KAPTINA XIV.
1 Ende mbas dy ditsh ishte pashka, ende pabrumietë; ende Krye-priftënit’ ende Shkruisitë kërkojinë si me e zanë me gënjim, ende me e vramë.
2 Ende thoshinë: Jo për ditë feste, se mos bahetë të përzimë prei popullit.
3 Ende ai kur ishte ndë Bethani, ndë shtëpit të Simonit kromosunë, tue ndenjunë ndë mësallë, erdhi nji gru qi kishte nji alabastër me voj ere prei narde të papërzime, shumë të shtreitë, ende si theu alabastrënë, derdhi vojinë përmbi kryet t’ati.
4 Ende ishinë disa vetë qi zemëroheshinë ndër vetëhe, e thoshinë: Për ç’punë me humbunë kyi voj ere?
5 Sepse kyi mundei me u shitunë përmbi tre qind dinarë, ende me u dhanë ndëpër të vobegjitë. Ende zemëroheshinë kundrë asai.
6 Ende Iesui tha: Leni ate; ç’e mundoni ate? Punoi punë të mirë mbë mu.
7 Sepse të vobegjit’ i keni përherë bashkë me vetëhenë tui, ende kur të doni, mundeni me u bamë mirë atyne, po mu s’më keni përherë.
8 Ate qi mufti ajo, e bani; e mbërrini çë përpara me lymë me voj ere korpinë t’em për të vorrumit.
9 Me të vërtet po u thom juve: Kudo të predikohetë kyi ungjill ndë gjithë botënë, ende këjo punë qi bani ajo ka me u folonë për me u përmendun’ ajo.
10 Ende atëherë Iuda Iskarioti, nji prei të dy-mbë-dhitësh, shkoi ke Krye-priftënit, për me dhan’ ate ndër durë t’atyneve.
11 Ende ata kur ndëgjunë, u gëzunë, ende iu zotunë me i dhan’ argjand. Ende ai kërkonte si me e trathtumë me kohë të mirë.
12 Ende të parënë ditën’ e festësë të pabrumievet, kur bajinë kurban pashkënë, dishepujt’ e ati i thonë: Ku do të shkojm’ e të bajmë gati qi të hash pashkënë?
13 Ende ai dërgon dy vetë prei dishepujvet vet, ende u thot’ atyne: Shkoni ndë qytet, ende ka me u hasunë nji nieri tue bartunë nji shtambë uji; shkoni mbas ati,
14 ende ku të hyjë ai, thoni të zotit shtëpisë, se Mieshtri thotë - Ku ashtë të ndenjunitë qi kam me ngranë pashkënë bashkë me dishepujt’ e mi?
15 Ende ai ka me u diftumë juve nji dhomë të madhe sipër, shtrumë gati; atie bani gati për ne.
16 Ende dishepujt’ e ati dulnë, ende erthnë ndë qytet, ende gjetnë sikundrë u tha atyne, ende banë gati pashkënë.
17 Ende si u ngrys, vien bashkë me të dy-mbë-dhitët.
18 Ende ata tue ndenjunë ndë mësallë, e tue ngranë, Iesui tha: Me të vërtet po u thom juve, se nji prei jush qi ha bashkë me mu, ka me më trathtumë.
19 Ende atyneve fillunë me u ardhunë keq, ende me i thanë nji ka nji: Mos jam unë? Ende tietri: Mos jam unë?
20 Ende ai u përgjeq, e u tha atyne: Nji prei të dy-mbë-dhitëvet, qi ngjyn bashkë me mu ndë kupët.
21 I bir’ i nieriut vete, sikundrë ashtë shkrumë për ate; po mjer mb’ate nieri, qi trathtohet’ i bir’ i nieriut prei ati! Ishte mirë për atë nieri, të mos kishte lemë.
22 Ende ata tue ngranë, Iesui mur bukë, ende bekoi, ende e theu, ende ua dha atyne, ende tha: Merrni, e hani; kyi ashtë korpi em.
