KAPTINA X.
1 Sepse ligja tue pasunë hien’ e të miravet qi vinë, e jo ate figuren’ e punëvet, kurrë s’mundetë me bamë të kullutë ata qi hyjënë me ato kurbanet qi bijenë vit për vit përherë,
2 sepse atëherë do të kishin pushuem me u prumë kurbane , sepse lutësitë si të pastroheshinë nji herë, s’do të kishinë ma as ndonji ndërgjegjëje për faje,
3 por nd’ato bahetë kuitim fajesh vit për vit,
4 sepse s’mundetë gjak demash e sqepësh me hekunë faje.
5 Përandai tue hymë ndë botët, thotë: “Kurban e mplatë nukë deshe, por bane gati për mue korp.
6 Kurbane të dieguna-gjithë, edhe mplata për faje nukë pëlqeve.
7 Atëherë thashë: Qe te po vij (ndë volumë të librës’ ashtë shkruem për mue), për me bamë, o Perëndi, dashuniminë tand”.
8 Si tha ma përsipër: “Se kurban edhe mplatë, edhe kurbane të dieguna-gjithë, edhe mplata për faje nukë deshe, as nuk’ i pëlqeve” (të cillatë bihenë kurban mbas ligjësë),
9 atëherë tha: “Qe te po vij me bamë, o Perëndi, dashuniminë tand”. Ngre të parënë, qi të ngrefi të dytënë.
10 Prei ati dashunimit jemi shenjtënuem me anë të prumesë kurban të korpit Iesu Krishtit qi u pru kurban nji herë.
11 Edhe qish do prift rri përditë tue shërbyem, edhe bije përherë por ato kurbane, të cillatë kurrë nukë mundenë me hekunë faje,
12 por ai si pru nji kurban për fajet, ndenji për gjithë herënë ndë të diathtën’ e Perëndisë,
13 tue pritunë mbaskëndai deri sa të vihenë gjith’ anëmiqt’ e ati “përposh ndënë kambët t’ati”.
14 Sepse me nji mplatë bani të shenjtënueshimitë të kullutë për gjithë herënë.
15 Por edhe Shpirtit Shenjt deshmon për ne, sepse mbassi pat thanë ma përpara:
16 “Këjo ashtë dhiata qi kam me bamë mb’ata mbas këtyne ditvet, thotë Zoti, kam me vumë ligjat’ e mia mbi zemërat t’atyne, edhe kam me shkruem ato ndë mendimet t’atyne”,
17 “edhe s’kam me kuituem ma fajet’ e atyne edhe paligjëniat’ e atyne”.
18 Edhe atie ku ashtë ndëjesë, nuk’ ashtë ma mplatë për faje.
19 Tue pasunë pra, o vëllazën, kucim me hymë ndë shin-vendet me anë të gjakut Iesuit,
20 prei nji të reje edhe të gjallë udhë, qi na e përtërini me anë të kurtinësë, do me thanë të mishit vet,
21 edhe tue pasunë nji prift të math ndë shtëpit të Perëndisë,
22 le t’afrohemi me zemërë të vërtetë mbushunë mendienë prei besësë, tue pasunë shpërlamë zemëratë t’ona prei ndërgjegjëjesë keqe, edhe lamë korpinë me ujë të këthiellëtë,
23 le të mbamë rrëfimin’ e shpëresësë pa pierrë, sepse ai qi u zotue ashtë besëtar;
24 edhe le të vem ore të ngacëmoimë niani tietërinë ndë dashuni e ndë vepëra të mira;
25 mos lamë me u mbëledhunë bashkë, sikurse ashtë zakon mbi disa vetë , por tue shtymë njiani tietërinë, edhe kaqi ma tepërë, sa shifni ditën’ afruem.
26 Sepse ndë fëjefshim na tue dashunë, mbassi muerëm të ngjofëmen’ e së vërtetësë, nukë mbet ma kurban për faje,
27 por nji të pritunë gjyqi të frikëshim edhe nji të ndezunë ziarrmi, qi ka për me ngran’ ata qi janë kundrë.
