KAPTINA VII.
1 Atëherë Krye-prifti tha: Vallë janë këto punë kështu?
2 Edhe ai tha: O burra, vëllazën, edhe atënë, pa ndëgjoni - Perëndia i laftit iu duk atit t’ynë Abrahamit, kur ishte ndë Mesopotami, para se pat ndenjun’ ai ndë Harran,
3 edhe i tha: “Dil prei dheut t’yt edhe prei fisit t’yt, edhe eja mb’ate dhe qi kam me të diftuem”.
4 Atëherë ai duel prei dheut Haldevet, edhe ndenji ndë Harran; edhe prei andyj, mbassi vdiq i ati ati, e nguli ndë këte dhe qi rrini ju tashti.
5 Edhe nuk’ i dha trashigim nd’ate dhe , as nji hapë kambe, por iu zotue se ka me ia dhanë ndën’ urdhënë të vet ati, edhe farës’ ati bashkë me ate, ndonëse ai s’kishte dial.
6 Edhe Perëndia foli kështu: “Se fara e ati ka me votunë të rrijë ndë dhe të huej; edhe kanë me e bamë shërbëtore, edhe kanë me e marrë me të keq katër qind viet.
7 Edhe ate komp, qi kanë me i shërbyem, kam me e gjukuem unë” - tha Perëndia - “edhe mbasandai kanë me dalunë, edhe kanë me më lutunë ndë këte vend”.
8 Edhe i dha dhiatën’ e rreth-presiesë; edhe kështu i leu Isaaku, edhe e rreth-preu mbë të tetënë ditë; edhe Isaakut i leu Iakobi, edhe Iakobit i lenë të dy-mbë-dhetë Krye-atënitë.
9 Edhe Krye-atënitë mbassi kishinë zmir Iosefinë, e shitnë ndë Egjyptë, por Perëndia ishte bashkë me ate,
10 edhe e shpëtoi prei gjithë shtrëngimesh ati, edhe i dha hir e dituni përpara Faraonit mbëretit Egjyptit, i cilli e vuni të parë përmbi Egjyptinë, edhe përmbi gjithë shtëpin’ e vet.
11 Edhe u ba nji zi mbë gjithë dhen’ e Egjyptit edhe Hanaanit, edhe nji shtrëngim i math, edhe atënitë t’anë nukë gjejinë ushqime.
12 Por Iakobi kur ndëgjoi se kishte grunë ndë Egjyptë, dërgoi herën’ e parë atënitë t’anë.
13 Edhe të dytënë herë Iosefi u ngjof me të vëllazënit e vet; edhe kombi i Iosefit duel për faqe te Faraoni.
14 Edhe Iosefi dërgoi, e thërriti të atin’ e vet Iakobinë, edhe gjithë nierëzin’ e vet, qi ishinë shtatë-dhet’ e pesë shpirtë.
15 Edhe Iakobi sdrypi ndë Egjyptë, edhe vdiq atie ai edhe atënitë t’anë.
16 Edhe i prunë ndë Sihem, edhe i vunë nd’ate vorr qi pat blemë Abrahami me çimim argjandi prei të bijvet Emmorit të atit Syhemit.
17 Por kur u avit koha e të zotuemit qi i pat bamë be Perëndia Abrahamit, u çue populli, edhe u shumue ndë Egjyptë,
18 deri sa u ngrit nji tietër mbëret, i cilli nukë ngjifte Iosefinë.
19 Kyi ngrefi lak kundrë kombit t’ynë, edhe u dha kaqi shtrëngim atënavet t’anë, sa i bani me hedhunë tej foshnjet’ e atyneve, qi të mos u ngjalletë fara.
20 Ndë këte kohë leu Moiseu, edhe ishte i bukur’ i Perëndisë, i cilli u ushqye tre muej ndë shtëpi të atit vet.
21 Edhe kur u hoth tej , e bija e Faraonit e muer, edhe e ushqeu për bir të vet.
22 Edhe Moiseu u mësue ndë gjithë ditunin’ e Egjyptianëvet; edhe ishte i fortë ndë fjalë e ndë punë.
23 Edhe kur ishte tue mbushunë katër-dhetë viet, i erdhi ndë zemërë t’ati me vum’ ore vëllazënit’ e vet, të bijt’ e Israelit.
