KAPTINA II.
1 Përandai s’mundesh me dhanë fjalë, o nieri, cillido je ti qi gjukon, sepse për ate punë qi gjukon tietrinë, gjukon vetëhenë tande për të keq, sepse ti qi gjukon, punon ato punë .
2 Edhe e dimë, se gjyqi i Perëndisë ashtë me të vërtetë kundrë atyneve qi punojnë t’atillash punë .
3 E mendon këte, ti o nieri, qi gjukon ata qi punojnë t’atillash punë , edhe ban ato, se ke me shpëtuem prei gjyqit Perëndisë?
4 Apor ban për asgja pasëjen’ e mirënisë ati, e të durimit, e të zemrësë gjanë, e nuk’ e di, se mirënia e Perëndisë të bije ndë pendesë?
5 Por për ashpëriminë tand, edhe për zemërën’ e papendueshime mbëledh zemërim mbë vetëhenë tande ndë ditë të zemërimit, edhe të sbuluemesë gjyqit dreitë të Perëndisë,
6 i cilli ka me ia paguem gjithë-se-cillit mbas vepëravet ati;
7 atyneve qi lypinë laft, e nder, e të pavdierrë me durim për vepërë të mirë, ka me u dhanë jetë të pasosëme;
8 e mb’ata qi qartohenë, edhe nuk’ ulenë mbë të vërtetënë, por ulenë mbë të shtrembëtënë ka me qenunë zemërim edhe mëni,
9 acarim edhe shtrëngim mbë qish do shpirt nieriu qi punon të keqenë, mbë Iudenë ma parë, edhe mbë Grekunë,
10 por laft, e nder, e paqtim ka me qenunë mbë gjithë-se-cillinë qi punon të mirënë, mbë Iudenë ma parë, edhe mbë Grekunë.
11 Sepse afër Perëndisë s’ka të mbaitun’ anë,
12 sepse gjithë sa fëjyenë mbë ligjë, kanë me u vdierrë pa ligjë; edhe gjithë sa fëjyenë pa ligjë, kanë me u gjukuem me ligjë,
13 (sepse nukë janë të dreitë afër Perëndisë ata qi i mbanë vesh ligjësë, por ata qi punojnë ligjënë kanë me dalunë të dreitë.
14 Sepse kur gjintarëtë qi s’kanë ligjë, punojnë punët e ligjësë mbas natyrësë, këta ndonëse s’kanë ligjë, ashtë ligjë ndë vetëhet t’atyne,
15 të cillëtë diftojnë punën’ e ligjësë shkruem ndë zemërat të veta, sepse ndërgjegjëja e atyne dëshmon bashkë me ata, edhe mendimetë ndërmiet atyne përflasinë, a apinë fjalë njiani për tietërinë);
16 mb’ate ditë kur do të gjukojë Perëndia të mpshefëtat’ e nieriut me anë të Iesu-Krishtit, mbas ungjillit t’em.
17 Qe, ti qi quhe Iude, edhe prahe mbë ligjët, e mburre mbë Perëndinë,
18 edhe njef dashunimin’ e ati , edhe shqyem ato qi dajnë, sepse je mësuem prei ligjësë;
19 edhe ke shpëresë mbë vetëhenë tande se u tërheq udhënë të verbënavet, se je drit’ e atyneve qi janë nd’errësinë,
20 mësesës i të marrëvet, mieshtër i foshnjevet, e se ke formën’ e së ngjofëmesë, edhe së vërtetësë ndë ligjët.
21 Ti pra qi mëson tietërinë, nukë mëson vetëvetëhenë? Ti qi predikon të mos viedhinë, viedh?
22 Ti qi thue të mos kurvënojnë, kurvënon? Ti qi ke të ndytë idhujtë, vieth gja kishe?
23 Ti qi mburre mbë ligjët, shpërnderon Perëndinë tue kapërcyem ligjënë?
24 Sepse “emëni i Perëndisë nemetë ndër kombet për punë tuei”, sikurse ashtë shkruem.
25 Sepse rreth-presëja vëjen, ndë punofsh ligjënë, por ndë kapërcefsh ligjënë, rreth-presëja jote u ba të parreth-premë.
26 Ai pra qi nuk’ ashtë rreth-premë ndë rueitë porosit’ e ligjësë, a s’ka me u queitunë të parreth-premit’ e ati për rreth-presëje?
27 Edhe ai qi ashtë prei natyrës’ i parreth-premë, e punon ligjënë, nukë do të gjukojë tyi qi ke shkronjën’ e ligjësë , edhe rreth-presëjenë, e kapërcen ligjënë?
28 Sepse nuk’ asht’ Iude ai qi duketë për faqe, as rreth-presëja ndë misht qi duketë për faqe,
29 por ai qi ashtë ndë të mpshefunë Iude, edhe rreth-presëja asht ajo e zemrësë, qi ashtë ndë shpirt, e jo ajo qi ashtë ndë shkronjë, të cillit lafti nuk’ ashtë prei nierëzish, por prei Perëndisë.