28 Nji qi ka shkelunë ligjën’ e Moiseut, përpara nji a dy deshmitarëve vdes pa përdëllim;
29 sa ma tepërë mundim, u duketë juve, se ka me hiekun’ ai qi ka shkelunë të Birin’ e Perëndisë,
30 edhe ka kuituem se gjaku i dhiatës’ashtë si qish do gjak, qi me ate u shenjtënue, edhe ka shamë Shpirtin’ e hirit? Sepse e dim’ ate qi ka thanë: “Shpagimi ashtë puna eme, unë kam për me shpaguem, thotë Zoti”. Edhe për-së-ri: “Zoti ka me gjukuem popullin’ e vet”.
31 Pun’ e frikëshime ashtë me ranë ndër duer të Perëndisë gjallë.
32 Bini ndër mend ditt’ e para, ndër të cillat, kur u ndriçuetë, duruetë shumë luftë pësimesh,
33 tashti tue u bamë lojë prei qartimesh e prei shtrëngimesh, e tashti tue u bamë piesëtarët’ e atyneve qi pësuenë këso punësh.
34 Sepse pësuetë bashkë me të lidhunat e mia, edhe pritët me gëzim të rrëmbyemen’ e pasëjesë tuei, tue ditunë se keni për vetëhenë tuei ndë qijet nji ma të mirë pasëje edhe të qindrueshime.
35 Mos hethni tej pra kuciminë tuei, qi ka për me dhanë pagë të madhe.
36 Sepse ju keni nevojë për durim, qi të bani dashunimin’ e Perëndisë, edhe të mirrni të zotuemenë.
37 Sepse edhe nji grimëzë herë, edhe “ka me ardhun’ ai qi vien, edhe s’ka me u vonuem”.
38 Edhe i dreiti ka me rruem prei besësë’, edhe: “nd’u tërhiektë mbrapazë kushi , shpirti em s’ka me e pëlqyem”.
39 Edhe na s’jemi prei asish qi tërhiqenë mbrapazë për prishëje, por prei asish qi besojënë për shpëtimin’ e shpirtit.
1 Meqenëse ligji përmban vetëm hijen e të mirave të ardhshme dhe jo pamjen e tyre të vërtetë, ai nuk mund t'i përsosë kurrë ata që vazhdimisht vijnë të kushtojnë të njëjtat flijime vit për vit. 2 Përndryshe do të kishin reshtur së kushtuari flijime, pasi ata që adhuronin Perëndinë, si të ishin pastruar një herë, nuk do të ishin më të vetëdijshëm për mëkatet e tyre. 3 Por ato flijime iu kujtonin mëkatet çdo vit, 4 sepse gjaku i viçave dhe i cjepve nuk mund t'i shlyejë mëkatet.
5 Kur erdhi Krishti në botë, tha:
flijime e dhurata
nuk deshe,
por më bëre gati një trup.
6 Shkrumbimet e kafshëve
dhe flijimet për mëkatet
nuk të pëlqyen.
7 Atëherë thashë:
ja ku po vij, o Perëndi,
për të bërë vullnetin tënd,
sikurse është shkruar për mua
në krye të librit.
8 Më lart ai tha se nuk i pëlqejnë flijimet dhe dhuratat, si dhe shkrumbimet e kafshëve dhe flijimet për mëkatin, megjithëse ato kushtoheshin sipas ligjit. 9 Pastaj shtoi: ja ku po vij për të bërë vullnetin tënd! Kështu ai hedh poshtë flijimet e para për të caktuar flijimin e dytë. 10 Nga ky vullnet u shenjtëruam nëpërmjet flijimit që bëri Jezu Krishti një herë e përgjithmonë.
