KAPTINA XI.
1 Edhe Iesui kur mbaroi tue porositunë të dy-mbë-dhetë dishepujt’ e vet, sdrypi prei andej për me mësuem e me predikuem ndëpër qytetet e atyneve.
2 Edhe Gjionni kur ndëgjoi ndë burgut punët’ e Krishtit, dërgoi dy vetë prei dishepujvet vet, e i tha:
3 Ti je ai qi ka me ardhunë, apor presimë nji tietër?
4 Edhe Iesui u përgjeq, e u tha atyneve: Shkoni e nepni za Gjionnit për ato qi ndëgjoni, e shifni:
5 Të verbëtë shofinë, e çala ecinë, të kromosunë qirohenë, e shurdha ndëgjojnë, të vdekunë ngjallenë, e të vobegjivet u diftohet’ ungjilli.
6 Edhe i lumun’ asht ai qi të mos shkandalizohetë mbë mue.
7 Edhe këta tue votunë, Iesui filloi me i thanë gjindëjesë për Gjionninë: Ç’dueltë me vum’ ore ndë shkreti? Kallam qi përkundetë prei erësë?
8 Por ç’dueltë me pamë? Nieri veshunë me petka të buta? Qe ata qi kanë veshunë petka të buta ku janë ndëpër shtëpiat e mbëretënavet.
9 Por ç’dueltë me pamë? Profet? Për të vërtet po u thom juve: Edhe ma tepërë se profet.
10 Sepse kyi asht’ ai qi ashtë shkruem për atë: “Qe unë te po dërgoj engjullinë (za-dhanësinë) tem përpara faqesë sate, i cilli ka me ndrequn’ udhënë tande përpara teje”.
11 Për të vërtet po u thom juve, se : Ndërmiet atyneve qi kanë lemë prei grash, nuk’ ashtë çuem ma i math se Gjionn Pagëzori, por ma i vogëli ndë mbëretënit të qillvet, ashtë ma i math se ai.
12 Çë prei ditsh Gjionn Pagëzorit deri tashti, mbëretënia e qillvet ngutetë, edhe ata qi ngutenë, e rrëmbejnë.
13 Sepse gjithë profetënitë, edhe ligja profetizuenë deri mbë ditë të Gjionnit.
14 Edhe ndë daçi me pritunë këte fjalë , ai asht’ Elia qi kishte për me ardhunë.
15 Ai qi ka veshë me ndëgjuem, le të ndëgjojë.
16 Por me se ta përgjaj këte bres? I përgjan çunavet vogjilë qi rrinë ndëpër tregjet, edhe u thërrasinë shokvet vet,
17 e thonë: U ram fyllit, edhe nukë karcyetë; u bam vaje, edhe nuk qjatë.
18 Sepse erdhi Gjionni as tue ngran’ as tue pimë, edhe thonë, se : Ka diallinë.
19 Erdhi i bir’ i nieriut tue ngran’ e tue pimë, edhe thonë: Qe nieri ngranës e venë-pimës, miku i publikanëvet e i fajtorëvet; edhe ditunia duel’ e dreitë prei të bijvet vet.
20 Atëherë filloi me qirtuem ato qytetetë, mbë të cilat’ u banë ma të shumatë mërekulliat’ e ati, sepse nuk’ u penduenë: Mjeri ti, Horazin!
21 Mjeri ti, Bethsaida! Sepse këto mërekullia qi janë bamë mbë ju, ndë baheshinë ndë Tyrë e ndë Sidonë, çë kur se kishinë me u penduem me thes e me pluhunë.
22 Veç po u thom juve, se : Ndë Tyrë e ndë Sidonë ma i durueshim ka me qenë mundimi ndë ditë të gjyqit, se mbë ju.
23 Edhe ti, Kapernaum, qi je ngritunë nalt deri mbë qiell, ke me sdrypunë deri ndë ferr, sepse këto mërekullia qi janë bamë te ti, ndë baheshinë ndë Sodom, kishinë me mbetunë deri mbë ditë të sotshime.
24 Veç po u thom juve, se ndë dhe të Sodomvet ma i durueshim ka me qenë mundimi ndë ditë të gjyqit, se mbë tyi.
25 Nd’atë kohë Iesui u përgjeq, e tha: Të lavdoj tyi, o Atë, Zot i qiellit edhe i dheut, se ua mpshefe këto punë të ditshunat e të mentshunavet, edhe ua sbulove foshnjevet.
26 Po, o Atë, sepse pëlqimi yt kështu u ba përpara teje.
27 Të gjitha m’u dhanë n’dorë prei t’im et, edhe kurkushi s’e ngjef birinë, veç Ati; edhe kurkushi s’e ngjef Atinë, veç i biri, edhe ai qi të dojë i biri me ia sbuluem.
28 Ejani tek unë, gjithë sa jeni të lodhun’ e të ngarkuem, edhe unë kam me u praitunë juve.
29 Merrni sgjedhënë teme mbë qafë tuei, edhe mësoni prei meje; sepse jam i butë, edhe i përvutë ndë zemërë, edhe keni me gjetunë të praitunë ndë shpirtënat tuei.
