KAPTINA V.
1 Eni tashi, ju të pasunitë, qjani e ngrini zaninë nalt tue bërtitunë fort për të hiekunat keq qi vinë mbi ju.
2 Pasëja juej u kalp, edhe petëkatë tueja ua brejti teja.
3 Ari juei e argjandi u ndryshk, edhe ndryshku i atyne ka me qenunë për deshmi kundrë jush, edhe ka me ngranë mishnatë tuei si ziarrm; mbëlothtë thesore për ditt e mbrapëna.
4 Qe te bërtet paga qi ua mbaitët punëtorëvet qi korrnë aratë tueja, edhe të bërtitunat’ e korrësavet i ranë ndë veshë të Zotit Shabaoth.
5 U kënaqtë e batë pallë mbi dhet; ushqyetë zemëratë tueja, si për ditën’ e së therëmesë;
6 dënuetë edhe vratë të dreitënë, e ai nuk’ u ndenji kundrë juve.
7 Kini zemërë të gjanë pra, o vëllazën, deri mbë t’ardhëmen’ e Zotit. Qe bulku te pret pemën’ e dheut të çimueshimenë, e ka zemërë të gjanë për ate, deri sa të marri shin’ e herëshim edhe të vonëshiminë.
8 Kini zemërë të gjan’ edhe ju, forconi zemëratë tueja, sepse e ardhëmeja e Zotit u afrue.
9 Mos shamtini kundrë njiani tietërit, o vëllazën, qi të mos gjukohi për të keq. Qe gjukatësi te rri përpara dyervet.
10 Merrni shëmbëllëtyrë, o vëllazënit’ e mi, të hiekëmenë keq, edhe zemërën’ e gjanë të profetëvet qi folnë mb’emënit të Zotit.
11 Qe te lumënoim’ ata qi durojënë; e ndëgjuetë durimin’ e Iobit, edhe e patë të mbrapënën’ e Zotit, se Zoti ashtë shum’ i përdëllyeshim edhe i dhimtshim.
12 Edhe ma përpara të gjithëvet, o vëllazënit’ e mi, mos bani be as për qiell, as për dhe, as ndonji tietërë be, por le të jetë fjala juei, po, po, edhe jo, jo, qi të mos bini ndë gjukim.
13 Hiek keq kushi ndër ju? Le të faletë, ka zemërë të gëzueshimë kushi? Le të psalli.
14 Asht’ i sëmunë kushi ndër ju? Le të thërresi pleqt’ e kishësë, edhe le të falenë mbi ate, e le ta lyejënë me voj mb’emënit të Zotit.
15 Edhe urata me besë ka me shpëtuem ate qi lingon, edhe Zoti ka me e çuem; edhe ndë pastë bamë faje, ka me ia falunë.
16 Rrëfeni fajetë njiani tietërit, edhe fali njiani për tietërinë, qi të shëndoshi. Të lutunit’ e të dreitit ka shumë fuqi, kur bahetë.
17 Elia ishte nji nieri qi pësonte porsi na, edhe u fal me zemërë të nxetë për mos me ranë shi, edhe nukë ra shi mbë dhet tre viet e gjashtë muej;
18 edhe për-së-ri u fal’ edhe qielli dha shi, edhe dheu bini pemën’ e vet.
19 O vëllazën, ndë daltë kushi ndër ju jasht’ udhësë të vërtetësë, edhe ta këthejë kushi,
20 le ta dijë se ai qi këthen fajtorinë prei udhësë gënjeshtaresë, ka me shpëtuem nji shpirt prei vdeket, edhe ka me mbuluem shumicë fajesh.
Qortime për të pasurit
1 Dhe tani, ju, o të pasur! Qani e vajtoni për mundimet që ju presin. 2 Pasuria juaj u kalb e rrobat tuaja i brejti tenja. 3 Ari e argjendi juaj u ndryshkën. Ndryshku i tyre do të jetë dëshmi kundër jush e do të përpijë trupat tuaj si zjarri. Ju u pasuruat në ditët e fundit. 4 Ja, paga që u keni ngrënë punëtorëve që korrën arat tuaja po këlthet e klithmat e korrësve arritën në vesh të Zotit të ushtrive qiellore.
5 Këtu në tokë jetuat në qejfe dhe bëtë shpenzime të kota. U majmët si kafshët për therje, 6 dënuat e vratë të drejtin dhe ai nuk ju kundërshtoi.
Durimi e lutja
7 Vëllezër, bëni durim derisa të vijë Zoti. Edhe bujku e pret me durim frytin e çmuar të tokës derisa të bien shirat e vjeshtës e të pranverës. 8 Kini edhe ju durim e forcojini zemrat, se dita e ardhjes së Zotit është afër. 9 Vëllezër, mos u ankoni për njëri-tjetrin, që të mos gjykoheni. Ja, gjykatësi është te dera! 10 Shembull të vuajtjes e të durimit kini profetët që folën në emër të Zotit. 11 Ne i quajmë të lumë ata që duruan. Ju keni dëgjuar për durimin e Jobit dhe e patë çfarë fundi i ruajti Zoti, sepse Zoti është mëshirëplotë e i dhembshur.
12 Para së gjithash, vëllezërit e mi, mos bëni be: as për qiellin, as për tokën e as ndonjë betim tjetër. Le të jetë «po-ja» juaj «po» dhe «jo-ja» juaj «jo», që të mos gjykoheni nga Perëndia.
13 A vuan ndonjë prej jush? Le të lutet! A është ndonjë i gëzuar? Le të këndojë psalme! 14 A është ndonjë nga ju i sëmurë? Le të thërrasë pleqtë e kishës që të luten për të e ta lyejnë me vaj në emër të Zotit. 15 Lutja me besim do ta shërojë atë që lëngon dhe Zoti do ta mëkëmbë. Nëse ka bërë mëkate, ato do t'i falen.
16 Rrëfejani mëkatet njëri-tjetrit dhe lutuni për njëri-tjetrin, që të shëroheni. Lutja e të drejtit ka fuqi të madhe! 17 Elia ishte njeri si ne. Ai u lut me gjithë shpirt që të mos binte shi dhe nuk ra shi mbi tokë për tre vjet e gjashtë muaj. 18 Pastaj u lut përsëri dhe qielli dha shi e toka dha frytet e saj.
19 Vëllezërit e mi, nëse ndonjë prej jush largohet nga e vërteta dhe një tjetër e kthen përsëri në besim, 20 duhet ta dini se ai që kthen një mëkatar nga udha e mashtrimit, ia shpëton shpirtin nga vdekja dhe atij vetë do t'i falen shumë mëkate.