KAPTINA XVII.
1 Edhe mbas gjashtë ditsh Iesui merr me vetëhe Pietrin’ edhe Iakobin’ edhe Gjionninë të vëllan’ e ati, edhe i hipën mbë nji mal të naltë veç mbë-nj-anë;
2 edhe ndërroi fytyrënë përpara atyneve, edhe faqeja e ati ndriti porsi dielli, edhe petkat’ e ati u banë të bardha porsi drita.
3 Edhe qe tek u duknë atyneve Moiseu edhe Elia, tue folunë bashkë me atë.
4 Atëherë Pietri u përgjeq, e i tha Iesuit: Zot, ashtë mirë me qenë na këtu; ndë daç, le të bajmë këtu tri tenda: nji për tyi, e nji për Moisenë, e nji për Elinë.
5 Edhe ai por tue folunë, qe tek i mbuloi nji re e ndriçime, edhe qe nji za prei resë te thoshte: Kyi ashtë biri em i dashuni, mbë të cillinë pëlqeva; ndëgjoni ati.
6 Edhe dishepujtë kur ndëgjuenë, ranë përmbys, edhe u frikuenë fort.
7 Por Iesui erdhi përanë, e i kapi, edhe tha: Çohi, e mos u frikoni.
8 Edhe ata kur çuenë syt’ e vet, s’panë kurkend, veç Iesunë vetëmë.
9 Edhe ata tue sdrypunë prei malit, Iesui i porositi, tue thanë: Mos i thoni kurkuit se qish keni pamë, derisa të ngjalletë prei së vdekunish i bir’ i nieriut.
10 Edhe dishepujt’ e ati e pyetnë, tue thanë: Përse thonë Shkruisitë pra, se duhetë me ardhunë ma përpara Elia?
11 Edhe Iesui u përgjeq, e u tha atyneve: Elia vien ma përpara, edhe ka me vunë mbë vend gjithë punëtë .
12 Por unë po u thom juve, se Elia erdhi tashti, edhe s’e ngjoftnë, por i banë qish deshnë. Kështu edhe i bir’ i nieriut ka me hequnë prei atyneve.
13 Atëherë dishepujt’ e muernë vesht, se u tha për Gjionn Pagëzorinë.
14 Edhe ata kur erthnë te gjindëja, i erdhi përanë nji nieri, e i ra ndë gjunjë,
15 tue thanë: Zot, përdëlle t’em bir, sepse e zen lingat’ e hanësë, edhe heq keq, sepse shumë herë bie ndë ziarrm, edhe shumë herë nd’ujë.
16 Edhe e pruna te dishepujt’ e tu, por nukë muftnë me e shëndoshunë.
17 Edhe Iesui u përgjeq, e tha: O bres i pabesë edhe i shtrembëtë, deri kurë kam me qenë bashkë me ju? Deri kurë kam me u duruem juve? Bini mue ate këtu.
18 Edhe Iesui e qirtoi; edhe dialli duel prei ati, edhe çuni u shëndosh çë mb’atë herë.
19 Atëherë dishepujt’ erthnë përanë Iesuit veç-anë, e thanë: Përse nukë muftëm na me e nxierrë?
20 Edhe Iesui u tha atyneve: Për pabesëninë tuei, sepse për të vërtet po u thom juve, se ndë paçi besë sa nji koqe senapi, keni me i thanë këti mali: Sdryp prei këndyj e shko atie; edhe ka me sdrypunë; edhe s’ka me qenë gja qi të mos mundeni ju mos me e bamë.
21 Edhe kyi farë kombi nuk del tietrazi , veç me të falun’ e me agjinim.
22 Edhe ata kur ishinë tue u siellë rreth ndë Galile, Iesui u tha atyneve: I bir’ i nieriut ka me u dhanë ndër duer te nierëzëvet;
23 edhe kanë me e vramë, edhe të tretënë ditë ka me u ngjallë. Edhe ata u idhënuenë fort.
24 Edhe ata kur erthnë ndë Kapernaum, erthnë për-anë Pietrit ata qi marrinë pagë dydrehematë, edhe i thanë: Nukë paguen dydrehematë mieshtri juei?
25 Ai thotë: Po. Edhe kur hyni ndë shtëpi, e mbërrin Iesui, tue thanë: Si të duketë, Simon? Prei kuit marrinë paga a të dhana mbëretëniat’ e dheut? Prei të bijvet vet, a prei të huejvet?
