KAPTINA XI.
1 Ende kur afrohenë ndë Ierusalemë, ndë Bethfagi ende ndë Bethani, ke Mali Ullivet, dërgon dy prei dishepujsh vet,
2 ende u thot’ atyne: Shkoni mb’ate krye-katund qi ashtë kundruell jush, ende shpeit posa të hyni mb’ate, keni me gjetunë nji pulisht lidhunë, qi s’i ka hypunë askushi prei nierëzish; sgithnia e binia.
3 Ende ndë u thashtë kushi juve: Qish bani kështu? Thoni, se: Zoti ka nevojë për ate; ende shpeit ka me e dërgumë këtu.
4 Ende ata shkunë, ende gjetnë pulishtinë lidhunë ke dera jashtë ndërmiet dy udhësh; ende e sgidhnë.
5 Ende disa prei atyneve qi ishinë ndenjun’ atie u thoshin’ atyne: Qish bani ashtu qi sgidhni pulishtinë?
6 Edhe ata u than’ atyne sikundrë i pat porositunë Iesui, ende ata i lanë.
7 Ende prunë pulishtinë ke Iesui, ende vunë petkat’ e veta mbi atë; ende ai i hypi.
8 Ende shumë vetë shtrunë petkat’ e veta mb’udhë, ende të tierë këputshinë dega drush, e i shtrojinë mb’udhë.
9 Ende ata qi shkojinë përpara, e ata qi e mërrinë mbrapa, bërtisinë, tue thanë: Hosanna! I Bekum’ asht’ ai qi vien mb’emënit të Zotit!
10 E bekume ashtë mbëretënia qi vien mb’emënit të Zotit, atit t’anë Davidit: Hosanna mbë të naltat!
11 Ende Iesui hyni ndë Ierusalem, ende ndë tempull; ende si vuni ore rreth të gjitha, po mbassi ishte ndashti koha vonë, dul ndë Bethani bashkë me të dy-mbë-dhitët.
12 Ende ndë nesëret, si dulnë prei Bethanisë, i erdhi u;
13 ende kur pa nji dru fiku për së largu qi kishte gjethe, erdhi me gjetunë ndonji send mb’ate; ende si erdhi mb’ate, s’gjeti gja, veçe gjethe, sepse s’ishte kohë fiqsh.
14 Ende Iesui u përgjeq, e i tha drusë fikut : Askushi mos hangrëtë ma pemë prei teje për gjithë jetënë. Ende dishepujt’ e ati ndëgjojinë.
15 Ende vinë ndë Ierusalem, ende Iesui si hyni ndë tempull, filloi me nxierrë ata qi shisin’ e blejinë ndë tempull, ende rrenoi truvezat’ e truvezarëvet, ende shqembet’ e atyne qi shisinë pullumbatë.
16 Ende s’linte askend me prum’ enë ndëpër tempullinë.
17 Ende mësonte, tue e than’ atyne: Nuk’ ashtë shkrumë “Se shtëpia eme ka me u quitunë shtëpi lutëje mbë gjithë kombet?” Po ju e batë “shpellë kursarësh”.
18 Ende Shkruisit’ ende Krye-priftënitë ndëgjunë, ende kërkojinë kush me e prishunë, sepse e drojinë, se gjithë gjindëja mërekullohei për mësimin’ e ati.
19 Ende kur u ngrys, dilte jashtë qytetit.
20 Ende ndë natiet, tue shkum’ ata aty-dreiti, panë drun’ e fikut thamë çë prei rranjash.
21 Ende Pietrit si i ra ndër mend, i tha: Mieshtër, shif, druja e fikut qi mallëkove ashtë thamë.
22 Ende Iesui u përgjeq, e u tha atyne: Kini besë mbë Perëndinë. Sepse me të vërtet po u thom juve,
23 se kush t’i thotë këti mali: Ngreu, e hidhu ndë det; ende të mos jetë me dy mendesh ndë zemërë të vet, po të besojë, se sa thotë bahenë; ka me u bamë mb’ate qish të thotë.
24 Përandai po u thom juve: Gjithë sa të lypni me u falunë, besoni se i merrni, ende kanë me u bamë juve.
25 Ende kur të rrini me u falunë, ndëjeni, ndë paçi gja kundrë ndonjianit, qi ende Ati jui qi ashtë ndë qijet t’u ndëjejë juve fajetë tuja.
26 Po ndë mos ua ndëjefshi ju, as Ati jui qi ashtë ndë qijet s’ka me u ndëjymë juve fajet tuja.
27 Mbasandai vinë prap ndë Ierusalem; ende ai tue ecunë ndë tempull, vinë ke ai Krye-priftënit’ ende Shkruisit’ ende pleqtë,
28 e i thonë: Me çfarë urdhëni ban këto? Ende cilli ta ka dhanë këte urdhënë, qi të bajsh këto?
29 Ende Iesui u përgjeq, e u tha atyne: Ende unë kam me u pytunë juve nji fjalë ende m’u përgjegjëni, ende atëherë kam me u thanë juve me çfarë urdhëni baj këto.
30 Pagëzimi i Gjionnit prei qillit ishte, a prei nierëzish? M’u përgjegjëni.
31 Ende ata mendoheshinë me vetëvetëhenë, tue thanë: Ndë thançim - Prei qillit; ka me thanë - Përse pra s’i besutë?
32 Po ndë thançim - Prei nierëzish; droishinë popullinë; sepse të gjith’ e kishinë Gjionninë, se ashtë profet me të vërtet.
33 Ende ata u përgjegjën, e i thanë Iesuit: Nukë dimë. Ende Iesui u përgjeq, e u tha atyne: As unë s’u thom juve me çfarë urdhëni baj këto.
Hyrja ngadhënjimtare në Jerusalem
(Mt 21.1-11Lk 19.28-40Gjn 12.12-19)
1 Kur iu afruan Jerusalemit, pranë Betfagës e Betanisë, afër malit të Ullinjve, Jezui dërgoi dy prej dishepujve 2 e u tha: «Shkoni në fshatin përballë e sapo të hyni, do të gjeni të lidhur një kërriç mbi të cilin nuk ka hipur ende askush. Zgjidheni e silleni! 3 Nëse dikush ju thotë: “Ç'po bëni?”, i thoni: “Zoti ka nevojë për të e do t'jua kthejë përsëri”». 4 Ata shkuan dhe e gjetën kërriçin të lidhur afër një dere, përjashta në rrugë, dhe e zgjidhën. 5 Disa njerëz që po rrinin aty u thanë: «Përse po e zgjidhni kërriçin?». 6 Dy dishepujt u përgjigjën siç u kishte thënë Jezui dhe ata i lejuan. 7 Pastaj e sollën kërriçin te Jezui, i hodhën përsipër rrobat e tyre dhe Jezui u ul mbi të. 8 Shumë veta shtruan në rrugë rrobat e tyre, ndërsa të tjerë shtruan degë të këputura nëpër fusha. 9 Ata që ecnin përpara tij dhe ata pas tij, thërrisnin:
«Hosana! Bekuar qoftë ai,
që vjen në emër të Zotit!
10 Bekuar qoftë mbretëria që vjen,
mbretëria e Davidit, atit tonë!
Hosana në lartësitë e qiejve!».
11 Jezui hyri në Jerusalem e shkoi në tempull. Ai vështroi gjithçka rreth e rrotull dhe meqenëse tashmë ishte vonë, doli për të shkuar në Betani bashkë me të dymbëdhjetët.
Mallkimi i fikut
(Mt 21.18-19)
12 Të nesërmen, pasi u kthyen nga Betania, Jezuin e mori uria. 13 Nga larg pa një fik që kishte gjethe e shkoi të shihte nëse do të gjente ndonjë fryt. Kur iu afrua, nuk gjeti asgjë përveç gjetheve, se nuk ishte koha e fiqve. 14 Atëherë i tha fikut: «Mos ngrëntë njeri kurrë fryt prej teje!». Dhe dishepujt e dëgjuan.
Pastrimi i tempullit
(Mt 21.12-17Lk 19.45-48Gjn 2.13-22)
15 Kur arritën në Jerusalem, Jezui hyri në tempull e nisi të dëbonte ata që shisnin e blinin aty. Pastaj përmbysi tryezat e këmbyesve të parave dhe tryezat e tregtarëve të pëllumbave 16 e s'lejonte njeri të mbartte sende nëpër tempull. 17 Jezui i mësonte e u thoshte: «A nuk është shkruar:
shtëpia ime do të quhet shtëpi lutjeje
për të gjitha kombet.
Por ju e keni bërë shpellë kusarësh».
18 Kryepriftërinjtë e shkruesit dëgjuan për këtë dhe kërkonin sesi ta vrisnin. Në të vërtetë e kishin frikë, sepse tërë turma mahnitej me mësimin e tij.
19 Kur ra muzgu, ata dolën nga qyteti.
Fiku i tharë
(Mt 21.20-22)
20 Në mëngjes, ndërsa po kalonin andej, panë fikun të tharë që në rrënjë. 21 Pjetri u kujtua e i tha Jezuit: «Mësues, shiko! Fiku që mallkove është tharë». 22 Jezui u tha: «Kini besim në Perëndinë! 23 Me të vërtetë po ju them se nëse dikush i thotë këtij mali “ngrihu e hidhu në det” dhe nuk ka dyshime në zemër, por beson se ajo që thotë do të ndodhë, kështu do të bëhet. 24 Prandaj po ju them se çfarëdo që të kërkoni në lutje, besoni se do ta merrni e kështu do të bëhet. 25-26 Dhe kur ngriheni për t'u lutur, nëse keni diçka kundër dikujt, faleni atë, që edhe Ati juaj që është në qiell t'jua falë paudhësitë tuaja ».
Pushteti i Jezuit
(Mt 21.23-27Lk 20.1-8)
27 Kur erdhën përsëri në Jerusalem, Jezui po ecte në tempull dhe kryepriftërinjtë, shkruesit e pleqtë iu afruan 28 e i thanë: «Me ç'pushtet i bën këto gjëra? Kush ta ka dhënë këtë pushtet që t'i bësh këto gjëra?». 29 Jezui u tha: «Unë do t'ju bëj vetëm një pyetje. Përgjigjmuni e do t'ju tregoj me ç'pushtet i bëj këto gjëra. 30 Pagëzimi i Gjonit, vinte prej qiellit apo prej njerëzve? Përgjigjmuni!». 31 Atëherë ata i thanë njëri-tjetrit: «Po të themi “prej qiellit”, do të na thotë: “Pse nuk i besuat atij?”. 32 Po sikur të themi “prej njerëzve”». Por kishin frikë nga turma, se të gjithë e mbanin Gjonin për profet të vërtetë. 33 Prandaj i thanë Jezuit: «Nuk e dimë». Dhe Jezui u tha: «As unë nuk ju them se me ç'pushtet i bëj këto gjëra».