kështu edhe Shpirti na ndihmon ndë sëmundiet t’ona, sepse nukë dimë për çfarë gjaje me u lutunë sikurse duhetë, por ai Shpirti vetë lutetë për ne me të fshame të pandime zaninë;
27 edhe ai qi shikon zemërat’, e di se qish ashtë mendia e Shpirtit, se lutetë për shenjtënit si do Perëndia.
28 Edhe e dimë, se gjithë punëtë punojnë bashkë për të mirë mb’ata qi duenë Perëndinë, mb’ata qi janë thirrunë sikurse qe dashunimi ati .
29 Sepse sa ngjofi çë përpara, ata urdhënoi çë përpara me qenunë bashkë mbi nji formë me figurën’ e Birit vet, qi të jet’ ai para-lindës ndër shumë vëllazën.
30 Edhe sa urdhënoi çë përpara, këta i thirri; edhe sa thirri, këta i nxuer të dreitë; edhe sa nxuer të dreitë, këta i lavdoi.
31 Qish kemi me thanë pra për këto punë? Ndë qoftë Perëndia bashkë me ne, cilli ka me qenunë kundrë nesh?
32 Sepse ai qi s’kurseu Birin’ e vet, por e dha ndër duer për ne të gjithë, e si s’ka me na falunë të gjitha bashkë me ate?
33 Cilli ka me përfolunë të sgjedhunit’ e Perëndisë? Perëndia asht’ ai qi nxier të dreitë.
34 Cilli ka me qenun’ ai qi gjukon për të keq? Krisht asht’ ai qi vdiq, por edhe ma tepërë ai qi u ngjall, edhe qi ashtë ndë të diathtë të Perëndisë, edhe qi lutetë për ne.
35 Cilli ka me na damë prei dashunisë Krishtit? Shtrëngim, a ngushtim, a ndiekëje, a uni, a të sveshunë, a rrezik, a thikë?
36 (Sikurse ashtë shkruem: “Se për punë teje vritemi gjithë ditënë; u numëruem porsi dhen për të therë.”)
37 Por mbë gjithë këto punë na mundimë ma tepërë me anë t’ati qi na deshi.
38 Sepse m’u ka mbushunë mendia, se as vdekë, as jetë, as engjuj, as urdhëna, as fuqi, as ato qi janë tashti, as ato qi kanë ardhunë,
39 as naltësinë, as thellësinë, as ndonjë tietërë krijesë do të mundetë me na damë prei dashunisë Perëndisë, qi ashtë mbë Zotinë t’anë Iesu Krishtinë.
Jeta në Shpirtin e shenjtë
1 Prandaj, tanimë nuk ka asnjë dënim për ata që i përkasin Krishtit Jezu, 2 sepse ligji i Shpirtit që jep jetë përmes Krishtit Jezu, ju çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes. 3 Atë që nuk mund ta bënte ligji për shkak të dobësisë njerëzore, e bëri Perëndia duke dërguar Birin e vet në përngjasim me dobësinë njerëzore mëkatare. Për sa i takon mëkatit, ai e ndëshkoi mëkatin në dobësinë njerëzore, 4 në mënyrë që kërkesat e drejta të ligjit të përmbushen në ne që nuk jetojmë sipas dobësisë njerëzore, por sipas Shpirtit.
5 Ata që jetojnë sipas dobësisë njerëzore, e kanë mendjen te gjërat e dobësisë njerëzore, por ata që jetojnë sipas Shpirtit, e kanë mendjen te gjërat e Shpirtit. 6 Mendja te gjërat e dobësisë njerëzore të çon në vdekje, ndërsa mendja te gjërat e Shpirtit të çon në jetë dhe paqe. 7 Prandaj mendja te gjërat e dobësisë njerëzore është në armiqësi me Perëndinë, pasi nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet. 8 Ata që jetojnë sipas dobësisë njerëzore, nuk mund t'i pëlqejnë Perëndisë.
9 Ju nuk jetoni sipas dobësisë njerëzore, por jetoni në Shpirt, përderisa Shpirti i Perëndisë banon në ju. Nëse ndonjë nuk e ka Shpirtin e Krishtit, ai nuk i përket Krishtit. 10 Nëse Krishti është në ju, trupi juaj do të vdesë për shkak të mëkatit, por Shpirti ju jep jetë, për shkak se Perëndia ju ka bërë të drejtë. 11 Nëse Shpirti i atij që e ngjalli Jezuin prej të vdekurve banon në ju, atëherë Perëndia që e ngjalli Krishtin prej të vdekurve, do t'u japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë përmes Shpirtit të tij që banon në ju.
