KAPTINA XVIII.
1 Edhe mbaskëndai Pauli si iku prei Athinësë, erdhi ndë Korinthë;
2 edhe gjeti nji farë Iudeu qi quhei Akuilë, lemë ndë Pont, e ardhunë rishtas prei Italisë, me gruen’ e vet Priskilënë (sepse Klaudiu kishte urdhënuem me ikunë gjithë Iudeitë prei Romësë), edhe erdhi për-an’ atyneve;
3 edhe sepse kishinë të dy nji mieshtri, mbeti për-an’ atyneve edhe punonte, sepse e kishinë mieshtrinë me bamë tenda.
4 Edhe fliste ndë synagogët çdo të shëtunë, edhe u mbushte mendienë Iudevet e Grekëvet.
5 Edhe Sila e Timotheu kur sdrypnë prei Makedonisë, Paulit i shtrëngohei shpirti, e epte deshmi te Iudeit, se Iesui ashtë Krishti.
6 Edhe ata mbassi i delinë kundrë edhe vlasfimojinë, shkundi petkatë, e u tha atyne: Gjaku juei qoftë mbi kryet tuei; unë jam i këthiellëtë; çë tashti e mbaskëndai kam me votunë ndëpër kombet.
7 Edhe si sdrypi prei andej, erdhi ndë shtëpi të nji farë nieriu qi quhei Iust, i cilli dronte Perëndinë, edhe shtëpia e ati ishte ngjitunë për krahash me synagogënë.
8 Edhe Krispi i pari i synagogës’ i besoi Zotit bashkë me gjithë shtëpin’ e vet; edhe shumë vetë prei Korinthianëvet tue ndëgjuem, besojin’ edhe pagëzoheshinë.
9 Edhe Zoti i tha Paulit natënë nd’andërrë: Mos u friko, por fol, edhe mos pushojsh;
10 sepse unë jam bashkë me tyi, edhe askushi s’ka me vumë dorë mbi tyi, për me të bamë keq, sepse kam shumë popull ndë këte qytet.
11 Edhe ndenji atie nji vit e gjashtë muej, tue u mësuem atyne fjalën’ e Perëndisë.
12 Edhe Gallioni kur ishte prokonsull i Ahaisë, gjithë Iudeit’ u ngritnë me nji zemërë kundrë Paulit, edhe e prunë ndë gjykatë,
13 tue thanë, se: Kyi u mbush mendienë nierëzëvet me iu lutunë Perëndisë kundrë ligjësë.
14 Edhe Pauli kur ishte për me hapunë gojënë, Gallioni u tha Iudevet: Ndë ishte ndonji punë pa udhë, a ndonji punë e keqe, o Iude, kishiem me u ndëgjuem juve me udhë,
15 por ndë qoftë ndonji kërkim për fjalë e për emëna e për ligjënë tuei, venia ore ju; sepse unë s’due me u bamë gjyqtar i këtyneve punëve .
16 Edhe i përzuni prei gjykatësë.
17 Edhe gjithë Grekëtë zunë Sostheninë të parën’ e synagogësë, edhe e rrifinë përpara gjykatësë; edhe Gallioni s’kishte gaile as për ndonji prei kësosh.
18 Edhe Pauli mbassi priti mëjaft ditt, u la shëndet vëllazënavet, edhe lundroi për Syri; edhe bashkë me atë Priskulla edhe Akuila, mbassi rroi kryetë ndë Kegkrea, sepse e kishte bamë kusht.
19 Edhe erdhi ndë Efesë, edhe la ata aty, por ai vetë hyni ndë synagogët, e fliste me Iudeit.
20 Edhe iu lutnë me mbetunë ma shumë kohë për-an’ atyneve, por ai nukë desh;
21 por u la shëndet atyne, e tha: Pa fjalë duhetë të baj festënë qi vien ndë Ierusalem, edhe kam me u këthyem për-së-ri te ju, ndë dashtë Perëndia. Edhe lundroi prei Efesësë.
22 Edhe si duel mbë tokë ndë Kaisari, hypi ndë Ierusalem , edhe përshëndeti kishënë, edhe sdrypi ndë Andiohi.
23 Edhe mbassi ndenji disa kohë atie , duel, e shkonte me rresht ndëpër gjithë vendin’ e Galatisë edhe të Frygisë, tue forcuem gjithë dishepujtë.
24 Edhe nji farë Iudeu qi quhei Apollos, lemë ndë Aleksandri, nieri i ditshim, edhe i fortë ndë shkronjat, erdhi ndë Efesë.
25 Kyi ishte mësuem ndë udhë të Zotit; edhe i nxehei shpirti, e fliste, e mësonte punët’ e Zotit shtrëngueshim, tue ngjofunë veç pagëzimin’ e Gjionnit.
26 Edhe kyi filloi me folunë me sy çelë ndë synagogë; edhe Akuila e Priskilla kur ndëgjuen’ ate, e muernë me vetëhe, edhe i diftuen’ udhën’ e Perëndisë ma shtrëngueshim.
