KAPTINA III.
1 Edhe Pietri e Gjionni po hypshinë bashkë ndë tempull, mbë të nandën’ orën e të falunit.
2 Edhe nji nieri qi ishte çal çë prei barkut s’amësë vet barei mbë kraha , të cillin’ e vejinë përditë te dera e tempullit qi thohet’ e Bukurë, me lypunë lëmoshënë prei atyne qi hyjinë ndë tempull.
3 Ai kur pa Pietrin, edhe Gjionninë se kishinë për me hymë ndë tempull, lypte me marrë lëmoshënë prei atyneve .
4 Edhe Pietri shtiu sytë mb’ate bashkë me Gjionnin’, e tha: Shiko neve.
5 Edhe ai shikonte ata me kujdes, tue shpëryem me marrë ndonji gja send prei atyneve.
6 Atëherë Pietri i tha: Argjand e ar s’kam; po ate qi kam, këte të ap - Mb’emënit të Iesu-Krishtit Nazoreasit ngreu edhe ec.
7 Edhe si e kapi prei dorësë diathtë, e ngriti; edhe përnjiherë iu forcuenë shojet’ edhe nyjet’ e kambëvet .
8 Edhe mbassi hovi përpietë, qindroi mbë kambë , edhe ecëte; edhe hyni bashkë me ata ndë tempull, tue ecun’ e tue hovunë përpietë, e tue lavduem Perëndinë.
9 Edhe gjithë populli e pa tue ecun’ e tue lavduem Perëndinë.
10 Sepse e ngjifinë se kyi ishte ai qi rrinte mbi derën’ e Bukurë të tempullit për lëmoshënë; edhe u mërekulluen’ e duelnë jashtë menç për këte punë qi gjaiti mb’ate.
11 Edhe ai çali qi u shëndosh kur po mbante Pietrin’ edhe Gjionninë, gjithë populli turrei mbas atyneve ndë kamarë qi quhet’ e Solomonit, tue u mërekulluem.
12 Edhe Pietri kur pa, iu përgjeq popullit: O burra Israelitë, përse mërekulloheni për këte punë? Apor përse shtini sytë mbë ne, sikurse e kemi bamë na këte me ecunë prei fuqisë t’onë, a prei besësë t’onë?
13 Perëndia i Abrahamit, edhe i Isaakut, edhe i Iakobit, Perëndia i atënavet t’anë, lavdoi dialin’ e vet Iesunë, të cillinë ju e dhatë ndër duer, edhe e mohuetë për faqe Pilatit, kur ai pa me udhë me e lishuem.
14 Po ju mohuetë Shenjtin’ edhe të Dreitënë, edhe lyptë ndë vend t’ati me u falunë juve nji nieri gjaksuer;
15 edhe vratë kryet’ e jetësë, të cillinë Perëndia e ngjalli prei së vdekunish, të cillit na jemi deshmitarë.
16 Edhe emëni i ati me anë të besësë mb’emënit t’ati forcoi këte qi veni ore, edhe qi e ngjifni; edhe ajo besa prei anës’ ati i dha gjithë këte shëndet përpara gjithë jush.
17 Edhe tashti, o vëllazën, e dij se e punuetë këte prei së paditëmesë, sikurse edhe të parëtë tuei.
18 Por Perëndia, sa tha çë përpara me anë të gojësë gjithë profetënavet vet, se Krishti kishte për me pësuem, kështu i mbushi.
19 Pendohi pra, edhe këthehi, qi t’u shuhenë juve fajetë, kur të vinë kohënat’ e të prajtëmesë prei faqesë Zotit;
20 edhe ai ka me dërguem Iesu Krishtinë, qi ashtë predikuem çë përpara mbë ju,
21 të cillinë duhetë me e pritunë qielli deri mb’ato kohëna qi të vihenë mbë vend të gjitha ato qi foli Perëndia çë jetën’ e parë me anë të gojësë gjithë shenjtënavet vet profetënavet.
22 Sepse Moiseu u tha atënavet t’anë : “Se Zoti Perëndia juei ka me u ngritunë juve nji Profet prei vëllazënish tuei, porsi mue; ati keni me i ndëgjuem mbë të gjitha, për çdo qi t’u flasi juve.
23 Edhe çdo shpirt qi të mos i ndëgjojë ati profeti, ka me u shuem prei popullit”.
24 Edhe gjithë profetënitë çë prei Samuelit e mbaskëndai, sa folnë, dhanë za çë përpara edhe për këto ditt.
25 Ju jeni bijt’ e profetënavet, edhe të dhiatësë qi vuni Perëndia ndërmiet atënavet t’anë, tue i thanë Abrahamit: “Edhe ndë farët tande kanë me u bekuem gjithë kombet’ e dheut”.