12 Prandaj, o vëllezër, detyrimi që kemi nuk është kundrejt dobësisë njerëzore për të jetuar sipas saj. 13 Nëse jetoni sipas dobësisë njerëzore, ju do të vdisni; por nëse me anë të Shpirtit do t'i shkatërroni për vdekje veprat e dobësisë njerëzore, ju do të jetoni. 14 Ata që udhëhiqen prej Shpirtit të Perëndisë janë bij të Perëndisë. 15 Sepse Shpirti që keni marrë, nuk është një shpirt që ju bën skllevër për të pasur sërish frikë, por keni marrë Shpirtin që ju ka birësuar, nëpërmjet të cilit thërrasim: Abba, o Atë! 16 Ky Shpirt dëshmon me shpirtin tonë se jemi bij të Perëndisë. 17 Nëse jemi bij, jemi edhe trashëgimtarë; trashëgimtarë të Perëndisë si dhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, sepse, nëse vuajmë bashkë me të, edhe do të përlëvdohemi bashkë me të.
Lavdia e ardhshme
18 Unë mendoj se vuajtjet e kohës së tanishme as nuk ia vlen të krahasohen me lavdinë që do të na zbulohet në të ardhmen. 19 Gjithçka e krijuar nga Perëndia pret me padurim që ai të shfaqë bijtë e tij. 20 Në të vërtetë, gjithçka e krijuar iu nënshtrua prishjes jo me vullnetin e vet, por për shkak të atij që e nënshtroi. Megjithatë ka shpresë 21 se gjithçka e krijuar do të çlirohet nga robëria e kalbjes për të hyrë në lirinë e lavdisë së bijve të Perëndisë. 22 Ne e dimë se deri tani gjithçka e krijuar rënkon dhe vuan bashkë me ne si një grua në dhimbjet e lindjes; 23 dhe jo vetëm gjithçka e krijuar, por edhe vetë ne që i kemi marrë frytet e para të Shpirtit rënkojmë përbrenda vetes, duke pritur me padurim birësimin dhe shpengimin e trupave tanë. 24 Sepse u shpëtuam me anë të shpresës, por shpresa që shihet nuk është shpresë. Përse duhet ta shpresojë njeriu atë që sheh? 25 Por nëse e shpresojmë atë që nuk e shohim, atëherë e presim me durim.
26 Po ashtu edhe Shpirti na ndihmon, sepse jemi të dobët. Ne nuk dimë as për çfarë e as si duhet të lutemi, por vetë Shpirti ndërmjetëson për ne me psherëtima të pashqiptueshme. 27 Perëndia që shqyrton zemrat e di se cili është synimi i Shpirtit, sepse ai ndërmjetëson për të shenjtët siç i pëlqen Perëndisë. 28 Ne e dimë se Perëndia bën që të gjitha gjërat të bashkëveprojnë për mirë për ata që e duan atë dhe që janë thirrur sipas qëllimit të tij. 29 Sepse Perëndia i njihte ata që më përpara dhe i paracaktoi për t'u bërë të ngjashëm me shëmbëllimin e Birit të tij, në mënyrë që Biri të jetë i parëlinduri mes shumë vëllezërve. 30 Ata që i paracaktoi, edhe i thirri; ata që i thirri, edhe i bëri të drejtë; ata që i bëri të drejtë, edhe i përlëvdoi.
Dashuria e Perëndisë
31 Ç'të themi, pra, për këto gjëra? Nëse Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh? Ai që vërtet nuk e kurseu Birin e vet, 32 por e dha për ne të gjithë, a nuk do të na dhurojë bashkë me të edhe çdo gjë tjetër? 33 Kush do t'i padisë të zgjedhurit e Perëndisë? Askush, sepse Perëndia është ai që i bën të drejtë. 34 Kush është ai që do t'i dënojë? Askush, sepse Krishti Jezu është ai që vdiq, e për më tepër është ai që u ngjall. Është ai që rri në të djathtë të Perëndisë e ndërmjetëson për ne. 35 Kush do të na ndajë nga dashuria e Krishtit? Mos vallë pikëllimi a hidhërimi, përndjekja a uria, të zhveshurit a rreziku apo shpata? 36 Sikurse është shkruar:
për ty po na vrasin tërë ditën
e na trajtojnë si dele për t'u therur.
37 Por në të gjitha këto gjëra ne dalim më shumë se fitimtarë me anë të atij që na deshi. 38 Unë jam i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as sundimtarët, as gjërat e tashme, as ato që po vijnë, as pushtetet, 39 as forcat qiellore, as forcat e botës së nëndheshme, as ndonjë krijesë tjetër nuk do të mund të na ndajnë nga dashuria e Perëndisë që u tregua në Krishtin Jezu, Zotit tonë.