KAPTINA IV.
1 Qish do të thomi pra se fitoi Abrahami ati ynë mbas mishit?
2 Sepse ndë duel i dreitë Abrahami prei vepërash, ka mbë ke me u mburrunë, por jo përpara Perëndisë.
3 Sepse qish thotë shkronja? “Edhe Abrahami i besoi Perëndisë, edhe iu numërue për dreitëni”.
4 Edhe ai qi punon, paga nuk’ i numërohetë për nderë, por për detyrë, 5 por ati qi s’punon, edhe i beson ati qi nxierr të dreitë të shtrembëtinë, besa e ati i numërohetë për dreitëni.
6 Sikurse edhe Davidi quen të lumun’ ate nieri, të cillit Perëndia i numëron dreitëninë pa vepëra:
7 “Lum ata qi u falnë paligjëniat’, edhe u mbuluenë fajetë.
8 Lum ai nieri, të cillit Zoti s’ka me i numëruem fajinë”.
9 Kyi të lumunë pra thohetë për ata qi janë rreth-premë, apor për ata qi nukë janë rreth-premë? Sepse thoni se besa iu numërue Abrahamit për dreitëni.
10 Si iu numërue pra? Kur ishte i rreth-premë, apor kur ishte i parreth-premë? Jo kur ishte i rreth-premë, por i parreth-premë.
11 Edhe muer shenjën’ e rreth-presëjesë, për bulë dreitënie t’asai besësë qi ashtë ndë të parreth-premit, qi ai të jet’ ati i gjith’ atyneve qi besojnë kur janë të parreth-premë, qi të numërohet’ edhe mb’ata dreitënia;
12 edhe at’ i rreth-presëjesë jo veç mb’ata qi janë të rreth-premë, por edhe mb’ata qi ecinë mbas gjurmash besës’ atit t’ynë Abrahamit kur qe i parreth-premë.
13 Sepse të zotuemitë mbë Abrahaminë, a mbë farën’ e ati, se kishte për me qenunë trashigimtar i botësë, nuk’ u ba me anë të ligjësë, por me anë të dreitënisë qi ashtë prei besësë.
14 Sepse ndë janë trashigimtarë ata qi janë prei ligjësë, besa duel’ e kotë, edhe u prish të zotuemitë.
15 Sepse ligja bije zemërim; sepse atie ku s’ashtë ligjë, as të kapërcyem urdhënin’ ashtë .
16 Përandai trashigimi ashtë prei besësë, qi të jetë dhunëti, për me qindruem të zotuemitë mbë gjithë farënë, jo veç mb’ate qi ashtë prei ligjësë, por edhe mb’ate qi ashtë prei besës’ Abrahamit, i cilli asht’ ati ynë të gjithëve,
17 (sikurse ashtë shkruem: “Se të kam vum’ atë mbë shumë kombe”), përpara Perëndisë qi i besoi, ati qi ep jetë të vdekunavet, edhe quen ato punë qi s’janë, si ato qi janë.
18 Ai Abrahami ka pasunë shpëresë, besoi me shpëresë, se kishte për me u bam’ atë më shumë kombe, sikurse qe folunë: “Kështu ka me qenunë fara jote”.
19 Edhe mbassi nuk’ u likshtue ndë besët, nuk’ u mendue se tashti korpi i vet ishte i vdekunë, sepse ishte ma tepërë se nji qind vieç, as të vdekunit’ e shtratit Sarrësë;
20 as nukë qe me dy mendesh mbë të zotuemen’ e Perëndisë të mos zajë besë, por u forcue ndë besët, e i dha laft Perëndisë,
21 edhe iu mbush mendia se për qish u zotue, asht’ i zoti edhe me e mbaruem.
22 Edhe përandai iu numërue për dreitëni.
23 Edhe nuk’ u shkrue vetëmë për ate, se iu numërue ati,
24 por edhe për ne, ka me u numëruem, qi i besojm’ ati qi ngjalli prei së vdekunish Iesunë Zotinë t’anë,
25 i cilli u dha ndër duer për fajet t’ona, edhe u ngjall për me na nxierrë të dreitë.