24 Edhe kur pa nji tue iu bamë keq, i duel zot, edhe vrau Egjyptianinë, e muer shpagim për ate qi mundohei.
25 Sepse kujtonte se të vëllazënit’ e vet kishinë me e marrë vesht, se Perëndia u ep atyne shpëtim me anë të dorës’ ati, por ata nuk’ e muernë vesht.
26 Edhe mbë të nesërmenë ditë u duk mb’ata kur po ziheshinë, edhe i nguti ndë paqtim, tue thanë: O burra, ju jeni vëllazën; përse i bani keq njiani tietërit?
27 Por ai qi i bante keq të afërmit, e shtyni, edhe tha: Cilli të vuni të parë edhe gjukatës mbi ne?
28 Mos do të më vrasish ti, sikurse vrave die ate Egjyptianinë?
29 Atëherë Moiseu iku për këte fjalë, e u ba nieri i huej ndë dhe të Madiamit, atie ku i lenë dy dielm.
30 Edhe mbassi u mbushnë katër-dhetë viet, iu duk ndë shkretinët të malit Sina engjull’ i Zotit ndë flakë të ziarrmit ferrësë.
31 Edhe Moiseu kur pa, u mërekullue për ate të pame; edhe ai tue ardhunë ngjat me vum ore, erdhi zan’ i Zotit tek ai:
32 “Unë jam Perëndia i atënavet tu, Perëndia i Abrahamit, edhe Perëndia i Isaakut, edhe Perëndia i Iakobit”. Edhe Moiseu u trem, e s’kuxonte me vum’ ore.
33 Atëherë Zoti i tha: “Sgjith të mbathunit’ e kambëvet tua, sepse ai vendi qi ke ndenjunë, ashtë dhe i shenjtënueshim.
34 Vuna ore edhe pashë të hequnitë keq e popullit t’em qi ashtë ndë Egjyptë, edhe ndëgjova shamtimën’ e atyneve, edhe sdrypa me i shpëtuem; edhe tashti eja, se kam me të dërguem ndë Egjyptë”.
35 Këte Moisenë qi e mohuenë, tue thanë: “Cilli të vuni të parë edhe gjukatës?”, këte Perëndia e dërgoi të parë edhe shpërblimtar me anë të dorës’ engjullit qi iu duk ndë ferrët.
36 Kyi nxuer ata, mbassi bani mërekullia e shenje ndë dhe të Egjyptit, edhe ndë Det të Kuq, edhe ndë shkretinët katër-dhetë viet.
37 Kyi asht’ ai Moiseu qi u tha të bijvet Israelit, se: “Zoti Perëndia juei ka me u ngritunë juve nji Profet prei vëllazënish tuei, porsi mue; ati keni me i ndëgjuem”.
38 Kyi asht’ ai qi qe ndë përmbëledhiet ndë shkretinët bashkë me engjullinë qi fliste me ate ndë malt të Sinait, edhe me atënitë t’anë, i cilli priti fjalë të gjalla, për me dhanë neve.
39 Atënitë t’anë nukë deshnë me i ndëgjuem, por e hothnë poshtë, edhe u këthyenë me zemërat e veta ndë Egjyptë,
40 edhe i thanë Aaronit: “Na ban perëndina për me ecunë përpara nesh, sepse kyi Moiseu, qi na nxuer prei dheut Egjyptit, nukë dimë se qish i koditi”.
41 Edhe banë nji viç nd’ato ditt, edhe i prunë kurban idhullit, edhe gëzoheshinë për punët’ e duervet veta.
42 Përandai Perëndia u këthye, edhe i la për me iu lutunë ushtërisë qiellit; sikurse ashtë shkruem ndë libër të profetënavet: “Mos më keni prumë të theruna edhe kurbane katër-dhetë viet ndë shkretinët, o shtëpia e Israelit?
43 Por ngritët tendën’ e Molohut, edhe yllin’ e perëndisë tuei Remfanit, figurevet qi batë për me i adhuruem, përandai kam me u shpërgulunë juve përtej Babylonisë”.
44 Tenda e deshmisë ishte ndër atënit t’anë ndë shkretinët, sikurse porositi ai qi fliste me Moisenë, me e bamë mbas figuresë qi kishte pamë.
