KAPTINA XI.
1 Thom pra: Mos e hodhi tej Perëndia popullin’ e vet? Qoftë lark, sepse edhe unë jam Israelit, prei farës’ Abrahamit, prei kombit Beniaminit.
2 Perëndia nuk’ e hodhi tej popullin’ e vet, të cillin’ e ngjofi çë përpara. Apor nukë dini qish thotë shkronja për Elinë? Qysh flet te Perëndia kundrë Israelit, tue thanë:
3 “Zot, vranë profetënit’ e tu, edhe rrëzuenë theroret’ e tua; edhe unë mbeta vetëmë, edhe kërkojnë jetënë t’eme”.
4 Por si i përgjegjetë Perëndia? “Kam lanë për vetëhenë t’eme shtatë mijë burra, të cillëtë nuk’ i ulnë mbë gjunjë Baalit”.
5 Kështu pra edhe mbë këte kohë tashti ka mbetunë nji gja send mbas së sgjedhëmesë dhunëtisë.
6 Por ndë qoftë mbas dhunëtisë, nuk’ ashtë ma prei vepërash, sepse atëherë dhunëtia nuk’ ashtë ma dhunëti, sepse vepëra nuk’ ashtë ma vepërë.
7 Qish pra? Israeli nuk’ e gjeti ate qi kërkon, por të sgjedhunit’ e gjetnë’, e të tietër’ u verbuenë, deri mbë dhetë ditë të sotshime,
8 (sikurse ashtë shkruem: “Perëndia u dha atyneve nji të ardhunë gjumi, sy qi të mos shofinë, edhe veshë qi të mos ndëgjojnë”.)
9 Edhe Davidi thotë: “U baftë truveza e atyne për kurth, e për lak, e për shkandal, e për shpagim mb’ata.
10 U errësofshinë syt’ e atyne qi të mos shofinë, edhe kurrus kurrizin’ e atyne për kur-do”.
11 Thom pra: Mos fëjyenë qi të rrëzohenë? Qoftë lark, por prei së rrëzuemes’ atyne u ba shpëtim ndër kombet, qi t’u shtierë zmirin’ atyne.
12 Edhe e rrëzuemeja e atyne ndë qoftë pasëje bote, edhe të mangunit’ e atyne pasëje kombesh, sa ma tepërë ka me qenunë të mbushunit’ e atyne?
13 Sepse u thom juve kombevet (deri sa të jemi unë apostull i kombevet, lavdoj punënë qi baj),
14 qi t’u shtije zmirin’ atyneve qi janë mishi em, edhe të shpëtoj disa prei asish.
15 Sepse e hudhëmeja tej e atyneve ashtë të paqtuemit’ e botesë, qish do të jetë të pritunit’ e atyneve , veçe se jetë së vdekunish?
16 Por ndë qoftë pem’ e parë shenjte, asht’ edhe brumi; edhe ndë qoftë rraja shenjte, jan’ edhe degatë.
17 Edhe ndë ushqyenë disa prei degash, e ti, qi ishie ullin’ i egrë, u shartove ndër ato, e u bane shoqi i rrajës’, edhe i ullinit majtunë, mos u mburr kundrë degavet,
18 por ndë mburre, ti nukë mba rrajënë, por rraja të mba tyi.
19 Do të thuesh pra: U shqyenë degatë, qi të shartohem unë.
20 Mirë, për pabesiminë u shqyenë, por ti qindron për besënë. Mos mendo nalt, por kij frikë,
21 sepse Perëndia ndë mos kurseu degat’ e natyrshime, druese nukë do të kursejë edhe tyi.
22 Shif pra mirëninë, edhe acërimin’ e Perëndisë, mb’ata qi u rrëzuenë; acërim, por mbë tyi mirëni, ndë qindrofsh ndë mirënit, sepse tietrazi edhe ti ke me u shkëputunë.
23 Por edhe ata, ndë mos qindrofshinë ndë pabesënit, kanë me u shartuem, sepse Perëndia asht’ i fortë me i shartuem prap.
