KAPTINA XV.
1 Ende përnjiherë ndë natiet Krye-priftënitë bashkë me pleqt e me Shkruesit, ende gjithë bashkë-ndejtia banë këshille; ende si lithnë Iesunë, e prun’, ende e dhanë ndër durë të Pilatit.
2 Ende Pilati e pyti: Ti je Mbëreti i Iudevet? Ende ai u përgjeq, e i tha: Ti po thu.
3 Ende Krye-priftënit’ e përflisinë për shumë.
4 Ende Pilati prap e pyti, tue thanë: Nukë përgjegje aspak? Shiko sa deshmi bajnë kundrë teje.
5 Po Iesui nuk’ u përgjeq ma aspak, kaqi sa Pilati mërekullohei.
6 Ende për ditë feste u lishonte atyne nji të lidhunë, cillinë të lypshin’ ata .
7 Ende nji qi thohei Barabba, ishte lidhunë bashkë me shokët e vet qi kishinë ngritunë krye, të cillëtë kishinë bamë gjak mbë nji të ngritëme krye.
8 Ende gjindëja gërthiti, e filloi me lypunë, tue bamë po sikurë bante përherë mb’ata.
9 Ende Pilati u përgjeq atyne, tue thanë: Doni t’u lishoj juve Mbëretin’ e Iudevet?
10 - Sepse e dinte se Krye-priftënit’ e kishinë dhanë ndër durë për zmir.
11 Po Krye-priftënitë shtynë gjindëjenë me lypunë ma tepërë t’u lishojë atyne Barabbanë.
12 Ende Pilati u përgjeq prap, e u tha atyne: Qish doni pra ta baj këte qi i thoni Mbëret’ i Iudevet?
13 Ende ata prap bërtitnë: Kryqëzoje.
14 Ende Pilati u tha atyne: Përse, qish të keq ka bamë? Po ata ma tepërë bërtitnë: Kryqëzoje.
15 Ende Pilati mbassi deshi me i bamë zemrënë gjindëjesë, u lishoi Barabanë, ende Iesun’ e dha ndër durë për me u kryqëzumë, mbassi e rrafi ndë fallake.
16 Atëherë ushtëtorët’ e prunë përmbrenda avllisë, qi ashtë Vend i gjukatësë, ende thërresinë bashkë gjithë tubën’ e ushtëtorëvet.
17 Ende i veshinë nji petk të kuq, ende gërshetunë nji kunorë drizash, e ia vunë rreth kresë ,
18 ende fillunë me e përshëndetunë, tue thanë : Falemi, Mbëret’ i Iudevet!
19 Ende i bijinë kresë me kallam, ende e mpështyjinë ndër sy , ende i bijinë mbë gjunjë, ende e adhurojinë.
20 Edhe si e përqeshnë, i sveshnë petkun’ e kuq, ende i veshnë petkat’ e ati, ende e prunë jashtë për me e kryqëzumë.
21 Ende zan’ angari, për me ngritunë kryqin’ e ati, nji farë Symon Kyreneas, të i atin’ e Aleksandrit ende Rufit, qi shkonte aty dreiti, tue ardhunë prei arësë.
22 Ende e bijenë ndë vend Golgotha, qi ajo këthymë, do me thanë: Vend i kresë.
23 Ende i epinë me pimë venë përzimë me mirrë, po ai nuk’ e mur.
24 Ende si e kryqëzuenë, danë petkat’ e ati, tue shtimë shortë mb’ato, qish të marri gjithë-se-cilli.
25 Ende ishte ora tri, ende e kryqëzunë.
26 Ende përmbi-shkronja e punës’ ati ishte përmbi-shkrumë: MBËRETI I IUDEVET.
27 Ende bashkë me atë kryqëzunë dy kusarë; nji prei së diathtësë, e nji prei së mangjëtës’ ati.
28 Ende u mbush shkronja qi thotë: “Ende u numëru bashkë me të paligjët”.
29 Ende ata qi shkojin’ aty dreiti e neminë, tue tundunë krenët’ e vet, e tue thanë: Ua, ti qi prish tempullin’, ende për tri ditt e ndërton,
30 shpëto vetëvetëhenë, ende sdryp prei kryqit.
31 Kështu ende Krye-priftënitë lujshinë njiani me tietrinë bashkë me Shkruisit, e thoshinë: Të tierë shpëtoi, vetëvetëhenë s’mundetë me e shpëtumë.
32 Krishti Mbëreti i Israelit le të sdrypi ndashti prei kryqit, qi të shofimë, ende të mbesojmë. Ende ata qi ishinë kryqëzumë bashkë me ate e shajinë.