45 Edhe atënitë t’anë e muernë me vetëhe, edhe e prunë bashkë me Iesunë ndë dhet qi pushtuenë prei kombesh, të cillëtë Perëndia i nxuer jashtë prei faqes’ atënavet t’anë, deri ndë ditt të Davidit;
46 i cilli gjeti hir përpara Perëndisë, edhe hypi me gjetunë të ndenjunë për Perëndin’ e Iakobit.
47 Edhe Solomoni i ndërtoi nji shtëpi.
48 Por i Nalti nukë rri ndër tempuj qi bahenë me dorë; sikurse thotë profeti:
49 “Qielli ashtë shkambi em, edhe dheu ashtë vendi qi ve kambët’ e mia; çfarë shtëpie keni me ndërtuem për mue? - thotë Zoti - A cilli asht ai vend i së prajtëmesë s’eme?
50 A nuk’ i ka bamë dora eme këto të gjitha?”
51 O krenë të pakëthyem, edhe të pa-rreth-premë ndë zemër’ e ndë veshë, ju përherë i rrini kundrë Shpirtit Shenjt, sikurse atënitë tuei, kështu edhe ju .
52 Cillinë prei profetënish nukë ndoqnë atënitë tuei? Por edhe vran’ ata qi dhanë za çë përpara për të ardhëmen’ e të Dreitit, të cillit ju tashti u batë trathtorë edhe gjaksorë,
53 qi muertë ligjënë prei porosiash engjujvet, edhe nuk’ e rueitët.
54 Edhe ata kur ndëgjojinë këto, priteshinë ndëpër zemërat e veta, edhe ngërcëllojinë dhambëtë kundrë ati.
55 Por ai ishte plot me Shpirtinë Shenjt; kur çoi sytë ndë qiell, pa laftin’ e Perëndisë, edhe Iesunë tue ndenjunë prei së diathtësë Perëndisë,
56 edhe tha: Qe te po shof qijetë hapunë, edhe të birin’ e nieriut tue ndenjunë prei së diathtësë Perëndisë.
57 Atëherë ata t hërritnë me za të math, e zunë veshët’ e vet, edhe u turrnë të gjithë bashkë mbi ate,
58 edhe e nxuernë jashtë qytetit, edhe e rrifinë me gurë; edhe deshmitarëtë lanë petkat’ e veta për-anë kambëvet nji dialoshi qi quhei Saul.
59 Edhe rrifinë me gurë Stefaninë, qi lutei e thoshte: O Zoti Iesu, prit shpirtinë t’em.
60 Edhe si u ul mbë gjuj, thërriti me za të math: O Zot, mos ua numëro atyne këte për faj. Edhe porsa tha këte, ra mbë gjumë.
Fjalimi i Stefanit
1 Atëherë kryeprifti e pyeti Stefanin: «A janë të vërteta këto gjëra?».
2 Stefani tha: «Vëllezër dhe etër, më dëgjoni. Perëndia i lavdisë iu shfaq atit tonë Abrahamit kur ky ishte në Mesopotami, para se të banonte në Haran, 3 e i tha: dil nga toka jote e nga fisi yt dhe shko në tokën që unë do të të tregoj. 4 Atëherë ai doli nga toka e kaldenjve dhe banoi në Haran. Pasi i vdiq i ati, Perëndia e shpërnguli që andej dhe e solli në këtë tokë, ku tani banoni ju. 5 Atje nuk i dha në trashëgimi asnjë këmbë tokë, por i premtoi se do t'ia jepte në pronë atij e pasardhësve të tij, edhe pse Abrahami nuk kishte ende fëmijë. 6 Perëndia i tha se pasardhësit e tij do të jetonin si të huaj në dhe të huaj e atje do t'i skllavëronin e do t'i keqtrajtonin për katërqind vjet. 7 Por unë do ta gjykoj kombin të cilit ata do t'i shërbejnë, tha Perëndia, e pastaj ata do të dalin prej andej e do të më adhurojnë në këtë vend.
8 Pastaj bëri me Abrahamin besëlidhjen e rrethprerjes. Kështu Abrahamit i lindi Isaku dhe e rrethpreu ditën e tetë. Isakut i lindi Jakobi e Jakobit dymbëdhjetë patriarkët. 9 Patriarkët e kishin smirë Jozefin dhe e shitën në Egjipt, por Perëndia ishte me të. 10 Ai e çliroi nga të gjitha vuajtjet dhe i dha hir e urti përballë faraonit, mbretit të Egjiptit, që e caktoi Jozefin epror të Egjiptit e të gjithë shtëpisë së vet.
