KAPTINA XXI.
1 Edhe si u hoqëm prei atyneve, lundruem, e erdhëm dreit’ udhësë ndë Ko, edhe tietrënë ditë ndë Rodë, edhe prei andyj ndë Patara.
2 Edhe si gjetëm nji lundrë qi kishte për me shkuem ndë Fenikë, hypëm mb’ate , e lundruem.
3 Edhe kur pam për së largu Kyprën’, edhe e lam mbë të mangjëtë, lundrojim ndë Syri, edhe duelëm jashtë ndë Tyrë, sepse atie kishte për me shkarkuem barrënë lundra.
4 Edhe si gjetëm dishepujtë, mbetëm aty shtatë ditt, të cillët’ i thoshinë Paulit me anë të Shpirtit Shenjt , të mos hypi ndë Ierusalem.
5 Edhe si mbaruem ditt duelëm e vejim; edhe ata të gjithë na përcillinë bashkë me grat e me dielmt’ deri jashtë qytetit; edhe si u ulëm mbë gjunjë ndë buzë të detit, u falëm.
6 Edhe si i lam shëndet njiani tietërit, hypëm ndë lundrët; edhe ata u këthyenë ndëpër shtëpiat e veta.
7 Edhe na si mbaruem të lundruemitë, prei Tyrës’ erdhëm ndë Ptolemaidë, edhe si përshëndetëm vëllazënitë, mbetëm nji ditë për-an’ atyneve.
8 Edhe ndë nesëret na qi ishimë më Paulinë duelëm, e erdhëm ndë Kaisari; edhe si hym ndë shtëpit të Filippit ungjilltarit, qi ishte nji prei të shtatësh, mbetëm për-an ati.
9 Edhe kyi kishte shtatë bija virgjinesha qi profetizojinë.
10 Edhe kur mbetëm aty mëjaft ditt, sdrypi prei Iudesë nji profet qi quhei Agab.
11 Edhe ai si erdhi te na, muer brezin’ e Paulit, edhe lidhi duert’ e kambët’ e veta, e tha: Këto thotë Shpirti Shenjt. Kështu Iudeitë ndë Ierusalem kanë me lidhunë ate burrinë, të cillit ashtë kyi bres, edhe kanë me e dhanë ndë duer të kombevet.
12 Edhe kur ndëgjuem këto, i luteshim na edhe vendësitë mos me hypun’ ai ndë Ierusalem.
13 Por Pauli u përgjeq: Qish bani kështu tue qjam’ e tue thyem zemërënë t’eme? Sepse unë jam gati jo vetëm me u lidhunë, por edhe me vdekunë ndë Ierusalem për emënin’ e Zotit Iesu.
14 Edhe mbassi s’i mbushei mendia, pushuem, e tham: U baftë dashunimi i Zotit.
15 Edhe erthnë bashkë me ne edhe disa dishepuj prei Kaisariet,
16 edhe prunë me vetëhe nji farë Mnasoni Kyprian, nji dishepull të vietërë, i cilli kishte për me na marrë ndë shtëpit të vet.
17 Edhe na si erdhëm ndë Ierusalem, vëllazënitë na pritnë me gëzim.
18 Edhe tietrënë ditë Pauli vote bashkë me ne te Iakobi; edhe erthnë gjithë pleqtë.
19 Edhe si i përshëndeti, u diftoi atyne nji ka nji gjithë sa bani Perëndia ndër kombet me anë të shërbesës’ ati.
20 Edhe ata kur ndëgjuenë, lavduenë Zotinë, edhe i thanë: Shef, o vëlla, sa shumë mijëna janë prei atyne Iudevet qi kanë besuem; edhe të gjithë janë zelltarë për ligjënë.
21 Edhe muernë vesht për tyi, se mëson gjith’ ata Iudeitë qi janë ndër kombet me u larguem prei ligjësë Moiseut, tue thanë: të mos rreth-presinë dielmtë, as të mos ecinë mbas zakonesh.