33 Ende kur u ba ora gjashtë, u ba nji errësinë mbë gjithë dhenë, ngjer mbë nand’ orë.
34 Ende mbë të nandën’ orë Iesui bërtiti me za të math, tue than’: “Eloi, Eloi, lamma sabahthani?” qi ajo, këthymë, do me thanë: “Perëndia em, Perëndia em, përse hoqe dorë prei meje?”
35 Ende disa prei asish qi ishinë tue ndenjun aty, kur ndëgjunë, thoshinë: Ngje ke po thërret Elinë.
36 Ende nji u turr, e mbushi nji shpuzë me uthëllë, ende e vuni mbë nji kallam, e i dha me pimë, tue thanë: Leni, le të shofimë pale vien Elia me e sdrypunë.
37 Ende Iesui lishoi nji za të math, ende dha shpirtinë.
38 Ende kurtina e tempullit u shqy mbë dy, prei së nalti ngjer poshtë.
39 Ende qindori qi ishte ndenjunë kundruell ati, kur pa se tue bërtitunë kështu dha shpirtinë, tha: Me të vërtet kyi nieri paska qenë Bir Perëndie.
40 Ishin’ ende gra tue vum’ ore për së largu, ndër ato ishte ende Maria Magdalena, ende Maria e ama Iakobit vogël’ ende Ioseut, ende Saloma,
41 (të cillat’ ende kur ishte ndë Galile, e merrinë mbrapa, ende i shërbejinë), ende shumë të tiera qi patnë hypunë bashkë me ate ndë Ierusalem.
42 Ende ndashti si u ngrys (sepse ishte e prende, do me thanë, para së shëtunësë),
43 erdhi Iosefi qi ishte prei Arimathesë, gjukatës i ndershim, qi ende ai priste mbëretënin’ e Perëndisë, kuxoi, e hyni ke Pilati, ende lypi korpin’ e Iesuit.
44 Ende Pilati u mërekullu ndë qoftë se kishte vdekun’ ai ndashti; ende thërriti për-anë qindorin’, ende e pyti ndë qoftë se ka kohë qi vdiq.
45 Ende si mur vesht prei qindorit, i fali korpinë Iosefit.
46 Ende kyi bleu pëlhurë, ende e sdrypi, ende e mpështull me pëlhurënë, ende e vuni ndë nji vorr, qi e kishte latumë prei nji shkambi të gurit , ende rrokulleu nji gur mbi derët të vorrit.
47 Ende Maria Magdalena, ende Maria e ama e Ioseit vejin’ ore ku po vihetë.
Te Pilati
(Mt 27.1-2Mt 11.14Lk 23.1-5Gjn 18.28-38)
1 Në mëngjes herët kryepriftërinjtë së bashku me pleqtë, shkruesit dhe gjithë sinedrin, pasi u këshilluan, e lidhën Jezuin, e morën e ia dorëzuan Pilatit. 2 Pilati e pyeti: «A je ti mbreti i judenjve?». Jezui iu përgjigj: «Ti vetë po e thua». 3 Ndërkaq kryepriftërinjtë e padisnin për shumë gjëra. 4 Dhe Pilati e pyeti përsëri: «Nuk po jep asnjë përgjigje? Shiko për sa gjëra po të padisin». 5 Por Jezui nuk iu përgjigj për asgjë, gjë që e çuditi shumë Pilatin.
Dënimi me vdekje
(Mt 27.15-26Lk 23.13-25Gjn 18.39Gjn 19.16)
6 Për çdo festë Pashke Pilati lironte një të burgosur sipas kërkesës së turmës. 7 Një njeri që quhej Barabë gjendej në burg bashkë me disa kryengritës të tjerë, të cilët kishin bërë një vrasje në një kryengritje. 8 Atëherë erdhi turma e filloi t'i kërkonte Pilatit atë që ai e kishte zakon të bënte për ta. 9 Pilati i pyeti: «A doni t'ju liroj mbretin e judenjve?». 10 Sepse ai e kishte kuptuar se kryepriftërinjtë ia kishin dorëzuar Jezuin nga smira. 11 Por kryepriftërinjtë e nxitën turmën që në vend të tij të lironte Barabën. 12 Pilati u tha përsëri: «Atëherë çfarë doni të bëj me atë që e quani mbret të judenjve?». 13 Ata thirrën përsëri: «Kryqëzoje!». 14 Por Pilati u tha: «Përse, ç'të keqe ka bërë?». Atëherë ata thirrën edhe më fort: «Kryqëzoje!». 15 Kështu Pilati, për të kënaqur turmën, liroi Barabën dhe, pasi e fshikulluan Jezuin, e dorëzoi që ta kryqëzonin.
