KAPTINA XIX.
1 Edhe ai kur hyni, shkonte ndëpër Ieriho.
2 Edhe qe nji nieri qi quhei Zakhe, i cilli ishte i pari publikanëvet, edhe kyi ishte i pasunë.
3 Edhe kërkonte me pamë Iesunë, cilli ashtë; por s’mundei prei gjindëjesë, sepse ishte i vogëlë ndë shtat.
4 Edhe nxitoi përpara e hipi mbë nji dru mani, për me pam’ ate, sepse kishte për me shkuem ndëpër atë udhë .
5 Edhe Iesui kur erdhi mbë atë vend, ngriti syt’ e pa ate, edhe i tha: Zakhe, sdryp shpeit; sepse duhetë me mbetun’ unë ndë shtëpit tande.
6 Edhe ai sdrypi shpeit, edhe e priti me gëzim.
7 Edhe të gjithë kur panë, murmurojshinë, tue thanë, se: Hyni me ndenjunë për-anë nieriut fajtuer.
8 Edhe Zakheu qindroi, e i tha Zotit: Qe, o Zot, gjymësën’ e gjasë s’eme tek e ap ndëpër të vobeqit, edhe ndë i paça marrë gja ndoni nieriu për dhunë, i ap për nji katër.
9 Edhe Iesui i tha, se sot u ba shpëtim ndë këte shtëpi, sepse edhe ai asht’ i bir’ i Abrahamit.
10 Sepse i bir i nieriut erdhi me kërkuem e me shpëtuem ate qi asht’ i hupunë.
11 Edhe ata kur ndëgjojshinë këto, Iesui shtoi, e tha nji parabullë, sepse ishte ngjat Ierusalemit, edhe ata kujtojshinë se ka me u dukunë përnjiherë mbëretënia e Perëndisë.
12 Tha pra: Nji nieri fisnik voiti mbi nji vend të largë për me marrë nji mbëretëni për vetëvetëhenë, mbasandai me u këthyem.
13 Edhe thirri dhetë shërbëtorët’ e vet, e u dha atyne dhetë mna, edhe u tha atyne: Punoni këto ngysh sa të këthehem.
14 Por qytetëtarët’ e ati e kishinë mëni, edhe dërguenë laimësi mbas ati, tue thanë, se: Nukë duemë këte me mbëretënuem mbi ne.
15 Edhe ai si muer mbëretëninë, u këthye prapa, e tha me u thërritunë tek ai shërbëtorëtë qi u pat dhanë argjandinë, për me marrë vesht qish kishte fituem gjithë-se-cilli.
16 Edhe erdhi i pari, tue thanë: Zot, mnaja jote fitoi dhetë mna.
17 Edhe ai i tha: Të lumtë, shërbëtor i mirë, se u banë besëtar mbë të pakënë, ki pushtet sipër dhetë qytetesh.
18 Erdhi edhe i dyti, tue thanë: Zot, mnaja jote bani pesë mna.
19 I tha edhe këti: Edhe ti bahu i zoti sipër pesë qytetesh.
20 Erdhi i treti, tue thanë: Zot, qe mnaja jote, të cillën’ e pata rueitunë mbë-nj-anë ndë nji rizë,
21 sepse pata frikë, se je nieri i shtrëngutë: merr atie ku s’ke vumë, edhe korr atie ku s’ke mbiellë.
22 Edhe ai i thotë: Prei gojësë s’ate kam me të gjukuem, shërbëtor’ i keq - ti e dishiese unë jam nieri i shtrëngutë, edhe marr atie ku s’kam vumë, edhe korr atie ku s’kam mbiellë,
23 përse pra s’dhe argjandinë t’em te truveza, qi ta merrshiem bashkë me kamatënë, kur të vishiem unë?
24 Atëherë u tha atyne qi ishinë përpara: Merrni mnanë prei ati, edhe ia nepni ati qi ka dhetë mna.
25 (Edhe ata i thanë: Zot, ai ka dhetë mna.)
26 Sepse po u thom juve, se kushdo qi ka, do t’i nepetë; edhe prei ati qi s’ka, edhe ate qi të ketë, do të merretë prei ati.
27 Por ata anëmiqt’ e mi, qi s’më deshnë me mbëretënuem mbi ata, bini këtu, edhe therrni përpara mejet.
28 Edhe si tha këto, shkonte përpara, tue hipunë ndë Ierusalem.
29 Edhe kur u afrue ndë Bethfage edhe ndë Bethani, ndaj malinë qi quheti i Ullivet, dërgoi dy vetë prei dishepujsh vet,
30 e u tha atyne: Shkoni nd’ate katund qi ashtë kundruell; kur të hyni atie, keni me gjetunë nji polisht lidhunë, qi s’i ka hipunë kurrë ndonji nieri; sgjidhnia, e binia.