22 Qish ashtë pra këjo? Për të vërtet ka me u mbëledhunë shumicë, sepse kanë me ndëgjuem se ke ardhunë.
23 Ban pra këte qi të thomi tyi: Janë ndër ne katër burra qi kanë bamë kusht mbë vetëvetëhenë;
24 merr këta, edhe qirohu bashkë me ata, edhe prish për ata, qi të ruejnë kryetë, edhe të gjithë ta marrinë vesht se s’janë gja ato qi ndëgjuenë për tyi; por se ecën edhe ti vetë mbas zakonesh, edhe ruen ligjënë.
25 Sa për ata kombet qi kanë besuem, na u dërguem letër, edhe e pam me udhë ata të mos ruejnë t’atillë, veç të ruhenë prei kurbanit idhujvet, edhe prei kafshësë mbytëmë, edhe prei kurvënisë.
26 - Atëherë Pauli muer me vetëhe ata burratë, edhe ditënë tietërë si u qirue bashkë me ata, hyni ndë tempull, për me dhanë za kurë ishinë për me u mbushunë ditt e të qiruemit, deri sa të bihei dhunëti për gjithë-se-cillinë prei atyneve.
27 Edhe kur ishinë për me u mbushunë shtatë ditt, ata Iudeitë qi ishinë prei Asisë kur pan’ ate ndë tempull, përzinë gjithë gjindëjenë, edhe vunë duertë mbi ata,
28 tue bërtitunë: O burra Israelitë, na ndimoni; kyi asht’ ai nieriu qi mëson të gjithë gjithë-kundi kundrë popullit edhe ligjës’ edhe këti vendi; por ka shtim’ edhe Grekë ndë tempull, e ndyni këte vend të shenjtënueshim.
29 (Sepse ata kishinë pamë përpara Trofim Efesianinë bashkë me ate ndë qytet, edhe kujtojinë se e kishte shtimë Pauli ndë tempull.)
30 Edhe u tund gjithë qyteti, edhe u mbëloth populli; edhe si zunë Paulin’, e tërhoqnë jashtë tempullit, edhe përnjiherë u mbyllnë dyertë.
31 Edhe kur kërkojinë me e vramë, shkoi zani te kapitani i tufësë ushtëtorëvet, se gjithë Ierusalemi ashtë përziem.
32 I cilli përnjiherë muer me vetëhe ushtëtorë e urdhën-qindësa, e vrapëtoi mbi ata. Edhe ata kur panë kapitanin’ edhe ushtëtorëtë, pushuenë tue rrafunë Paulinë.
33 Atëherë kapitani u afërue, edhe e rroku, edhe urdhënoi të lidhetë ne dy vargje hekurash; edhe pyeste, cilli ishte ai , edhe qish kishte bamë.
34 Edhe ndërmiet gjindëjesë thërrisinë disa për nji punë , e disa të tierë për nji tietërë punë ; edhe mbassi nukë mundei me marrë vesht të vërtetënë prei trubullimit, urdhënoi me e prumë ndë kastëll.
35 Edhe kur erdhi ndë shkallët, koditi me e mbaitunë mbë kraha ushtëtorëtë për punë të shtrëngimit gjindëjesë.
36 Sepse shumica e popullit shkojinë mbrapa tue bërtitunë: Ngreje ate.
37 Edhe Pauli kur kishte për me hymë ndë kastëll, i thotë kapitanit: Më ndëjehetë di qish me të thanë? Edhe ai i tha: Di Greqisht?
38 Vallë mos je ti ai Egjyptiani qi ngrite mbë kambë para këtyne ditve, edhe nxore ndë shkretinët katër mijë nierës gjak-bamësa?
39 Edhe Pauli tha: Unë jam nji nieri Iude prei Tarset, qytetar i nji qyteti me emënë të Kilikisë; edhe të lutem më le me i folunë popullit.