24 Sepse ndë u shkëpute ti prei ullinit egrë të natyrëshim, edhe u shartove kundrë natyrësë, ndë ulli të butë, sa ma tepër, ata qi janë të natyrëshim kanë me u shartuem ndë ulli të vet.
25 Sepse nukë due, o vëllazën, të mos e dini këte mpshefësinë (qi të mos jeni të mentshim ndër vetëhet tueja,) se verbim u ba mbë nji anë mbë Israelitët, deri sa të hyjë të mbushunit’ e kombevet;
26 edhe kështu Israeli ka me shpëtuem, sikurse ashtë shkruem: “Ka me ardhunë prei Sionit Ai qi shpëton, edhe ka me këthyem pabesëniatë prei Iakobit.
27 Edhe këjo ashtë dhiata prei meje mb’ata, kur t’u hiek fajet atyne”.
28 Edhe prei anës’ ungjillit jan’ anëmiq te ju, por prei anësë së sgjedhëmesë janë të dashunë për atënit.
29 Sepse dhunëtiat’ edhe të thërritunat’ e Perëndisë janë pa pendim.
30 Sepse sikurse edhe ju njiherë nuk’ i ndëgjuetë Perëndisë, por tashti u përdëllyetë prei të pandëgjuemit këtyneve.
31 Kështu edhe këta tashti nuk’ i ndëgjuenë’ ati , për me u përdëllyem edhe ata prei përdëllimit tuei.
32 Sepse Perëndia i mbylli të gjithë ndë pandëgjim, qi të përdëllejë të gjithë.
33 O thellësinë pasëje, e ditunie, e shqisë Perëndie! Sa të pakërkueshime janë gjyqet’ e ati, edhe të pagjetunë gjurmat’ e udhëvet ati!
34 Sepse “kush e ngjofi mendien’ e Zotit? A kush u ba këshillës bashkë me ate?”
35 A: “Kush i dha ati gja përpara, qi t’i shpaguhetë?”
36 Sepse prei ati, edhe me anët t’ati, edhe për ate janë të gjitha; mb’ate qoftë lafti për gjithë jetët. Amen.
Izraeli nuk është hedhur poshtë
1 Prandaj pyes: mos vallë Perëndia e ka hedhur poshtë popullin e vet? Larg qoftë! Unë vetë jam izraelit, nga pasardhësit e Abrahamit, prej fisit të Benjaminit. 2 Perëndia nuk e ka hedhur poshtë popullin e vet, të cilin e zgjodhi që më parë. Apo nuk e dini çfarë thotë Shkrimi për Elinë? Ai iu drejtua Perëndisë kundër Izraelit e i tha: 3 «O Zot, ata vranë profetët e tu dhe rrënuan altarët e tu. Vetëm unë kam mbetur, ata kërkojnë jetën time».
4 Por si u përgjigj Perëndia? «Kam ruajtur për vete shtatë mijë burra që nuk i kanë rënë në gjunjë Baalit ». 5 Kështu, edhe në kohën e tanishme ka mbetur një numër izraelitësh që Perëndia i ka zgjedhur me hirin e tij. 6 Perëndia i zgjodhi ata me anë të hirit të tij dhe jo me anë të veprave të tyre, përndryshe hiri nuk do të ishte më hir .
7 E çfarë ndodhi? Izraeli nuk e mori atë që kërkoi, por e morën vetëm ata që zgjodhi Perëndia, ndërsa të tjerët u ngurtësuan, 8 sikurse është shkruar:
Perëndia u dha atyre
një shpirt plogështie,
sy për të mos parë
e veshë për të mos dëgjuar
deri në ditët e sotme.
9 Dhe Davidi thotë:
tryeza e tyre
u bëftë kurth e lak,
pengesë për rrëzimin
e ndëshkimin e tyre!
10 Sytë e tyre
u errësofshin për të mos parë
e kurrizi i tyre
u kërrustë gjithmonë!
Shpëtimi i kombeve
11 Prandaj pyes: mos vallë izraelitët u penguan për t'u rrënuar? Larg qoftë! Por përmes rënies së tyre u erdhi shpëtimi kombeve që ata të kishin zili. 12 Nëse mangësia e tyre u bë pasuri për botën dhe dështimi i tyre pasuri për kombet, sa më e madhe do të jetë plotësia e tyre!