31 Edhe ndë u pyettë juve kushi: Përse e sgjidhni? Kështu t’i thoni, se: Zoti ka nevojë për ate.
32 Edhe ata qi u dërguenë si shkuenë, gjetnë sikurse u tha atyne. 33 Edhe ata kur po sgjithshinë polishtinë, të zotënit’ e ati u than’ atyne: Përse sgjithni polishtinë?
34 Edhe ata thanë: Zoti ka nevojë për ate.
35 Edhe e prunë te Iesui; edhe si hothnë petkat’ e veta mbi polishtinë, hipnë Iesunë mbi ate.
36 Edhe ai kur po shkonte, gjindëja shtrojshinë petkat’ e veta mb’udhë.
37 Edhe ai kur u afrue tashti mbë të sdrypunit e Malit Ullivet, gjithë shumica e dishepujvet filluenë me u gëzuem e me lavduem Perëndinë me za të math për gjith’ ato mërekullia qi panë,
38 tue thanë: I bekuem qoftë mbëreti qi vien mb’emënit të Zotit; paqtim ndë qiell, edhe laft mbë të naltat.
39 Edhe disa Farisei prei gjindëjes’ i thanë: Mieshtër, qirto dishepujt’ e tu.
40 Edhe ai u përgjeq, e u tha atyne: Po u thom juve, se ndë pushofshinë këta, kanë me bërtitunë gurëtë.
41 Edhe si u afrue e pa qytetinë, qjau për ate,
42 tue thanë, se: Ndë qoftë se i dishie edhe ti, pak së paku sot ndë këte ditët tande, ato punëtë qi punohenë për paqtim tand; por tashtu u mpshefnë prei sysh tu,
43 sepse kanë me ardhunë ditt për tyi, edhe anëmiqt’ e tu kanë me bamë hendek rreth tejet, edhe kanë me të rrethuem, edhe kanë me të shtrënguem prei gjith’ anësh,
44 edhe kanë me të rrëxuem sheshit tyi, edhe dielmt’ e tu qi gjindenë mbrenda te ti, edhe s’kanë me lanë gur mbi gur te ti; sepse nukë ngjoftë kohën’ e të vumes’ ore te ti,
45 Edhe si hyni ndë tempull, filloi me nxierrë jashtë ata qi shitshin’ e blejshinë nd’ate,
46 tue u than’ atyne: Ashtë shkruem - “Shtëpia eme ashtë shtëpi lutëje”, por ju e batë, “Shpellë kursarësh”.
47 Edhe ishte tue mësuem përditë ndë tempull. Edhe Kryepriftënit’ edhe Shkruesit’ edhe të parët’ e popullit kërkojshinë me e prishunë,
48 por s’gjejshinë se qish me bamë, sepse gjithë populli ishte varunë mbas ati për me e ndëgjuem.
Jezui dhe Zakeu
1 Jezui hyri në Jeriko e po kalonte nëpër qytet. 2 Aty ishte një njeri me emrin Zake. Ai ishte kryetagrambledhës dhe ishte i pasur. 3 Zakeu po përpiqej të shihte kush ishte Jezui, por ishte shtatvogël e nuk mund ta shihte për shkak të turmës. 4 Atëherë vrapoi përpara e hipi në një fik për ta parë, sepse Jezui po kalonte asaj rruge. 5 Kur Jezui arriti aty, ngriti sytë e i tha: «Zake, zbrit shpejt, se sot duhet të ndalem në shtëpinë tënde». 6 Zakeu zbriti me nxitim dhe e priti i gëzuar. 7 Të gjithë ata që e panë këtë, filluan të murmuritnin: «Ky shkoi mik te një mëkatar». 8 Zakeu, që rrinte në këmbë, i tha Zotit: «Ja, Zot, unë po u jap të varfërve gjysmën e pasurisë sime e nëse i kam marrë ndokujt para me mashtrim, do t'ia kthej katërfish». 9 Atëherë Jezui i tha: «Sot erdhi shpëtimi në këtë shtëpi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit.