40 Edhe ai si e la, Pauli ndenj mbë shkallët, e tundi dorënë te populli të mbanë vesh . Edhe si u ba pushim i madh, foli mbë gjuhë Hebraishte, tue thanë:
Udhëtimi i Palit për në Jerusalem
1 Pasi u ndamë prej tyre, shkuam drejt e në Ko. Ditën tjetër në Rod e që aty në Patarë. 2 Kur gjetëm një anije që shkonte në Fenikë, hipëm në të dhe u nisëm.
3 Kaluam pranë Qipros, e lamë në të majtë, lundruam drejt Sirisë dhe u ndalëm në Tir, sepse anija duhej të shkarkonte mallin aty. 4 Kërkuam dishepujt dhe ndenjëm aty shtatë ditë. Të frymëzuar nga Shpirti, ata i thanë Palit të mos shkonte në Jerusalem. 5 Si kaluan shtatë ditët, u nisëm dhe vazhduam udhëtimin. Dishepujt na shoqëruan deri jashtë qytetit të gjithë, bashkë me gratë e me fëmijët e tyre. Aty, në breg të detit, ramë në gjunjë, u lutëm 6 dhe u përshëndetëm me njëri-tjetrin. Atëherë ne hipëm në anije, ndërsa ata u kthyen në shtëpi.
7 Kur mbaruam lundrimin, u nisëm nga Tiri për në Ptolemaidë. Aty përshëndetëm vëllezërit dhe ndenjëm një ditë me ta. 8 Të nesërmen u nisëm e shkuam në Cezare. Hymë në shtëpinë e Filip ungjilltarit, që ishte njëri prej shtatë dhjakëve, dhe ndenjëm tek ai. 9 Ai kishte katër vajza virgjëresha që profetizonin.
10 Ne kishim disa ditë që rrinim aty, kur erdhi nga Judeja një profet me emrin Hagab. 11 Ai erdhi te ne, mori brezin e Palit, lidhi me të këmbët e duart dhe tha: «Ja seç thotë Shpirti i shenjtë: kështu do ta lidhin në Jerusalem judenjtë njeriun që mban këtë brez e do t'ua dorëzojnë kombeve». 12 Kur dëgjuam këto fjalë, ne dhe vendasit iu lutëm Palit të mos shkonte në Jerusalem.
13 Atëherë Pali tha: «Përse qani e ma copëtoni zemrën kështu? Unë jam gati jo vetëm të më lidhin, por edhe të vdes në Jerusalem për emrin e Zotit Jezu».
14 Kur pamë se atij nuk i mbushej mendja, ne heshtëm e thamë: «U bëftë vullneti i Zotit!». 15 Pas atyre ditëve u bëmë gati për udhëtim dhe u nisëm për në Jerusalem. 16 Me ne erdhën edhe disa prej dishepujve nga Cezareja dhe na çuan në shtëpinë e Mnason Qipriotit, një dishepull i hershëm, dhe qëndruam tek ai.
Pali takon Jakobin në Jerusalem
17 Kur arritëm në Jerusalem, vëllezërit na pritën me gëzim. 18 Të nesërmen Pali erdhi me ne te Jakobi. Aty kishin ardhur edhe të gjithë pleqtë e kishës. 19 Si u përshëndet me ta, Pali u tregoi me hollësi gjithçka që kishte bërë Perëndia mes kombeve, me anë të shërbesës së tij. 20 Kur e dëgjuan, ata përlëvduan Perëndinë e i thanë Palit: «Vëlla, ti po e sheh se mijëra judenj kanë besuar në Krishtin dhe vazhdojnë ta zbatojnë me zell ligjin. 21 Ata kanë marrë vesh se ti i mëson judenjtë që jetojnë mes kombeve që të largohen nga ligji i Moisiut dhe se u thua të mos i rrethpresin fëmijët e të mos i ndjekin traditat. 22 Si t'ia bëjmë? Të gjithë do të dëgjojnë se ke ardhur. 23 Bëj, pra, këtë që të themi: këtu kemi katër burra që kanë bërë një betim. 24 Merri, kryej bashkë me ta ritin e pastrimit dhe paguaj për flijimet e tyre, që ata të mund të rruajnë kokën. Kështu të gjithë do ta marrin vesh se asgjë nga ato që kanë thënë për ty nuk është e vërtetë, por që edhe ti vetë e respekton ligjin. 25 Ndërsa besimtarëve të kthyer prej kombeve u kemi dërguar një letër në të cilën kemi gjykuar se duhet të ruhen nga flijimet që u kushtohen idhujve, të mos pinë gjak, të mos hanë kafshë të mbytura e të ruhen nga kurvëria».
