KAPTINA XVI.
1 Ende si shkoi e shëtuna, Maria Magdalena, ende Maria e ama Iakobit, ende Saloma, blen’ erëna, për me ardhun’ e me lym ate.
2 Ende shumë herët ndë natie të parënë ditën’ e javësë vinë mbi vorr, tue shkrepunë dilli;
3 ende thoshinë ndërmiet atyne: Cilli do të na rrokullejë gurinë prei derësë vorrit?
4 Ende kur shtinë sytë, ven’ ore se guri ishte rrokullymë, sepse ishte fort i math.
5 Ende kur hynë ndë vorr, panë nji dialosh tue ndenjunë për së diathti, veshunë me petka të bardha; ende ato u tremnë.
6 Ende ai u thot’ atyne: Mos u tremni; kërkoni Iesu Nazarinasinë, qi qe mbërthymë? U ngjall; nuk’ ashtë këtu, ngje vendi ku e patnë vumë.
7 Po shkoni, e u thoni dishepujtvet ati, ende Pietrit, se ai vete ma përpara se ju ndë Galile, atie keni me e pamë, po sikur u pat thanë juve.
8 Ende ato dulnë shpeit, e iknë prei vorrit; ende ato ishinë tremun’ e habitunë, ende s’i thanë gja askuit, sepse kishinë frikë.
9 Ende si u ngjall ndë natie të parënë ditën’ e javësë, iu duk të parënë herë Marisë Magdalenësë, qi kishte nxierrë shtatë diaj prei asai.
10 Ajo voiti, e u dha za atyneve qi kishinë ndenjunë bashkë me ate, atie ku ishinë tue bamë vaje, e tue qjamë.
11 Ende ata kur ndëgjunë se rron, ende se u pa prei asai, nukë zunë besë.
12 Ende mbasandai u diftu me tietër formë mbë dy vetë prei asish qi ishinë tue ecun’ e tue votunë nd’arë.
13 Ende ata erthnë e u dhanë za të tierëvet, po as atyneve s’u zunë besë.
14 Mbasandai u diftu mbë të nji-mbë-dhitët, atie ku ishinë tue ndenjunë ndë mësallë, ende i shau për pabesënin’ e atyne, ende për zemërën’ e ashpërë, sepse nuk’ u zunë besë atyneve qi e panë ngjallunë.
15 Ende u tha atyne: Shkoni ndëpër gjithë botën’, e predikoni ungjillinë ndëpër gjithë krijesënë.
16 Kush të mbesojë ende të pagëzohetë, ka me u shpëtumë; po kush të mos mbesojë ka me u gjukumë për mundim .
17 Ende këto shenje kanë me u votunë mbrapa atyneve qi të mbesojnë. Mb’emënit t’em kanë me nxierrë diaj; kanë me folunë me gjuhëna të reja;
18 kanë me zanë gjarpij; ende ndë pifshinë ndonji farë gjaje qi mbyt nierinë, s’ka me u bamë keq atyne; kanë me vumë durët mbi të sëmunë, ende kanë me i shëndoshunë.
19 Zoti pra mbassi u foli atyne, hypi ndë qillt, ende ndejti mbë të diathtën’ e Perëndisë.
20 Ende ata dulnë, e predikunë mbë gjithë vendet, tue u ndifun’ atyne bashkë Zoti, ende tue u vërtetum’ atyne fjalënë me ato mërekullia qi u shkojinë mbrapa atyne. Amen.
Ngjallja
(Mt 28.1-8Lk 24.1-12Gjn 20.1-10)1 Pasi kaloi e shtuna, Maria Magdalena, Maria nëna e Jakobit dhe Salomeja blenë vajra erëmirë, që të shkonin për të lyer trupin e Jezuit. 2 Të dielën , herët në mëngjes, shkuan te varri sapo kishte lindur dielli. 3 Ato i thanë njëra-tjetrës: «Kush do të na e rrokullisë gurin nga gryka e varrit?». 4 Por panë e vunë re se guri ishte rrokullisur, edhe pse ishte tepër i madh. 5 Hynë, pra, në varr dhe panë një djalosh të veshur me një rrobë të bardhë që rrinte ulur në të djathtë e u shtangën. 6 Por ai u tha: «Mos kini frikë! Ju kërkoni Jezuin e Nazaretit, të kryqëzuarin. Ai u ngjall. Nuk është këtu. Ja vendi ku e kishin vënë. 7 Tani shkoni, u thoni dishepujve të tij e Pjetrit se ai po shkon përpara jush në Galile. Atje do ta shihni, siç ju ka thënë». 8 Ato dolën e ikën nga varri, se ishin të frikësuara e të tmerruara. Nga frika nuk i thanë gjë askujt.
Maria Magdalena
(Mt 28.9-10Gjn 20.11-18)9 Pasi u ngjall në mëngjesin e së dielës, Jezui iu shfaq në fillim Maria Magdalenës, prej së cilës kishte dëbuar shtatë djaj. 10 Kjo shkoi të lajmëronte ata që kishin ndenjur me të që ishin në zi e vajtonin. 11 Kur dëgjuan se Jezui ishte gjallë dhe se ajo e kishte parë, ata nuk deshën ta besonin.
Dy dishepujt
(Lk 24.13-35)12 Pas këtyre, Jezui iu shfaq në një trajtë tjetër dy dishepujve që po ecnin drejt fshatit. 13 Edhe ata u kthyen për të lajmëruar të tjerët, por as këtyre nuk deshën t'u besonin.
Porosia
(Mt 28.16-20Lk 24.36-49Gjn 20.19-23Vp 1.6-8)14 Në fund iu shfaq të njëmbëdhjetëve, ndërsa po hanin, e i qortoi për mosbesimin e tyre e për ngurtësinë e zemrës, ngaqë nuk u kishin besuar atyre që e kishin parë të ngjallur. 15 Jezui u tha: «Shkoni në të gjithë botën dhe i predikoni ungjillin çdo krijese. 16 Ai që do të besojë e do të pagëzohet, do të shpëtojë; por ai që nuk do të besojë, do të dënohet. 17 Këto do të jenë shenjat që do të shoqërojnë ata që besojnë: do të dëbojnë djaj në emrin tim, do të flasin gjuhë të reja, 18 do të marrin gjarpërinj në duar dhe, po të pinë ndonjë helm, nuk do t'u bëjë dëm, do të vënë duart mbi të sëmurët e këta do të shërohen».
Ngritja në qiell
(Lk 24.50-53Vp 1.9-11)19 Zoti Jezu, pasi foli me ta, u ngrit në qiell dhe u ul në të djathtën e Perëndisë. 20 Atëherë ata u nisën e predikuan kudo, ndërsa Zoti vepronte së bashku me ta dhe e vërtetonte fjalën me shenjat që e shoqëronin.