30 Sepse sgjedha eme asht’ e mirë, edhe barra eme asht’ e letë.
1 Si u mësoi këto gjëra dymbëdhjetë dishepujve, Jezui u largua që andej e shkoi për të mësuar njerëzit e për të predikuar në qytetet përreth.
Të dërguarit e Gjon Pagëzorit
(Lk 7.18-35)2 Gjoni ishte në burg dhe, kur dëgjoi për veprat e Krishtit, i çoi fjalë përmes dishepujve të vet 3 për t'i thënë: «A je ti ai që duhet të vijë apo duhet të presim një tjetër?». 4 Jezui u përgjigj kështu: «Shkoni e i tregoni Gjonit çka po dëgjoni e po shihni. 5 Të verbrit po shohin përsëri e të çalët po ecin, të lebrosurit po pastrohen e të shurdhrit po dëgjojnë, të vdekurit po ngjallen e të varfërve po u shpallet ungjilli. 6 Lum ai, të cilit unë nuk i bëhem pengesë».
7 Kur u larguan ata, Jezui filloi t'u fliste turmave për Gjonin e tha: «Çfarë shkuat të shihnit në shkretëtirë? Një kallam që e lëkund era? 8 Çfarë shkuat të shihnit, pra? Një njeri të veshur me rroba të buta? Ata që vishen me rroba të buta gjenden në pallatet mbretërore. 9 Çfarë shkuat të shihnit, atëherë? Një profet? Po, po ju them, madje më shumë se një profet. 10 Gjoni është ai për të cilin është shkruar:
ja, unë po dërgoj
lajmëtarin tim para teje,
që të përgatisë udhën tënde.
11 Me të vërtetë po ju them se asnjë grua nuk ka lindur njeri më të madh se Gjon Pagëzori. Por, më i vogli në mbretërinë e qiejve është më i madh se ai. 12 Që nga dita e Gjon Pagëzorit e deri tani mbretëria e qiejve fitohet me përpjekje të mëdha dhe atë e fitojnë ata që përpiqen . 13 Të gjithë profetët dhe ligji profetizuan deri në kohën e Gjonit. 14 Dhe doni apo s'doni ta pranoni, ai është Elia që duhej të vinte. 15 Kush ka veshë, le të dëgjojë.
16 Me çfarë ta krahasoj këtë brezni? Ajo u ngjan fëmijëve që ulen shesheve dhe u thërrasin të tjerëve 17 e u thonë:
“I ramë fyellit për ju
e nuk kërcyet,
vajtuam
e ju nuk mbajtët zi”.
18 Erdhi Gjoni që as ha e as pi dhe njerëzit thonë: “Është i pushtuar nga djalli”. 19 Erdhi Biri i njeriut që ha e pi dhe njerëzit thonë: “Ja grykësi e pijaneci, miku i tagrambledhësve e i mëkatarëve”. Por, urtia e Perëndisë del e drejtë nga vetë veprat e veta ».
Qytetet e papenduara
(Lk 10.13-15)20 Atëherë Jezui filloi të qortonte qytetet ku u bënë pjesa më e madhe e mrekullive të tij, por që nuk ishin penduar: 21 «Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti, Betsaidë! Po të ishin bërë në Tir e në Sidon mrekullitë që u bënë ndër ju, ata do të ishin penduar me kohë, duke veshur thasë e duke hedhur hi mbi kokë. 22 Por unë po ju them se Tiri e Sidoni do ta kenë më të lehtë se ju në ditën e gjykimit.
23 Po ti, Kafarnaum,
mos vallë do të lartësohesh deri në qiell?
Në skëterrë do të plandosesh.
Sepse Sodoma do të kishte mbetur deri më sot po të ishin bërë aty mrekullitë që u bënë te ti. 24 Por po ju them se toka e Sodomës do ta ketë më të lehtë se ju në ditën e gjykimit».
Jezui jep prehje
(Lk 10.21-22)25 Atëherë Jezui tha: «Të falënderoj, o Atë, Zot i qiellit e i tokës, se ua ke fshehur këto gjëra të urtëve e të mençurve dhe ua ke zbuluar fëmijëve të vegjël. 26 Po, o Atë, se kështu të ka pëlqyer ty. 27 Gjithçka më është dhënë nga Ati im. Askush nuk e njeh Birin përveç Atit dhe askush nuk e njeh Atin përveç Birit dhe atij, të cilit Biri dëshiron t'ia zbulojë.
28 Ejani tek unë të gjithë ju që jeni të lodhur e të munduar, se unë do t'ju çlodh. 29 Merrni mbi vete zgjedhën time e mësoni nga unë, sepse kam zemër të butë e të përulur. Kështu do të gjeni prehje për shpirtrat tuaj, 30 se zgjedha ime është e butë e barra ime është e lehtë».