KAPTINA V.
1 Edhe pashë mbë të diathtët ati qi rrinte mbi shkampt nji libër shkruem përmbrenda e përjashta, bulosunë me shtatë bula.
2 Edhe pashë nji engjullë të fortë tue leçitunë me za të math: Cilli asht’ i vëjefshim me çelunë librinë, edhe me sgjidhunë bulat’ e ati.
3 Edhe askushi nukë mundei ndë qiellt, as mbë det, as ndënë dhet, me çelunë librinë, as me e pamë.
4 Edhe unë qjaishiem shumë sepse askushi nuk’ u gjind i vëjefshim me çelun’ e me kënduem librinë, as me e pamë.
5 Edhe nji prei pleqsh më thotë: Mos qjai, nje te mundi leoni qi ashtë prei farësë Iudësë, rraja e Davidit, me çelunë librinë, edhe me sgjidhunë shtatë bulat e ati.
6 Edhe pashë, edhe nje ndë miedis të shkambit edhe të katër shtasëvet, edhe ndë miedis të pleqvet, nji Qenq qi po rrinte porsi i therunë, edhe kishte shtatë brij, edhe shtatë sy, të cillëtë janë shtatë Shpirtënat’ e Hyjit, qi janë dërguem ndëpër gjithë dhenë.
7 Edhe erdhi e muer librinë prei së diathtës’ ati qi ishte ndenjunë mbë shkampt.
8 Edhe kur muer librinë, të katër shtasët’ edhe të njizet e katër pleqtë ranë përpara Qengjit, qi kishinë gjithë-se-cilli qithara e kupa t’arta, mbushunë me qemna, të cillatë janë të falunat’ e shenjtënavet.
9 Edhe këndoishinë nji kankë të re, tue thanë: I vëjefshim je me marrë librinë, edhe me çelunë bulat’ e ati, sepse u therë, edhe na shpërbleve te Hyji me gjakunë tat, prei qish-do fare e gjuhe e populli e kombi,
10 edhe na bane riga e priftëna te Hyji ynë, edhe kemi me regjënuem mbi dhet.
11 - Edhe pashë, edhe ndëgjova nji za shumë engjujsh rreth shkambit edhe shtasëvet edhe pleqvet; edhe numër’ i atyneve ishte me dhetë mijëna dhetë mijënash,
12 qi thoshinë me za të math: I vëjefshim ashtë Qengji i therunë me marrë fuqin’ e pasien’ e dien’ e vërtytin’ e nderin’ e lavdin’ e bekiminë.
13 - Edhe qish-do krijetyrë qi ashtë ndë qiellt, edhe mbë dhet, edhe ndënë dhet, edhe sa janë ndë det, edhe gjith’ ato qi janë nd’ato, ndëgjova qi thoshinë: Mb’ate qi rri mbë shkampt edhe mbë Qengjinë qoftë bekimi e nderi e lavdia e pushteti ndë jetët të jetëvet.
14 Edhe të katër shtasëtë, thoshinë: Amen; edhe të njizet e katër pleqtë ran’ edhe adhuruen’ ate qi rron ndë jetët të jetëvet.
Libri dhe Qengji
1 Në të djathtë të atij që rrinte ulur në fron pashë një libër të shkruar në të dyja anët , të vulosur me shtatë vula. 2 Pashë edhe një engjëll të fuqishëm që shpallte me zë të lartë: «Kush është i denjë të thyejë shtatë vulat e të hapë librin?». 3 Por, askush, as në qiell, as mbi tokë, as nën tokë, nuk mund ta hapte librin e ta shihte atë.
4 Atëherë unë fillova të qaj shumë, ngaqë nuk u gjet askush i denjë për ta hapur librin dhe për ta parë atë. 5 Një nga pleqtë më tha: «Mos qaj! Ja! Luani nga fisi i Judës, rrënja e Davidit, ngadhënjeu dhe mund t'i thyejë të shtatë vulat e ta hapë librin».
6 Pastaj, pashë një qengj që qëndronte në mes të fronit, të katër gjallesave e pleqve. Ai dukej si i therur dhe kishte shtatë brirë e shtatë sy, që janë shtatë shpirtrat e Perëndisë, të dërguara në të gjithë dheun.
7 Ai shkoi e mori librin nga dora e djathtë e atij që rrinte ulur në fron. 8 Kur Qengji mori librin, katër gjallesat dhe njëzet e katër pleqtë ranë përmbys para tij. Secili kishte nga një harpë dhe kupa të arta të mbushura me temjan që janë lutjet e të shenjtëve. 9 Ata këndonin një këngë të re e thoshin:
«I denjë je për të marrë librin
dhe për të thyer vulat e tij,
sepse u there e me gjakun tënd ke blerë për Perëndinë
njerëz nga çdo fis, gjuhë, popull e komb.
10 I bëre mbretër e priftërinj për Perëndinë tonë
dhe ata do të mbretërojnë mbi dhe».
11 Pastaj pashë përsëri dhe dëgjova zërin e shumë engjëjve që kishin rrethuar fronin, gjallesat dhe pleqtë. Numri i tyre ishte me mijëra, me dhjetëra mijëra. 12 Ata thoshin me zë të lartë:
«I denjë është Qengji i therur
për të marrë pushtetin,
pasurinë, urtinë, fuqinë,
nderin, lavdinë e bekimin».
13 Pastaj dëgjova çdo krijesë në qiell, mbi tokë, nën tokë, në det, gjithë krijesat e gjithësisë, që thoshin:
«Atij, që rri ulur në fron, dhe Qengjit
u qoftë bekimi, nderi, lavdia e pushteti,
në shekuj të shekujve».
14 Katër gjallesat thanë: «Amen!», ndërsa pleqtë ranë përmbys dhe adhuruan .