KAPTINA III.
1 Edhe nd’ato ditt vien Gjionn pagëzori, tue predikuem ndë shkreti të Iudesë,
2 e tue thanë: Pendohi, sepse u afrue mbëretënia e qillvet.
3 Sepse kyi asht’ ai qi u fol prei profetit Isaisë, qi thoshte: “Zan’ i ati qi bërtet ndë shkreti. Bani gati udhën’ e Zotit, bani rrugat’ e ati të dreita”.
4 Edhe ai Gjionni kishte të veshunit’ e vet prei qimesh kamillesë, edhe bres likure për miedis të vet; edhe ushqim’ i ati ishte karcaleca, edhe mialtë të egër.
5 Atëherë dilte jashtë tek ai Ierusalema, edhe gjithë Iudea, edhe gjithë nahia e Iordanit.
6 Edhe pagëzoheshinë prei ati ndë Iordan, tue rrëfyem fajet’ e veta.
7 Edhe kur pa se po vijshinë shumë vetë prei Fariseish, e prei Saddukeish mbë pagëzimt të vet, u tha atyneve: Këlysh gjarpinjsh, cilli u diftoi juve me ikunë prei zemërimit qi vien?
8 Bani pra pemë të vëjefshuna për pendim,
9 edhe mos u duketë juve me thanë me vetëhenë tuei, se : Kena at’ Abrahaminë, sepse po u thom juve, se Perëndia mundetë me i ngritunë dielm Abrahamit prei këtyne gurëvet.
10 E tashti edhe sopata rri përmbi rrajët të druvet: çdo dru pra qi s’ban pemë të mirë, pritet’ edhe hidhetë ndë ziarrm.
11 Un’ u pagëzoj juve me ujë për pendim, por ai qi vien mbas meje, ashtë ma i fortë se unë, të cillit s’jam i zoti me i mbaitunë këpucëtë; ai do t’u pagëzojë juve me Shpirtinë Shenjt, edhe me ziarrm.
12 Ai ka terplotënë n’dorë të vet, edhe ka me qiruem lamën’ e vet, edhe ka me mbëledhunë grunin’ e vet ndë grunart, por kashtënë ka me e diegunë me ziarrm të pa-shuem.
13 Atëherë Iesui vien prei Galilesë ndë Iordan te Gjionni, për me u pagëzuem prei ati.
14 Por Gjionni e përmbante, tue thanë: Unë kam nevojë me u pagëzuem prei teje, e ti vien tek unë?
15 Edhe Iesui u përgjeq, e i tha: Lenë tashti, sepse kështu na duhetë me mbushunë çdo dreitëni. Atëherë e len.
16 Edhe Iesui si u pagëzue, përnjiherë duel prei ujit; edhe qe tek iu hapnë qilltë, edhe pa Shpirtin’ e Perëndisë porsi pullump tue sdrypun’ e tue ardhunë mbi atë.
17 Edhe qe tek u ndëgjue nji za prei qillsh, qi thoshte: Kyi ashtë biri em i dashuni, mbë të cillinë pëlqeva.
Predikimi i Gjon Pagëzorit
(Mk 1.1-8Lk 3.1-9, Lk 15-17Gjn 1.19-28)
1 Ato ditë erdhi Gjon Pagëzori që predikonte në shkretëtirën e Judesë. 2 Ai thoshte: «Pendohuni, se mbretëria e qiejve është afër». 3 Ky është ai për të cilin është folur nga profeti Isai që ka thënë:
një zë thërret në shkretëtirë:
bëni gati udhën për Zotin,
drejtoni shtigjet e tij.
4 Gjoni ishte veshur me një rrobë prej leshi deveje dhe mbante një brez lëkure rreth ijëve. Ai ushqehej me karkaleca e mjaltë të egër.
5 Atëherë njerëz nga Jerusalemi, nga gjithë Judeja e nga mbarë krahina e Jordanit shkonin tek ai 6 dhe, duke rrëfyer haptazi mëkatet e tyre, pagëzoheshin prej tij në lumin Jordan. 7 Kur Gjoni pa se shumë farisenj e saducenj vinin për t'u pagëzuar tek ai, u tha: «Pjellë nepërkash! Kush ju mësoi t'i ikni zemërimit që po vjen? 8 Jepni fryte të denja pendimi 9 dhe mos mendoni se do t'i thoni vetes: kemi për atë Abrahamin. Unë po ju them se Perëndia mund t'i japë bij Abrahamit edhe nga këta gurë. 10 Sëpata gjendet tashmë te rrënjët e pemëve. Çdo pemë që nuk jep fryte të mira do të pritet e do të hidhet në zjarr.
11 Unë po ju pagëzoj me ujë, që të pendoheni, por pas meje vjen një që është më i fortë se unë, të cilit nuk jam i denjë as t'i zgjidh sandalet. Ai do t'ju pagëzojë me Shpirtin e shenjtë e me zjarr. 12 Ai e mban në dorë terploten dhe do të ndajë grurin nga kashta. Grurin do ta mbledhë në grunar, ndërsa kashtën do ta djegë në një zjarr që nuk shuhet kurrë».
Pagëzimi i Jezuit
(Mk 1.9-11Lk 3.21-22)
13 Atëherë Jezui erdhi nga Galilea në Jordan te Gjoni për t'u pagëzuar prej tij. 14 Por Gjoni e kundërshtoi e i tha: «Jam unë ai që duhet të pagëzohem prej teje, e ti vjen tek unë?». 15 Jezui iu përgjigj: «Lëre për tani, se kështu duhet, që të përmbushim tërë drejtësinë». Dhe Gjoni pranoi. 16 Pasi u pagëzua, Jezui doli menjëherë nga uji. Dhe ja, iu hapën qiejt dhe ai pa Shpirtin e Perëndisë duke zbritur në trajtë pëllumbi e duke ardhur tek ai. 17 Atëherë u dëgjua një zë nga qielli që tha: «Ky është Biri im i dashur, me të cilin jam i kënaqur».