KAPTINA VII.
1 Edhe mbaskëndai pashë katër engjuj qi rrijshinë mbë të katër kantet e dheut, e mbaishinë të katër erat’ e dheut, qi të mos frynte erë mbë dhet, as mbë det, as mbë qish-do dru.
2 Edhe pashë nji tietër’ engjullë, qi hipte prei së lemesë diellit, e kishte bulën’ e Hyjit gjallë, edhe u thërriti me za të math atyne të katër engjujvet, qi u dha t’i bajinë dam dheut edhe detit,
3 e thoshte: Mos i bani dam dheut, as detit, as druvet, qysh sa të bulosimë shërbëtorët’ e Hyjit t’ynë ndë ball t’atyne.
4 Edhe ndëgjova numërin’ e atyneve qi u bulosnë: nji qind e katër-dhet’ e katër mijë prei qish-do fare të bijvet Israelit;
5 prei farësë Iudësë dy-mbë-dhetë mijë të bulosunë; prei farësë Rubenit dy-mbë-dhetë mijë të bulosunë; prei farësë Gadit dy-mbë-dhetë mijë të bulosunë;
6 prei farës’Aserit dy-mbë-dhetë mijë të bulosunë; prei farësë Nefthalinit dy-mbë-dhetë mijë të bulosunë; prei farësë Manassesë dy-mbë-dhetë mijë të bulosunë;
7 prei farësë Symeonit dy-mbë-dhetë mijë të bulosunë; prei farësë Leviut dy-mbë-dhetë mijë të bulosunë; prei farës’ Isaharit dy-mbë-dhetë mijë të bulosunë;
8 prei farës’ Zabulonit dy-mbë-dhetë mijë të bulosunë; prei farësë Beniaminit dy-mbë-dhetë mijë të bulosunë.
9 Mbaskëndai pash’ edhe nje shumë gjindie, qi s’mundei me e ngjefun’ askushi, prei qish-do kombi e farash e popujsh e gjuhënash, qi rrijshinë përpara shkambit edhe përpara Qengjit, veshunë me stolia të bardha, edhe mbaishinë finike ndër duer të veta.
10 Edhe thërritshinë me za të math, e thoshinë: Shpëtimi ashtë mbë Hyjinë t’anë qi rri mbë shkampt, edhe mbë Qengjinë.
11 Edhe gjith’ engjujtë rrijshinë rreth shkambit edhe pleqvet edhe të katër shtazëvet, edhe ranë përmbys përpara shkambit e adhuruenë Hyjinë,
12 tue thanë: Amen, bekimi e lavdia e ditunia e të falunitë ndersë e nderi e fuqia e vërtyta qoftë mbë Hyjinë t’anë ndë jetët të jetëvet. Amen.
13 Edhe u përgjeq nji prei pleqvet, e më tha: Cillëtë janë këta qi janë veshunë me stolia të bardha, edhe prei kah erthnë?
14 Edhe i thashë: Zot, ti e di. Edhe më tha: Këta jan’ ata qi vinë prei shtrëngimit math, edhe lanë stoliat’ e veta, edhe sbarthnë stoliat’ e veta me gjakun’ e Qengjit.
15 Përandai janë përpara shkambit Hyjit, edhe i lutenë dit’ e natë ndë tempull t’ati; edhe ai qi rri mbë shkampt ka me ndenjunë ndër ata.
16 Nukë do të kenë ma uni, as nukë do të kenë ma et, as nukë do të bierë dielli mbi ata, as qish-do farë vape,
17 sepse Qengji qi ashtë ndërmiet shkambit, do t’i kullosi, e do t’u tërhieki udhënë ndë të gjalla gurrë ujënash; edhe Hyji do të mpëshijë qish-do lot prei syvet atyne.
Numri i të vulosurve
1 Pastaj pashë katër engjëj që qëndronin në katër cepat e tokës. Ata mbanin katër erërat e tokës, në mënyrë që të mos frynte erë mbi tokë, mbi det apo mbi ndonjë pemë. 2 Pashë edhe një engjëll tjetër, që ngjitej andej nga lind dielli dhe kishte vulën e Perëndisë së gjallë. Ai thirri me zë të fortë katër engjëjt, të cilëve u ishte dhënë pushteti të dëmtojnë tokën dhe detin 3 e u tha: «Mos e dëmtoni as tokën, as detin e as pemët, derisa të vulosim në ballë shërbëtorët e Perëndisë tonë».
4 Dëgjova numrin e atyre që ishin vulosur: njëqind e dyzet e katër mijë të vulosur nga gjithë fiset e bijve të Izraelit.
5 Dymbëdhjetë mijë të vulosur nga fisi i Judës; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Rubenit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Gadit; 6 dymbëdhjetë mijë nga fisi i Asherit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Neftalimit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Manaseut; 7 dymbëdhjetë mijë nga fisi i Simeonit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Levit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Isaharit; 8 dymbëdhjetë mijë nga fisi i Zabulonit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Jozefit; dymbëdhjetë mijë nga fisi i Benjaminit.
Nga çdo komb
9 Pastaj pashë një turmë të madhe nga çdo komb, fis, popull e gjuhë, që askush nuk mund ta numëronte. Turma qëndronte para fronit e para Qengjit, veshur në të bardha e me palma në duar. 10 Njerëzit e turmës thërrisnin me zë të lartë:
«Shpëtimi vjen nga Perëndia ynë
që rri ulur në fron dhe nga Qengji».
11 Të gjithë engjëjt qëndronin përreth fronit, pleqve dhe katër gjallesave. Pastaj ranë përmbys para fronit me fytyrë përdhe dhe adhuruan Perëndinë 12 kështu:
«Amen!
Bekimi, lavdia,
urtia, falënderimi,
nderi, fuqia e pushteti
janë të Perëndisë tonë,
në shekuj të shekujve.
Amen!».
13 Atëherë një nga pleqtë më pyeti: «Kush janë këta të veshur me rroba të bardha? Nga kanë ardhur?». 14 Unë iu përgjigja: «Imzot, ti e di». Ai më tha:
«Këta janë ata
që kanë ardhur
nga përndjekja e madhe.
Ata i kanë larë rrobat
dhe i kanë zbardhur ato
me gjakun e Qengjit.
15 Prandaj qëndrojnë
para fronit të Perëndisë
e i shërbejnë ditë e natë
në tempullin e tij.
Ai që rri në fron
do të banojë përherë mes tyre.
16 Nuk do të kenë më
as uri,
as etje
e as dielli,
as i nxehti
nuk do t'i djegë më.
17 Qengji që rri në mes të fronit
do të jetë bariu i tyre
dhe do t'i drejtojë
për te burimet e ujërave të jetës
dhe Perëndia do të fshijë çdo lot
nga sytë e tyre».