23 Ende mur potirin’, ende si u fal ndersë, ua dha atyne, ende të gjithë pinë prei ati.
24 Ende u tha atyne: Kyi ashtë gjaku em i dhiatësë re, qi ashtë derdhunë për shumë;
25 me të vërtet po u thom juve, se s’kam me pimë ma prei pemësë qi pill hardhia, ngjer mb’ate ditë kur ta pij të re ndë mbëretënit të Perëndisë.
26 Ende si këndunë hymnën, dulnë ndë Malt të Ullivet.
27 Ende Iesui u thot atyne, se: Të gjithë keni me u shkandalizumë mbë mu këte natë, sepse ashtë shkrumë: “Kam me i ranë bariut, ende dhentë kanë me u përdamë”.
28 Po mbassi të ngjallem unë, kam me voitunë ma përpara se ju ndë Galilet.
29 Po Pietri i tha: Ende të gjithë ndë u shkandalizofshinë, po unë jo.
30 Ende Iesui i thotë: Me të vërtet po të thom, se sot këte natë, para se të këndojë gjeli dy herë, ke me më mohumë tri herë.
31 Po ai ma tepërë thoshte, se: Ndë u lypstë me vdekun’ unë bashkë me tyi, s’kam me të mohumë. Kështu ende gjithë të tierëtë thoshinë.
32 Mbasandai vinë ndë nji katund qi quhetë Gethsemani, ende u thotë dishepujvet vet: Rrini këtu, ngjer sa të falem.
33 Ende merr mbas vetëhesë bashkë Pietrin’ ende Iakobin’ ende Gjionnin, ende filloi me u frikumë, ende me i ardhunë randë;
34 ende u thot’ atyne: Shpirti em ashtë shumë idhënutë, ngjer mbë vdekë; mbetni këtu, ende rrini qutë.
35 Ende ai si shkoi pak përpara, ra për dhe, ende falei, qi ndë qoftë se mundetë me shkumë prei ati këjo orë.
36 Ende thoshte: Abba, o Atë, të gjitha mundenë ke ti; largo këte potir prei meje, po jo qish të demi unë, po qish të dushë ti.
37 Ende vien, e gjen ata tue fjetunë, ende i thotë Pietrit: O Simon, po fle? S’mufte me ndenjunë qutë nji orë.
38 Rrini qutë, ende faluni, qi të mos hyni ndë ngasëje, sepse shpirti ashtë gati, po mishi asht’ i pafuqishim.
39 Ende prap shkoi, e u fal, tue thanë po ate fjalë.
40 Ende si u këthy, gjet ata prap tue fjetunë, sepse syt’ e atyneve ishinë randumë, ende nukë dijinë qish me iu përgjegjunë.
41 Mbasandai vien të tretënë herë, e u thot’ atyne: E lini pra, ende prahi; miaft, erdhi ora; ngje i bir’ i nieriut ke epetë ndër durë të fajtorëvet.
42 Çohi, të shkojmë; ngje ai qi më trathton ke u afru.
43 Ende përnjiherë, ai kur ishte po tue folunë, vien Iuda, qi ishte nji prei të dy-mbë-dhitësh, ende bashkë me ate shumë gjindëje me thika e me dru, prei anësë Krye-priftënavet e Shkruisavet e pleqvet.
44 Ende ai qi e trathtoi u kishte dhan’ atyne shenjë, tue thanë, se: Ate qi të puth, ai ashtë; zinia, ende binia ruitunë.