26 Atëherë Pali i mori këta burra dhe të nesërmen, pasi kreu ritin e pastrimit bashkë me ta, hyri në tempull për të bërë të ditur se ishin përmbushur ditët e pastrimit dhe kishte ardhur koha kur secili të kushtonte flijimin.
Palin e kapin në tempull
27 Kur po mbusheshin të shtatë ditët, judenjtë e Azisë, që e kishin parë Palin në tempull, ngritën në këmbë tërë turmën dhe e kapën. 28 Ata bërtisnin: «O burra izraelitë, na ndihmoni! Ky është ai që i mëson të gjithë kudo kundër popullit tonë, kundër ligjit e kundër këtij vendi. Përveç kësaj, ka sjellë helenë në tempull dhe kështu e ka përdhosur këtë vend të shenjtë». 29 Ata e kishin parë Palin më parë në qytet bashkë me Trofim Efesianin dhe mendonin se Pali e kishte futur Trofimin në tempull.
30 Atëherë tërë qyteti u vu në lëvizje dhe njerëzit u mblodhën në rrugë. E kapën Palin, e zvarritën jashtë tempullit dhe menjëherë mbyllën dyert. 31 Ndërsa po kërkonin ta vrisnin, kryemijësit të kohortës i shkoi lajmi se ishte bërë rrëmujë në tërë Jerusalemin. 32 Ai mori menjëherë disa ushtarë e kryeqindësa dhe shkoi me nxitim drejt turmës.
Kur pa turma kryemijësin dhe ushtarët, pushuan së rrahuri Palin. 33 Atëherë kryemijësi u afrua, e kapi Palin dhe urdhëroi ta lidhnin me dy vargonj hekuri. Pastaj filloi të hetonte se kush ishte Pali dhe çfarë kishte bërë. 34 Disa njerëz nga turma bërtisnin e thoshin një gjë, ndërsa të tjerë një gjë tjetër. Meqë nuk mundi të merrte vesh gjë me saktësi për shkak të rrëmujës, urdhëroi ta sillnin Palin në fortesë. 35 Kur arriti Pali te shkallët, turma ishte bërë aq e dhunshme, sa ushtarëve iu desh ta mbartnin. 36 Turma që po e ndiqte, bërtiste: «Me vdekje!».
Mbrojtja e Palit
37 Kur po e çonin në fortesë Palin, ai i tha kryemijësit: «A më lejon të të them diçka?». Kryemijësi i tha: «Di greqisht? 38 Atëherë nuk qenke ti ai egjiptiani që nxiti një kryengritje para disa ditësh dhe u priu në shkretëtirë katër mijë vrasësve?». 39 Pali iu përgjigj: «Unë jam jude nga Tarsi i Kilikisë, qytetar i një qyteti të rëndësishëm. Të lutem, më lejo t'i flas popullit».
40 Pasi i dha leje komandanti, Pali qëndroi te shkallët dhe i bëri shenjë me dorë popullit për qetësi. Si u bë qetësi e madhe, foli në hebraisht e u tha: