KAPTINA IV.
1 Le të kemi frikë pra, deri sa mbet mbë ne të zotuemitë me hymë ndë të prajtunit t’ati, mos duketë ndonji prei jush se mbet mbrapa.
2 Sepse edhe na jemi ungjillëzuem, sikurse edhe ata, por nuk’ u bani dobi fjala qi ndëgjuenë, sepse s’qe bashkuem me besë mb’ata qi e ndëgjuenë.
3 Sepse na qi besuem hym ndë të prajtunit, sikure tha: “Kështu bana be ndë zemërimt t’em: S’kanë me hymë ndë të prajtunit t’em”, ndonëse punët’ e ati u mbaruenë çë kurë se u ngref bota,
4 sepse tha mbë nji vend për të shtatënë ditë kështu: “Edhe Perëndia u pra mbë të shtatënë ditë prei gjithë punëvet veta”.
5 Edhe mbë këte vend për-së-ri: “S’kanë me hymë ndë të prajtunit t’em”.
6 Mbassi ka mbetunë pra me hymë disa mb’ate, edhe ata qi ungjillëzuenë ma pari nukë hynë prei së pabindëmesë,
7 për-së-ri urdhënon nji ditë: “Sot”, tue thanë me anë të Davidit, mbas kaqi koheje, sikurse ashtë thanë: “Sot ndë ndëgjofshi zanin’ e ati, mos ashpëroni zemëratë tueja”.
8 Sepse ndë i pat prajtunë Iesui i Naviut , s’do të kishte folunë mbasandai për nji tietërë ditë.
9 Vallë pasëka mbetunë të prajtunë për popullin’ e Perëndisë.
10 Sepse ai qi hyni ndë të prajtiunit t’ati, edhe ai vetë prani prei punëvet veta, porsi Perëndia prei të vetavet.
11 Le të nxitoimë pra me hymë nd’ata të prajtunë, qi të mos bierë kushi mb’ate shëmbëllëtyrë të pabindëmesë.
12 Sepse fjala e Perëndisë asht’ e gjallë, edhe e punësë, edhe ma e prëfëtë se qish do thikë me dy presa, edhe hyn deri ndë të damit të shpirtit, e frymës’, e nejevet, e palcavet, edhe shqyen kuitimet’ e mendimet’ e zemërësë.
13 Edhe s’ashtë krietyrë pa u dukunë përpara ati, por të gjitha janë lakuriq, edhe sgafulluem ndë syt’ t’ati, të cillit na kemi me i dhanë fjalë.
14 Tue pasunë pra nji krye-prift të math, qi shkoi ndëpër qijet, Iesunë të Birin’ e Perëndisë, le të mbamë rrëfiminë t’anë .
15 Sepse s’kemi nji krye-prift qi s’mundete me i ardhunë liksht për dobësinat t’ona, por qe ngamë mbë të gjitha porsi na , pa faj.
16 Le t’i afrohemi pra me kucim shkambit hirit, qi të marrimë përdëllim, edhe të gjeimë hir e ndifmë ndë kohë të nevojëshime.
1 Përderisa premtimi për të hyrë në prehjen e Perëndisë vazhdon të jetë i vlefshëm, le të kemi frikë se mos ndonjëri nga ju mbetet jashtë. 2 Edhe ne e kemi dëgjuar ungjillin, sikurse edhe ata që ishin në shkretëtirë, por atyre nuk u vlejti fjala që dëgjuan, pasi nuk e dëgjuan me besim. 3 Ne që besuam do të hyjmë në prehjen e Perëndisë, për të cilën ai ka thënë:
dhe kështu u përbetova në zemërimin tim:
nuk kanë për të hyrë
në prehjen time.
Ai e tha këtë, ndonëse veprat e tij kishin përfunduar që me krijimin e botës. 4 Ndërsa për ditën e shtatë ka thënë diku: Perëndia pushoi ditën e shtatë, pasi i kreu të gjitha veprat e tij. 5 Po për të njëjtën gjë shton: nuk kanë për të hyrë në prehjen time. 6 Ata që e dëgjuan në fillim ungjillin nuk hynë në prehjen e Perëndisë për shkak të mosbindjes. Por, meqenëse mbeten edhe të tjerë për të hyrë në të, 7 Perëndia caktoi përsëri një ditë të quajtur «sot», kur thotë pas kaq kohe nëpërmjet Davidit:
sot, nëse e dëgjoni zërin e tij,
mos i ngurtësoni zemrat tuaja.
8 Pra, nëse Jozuehu do ta kishte çuar popullin në prehje, atëherë Perëndia nuk do të fliste më për një ditë tjetër. 9 Kështu, për popullin e Perëndisë është ende e mundshme një ditë prehjeje si e shtuna e prehjes së Perëndisë. 10 Ai që hyn në prehjen e Perëndisë do të pushojë së bëri veprat e veta, ashtu siç bëri edhe Perëndia. 11 Le të përpiqemi, pra, të hyjmë në këtë prehje, që të mos bjerë ndokush në të njëjtin shembull të mosbindjes.
12 Fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese. Ajo është më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e frymës së jetës nga shpirti, të kockës nga palca. Ajo shqyrton mendimet dhe qëllimet e zemrës. 13 Nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para Perëndisë, por të gjitha janë të zhveshura dhe të zbuluara në sytë e atij të cilit do t'i japim llogari.
Jezui, kryeprifti i madh
14 Le ta mbajmë, pra, fort besimin që shpallim, sepse kemi një kryeprift të madh që shkoi deri në qiej, Jezuin, Birin e Perëndisë. 15 Ne nuk kemi një kryeprift që nuk mund të vuajë me ne për dobësitë tona. Përkundrazi, ai u tundua në gjithçka ashtu si ne, por nuk mëkatoi. 16 Le t'i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir për ndihmë në kohë nevoje.