45 Ende si erdhi, përnjiherë u afru ke ai, e i tha: Mieshtër, Mieshtër - ende e puthi.
46 Ende ata vunë durët’ e veta mbi ate, ende e zunë.
47 Ende nji prei asish qi rrijin’ aty hoqi thikën’ e i ra shërbëtorit Krye-priftit, ende i preu veshinë.
48 Ende Iesui u përgjeq, e u tha atyne: Posi mbi kursarë keni dalunë me thika e me dru, me më zanë?
49 Përditë kam qenë ndër ju ndë tempull tue mësumë, ende nukë më zutë, po këjo u ba qi të mbushenë shkronjatë.
50 Ende si e lanë, iknë të gjithë.
51 Ende nji farë dialoshi e merrte mbrapa, mpështiellë me nji pëlhurë për likure; ende dialoshat’ e zanë,
52 po ai la pëlhurënë, ende iku prei asish lakuriq.
53 Ende prunë Iesuinë ke Krye-prifti; ende mblidhenë ke ai gjithë Krye-priftënit’ e pleqt’ e Shkruisitë.
54 Ende Pietri e mur mbrapa për së largu ngjer mbrenda nd’avlli të Krye-priftit; ende ishte tue ndenjunë bashkë me shërbëtorët, ende po ngrofei ndë ziarrm.
55 Ende Krye-priftënit’ ende gjithë bashkë-ndejtia kërkojinë deshmi kundrë Iesuit për me e vramë, po nukë gjejinë.
56 Sepse shumë vetë dhanë deshmi rrenë kundrë ati, po deshmiatë nuk ishinë si nji-nji.
57 Ende disa u ngritnë, e banë deshmi rrenë kundrë ati, tue thanë,
58 se: Na ndëgjum ate, tue thanë, se - Unë kam me prishumë këte tempull, qi ashtë bamë me dorë, ende për tri ditt kam me ndërtumë nji tietër pabamë me dorë.
59 Po as kështu deshmia e atyneve s’ishte si nji-nji.
60 Atëherë Krye-prifti u çu ndë miedis, e pyti Iesunë, tue thanë: Nukë përgjegje aspak? Ç’deshmi apinë këta kundrë teje?
61 Po ai s’pëzante, ende nukë përgjegjei asgja. Prap Krye-prifti e pyti, ende i tha: Ti je Krishti, i Biri të Bekumit?
62 Ende Iesui tha: Unë jam; ende keni me pamë të birin’ e nieriut tue ndenjunë prei së diathtësë fuqisë, ende tue ardhunë bashkë me ret e qillit.
63 Atëherë Krye-prifti shqeu petkat’ e veta, e tha: Ç’nevojë kemi ma për deshmitarë?
64 E ndëgjutë vlasfiminë, si u duketë juve? Ende ata të gjith’ e gjukunë, se ashtë fajtur për vdekë.
65 Ende disa fillunë me e mpështymë ndër sy, e me i mbulumë faqenë, e me i ranë me grusht, e me i thanë: Profetizo; ende shërbëtorët’ i bijinë me shuplaka.
66 Ende Pietri kur ishte nd’avlli poshtë, vien nji prei shërbëtoresh Krye-priftit,
67 ende kur pa Pietrinë tue u ngrofunë, shtiu sytë mb’ate, e tha: Ende ti ishie bashkë me Iesu Nazarinasinë.
68 Po ai e mohoi, tue thanë: Nukë dij, as nukë marr vesht qish thu ti. Ende dul jashtë përpara avllisë; ende gjeli këndoi.
69 Ende shërbëtoreja kur pa ate prap, filloi me u than’ atyneve qi ishinë tue ndenjun’ aty, se: Kyi asht’ prei asish;
70 po ai prap e mohonte. Ende mbas pak here ata qi ishinë ndenjun’ aty prap i thanë Pietrit: Me të vërtet je prei asish: sepse je Galileas, ende të folunitë t’at përgjan.
71 Po ai filloi me nemun’ e me bamë be, se: Nuk’ e dij këte nieri qi thoni.
72 Ende gjeli këndoi për së dyti. Ende Pietrit i ra ndër mend fjala qi i pat thanë Iesui, se: Para se të këndojë gjeli dy herë, ke me më mohumë tri herë. Ende filloi me qjamë.