26 Pietri i thotë: Prei të huejvet. Iesui i tha: Vallë bijtë janë të dëlirë.
27 Por për mos me shkandalizuem ata, shko ndë det, e hith nji grep, edhe ngre peshkun’ e parë qi të dali; edhe si t’i hapish gojënë, ke me gjetunë nji stater: merre, e nepua atyneve për mue, edhe për tyi.
Shndërrimi i Jezuit
(Mk 9.2-13Lk 9.28-36)1 Pas gjashtë ditësh Jezui mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe vëllanë e tij, Gjonin, e i çoi në një mal të lartë, në një vend të vetmuar. 2 Atëherë ai u shndërrua para tyre. Fytyra i shkëlqeu si dielli dhe rrobat iu bënë të bardha si drita. 3 Pastaj atyre iu shfaqën Moisiu dhe Elia duke folur me Jezuin. 4 Pjetri i tha Jezuit: «Zot, sa mirë që jemi këtu! Nëse dëshiron, do të ngre këtu tri tenda, një për ty, një për Moisiun e një për Elinë». 5 Ndërsa ishte ende duke folur, një re e shndritshme i mbuloi me hijen e saj dhe një zë nga reja tha: «Ky është Biri im i dashur, me të cilin jam i kënaqur. Dëgjojeni!». 6 Kur e dëgjuan këtë, dishepujt ranë me fytyrë përdhe dhe i zuri një frikë e madhe. 7 Por Jezui u afrua, i preku e u tha: «Ngrihuni e mos kini frikë!». 8 Kur ngritën sytë, nuk panë askënd përveç Jezuit.
9 Kur po zbrisnin nga mali, Jezui i urdhëroi: «Mos i thoni askujt çfarë keni parë, derisa Biri i njeriut të ngjallet prej të vdekurve». 10 Atëherë dishepujt e pyetën: «Përse thonë shkruesit se duhet të vijë më parë Elia?». 11 Jezui u përgjigj: «Po, Elia po vjen dhe ai do të vërë gjithçka në vendin e vet. 12 Madje po ju them se Elia ka ardhur, por ata nuk e njohën e bënë me të çfarë deshën. Kështu do të vuajë edhe Biri i njeriut prej tyre». 13 Atëherë dishepujt e kuptuan se po u fliste për Gjon Pagëzorin.
Shërimi i të pushtuarit nga djalli
(Mk 9.14-29Lk 9.37-43a)14 Kur arritën te turma, Jezuit iu afrua një njeri, i ra në gjunjë 15 e i tha: «Zot, ki mëshirë për tim bir, se ka sëmundjen e tokës dhe vuan shumë. Shpeshherë bie në zjarr e në ujë. 16 Ua solla dishepujve të tu, por ata nuk mundën ta shëronin». 17 Jezui tha: «O brezni e pafe dhe e mbrapshtë! Edhe sa kohë do të jem me ju? Deri kur do t'ju duroj? Sillmani këtu!». 18 Jezui e qortoi djallin. Atëherë djalli doli prej djaloshit dhe ai u shërua në çast.
19 Pastaj dishepujt erdhën te Jezui dhe, kur ishin vetëm, i thanë: «Pse ne nuk mundëm ta dëbonim?». 20-21 Ai u tha: «Për shkak të besimit tuaj të pakët. Me të vërtetë po ju them se po të kishit besim sa një farë sinapi, do t'i thoshit këtij mali “lëviz që këtej” dhe ai do të lëvizte. Asgjë nuk do të ishte e pamundur për ju ».
Tjetër paralajmërim i Pashkës
(Mk 9.30-32Lk 9.43b-45)22 Kur ishin në Galile, Jezui u tha: «Biri i njeriut do të dorëzohet në duart e njerëzve, 23 ata do ta vrasin dhe ditën e tretë, ai do të ngjallet». Atëherë dishepujt u pikëlluan shumë.
Tagri i tempullit
24 Kur arritën në Kafarnaum, mbledhësit e tagrit të tempullit iu afruan Pjetrit e i thanë: «A e paguan tagrin mësuesi juaj?». 25 Ai u tha: «E paguan». Sapo Pjetri u kthye në shtëpi, Jezui iu drejtua i pari: «Si mendon ti Simon? Nga kush i marrin mbretërit e kësaj bote tagrat ose detyrimet? Nga bijtë e tyre apo nga të tjerët?». 26 Pjetri u përgjigj: «Nga të tjerët». Jezui i tha: «Atëherë bijtë janë të lirë. 27 Por për të mos u bërë pengesë për ta, shko te liqeni, hidh grepin dhe kap peshkun e parë që do të bjerë në të. Kur t'i hapësh gojën, do të gjesh një monedhë. Merre e paguaj për mua e për vete».