11 Pastaj, në të gjithë Egjiptin e Kanaanin ra një zi buke. Mjerimi ishte aq i madh saqë etërit tanë nuk gjenin asgjë për të ngrënë. 12 Por kur Jakobi dëgjoi se në Egjipt kishte grurë, dërgoi në fillim atje etërit tanë. 13 Herën e dytë, Jozefi u dha të njohur vëllezërve të vet dhe kështu faraoni u njoh me familjen e Jozefit.
14 Atëherë Jozefi dërgoi dikë që të thërriste atin e tij, Jakobin, e të gjithë farefisin, që ishin shtatëdhjetë e pesë veta. 15 Kështu Jakobi shkoi në Egjipt. Ai dhe etërit tanë vdiqën, 16 dhe trupat e tyre i sollën në Shekem, ku u varrosën në varrin që Abrahami ua kishte blerë me një shumë argjendi bijve të Hemorit në Shekem.
17 Ndërsa po afrohej koha e përmbushjes së premtimit që Perëndia i kishte dhënë Abrahamit, populli ynë u rrit e u shumua në Egjipt, 18 derisa në Egjipt u bë mbret dikush tjetër që nuk e njihte Jozefin. 19 Ai u soll dinakërisht me kombin tonë e i detyroi etërit tanë t'i braktisnin fëmijët në mëshirë të fatit, që të mos mbeteshin gjallë.
20 Në këtë kohë lindi Moisiu, i cili ishte i bukur në sytë e Perëndisë. Ai u rrit në shtëpinë e të atit për tre muaj 21 dhe kur e braktisën, e mori e bija e faraonit dhe e rriti si të ishte biri i vet. 22 Kështu Moisiu u edukua me tërë dijen e egjiptianëve dhe ishte i fuqishëm në fjalë e në vepra. 23 Kur mbushi dyzet vjeç, i lindi në zemër dëshira të shkonte të shihte vëllezërit e vet, bijtë e Izraelit. 24 Aty pa dikë të cilit po i bënin padrejtësi. Ai e mbrojti të shtypurin dhe mori shpagim duke vrarë egjiptianin. 25 Moisiu mendonte se vëllezërit e vet do ta kuptonin se Perëndia po i shpëtonte me anë të tij, por ata nuk e kuptuan. 26 Të nesërmen shkoi te disa izraelitë që po grindeshin e u përpoq t'i pajtonte duke u thënë: “Burra, ju jeni vëllezër. Pse i bëni padrejtësi njëri-tjetrit?”. 27 Por ai që po i bënte padrejtësi tjetrit, e shtyu Moisiun e i tha: kush të caktoi ty prijës e gjykatës mbi ne? 28 A do të më vrasësh edhe mua, sikurse vrave dje egjiptianin? 29 Kur dëgjoi këtë, Moisiu u largua e jetoi si i huaj në dheun e Midianit, ku i lindën dy bij.
30 Pasi kaluan dyzet vjet, Moisiut iu shfaq një engjëll në shkretëtirën e malit të Sinait, në flakën e një shkurreje që po digjej. 31 Kur e pa, Moisiu u çudit me këtë pamje. Ndërsa po afrohej për të parë më mirë, zëri i Zotit tha: 32 unë jam Perëndia i etërve të tu, Perëndia i Abrahamit, Isakut e Jakobit. Moisiu filloi të dridhej e nuk guxonte të shikonte. 33 Atëherë Zoti i tha: zbathi sandalet nga këmbët, sepse vendi ku po qëndron është tokë e shenjtë. 34 E kam parë mirë dhunën që i bëhet popullit tim në Egjipt, e kam dëgjuar rënkimin e tyre dhe kam zbritur për t'i çliruar. Tani eja të të dërgoj në Egjipt.