Vendimi për ta kapur
(Mt 26.1-5Lk 22.1-2Gjn 11.45-53)1 Pas dy ditësh ishte Pashka dhe festa e Bukëve të ndorme. Kryepriftërinjtë e shkruesit kërkonin sesi ta kapnin Jezuin me dredhi e ta vrisnin. 2 Prandaj thoshin: «Jo gjatë festës, që të mos ndodhë ndonjë trazirë në popull».
Lyerja me mirrë
(Mt 26.6-13Gjn 2.1-8)3 Jezui ishte në Betani, në shtëpinë e Simon të lebrosurit. Ndërsa po rrinte në tryezë, erdhi një grua që mbante një enë alabastri me mirrë nardi të kulluar që kushtonte shumë shtrenjtë. Ajo e theu enën dhe e derdhi mirrën mbi kokën e Jezuit. 4 Aty gjendeshin disa veta që i thanë njëri-tjetrit të zemëruar: «Pse u bë gjithë ky shpenzim i kotë i mirrës? 5 Kjo mirrë mund të ishte shitur për më shumë se treqind denarë e këto t'u ishin dhënë të varfërve». Dhe e qortuan gruan. 6 Por Jezui u tha: «Lëreni të qetë! Përse e mundoni? Ajo bëri për mua një vepër të mirë. 7 Të varfrit i keni gjithmonë me ju e mund t'u bëni mirë kur të doni, por mua nuk më keni gjithmonë. 8 Ajo bëri çfarë mundi. Që tani ma leu trupin me mirrë për varrim. 9 Me të vërtetë po ju them se kudo që të shpallet ungjilli, në mbarë botën, do të tregohet në kujtim të saj kjo që bëri».
Juda përgatit tradhtinë
(Mt 26.14-16Lk 22.3-6)10 Atëherë Judë Iskarioti, njëri prej të dymbëdhjetëve, shkoi te kryepriftërinjtë, që t'ua dorëzonte Jezuin. 11 Kur e dëgjuan këtë gjë, ata u gëzuan e i premtuan se do t'i jepnin para. Kështu, ai kërkonte kohën e përshtatshme për ta tradhtuar.
Përgatitja e Pashkës
(Mt 26.17-25Lk 22.7-14, Lk 21-23Gjn 13.21-30)12 Ditën e parë të festës së Bukëve të ndorme, kur flijohej qengji i Pashkës, dishepujt i thanë Jezuit: «Ku dëshiron të shkojmë e ta përgatisim darkën e Pashkës?». 13 Ai dërgoi dy prej dishepujve të tij e u tha: «Shkoni në qytet e do të takoni një njeri që mban një shtambë me ujë. Ndiqeni 14 e atje ku të hyjë ai, i thoni të zotit të shtëpisë: “Mësuesi pyet ku është dhoma e pritjes ku mund të ha darkën e Pashkës me dishepujt e mi?”. 15 Dhe në katin e sipërm ai do t'ju tregojë një dhomë të madhe e të bërë gati. Aty na e shtroni darkën». 16 Dishepujt u nisën, shkuan në qytet, gjetën gjithçka siç u kishte thënë Jezui dhe përgatitën Pashkën.
17 Në mbrëmje Jezui erdhi me të dymbëdhjetët. 18 Ndërsa ishin ulur e po hanin, Jezui tha: «Me të vërtetë po ju them se njëri nga ju që po ha me mua do të më tradhtojë». 19 Ata filluan të trishtohen e i thoshin një nga një: «Mos jam unë ?». 20 Ai u tha: «Është njëri nga të dymbëdhjetët, ai që po ngjyen kafshatën në të njëjtën pjatë me mua. 21 Biri i njeriut po shkon, sikurse është shkruar për të, por mjerë ai njeri që tradhton Birin e njeriut! Për atë njeri do të kishte qenë më mirë të mos kishte lindur».
Darka e Zotit
(Mt 26.26-30Lk 22.15-201Ko 11.23-25)22 Kur po hanin, mori bukën, tha lutjen e bekimit, e theu, ua dha atyre e tha: «Merrni, ky është trupi im». 23 Mori edhe kupën, tha lutjen e falënderimit, ua dha atyre e ata pinë të gjithë prej saj. 24 Dhe u tha: «Ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes , që derdhet për shumë njerëz. 25 Në të vërtetë po ju them se nuk do të pi më nga fryti i hardhisë, deri ditën që do ta pi të re në mbretërinë e Perëndisë».
26 Si kënduan himne, shkuan në malin e Ullinjve.
Parathënia e mohimit të Pjetrit
(Mt 26.31-35Lk 22.31-34Gjn 13.36-38)27 Jezui u tha: «Ju të gjithë do të bini, sepse është shkruar:
do ta godas bariun
e delet do të shpërndahen.
28 Por kur të ngjallem, do të shkoj përpara jush në Galile».
29 Pjetri i tha: «Edhe nëse të gjithë bien, unë nuk do të bie». 30 Jezui i tha: «Me të vërtetë po të them se po këtë natë, para se të këndojë gjeli dy herë, ti do të më mohosh tri herë». 31 Por ai nguli këmbë: «Edhe nëse duhet të vdes me ty, nuk do të të mohoj». Kështu thanë të gjithë.
Lutja në Gjetsemani
(Mt 26.36-46Lk 22.39-46)32 Pastaj shkuan në një vend që quhej Gjetsemani dhe Jezui u tha dishepujve të tij: «Rrini këtu sa të lutem». 33 Mori me vete Pjetrin, Jakobin e Gjonin dhe filloi të ndiente frikë e ankth. 34 Pastaj u tha: «Shpirti im është i trishtuar deri në vdekje. Qëndroni këtu e rrini zgjuar». 35 Pasi shkoi pak më tej, ra përdhe e lutej që, po të ishte e mundur, të largoheshin prej tij ato çaste vuajtjesh. 36 Atëherë tha: «Abba, Atë, gjithçka është e mundur për ty. Largoje këtë kupë prej meje. Megjithatë, jo çfarë dua unë, por çfarë do ti».
37 Pastaj erdhi e i gjeti duke fjetur e i tha Pjetrit: «Simon, po fle? A nuk munde të rrish zgjuar as edhe një orë? 38 Rrini zgjuar e lutuni që të mos bini në tundim, se shpirti është i gatshëm, por trupi është i dobët». 39 U largua sërish e u lut, duke thënë të njëjtat fjalë. 40 Kur u kthye përsëri, i gjeti duke fjetur, se u ishin rënduar sytë. Ata nuk dinin si t'i përgjigjeshin. 41 Pastaj erdhi për të tretën herë e u tha: «Ende po flini e po pushoni? Mjafton. Erdhi ora. Ja, Biri i njeriut po dorëzohet në duart e mëkatarëve. 42 Ngrihuni të shkojmë. Ja, po afrohet ai që po më tradhton».
Tradhtia dhe arrestimi
(Mt 26.47-56Lk 22.47-53Gjn 18.3-12)43 Dhe në atë çast, ndërsa Jezui ishte ende duke folur, erdhi Juda, njëri prej të dymbëdhjetëve, bashkë me një turmë me shpata e shkopinj, të dërguar nga kryepriftërinjtë, shkruesit e pleqtë. 44 Tradhtari u kishte dhënë këtë shenjë: «Jezui është ai që unë do të puth. Kapeni e ruajeni mirë!». 45 Dhe menjëherë iu afrua Jezuit e i tha: «Mësues!» dhe e puthi. 46 Atëherë ata e kapën dhe e ndalën. 47 Njëri nga ata që ishin aty, nxori shpatën, goditi shërbëtorin e kryepriftit e i preu veshin. 48 Jezui u tha: «Paskeni ardhur të më merrni me shpata e shkopinj si të isha kusar? 49 Unë isha çdo ditë mes jush në tempull duke mësuar njerëzit e nuk më kapët. Por kjo u bë që të përmbushen Shkrimet».