11 Të gjithë priftërinjtë rrinin çdo ditë në këmbë për të shërbyer e për të kushtuar shumë herë të njëjtat flijime, të cilat nuk mund t'i shlyejnë kurrë mëkatet. 12 Ndërsa Krishti kushtoi vetëm një flijim për mëkatet një herë e përgjithmonë e pastaj u ul në të djathtë të Perëndisë. 13 Tani, atje, ai pret që armiqtë e tij të bëhen shtrojë e këmbëve të tij. 14 Kështu, me një kushtim të vetëm, Krishti i bëri të përsosur përgjithmonë të shenjtëruarit.
15 Edhe Shpirti i shenjtë na dëshmon kur thotë:
16 besëlidhja që do të lidh me ta
pas atyre ditëve, thotë Zoti,
është kjo:
unë do t'i shtie ligjet e mia
në mendjen e tyre
e do t'i shkruaj në zemrat e tyre.
17 Mëkatet e tyre
e paudhësitë e tyre
nuk do t'i kujtoj më.
18 Ku ka ndjesë të mëkateve, nuk është nevoja më për flijime.
Thirrje dhe paralajmërime
19 Vëllezër, gjaku i Jezuit na jep guxim për të hyrë në shenjtërore 20 përmes udhës së re e të gjallë që na hapi Krishti me anë të velit që është trupi i tij.
21 Ai është prift i madh në krye të shtëpisë së Perëndisë. 22 Le të hyjmë, pra, atje me zemër të çiltër e me besim të sigurt, me zemër të pastruar nga ndërgjegjja e keqe dhe me trup të larë me ujë të pastër. 23 Le ta mbajmë të patundur pohimin e shpresës, sepse ai që na premtoi është besnik. 24 Le të kujdesemi për njëri-tjetrin, duke e nxitur për dashuri e për vepra të mira, 25 pa hequr dorë nga të mbledhurit së bashku, siç e kanë bërë zakon disa. Përkundrazi, le të nxisim njëri-tjetrin më shumë tani që shihni se po afron Dita e Zotit.
26 Nëse vazhdojmë të mëkatojmë me dashje, pasi kemi marrë njohuritë e së vërtetës, atëherë nuk ka më asnjë flijim për mëkatet. 27 Përkundrazi, na pret gjykimi i tmerrshëm dhe zjarri i ndezur që përpijnë kundërshtarët. 28 Nëse dikush shkel ligjin e Moisiut, vritet pa mëshirë me dëshminë e dy a tre dëshmitarëve. 29 A e merrni me mend se ç'dënim më të madh do të meritojë ai që ka shkelur me këmbë Birin e Perëndisë, që e ka parë si të pavlerë gjakun e besëlidhjes, me të cilin u shenjtërua, dhe që ka sharë Shpirtin e hirit? 30 Sepse ne e njohim atë që ka thënë:
«shpagimi më përket mua
dhe unë jam ai
që do të marrë shpagim ».
Si dhe:
«Zoti gjykon popullin e tij ».
31 Është gjë e tmerrshme të biesh në duart e Perëndisë së gjallë.
32 Sillini ndër mend ditët e shkuara! Atëherë, pasi u ndriçuat, ju duruat me shumë mundime një luftë të madhe, 33 herë të përqeshur dhe të munduar botërisht, herë duke marrë pjesë në vuajtjet e atyre që trajtoheshin kështu. 34 Ju keni vuajtur bashkë me të burgosurit dhe kur ju kanë rrëmbyer pasuritë, keni duruar me gëzim, sepse e keni ditur se keni një pasuri më të madhe dhe të qëndrueshme.
35 Mos e humbisni, pra, guximin tuaj! Ai ka shpërblim të madh. 36 Keni nevojë për durim që të bëni vullnetin e Perëndisë e të fitoni premtimin.
37 Sepse edhe pak kohë,
vetëm pak,
e do të vijë
ai, që duhet të vijë,
e nuk do të vonohet.
38 I drejti im
do të jetojë prej besimit,
por nëse zmbrapset,
shpirti im nuk do të kënaqet me të.
39 Ne nuk jemi nga ata që zmbrapsen e humbasin, por nga ata që besojnë dhe shpëtojnë shpirtin.