26 Mbë ju ma përpara Perëndia, mbassi ngjalli Dialin’ e vet Iesunë, e dërgoi për me u bekuem juve, kur të këthehetë gjithë-se-cilli prei jush prei së këqiash tueja.
Shërimi i një të sëmuri
1 Pjetri e Gjoni po shkonin në tempull në kohën e lutjes, në orën tre pasdite. 2 Çdo ditë njerëzit sillnin aty një burrë të çalë që nga lindja dhe e vendosnin te dera e tempullit që quhet «e Bukura», për të lypur lëmoshë nga njerëzit që hynin në tempull.
3 Kur pa Pjetrin e Gjonin tek po hynin në tempull, ai u lypi lëmoshë. 4 Pjetri, së bashku me Gjonin, ia ngulën sytë e i thanë: «Na shiko!». 5 Ai i pa me vëmendje duke pritur të merrte ndonjë gjë prej tyre, 6 por Pjetri i tha: «Unë nuk kam as argjend e as ar, por atë që kam po ta jap: në emër të Jezu Krishtit të Nazaretit, ngrihu dhe ec!». 7 Pastaj i kapi dorën e djathtë, e ngriti dhe menjëherë të çalit iu forcuan këmbët e kyçet. 8 Ai brofi më këmbë dhe shkoi e hyri në tempull së bashku me ta, duke ecur, duke kërcyer e duke lavdëruar Perëndinë. 9 I gjithë populli e pa duke ecur e duke lavdëruar Perëndinë. 10 Ata e njohën se ishte ai që rrinte ulur te «Dera e Bukur» e tempullit për të lypur lëmoshë dhe mbetën të habitur e të mahnitur nga ajo që i kishte ndodhur të çalit.
Fjala e Pjetrit në tempull
11 Meqë ai ishte kapur pas Pjetrit e Gjonit, i gjithë populli, i mrekulluar, u mblodh pranë tyre nën atë që quhet «Portiku i Solomonit». 12 Kur i pa, Pjetri iu drejtua popullit kështu: «Burra izraelitë, pse çuditeni për këtë gjë? Pse na shihni sikur ta kishim bërë të ecte me fuqinë a me përkushtimin tonë ndaj Zotit? 13 Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut e Perëndia i Jakobit, Perëndia i etërve tanë, e përlëvdoi Jezuin, Birin e vet, të cilin ju e dorëzuat dhe e mohuat para Pilatit, megjithëse ai kishte vendosur ta lironte. 14 Ju mohuat të Shenjtin e të Drejtin dhe kërkuat të falej vrasësi. 15 Ju vratë Jetëdhënësin, të cilin Perëndia e ngjalli prej të vdekurve e për këtë ne jemi dëshmitarë. 16 Ju e njihni këtë të çalë që shihni. Ai besoi në emër të Jezuit dhe kjo e forcoi. Besimi që vjen prej Jezuit i dha atij këtë shërim të plotë para jush të gjithëve.
17 E tani, vëllezër, e di se keni vepruar nga padija, sikurse bënë edhe krerët tuaj. 18 Perëndia përmbushi kështu atë që kishte paralajmëruar ai vetë përmes gjithë profetëve, se Krishti do të vuante. 19 Prandaj pendohuni e kthehuni që t'ju shlyhen mëkatet, 20 që të vijë koha kur Zoti do t'ju përtërijë me praninë e tij, duke ju dërguar Krishtin Jezu që e kishte caktuar për ju që më parë. 21 Ai duhet të rrijë në qiell deri në kohën e përtëritjes së të gjitha gjërave, siç e ka lajmëruar Perëndia përmes profetëve të tij të shenjtë, që prej shumë kohësh.
22 Moisiu ka thënë : Zoti, Perëndia juaj, do të nxjerrë prej jush, mes vëllezërve tuaj, një profet si unë. Dëgjojeni për gjithçka që do t'ju thotë! 23 Kushdo që nuk do ta dëgjojë atë profet, do të shfaroset prej popullit. 24 Dhe të gjithë profetët, të gjithë ata që kanë folur, që nga Samueli e deri te të tjerët pas tij, i kanë paralajmëruar këto ditë. 25 Ju jeni bijtë e profetëve e të besëlidhjes që Perëndia u ka dhënë etërve tuaj kur i tha Abrahamit: nëpërmjet pasardhësit tënd do të bekohen të gjithë popujt e tokës.
26 Kur Perëndia e ngjalli Birin e vet, e dërgoi së pari te ju, që t'ju bekonte, duke larguar secilin prej jush nga ligësitë e veta».