35 Ky ishte i njëjti Moisi që ata nuk e kishin pranuar kur i thanë: kush të caktoi ty prijës e gjykatës? Tani Perëndia e dërgoi atë si prijës dhe si shpengues përmes engjëllit që iu shfaq në shkurre. 36 Ky i nxori nga Egjipti dhe bëri mrekulli e shenja në tokën e Egjiptit, në detin e Kuq e në shkretëtirë për dyzet vjet. 37 Moisiu është ai që u tha izraelitëve: Perëndia do të nxjerrë nga vëllezërit tuaj një profet si unë. 38 Kur populli ishte mbledhur në shkretëtirë, i njëjti Moisi u bë ndërmjetësi mes engjëllit që i fliste në malin e Sinait dhe etërve tanë. Ai i mori fjalët e jetës për të na i dhënë neve. 39 Etërit tanë nuk deshën t'i bindeshin atij, madje iu shmangën e me zemrat e tyre u kthyen në Egjipt. 40 Ata i thanë Aronit: na bëj ca perëndi, që të na prijnë. Sa për këtë Moisiun që na nxori nga dheu i Egjiptit nuk dimë gjë ç'u bë me të. 41 Po ato ditë ata bënë një viç si idhull, i kushtuan një fli e u kënaqën me veprat e duarve të tyre.
42 Por Perëndia u largua prej tyre e i la të adhurojnë yjet e qiellit, siç është shkruar në librin e Profetëve:
a më kushtove kafshë të therura
dhe flijime,
dyzet vjet në shkretëtirë,
o shtëpia e Izraelit?
43 Ju morët me vete tendën e Molokut
dhe yllin e perëndisë suaj Refan,
shëmbëllimet që i bëtë vetë për t'i adhuruar,
prandaj do t'ju shpërngul përtej Babilonisë.
44 Në shkretëtirë etërit tanë kishin tendën e dëshmisë, sikurse Perëndia e kishte udhëzuar Moisiun kur i foli dhe e urdhëroi ta bënte sipas gjedhes që kishte parë. 45 Etërit tanë e morën në dorëzim tendën dhe bashkë me Jozuehun e mbartën me vete kur pushtuan tokën e kombeve, të cilët Perëndia i dëboi para syve të etërve tanë. Tenda mbeti aty deri në kohën e Davidit, 46 i cili gjeti hir para Perëndisë dhe kërkoi që të gjente një vendbanim për Perëndinë e Jakobit. 47 Por ishte Solomoni ai që ia ndërtoi shtëpinë Perëndisë.
48 Megjithatë, i tejlarti Perëndi nuk banon në shtëpi të bëra nga duart e njerëzve, sikurse thotë profeti:
49 qielli është froni im
e toka është shtroja e këmbëve të mia.
Çfarë shtëpie do të më ndërtoni,
thotë Zoti,
ose cili është vendi
ku do të gjej prehje?
50 A nuk i ka bërë dora ime
të gjitha këto gjëra?
51 Popull kryeneç, me zemër e veshë që nuk e dëgjojnë Perëndinë , edhe ju, sikurse etërit tuaj, vazhdoni t'i kundërviheni Shpirtit të shenjtë. 52 Cilin prej profetëve nuk përndoqën etërit tuaj? Ata vranë paralajmëruesit e ardhjes së të Drejtit, ndërsa tani ju jeni bërë tradhtarët dhe vrasësit e tij. 53 Ju jeni ata që morën ligjin, sikurse urdhëruan engjëjt, por nuk e zbatuat».
Vrasja e Stefanit
54 Kur dëgjuan këto gjëra, ata u zemëruan e kërcëlluan dhëmbët kundër Stefanit. 55 Por Stefani, i mbushur me Shpirtin e shenjtë, ngriti sytë drejt qiellit dhe pa lavdinë e Perëndisë e Jezuin që qëndronte në të djathtën e Perëndisë. 56 Atëherë tha: «Ja, po shoh qiejt e hapur dhe Birin e njeriut duke qëndruar në të djathtën e Perëndisë!». 57 Por ata mbyllën veshët dhe me një britmë të madhe u lëshuan kundër tij. 58 Pastaj e zvarritën jashtë qytetit dhe e goditën me gurë.
Dëshmitarët i vendosën rrobat te këmbët e një të riu që quhej Saul.
59 Ndërsa e godisnin me gurë, Stefani lutej: «O Zot Jezu, pranoje shpirtin tim!». 60 Pastaj ra në gjunjë dhe thirri me zë të lartë: «O Zot, mos ua ngarko atyre këtë mëkat». Pasi tha këto, vdiq.