Tallja
(Mt 27.27-31Gjn 19.2-3)
16 Atëherë ushtarët e morën Jezuin dhe e futën në oborrin e pallatit, domethënë në pretorium, dhe mblodhën gjithë kohortën. 17 E veshën me purpur dhe, pasi thurën një kurorë me gjemba, ia vunë në kokë. 18 Pastaj filluan t'i thoshin: «Tungjatjeta, o mbreti i judenjve!». 19 E godisnin në kokë me kallam, e pështynin dhe duke rënë në gjunjë, përkuleshin para tij. 20 Pasi e tallën, ia hoqën petkun e purpurt dhe e veshën me rrobat e veta. Pastaj e nxorën jashtë për ta kryqëzuar.
Kryqëzimi
(Mt 27.32-44Lk 23.26-43Gjn 19.17-27)
21 Atëherë detyruan një kalimtar që po kthehej nga ara, njëfarë Simoni nga Kirena, i ati i Aleksandrit e i Rufit, të mbartte kryqin e Jezuit. 22 Kështu e çuan Jezuin në vendin e Golgotës që do të thotë «Vendi i Kafkës» 23 dhe i dhanë verë të përzier me mirrë, por ai nuk e mori.
24 Pastaj e kryqëzuan
dhe hodhën short
për të ndarë rrobat e tij,
që të shihnin
çfarë do t'i binte secilit.
25 Ishte ora nëntë e mëngjesit kur e kryqëzuan. 26 Mbishkrimi me shkakun e dënimit thoshte: «Mbreti i judenjve». 27-28 Bashkë me të kryqëzuan edhe dy kusarë, njërin në të djathtë e tjetrin në të majtë të tij . 29 Kalimtarët e fyenin, tundnin kokën e thoshin: «Ti që do ta shkatërroje tempullin e do ta ndërtoje për tri ditë, 30 shpëto veten e zbrit nga kryqi!». 31 Edhe kryepriftërinjtë me shkruesit e tallnin e thoshin: «Të tjerët i shpëtoi, ndërsa veten nuk e shpëtuaka dot. 32 Krishti, mbreti i Izraelit, le të zbresë tani nga kryqi, që të shohim e të besojmë». Edhe ata që ishin kryqëzuar bashkë me të e përqeshnin.
Vdekja
(Mt 27.45-46Lk 23.44-49Gjn 19.28-30)
33 Në mesditë u bë errësirë në gjithë tokën deri në orën tre të pasdites. 34 Në orën tre pasdite Jezui thirri me zë të lartë: «Eloi, Eloi lema sabakthani? » që e përkthyer do të thotë: «Perëndia im, Perëndia im, përse më braktise? ». 35 Disa nga ata që ishin aty, kur e dëgjuan, thanë: «Ja, po thërret Elinë». 36 Dikush shkoi me vrap dhe, pasi ngjeu një sfungjer në uthull, e vuri në një kallam, ia drejtoi Jezuit e tha: «Prisni, të shohim nëse do të vijë Elia për ta zbritur». 37 Jezui lëshoi një britmë të madhe e dha shpirt. 38 Atëherë veli i tempullit u gris më dysh nga lart deri poshtë. 39 Kryeqindësi që rrinte përballë tij, kur e pa duke dhënë shpirt në atë mënyrë, tha: «Me të vërtetë ky njeri paska qenë Biri i Perëndisë». 40 Aty gjendeshin edhe disa gra që shikonin nga larg. Ndër to ishin Maria Magdalena, Maria nëna e Jakobit të vogël dhe e Josesë, si dhe Salomeja, 41 të cilat e kishin ndjekur e i kishin shërbyer kur Jezui ishte në Galile; ishin edhe shumë të tjera që kishin ardhur me të në Jerusalem.
Varrimi
(Mt 27.57-61Lk 23.50-56Gjn 19.38-42)
42 Tashmë kishte rënë mbrëmja dhe ishte e premte, domethënë vigjilja e së shtunës. 43 Jozefi nga Arimateja, anëtar i respektuar i sinedrit, që gjithashtu priste mbretërinë e Perëndisë, shkoi me guxim te Pilati e i kërkoi trupin e Jezuit. 44 Pilati, i çuditur që tashmë kishte vdekur, thirri kryeqindësin dhe e pyeti nëse kishte shumë kohë që kishte vdekur. 45 Pasi u njoftua nga kryeqindësi, ia dha kufomën Jozefit. 46 Ky bleu një pëlhurë prej liri, e zbriti kufomën nga kryqi dhe pasi e mbështolli, e vuri në një varr të hapur në shkëmb. Pastaj rrokullisi një gur mbi grykën e varrit. 47 Ndërkaq, Maria Magdalena dhe Maria, nëna e Josesë, e panë ku e vunë Jezuin.