13 Tani po ju flas juve, kombeve, sepse unë jam me të vërtetë apostull i kombeve. Unë po e lavdëroj shërbesën time 14 për të nxitur disi zilinë e popullit tim dhe për të shpëtuar disa prej tyre. 15 Nëse hedhja e tyre poshtë solli pajtimin e botës me Perëndinë, a nuk do të jetë pranimi i tyre nga Perëndia si kthim nga vdekja në jetë? 16 Nëse mielli është i shenjtë, edhe brumi është i shenjtë, nëse rrënjët janë të shenjta, edhe degët janë të shenjta.
17 Disa nga degët u prenë dhe në vend të tyre u shartove ti që je filiz ulliri të egër dhe kështu ushqehesh nga të mirat e rrënjës së ullirit. 18 Prandaj mos u mburr kundër degëve. Nëse mburresh, mos harro se nuk je ti që mban rrënjën, por është rrënja që të mban ty.
19 Por ti do të thuash: «Degët u prenë që të shartohesha unë». 20 Mirë e the. Degët u prenë për shkak se nuk besuan, ndërsa ti qëndron, sepse ke besuar. Mos u mburr, por druaju. 21 Nëse Perëndia nuk kurseu degët natyrore, ai nuk do të të kursejë as ty që u shartove.
22 Shih sesi e tregon Perëndia mirësinë dhe ashpërsinë e tij: ai është i ashpër me ata që ranë, por është i mirë me ty, nëse do të qëndrosh në mirësinë e tij. Përndryshe do të pritesh edhe ti.
23 Ndërsa ata, nëse nuk vazhdojnë në mosbesim, do të shartohen, sepse Perëndia ka fuqinë për t'i shartuar përsëri. 24 Nëse ti je prerë prej një ulliri të egër nga natyra dhe përkundër natyrës u shartove në një ulli të butë, aq më tepër degët e ullirit të butë do të shartohen në trungun e vet!
Kthimi i Izraelit te Perëndia
25 O vëllezër, që të mos mbaheni për të mençur, dua t'ju bëj të njohur këtë shestim të fshehtë të Perëndisë: një pjesë e Izraelit do të vazhdojë në kokëfortësinë e vet, derisa të gjitha kombet e tjera të hyjnë në shpëtimin e Perëndisë. 26 Dhe kështu i gjithë Izraeli do të shpëtohet, sikurse është shkruar:
çlirimtari do të vijë
nga Sioni;
dhe do ta zhdukë mosbesimin
nga Jakobi.
27 Kjo është besëlidhja ime me ta,
kur t'i fshij mëkatet e tyre.
28 Meqenëse ata e kundërshtuan ungjillin, u bënë armiq të Perëndisë dhe kjo për të mirën tuaj, ndërsa, duke u zgjedhur nga Perëndia, janë të dashur për shkak të etërve. 29 Thirrja dhe dhuratat e Perëndisë janë të pakthyeshme.
30 Ju dikur nuk i bindeshit Perëndisë, por tani keni marrë mëshirë për shkak të mosbindjes së tyre. 31 Po ashtu edhe këta tani nuk i binden Perëndisë, që për shkak të mëshirës që u tregua për ju, të gjejnë edhe ata mëshirë. 32 Perëndia i kyçi të gjithë në mosbindje, që të tregonte mëshirë për të gjithë.
33 O thellësi e pasurisë, e urtisë dhe e njohjes së Perëndisë! Sa të padepërtueshme janë gjykimet e tij dhe sa të pagjurmueshme janë udhët e tij!
34 Po kush e njohu mendjen e Zotit?
Apo kush u bë këshilltar i tij?
35 Kush i ka dhënë ndonjëherë
ndonjë gjë Perëndisë,
që të kërkojë shpërblim prej tij?
36 Sepse prej tij, përmes tij e për të janë të gjitha gjërat. Atij i qoftë lavdia në amshim! Amen!