27 Edhe ai mbassi donte me shkuem ndë Ahai, vëllazënit’ u shkruenë dishepujvet, e i shtyjinë me e pritunë, i cilli kur erdhi, u ndimoi shumë atyneve qi kishinë besuem me anë të hirit,
28 sepse me shumë fuqi ua sbulonte Iudevet ndër sy të botësë, tue diftuem me anë të shkronjavet, se Iesui ashtë Krishti.
Pali në Korint
1 Pas këtyre gjërave, Pali u nis nga Athina e shkoi në Korint. 2 Atje gjeti një jude me emrin Akuil, i lindur në Pont, që kishte ardhur kohët e fundit nga Italia me gruan e vet Priskilën, sepse perandori Klaud u kishte dhënë urdhër të gjithë judenjve të largoheshin nga Roma. Pali shkoi për t'i takuar 3 dhe, meqë kishin të njëjtën mjeshtëri, ndenji e punoi bashkë me ta. Mjeshtëria e tyre ishte bërja e tendave.
4 Çdo të shtunë Pali fliste në sinagogë dhe përpiqej të bindte judenjtë e helenët.
5 Kur erdhën Sila e Timoteu nga Maqedonia, Pali po predikonte fjalën e Perëndisë , duke u dëshmuar judenjve se Jezui është Krishti. 6 Por ata e kundërshtuan dhe e fyen. Atëherë Pali shkundi pluhurin e rrobave si shenjë kundër tyre e u tha: «Për humbjen tuaj jeni vetë fajtorë . Unë nuk kam faj dhe që tani e tutje do të shkoj t'u predikoj kombeve». 7 Pali doli nga sinagoga dhe shkoi në shtëpinë e një njeriu me emrin Tit Justi, një i kthyer në besimin jude, që e kishte shtëpinë afër sinagogës. 8 Krispi, kreu i sinagogës, besoi në Zotin bashkë me të gjithë ata të shtëpisë së vet. Edhe shumë korintas që e dëgjuan Palin, besuan dhe u pagëzuan. 9 Një natë Zoti i tha Palit në vegim: «Mos ki frikë, por fol e mos hesht, 10 se unë jam me ty dhe askush nuk do të ngrejë dorë kundër teje për të të bërë keq. Shumë nga ata që jetojnë në këtë qytet më përkasin mua». 11 Pali ndenji aty një vit e gjashtë muaj dhe u mësonte atyre fjalën e Perëndisë.
12 Në kohën kur Galioni ishte prokonsull i Akaisë, judenjtë u bashkuan kundër Palit, e çuan para gjykatësit 13 dhe thanë: «Ky njeri po kërkon t'i bindë njerëzit ta adhurojnë Perëndinë në kundërshtim me ligjin». 14 Sapo Pali deshi të fliste, Galioni u tha judenjve: «Po të bëhej fjalë për ndonjë krim apo faj të rëndë, o judenj, do të kisha arsye për ta pranuar ankesën tuaj. 15 Por, meqë bëhet fjalë për diskutime lidhur me emra e me ligjin tuaj, shikojeni vetë këtë punë. Unë nuk dua të bëhem gjykatës për këto gjëra». 16 Pastaj i largoi nga gjykata. 17 Atëherë të gjithë ata e kapën Sostenin, kreun e sinagogës, dhe e rrahën para gjykatës, ndërsa Galioni nuk donte t'ia dinte fare për këto gjëra.
Kthimi i Palit në Antioki
18 Pali, pasi ndenji për njëfarë kohe në atë vend, u përshëndet me vëllezërit dhe lundroi për në Siri, bashkë me Priskilën e Akuilin. Në Kenkrea ai preu flokët, sepse kishte bërë një betim.
19 Kur arritën në Efes, i la ata aty, ndërsa vetë hyri në sinagogë e diskutoi me judenjtë. 20 Ata i kërkuan që të rrinte më gjatë, por Pali nuk pranoi. 21 Megjithatë, kur po ndahej prej tyre, u tha: « Në dashtë Perëndia, do të kthehem përsëri te ju». Pastaj u largua nga Efesi me anije.
22 Pasi arriti në Cezare, shkoi në Jerusalem, përshëndeti kishën dhe pastaj shkoi në Antioki. 23 Ndenji aty për njëfarë kohe dhe u nis e shkoi nga një vend në tjetrin nëpër krahinën e Galatisë e të Frigjisë, duke u dhënë zemër të gjithë dishepujve.
Shërbesa e Apolit
24 Në Efes kishte ardhur një jude me emrin Apol, i lindur në Aleksandri. Ai ishte gojëtar i mirë e i njihte mirë Shkrimet. 25 Kishte mësuar për udhën e Zotit dhe me zell në shpirt predikonte dhe i mësonte njerëzit me përpikëri për Jezuin, por njihte vetëm pagëzimin e Gjonit. 26 Ai filloi të fliste hapur në sinagogë, por kur Priskila dhe Akuili e dëgjuan, e morën mënjanë dhe ia shtjelluan më saktë udhën e Perëndisë. 27 Meqë dëshironte të shkonte në Akai, vëllezërit i dhanë zemër e u shkruan dishepujve që ta pranonin. Kur arriti atje, ai i ndihmoi me anë të hirit që i kishte dhënë Perëndia të gjithë ata që kishin besuar, 28 sepse i kundërshtonte me forcë judenjtë e u provonte hapur, përmes Shkrimeve, se Jezui është Krishti.