50 Atëherë të gjithë e braktisën e ikën.
Djaloshi që iku
51 Një i ri, i mbështjellë vetëm me një copë prej liri, po e ndiqte. Rojat e kapën, 52 por ai lëshoi copën prej liri e iku lakuriq.
Para sinedrit
(Mt 26.57-68Lk 22.54-55, Lk 63-71Gjn 18.13-14, Gjn 19-24)53 Atëherë e dërguan Jezuin te kryeprifti dhe mblodhën aty të gjithë kryepriftërinjtë, pleqtë e shkruesit. 54 Pjetri e ndoqi nga larg, deri brenda oborrit të pallatit të kryepriftit, e u ul mes shërbëtorëve, duke u ngrohur pranë zjarrit.
55 Ndërkohë kryepriftërinjtë dhe gjithë sinedri kërkonin dëshmi kundër Jezuit për ta dënuar me vdekje, por nuk gjenin. 56 Shumë veta jepnin dëshmi të rreme kundër tij, por dëshmitë e tyre nuk përkonin. 57 Disa të tjerë u ngritën e dhanë dëshmi të rreme kundër tij e thanë: 58 «Ne e kemi dëgjuar të thotë: “Do ta shkatërroj këtë tempull të bërë nga duart e njeriut e për tri ditë do të ndërtoj një tjetër, që nuk është ndërtuar nga duart e njeriut”». 59 Por as dëshmia e tyre nuk përkonte.
60 Atëherë kryeprifti u ngrit në mes të sinedrit dhe e pyeti Jezuin: «Nuk ke asgjë për të thënë për çka po dëshmojnë kundër teje?». 61 Por Jezui heshti e nuk dha asnjë përgjigje. Kryeprifti e pyeti përsëri: «A je ti Krishti, Biri i të Bekuarit?». 62 Jezui iu përgjigj: «Unë jam.
Do të shihni Birin e njeriut
ulur në të djathtën
e Perëndisë së pushtetshëm,
duke ardhur mbi retë e qiellit ».
63 Kryeprifti shqeu rrobat e veta e tha: «Ç'na duhen më dëshmitarët? 64 Ju e dëgjuat fyerjen që i bëri Perëndisë. Cili është vendimi juaj?». Dhe të gjithë e gjykuan se ishte fajtor për vdekje.
65 Disa filluan ta pështynin, t'i mbulonin fytyrën e ta godisnin duke i thënë: «Gjeje kush të goditi!». Edhe rojat e godisnin me shuplaka.
Mohimi i Pjetrit
(Mt 26.69-75Lk 22.56-62Gjn 18.15-18, Gjn 25-27)66 Ndërsa Pjetri ishte poshtë në oborr, erdhi njëra nga shërbëtoret e kryepriftit 67 dhe, kur e pa Pjetrin duke u ngrohur, ia nguli sytë e i tha: «Edhe ti ishe me Jezuin e Nazaretit». 68 Por ai e mohoi e tha: «Nuk po e marr vesh e as nuk po e kuptoj se ç'thua». Pastaj doli jashtë, në hyrje të oborrit, dhe ndërkohë këndoi gjeli. 69 Shërbëtorja e pa e filloi t'u thoshte përsëri atyre që ishin aty: «Ky është një prej tyre». 70 Por ai e mohoi përsëri. Pas pak, ata që ishin aty i thanë Pjetrit sërish: «Me siguri që je një nga ata, se je galileas ». 71 Por ai filloi të mallkojë e të bënte be: «Nuk e njoh këtë njeri për të cilin po flisni». 72 Atë çast këndoi gjeli për të dytën herë. Atëherë Pjetrit iu kujtua ç'i kishte thënë Jezui: «Përpara se gjeli të këndojë dy herë, ti do të më mohosh tri herë». Dhe filloi të qante.