KAPTINA XV.
1 Edhe pashë nji tietërë shenjë të madhe edhe të mërekullueshime ndë qiellt, shtat’ engjuj qi kishinë shtatë plagët’ e mbrapëme, sepse nd’ato u mbarue zemërimi i Hyjit.
2 Edhe pashë porsi nji det gastareje përziem me ziarrm, edhe ata qi mundën bishënë, edhe figuren’ e asai, edhe shenjën’ e asai, edhe numërin’ e emënit asai, se po rrijshinë mbi dhet të gastaresë, edhe kishinë qithara të Hyjit.
3 Edhe këndoishinë kanken’ e Moiseut shërbëtorit Hyjit, edhe kankën’ e Qengjit, tue thanë: Të mëdha edhe të mërekullueshime janë punët’ e tua, o Zoti Hyj gjithë-pushtetësi; të dreita edhe të vërteta jan’ udhët’ e tua, o Riga e shenjtënavet.
4 Cilli s’do të ketë frikë tyi, o Zot, edhe do të lavdojë emëninë tat, sepse ti vetëmë je shenjt, sepse gjithë kombetë kanë me ardhun’ e kanë me adhuruem përpara teje, sepse gjyqet’ e tu u diftuenë.
5 Edhe mbaskëndai pashë, edhe nje tek u çel tempulli i tendësë deshmimit ndë qiellt.
6 Edhe duelnë prei tempullit të shtat’ engjujtë qi kishinë të shtatë plagëtë, veshunë me li të pastër e të ndritshim, edhe ngjeshunë për krahanuer breza t’artë.
7 Edhe nji prei të katër shtazëvet u dha të shtat’ engjujvet shtatë kupa t’arta mbushunë me zemërimin’ e Hyjit qi rron ndë jetët të jetëvet.
8 Edhe tempulli u mbush me tym prei lavdisë Hyjit, edhe prei fuqis’ ati; edhe askushi s’mundei me hymë ndë tempullë, qysh sa të mbarohenë të shtatë plagët’ e të shtat’ engjujvet.
Engjëjt me plagë
1 Pastaj pashë në qiell një shenjë të madhe e të mahnitshme, shtatë engjëj që kishin shtatë plagët e fundit. Me to përfundoi zemërimi i Perëndisë.
2 Pashë edhe diçka si det të qelqtë përzier me zjarr, si edhe ata që kishin mundur bishën, shëmbëlltyrën e saj dhe numrin e emrit të saj. Ata qëndronin mbi detin e qelqtë me harpat e Perëndisë në duar 3 dhe këndonin këngën e Moisiut, shërbëtorit të Perëndisë dhe këngën e Qengjit:
«Të mëdha e të mrekullueshme janë veprat e tua,
o Zot, Perëndi i gjithëpushtetshëm!
Të drejta e të vërteta udhët e tua,
o mbret i kombeve !
4 Kush nuk do të të druajë ty, o Zot,
kush nuk do ta përlëvdojë emrin tënd?
Vetëm ti je i shenjtë
dhe gjithë kombet do të vijnë
e do të të adhurojnë,
se u shfaqën të gjitha veprat e tua të drejta».
5 Pastaj pashë se u hap tempulli i tendës së dëshmisë në qiell. 6 Nga tempulli dolën shtatë engjëjt që kishin shtatë plagët. Ata ishin veshur me pëlhura të pastra e të shndritshme, ndërsa kraharorët i kishin ngjeshur me breza të artë. 7 Njëra nga katër gjallesat u dha shtatë engjëjve shtatë kupa të arta, të mbushura me zemërimin e Perëndisë që jeton në shekuj të shekujve. 8 Tempulli u mbush me tymin e lavdisë e të fuqisë së Perëndisë dhe askush nuk mund të hynte në tempull, derisa të mbaronin të shtatë plagët e shtatë engjëjve.