Shembulli i Abrahamit
1 Ç'të themi, pra, për Abrahamin, stërgjyshin tonë? Çfarë fitoi ai si njeri? 2 Nëse Abrahami do të ishte bërë i drejtë falë veprave, atëherë ai do të kishte pse të mburrej, por jo para Perëndisë. 3 Çfarë thotë Shkrimi? Abrahami i besoi Perëndisë dhe falë besimit Perëndia e bëri të drejtë.
4 Shpërblimi që i jepet punëtorit nuk është dhuratë, por është detyrim. 5 Ndërsa ai që nuk ka vepra, por i beson Perëndisë që bën të drejtë mëkatarin, për shkak të besimit, bëhet i drejtë. 6 Po ashtu edhe Davidi e quan të lum njeriun që Perëndia e bën të drejtë pa vepra:
7 lum ata të cilëve
u janë falur paudhësitë
e u janë fshirë mëkatet!
8 Lum njeriu, të cilit Zoti
nuk do t'ia llogarisë mëkatin!
9 A vlen kjo lumni vetëm për të rrethprerët apo edhe për të parrethprerët? Ne sapo thamë: falë besimit Perëndia e bëri të drejtë Abrahamin. 10 Po kur e bëri të drejtë? Kur ishte i rrethprerë apo kur ishte i parrethprerë? Jo kur ishte i rrethprerë, por kur ishte i parrethprerë.
11 Abrahami e mori shenjën e rrethprerjes si vulë që tregonte se ishte bërë i drejtë përmes besimit kur ishte ende i parrethprerë. Kështu, ai u bë ati i të gjithë atyre që besojnë në Perëndinë pa u rrethprerë, në mënyrë që Perëndia t'i bëjë të drejtë për shkak të besimit. 12 Ai u bë edhe ati i atyre të rrethprerëve që nuk janë vetëm të rrethprerë, por që edhe ecin në gjurmët e besimit që kishte ati ynë, Abrahami, para se të rrethpritej.
Premtimi përmes besimit
13 Perëndia i premtoi Abrahamit dhe pasardhësve të tij se Abrahami do të trashëgonte botën jo përmes bindjes ndaj ligjit, por përmes besimit që e bëri atë të drejtë. 14 Nëse ata që i binden ligjit do të bëheshin trashëgimtarë të premtimit, atëherë besimi do të ishte i kotë dhe premtimi nuk do të kishte më vlerë.
15 Sepse ligji sjell zemërimin e Perëndisë, por ku nuk ka ligj, nuk ka as shkelje të ligjit. 16 Prandaj, premtimi përmbushet prej besimit, që të jetë nga hiri i Perëndisë dhe të jetë i sigurt për të gjithë pasardhësit e Abrahamit, jo vetëm për ata që e zbatojnë ligjin, por edhe për ata që besojnë si Abrahami. Ai është ati i ne të gjithëve, 17 sikurse është shkruar: të kam bërë atë të shumë kombeve. Ai është ati ynë para Perëndisë të cilit i besoi, Perëndisë që u jep jetë të vdekurve dhe që me anë të fjalës së tij krijoi gjithçka që nuk kishte qenë më parë.
18 Kundër çdo shprese, Abrahami besoi me shpresë se do të bëhej atë i shumë kombeve, sipas asaj që ishte thënë: kështu do të jenë pasardhësit e tu. 19 Abrahamit nuk iu dobësua besimi edhe kur ishte rreth njëqind vjeç dhe kuptoi se trupi i tij dhe i Sarës ishin pothuaj të vdekur e nuk mund të lindnin fëmijë. 20 Ai nuk e humbi besimin e nuk dyshoi në premtimin e Perëndisë, por u forcua prej besimit dhe i dha lavdi Perëndisë.
21 Ai ishte plotësisht i bindur se Perëndia ishte në gjendje të bënte gjithçka kishte premtuar. 22 Prandaj, falë besimit, Perëndia e bëri të drejtë. 23 Fjalët «u bë i drejtë» nuk u shkruan vetëm për të, 24 por edhe për ne. Të drejtë do të na bëjë edhe ne që i besojmë atij që e ngjalli Zotin tonë Jezu prej të vdekurve. 25 Ai iu dorëzua vdekjes për shkak të paudhësive tona dhe u ngjall që ne të bëhemi të drejtë.