KAPTINA I.
1 Pauli apostull’ i Iesu Krishtit me dashunimin’ e Perëndisë mbas të zotuemesë jetësë qi ashtë mbë Iesu Krishtinë,
2 mbë Timothenë dialin’ e dashunë: qoftë hir, përdëllim, paqtim prei Perëndisë Atit, edhe prei Iesu Krishtit Zotit t’ynë.
3 Falemi ndersë Perëndisë, të cillinë lus çë prei përintvet mi me ndërgjegjëje të këthiellëtë, se pa pushim të kuitoj ndë të lutunat’ e mia nat’ e ditë,
4 edhe kam mall me të pamë, kur kuitoj lott’ e tu, qi të mbushem me gëzim,
5 sepse bije ndër mend besënë pa hipokrisi qi ashtë te ti, e cilla ndenji ma pari te jot gjyshe Loida, edhe te jot amë Eunika; edhe m’u ka mbushunë mendia, se ka ndenjun’ e dhe te ti.
6 Për ate punë të bije ndër mend, qi të ngjallish për-së-ri dhunëtin’ e Perëndisë, e cilla ashtë te ti prei duervet mia qi kam vumë mbi tyi.
7 Sepse Perëndia s’na ka dhanë shpirt frike, por shpirt fuqie, e dashunie, e urtie.
8 Mos ki turp pra për deshmin’ e Zotit t’ynë, edhe për mue të lidhunin’ e ati, por hiq keq bashkë me ungjillinë mbas fuqisë Perëndisë,
9 i cilli na shpëtoi, edhe na thirri me të thirrunë të shenjtënueshim, jo mbas punëvet t’ona, por mbas këshillesë vet, edhe mbas hirit qi na u dha me anë të Iesu Krishtit para motevet pasosunë;
10 edhe tashti duel për faqe me të dukunit’ e Shëlbuesit t’ynë Iesu Krishtit, i cilli rrenoi vdekënë, edhe nxuer ndë dritë jetën’ edhe paprishienë me anë të ungjillit;
11 për ate u vush’ unë leçitës edhe apostull edhe mieshtër i kombevet.
12 Qi për ate punë edhe pësoj këto, por s’kam turp, sepse dij se kuit i kam besuem, edhe m’u ka mbushunë mendia se mundetë me rueitunë ndorienë t’eme deri mb’ate ditë.
13 Ruei formën’ e fjalëvet shëndosha qi ndëgjove prei meje, me besë edhe me dashuni qi ashtë mbë Iesu Krishtinë.
14 Ndorien’ e mirë rueje me anë të Shpirtit Shenjt qi rri mbë ne.
15 Ti e di këte, se më këthyenë shpinënë gjith’ ata qi janë ndë Asi, prei atyneve ashtë Fygelli edhe Hermogeni.
16 Dhashtë Zoti përdëllim ndë shtëpit të Onesiforit, sepse shumë herë më dha zemërë, edhe s’pat turp për hekurat e mia,
17 por kur erdhi ndë Romë, më kërkoi me shumë nxitim, edhe gjeti.
18 Zoti i dhashtë me gjetunë përdëllim prei Zotit nd’atë ditë, edhe sa shërbesa bani ndë Efesë, ti e di ma mirë.
Përshëndetje
1 Unë Pali, që përmes vullnetit të Perëndisë jam apostull i Krishtit Jezu për të predikuar jetën e premtuar, që është në Krishtin Jezu, 2 po i shkruaj Timoteut, birit tim të dashur: hiri, mëshira e paqja nga Perëndia Atë dhe nga Krishti Jezu, Zoti ynë, qofshin me ty!
Besnikëria ndaj ungjillit
3 Falënderoj Perëndinë që e adhuroj me ndërgjegje të pastër si të parët e mi ndërsa të kujtoj ty pa pushim në lutjet e mia natë e ditë. 4 Kur kujtoj lotët e tu, kam shumë dëshirë të të shoh, që të mbushem me gëzim. 5 Më kujtohet besimi yt i sinqertë, që përpara teje e kishte Loida, gjyshja jote, dhe Eunika, nëna jote. Jam i bindur se këtë besim e ke edhe ti. 6 Për këtë arsye po të kujtoj ta mbash gjallë dhuntinë që Perëndia të dha përmes vënies së duarve të mia. 7 Perëndia nuk na dha shpirtin e frikës, por të fuqisë, të dashurisë e të maturisë.
8 Prandaj mos ki turp as nga dëshmia për Zotin tonë, as nga unë, i burgosuri i tij, por vuaj bashkë me mua për ungjillin, i mbështetur në fuqinë e Perëndisë.
9 Perëndia na shpëtoi
e na thirri me një thirrje të shenjtë,
jo sipas veprave tona,
por sipas qëllimit të tij
e hirit që na u dha përmes Krishtit Jezu
përpara fillimit të kohëve.
10 Ky hir u bë i dukshëm tani
përmes ardhjes së shpëtimtarit tonë,
Krishtit Jezu,
i cili e shfuqizoi vdekjen
dhe nxori në dritë
jetën e pavdekësinë përmes ungjillit.
11 Për këtë ungjill unë u caktova predikues, apostull e mësues . 12 Për këtë arsye po vuaj gjithë këto gjëra. Por nuk kam turp, se e di kujt i kam besuar e jam i bindur se ai është i aftë ta ruajë thesarin që më ka besuar, deri në atë ditë.
13 Ndiqe shembullin e mësimit të drejtë, që dëgjove prej meje, me besimin e me dashurinë që vijnë përmes Krishtit Jezu.
14 Ruaje thesarin e mirë me ndihmën e Shpirtit të shenjtë që banon në ne.
15 Ti e di se të gjithë ata që janë në Azi më braktisën, ndër ta edhe Figeli e Hermogjeni.
16 Zoti tregoftë mëshirë për shtëpinë e Onesiforit, se më ngushëlloi shpesh e nuk pati turp nga prangat e mia. 17 Madje, kur erdhi në Romë, më kërkoi me ngulm e më gjeti. 18 Dhëntë Zoti që ai të gjejë mëshirë prej Zotit atë ditë. Ti e di shumë mirë sesa më shërbeu ai në Efes.