Gjykimi i drejtë i Perëndisë
1 Ti, o njeri, që gjykon të tjerët, kushdo qofsh, nuk ke asnjë shfajësim. Duke gjykuar tjetrin, dënon vetveten, sepse ti që gjykon, bën të njëjtat gjëra. 2 Ne e dimë se gjykimi i Perëndisë për ata që bëjnë këto gjëra është sipas së vërtetës. 3 A mendon se do t'i shpëtosh gjykimit të Perëndisë, o njeri, që gjykon ata që bëjnë të njëjtat gjëra që i bën edhe ti? 4 Apo i përçmon pasuritë e mirësisë, të durimit dhe zemërgjerësisë së Perëndisë pa e ditur se mirësia e tij të çon në pendim?
5 Por me ashpërsinë tënde dhe me zemrën e papenduar po i përgatit vetes një zemërim të madh për ditën kur Perëndia do të zbulojë zemërimin dhe gjykimin e tij të drejtë. 6 Perëndia do ta shpërblejë çdonjërin sipas veprave të veta. 7 Atyre që me durim kërkojnë lavdi, nder e pavdekësi në vepra të mira, do t'u japë jetën e amshuar, 8 ndërsa ata që janë kryeneçë e nuk i binden së vërtetës, por i binden padrejtësisë, i pret zemërimi e tërbimi i Perëndisë. 9 Për çdo qenie njerëzore që bën ligësi do të ketë mundim e ankth, së pari për judeun, por edhe për helenin. 10 Por për këdo që bën të mirën, do të ketë lavdi, nder e paqe, së pari për judeun, por edhe për helenin. 11 Sepse Perëndia nuk është i njëanshëm.
12 Të gjithë ata që kanë mëkatuar pa e njohur ligjin, nuk do të ndëshkohen sipas këtij ligji, ndërsa të gjithë ata që kanë mëkatuar duke e njohur ligjin, do të gjykohen sipas tij. 13 Të drejtë para Perëndisë nuk janë ata që e dëgjojnë ligjin, por ata që e zbatojnë atë.
14 Kur kombet që nuk e kanë ligjin, zbatojnë vetvetiu çfarë thotë ligji, megjithëse nuk e kanë ligjin, ato veprojnë si ta kishin atë brenda vetes së tyre. 15 Me këtë ata tregojnë se urdhërimet e ligjit janë të shkruara në zemrat e tyre, gjë për të cilën dëshmon edhe ndërgjegjja e tyre, edhe mendimet e tyre të brendshme, që herë i akuzojnë për faj e herë i shfajësojnë. 16 Kjo do të dalë në dritë ditën kur Perëndia do të gjykojë të fshehtat e njerëzve përmes Krishtit Jezu, siç e pohon ungjilli që predikoj unë.
Judenjtë dhe ligji i Moisiut
17 Çfarë të themi për ty që e quan veten jude? Ti mbështetesh te ligji e mburresh me Perëndinë, 18 e njeh vullnetin e tij dhe ligji të ka mësuar të dallosh të mirën. 19 Ti je i bindur se je udhëheqës i të verbërve e dritë për ata që janë në errësirë, 20 edukator i të panxënëve e mësues i të miturve në besim, sepse në ligj ke dijen e plotë dhe gjithë të vërtetën.
21 Ti, pra, që mëson të tjerët, nuk mëson dot veten? Ti që predikon se nuk duhet vjedhur, vjedh? 22 Ti që thua se nuk duhet bërë tradhti bashkëshortore, bën tradhti bashkëshortore? Ti që ke neveri idhujt, plaçkit tempuj? 23 Ti që mburresh me ligjin, çnderon Perëndinë duke e shkelur këtë ligj? 24 Sepse, siç është shkruar: për shkakun tuaj emri i Perëndisë shahet ndër kombe.
25 Rrethprerja është e dobishme nëse ti zbaton ligjin, por nëse je shkelës i tij, rrethprerja jote nuk vlen . 26 Prandaj, nëse i parrethpreri respekton urdhërimet e ligjit, a nuk do t'ia njohë atij Perëndia parrethprerjen si rrethprerje? 27 Ai që është i parrethprerë, por e zbaton ligjin, do të të gjykojë ty, që, megjithëse je i rrethprerë dhe e ke të shkruar ligjin, je shkelës i këtij ligji.
28 Sepse jude i vërtetë nuk është ai që duket i tillë së jashtmi dhe rrethprerja nuk është diçka e jashtme apo trupore, 29 por jude i vërtetë është ai që është i tillë së brendshmi. Rrethprerja e vërtetë është ajo e zemrës, që bëhet në Shpirt e jo në shkronjë. Lavdia e judeut të vërtetë nuk vjen nga njerëzit, por nga Perëndia.