10 Biri i njeriut ka ardhur për të kërkuar e për të shpëtuar atë që kishte humbur».
Dhjetë monedhat
(Mt 25.14-30)
11 Ndërsa po e dëgjonin, Jezui u tregoi edhe këtë shëmbëlltyrë, meqë ishte afër Jerusalemit dhe ata besonin se mbretëria e Perëndisë do të shfaqej nga çasti në çast. 12 Ai u tha: «Një fisnik shkoi në një vend të largët të kurorëzohej mbret e pastaj do të kthehej. 13 Thirri dhjetë nga shërbëtorët e vet, u dha dhjetë monedha e u tha: “Vërini në punë derisa të kthehem unë!”. 14 Por qytetarët e tij e urrenin dhe i dërguan nga pas një përfaqësi për t'i thënë: “Nuk duam që ky të mbretërojë mbi ne”. 15 Kur ai u kthye, pasi u bë mbret, urdhëroi të thërrisnin shërbëtorët, të cilëve u kishte dhënë para për të parë sesi i kishin përdorur. 16 Erdhi i pari e i tha: “Zotëri, monedha jote ka dhënë dhjetë të tjera”. 17 Ai i tha: “Të lumtë, shërbëtor i mirë! Meqenëse u tregove besnik në gjënë më të vogël, do të kesh pushtet mbi dhjetë qytete”. 18 Pastaj erdhi i dyti e i tha: “Zotëri, monedha jote ka dhënë pesë të tjera”. 19 Ai i tha: “Edhe ti qeveris pesë qytete!”. 20 Pastaj erdhi tjetri e tha: “Zotëri, ja ku e ke monedhën tënde. Unë e mbështolla me një garzë, 21 se kisha frikë nga ti, që je i rreptë, që merr çfarë nuk ke dhënë e korr çfarë nuk ke mbjellë”. 22 Ai i tha: “Shërbëtor i mbrapshtë, unë do të të gjykoj nga fjalët e tua. Ti e paske ditur se unë qenkam i rreptë, se marrkam çfarë nuk kam dhënë e korrkam çfarë nuk kam mbjellë? 23 Atëherë pse nuk e fute në bankë paranë time, që kur të kthehesha ta merrja bashkë me fitimin?”. 24 Pastaj u tha atyre që ishin aty: “Merrjani monedhën e jepjani atij që ka dhjetë!”. 25 Ata i thanë: “Zotëri, po ai i ka dhjetë monedha”. 26 Ai u përgjigj: “Unë po ju them se kujtdo që ka, do t'i jepet edhe më shumë, por atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka. 27 Ndërsa ata armiqtë e mi që nuk dëshironin të bëhesha mbreti i tyre, sillini këtu e vritini para syve të mi!”».
Hyrja në Jerusalem
(Mt 21.1-11Mk 11.1-11Gjn 12.12-19)
28 Pasi tha këto, Jezui u priu për në Jerusalem. 29 Kur iu afrua Betfagës e Betanisë, në vendin që quhet mali i Ullinjve, dërgoi dy prej dishepujve 30 e u tha: «Shkoni në fshatin përballë e kur të hyni, do të gjeni të lidhur një kërriç, mbi të cilin nuk ka hipur kurrë njeri. Zgjidheni e silleni. 31 Nëse dikush ju pyet se përse po e zgjidhni, i thoni kështu: “Zoti ka nevojë për të”». 32 Atëherë, ata që dërgoi Jezui, u nisën dhe gjetën gjithçka, siç u kishte thënë ai. 33 Kur po e zgjidhnin kërriçin, të zotët i pyetën: «Përse po e zgjidhni kërriçin?». 34 Ata thanë: «Zoti ka nevojë për të».
35 Atëherë ia sollën kërriçin Jezuit, i hodhën përsipër rrobat e tyre dhe Jezui u ul mbi të. 36 Gjatë udhës njerëzit shtronin në rrugë rrobat e tyre. 37 Kur iu afrua rrugës që zbret nga mali i Ullinjve, mbarë turma e dishepujve filloi të lavdërojë Perëndinë me gëzim e me zë të lartë për të gjitha veprat e fuqishme që kishin parë. 38 Ata thoshin:
«Bekuar qoftë mbreti
që vjen në emër të Zotit!
Paqe në qiell
e lavdi në lartësitë e qiejve!».
39 Disa nga farisenjtë që ishin në turmë i thanë Jezuit: «Mësues, urdhëroji dishepujt të heshtin». 40 Por Jezui u përgjigj: «Unë po ju them, edhe po të heshtnin këta, gurët do të bërtisnin».
41 Kur iu afrua qytetit dhe e pa, Jezui qau për të 42 e tha: «Ah, sikur ta kuptoje edhe ti sot se nga vjen paqja! Por kjo është e fshehtë për sytë e tu. 43 Po vijnë ditët kur armiqtë e tu do të hapin llogore rreth teje, do të të rrethojnë e do të të shtrëngojnë nga çdo anë. 44 Pastaj do të të shtrijnë përdhe ty dhe fëmijët e tu e nuk do të të lënë gur mbi gur, sepse ti nuk e njohe kohën kur Perëndia erdhi për të të ndihmuar».
Pastrimi i tempullit
(Mt 21.12-17Mk 11.15-19Gjn 2.13-22)
45 Pastaj Jezui hyri në tempull e filloi të dëbonte ata që shisnin aty. 46 Dhe u tha: «Është shkruar:
shtëpia ime
është shtëpi lutjeje,
por ju e keni bërë shpellë kusarësh».
47 Jezui i mësonte njerëzit çdo ditë në tempull. Kryepriftërinjtë, shkruesit dhe krerët e popullit kërkonin ta vrisnin, 48 por nuk dinin çfarë të bënin, sepse i gjithë populli mrekullohej kur e dëgjonte.