KAPTINA VI.
1 Sa janë ndënë sgjedhë shërbëtorë, le t’i kuitojënë të zotënit’ e vet të vëjefshim për qish do farë nderie, qi të mos nemet’ emëni i Perëndisë edhe mësimi.
2 Edhe ata qi kanë zotëni besëtarë, le të mos i hedhin poshtë, sepse janë vëllazën, por ma shumë le t’u punojënë, sepse ata qi fitojënë punën’ e mirë janë besëtarë edhe të dashunë. Këto mëso edhe porosit.
3 Ndë mësoftë kushi mësime të hueja, edhe ndë mos i voftë mbrapa fjalëvet shëndosha të Zotit t’ynë Iesu Krishtit, edhe mësimit qi ashtë mbas besësë mirë,
4 kyi asht’ i marrë, edhe s’di gja, por asht’ i sëmunë për të zana e për të ngrana me fjalë,
5 prei të cillavet del zmir, qartë, të nemunë, mendime të doba, fjalë të kota nierëzish të prishunë mentsh, edhe qi janë të mangutë prei së vërtetësë, sepse ata kuitojënë se bes’ e mirë ashtë për fitim. Mërgohu prei të tillësh.
6 Por bes’ e mirë me mbastiminë mbë të pakët ashtë fitim i math.
7 Sepse asgja s’kemi prumë ndë botët, edhe e marrimë vesht fort mirë, se as s’mundemi me marrë gja jashtë me vetëhe.
8 Por kur kemi ushqime e mbulesa, le të na mbastojënë këto.
9 Edhe ata qi duenë me u bamë të pasunë, bijënë ndë ngasëje edhe ndë lak, edhe ndër shumë dëshërime qi janë të marra, edhe qi bajënë keq, të cillatë mbushinë nierëzitë ndë prishie e ndë hupie.
10 Sepse rranja e gjithë të këqiavet ashtë dashunia e argjandit; disa qi i pëlqyen’ asai duelnë jasht’ udhësë besësë, edhe e shkuenë vetëhen’ e atyne me shumë të dhimtuna.
11 Por ti, o nieriu i Perëndisë, ik prei këtyneve, edhe ndiq dreitëninë, besën’ e mirë, besënë, dashuninë, duriminë, butësinënë.
12 Lufto luftën’ e mirë të besësë, rroq jetën’ e pasosëme, mbë të cillën’ edhe u thirre, edhe rrëfeve rrëfimin’ e mirë përpara shumë deshmitarëve.
13 Të porosis përpara Perëndisë qi u ep jetë të gjithave, edhe përpara Iesu Krishtit qi deshmoi rrëfimin’ e mirë ndë ditë të Pilat Pondiut,
14 të rueish porosinë pa shgryem, pa palavi, deri mbë të dukunit të Zotit t’ynë Iesu Krisht,
15 të cillinë ndë kohëna të veta ka me e diftuem i lumuni edhe i vetëmi fuqitar, mbëreti i mbëretënavet, edhe zoti i zotënavet,
16 ai qi ka vetëmë pavdekëninë, edhe qi ashtë ndenjunë ndë dritë të paafrueshime, të cillin’ askushi prei nierëzish s’e pa, as mundetë me e pamë; mb’ate qoftë nderë edhe pushtet i pasosunë. Amen.
17 Porosit të pasunitë ndë këte jetë, të mos mendojënë nalt, as të mos shpërejënë mbë pasiet qi s’dihetë, por mbë Perëndin’ e gjallë qi na ep të gjitha me dorë të hapëtë për fitim;
18 të punojënë punë të mira, të bahenë të pasunë me punë të mira, të jenë dorë-hapëtë, të shoqënueshim,
19 të venë mbë-nj-anë thesore për vetëhen’ e atyneve qi ashtë themel i mirë për jetënë qi vien, qi të fitojënë jetën’ e pasosëme.
20 O Timothe, ruei ndorienë, edhe këthe shpinënë prei të ndytavet fjalëvet kota, edhe prei të përpiekunavet me fjalë asai mendieshë qi qjuhetë rrenë.
21 Të cillënë mbassi thoshinë disa se e dinë, ranë prei udhësë besësë. Hiri qoftë bashkë me tyi, Amen.
E para (letërë) mbë Timothenë u shkrue kah Laodikia, qi ashtë krye-qytet i Frygisë Pakatianësë .
1 Të gjithë ata që janë nën zgjedhën e skllavërisë le të tregojnë nderim për zotërinjtë e tyre, që të mos shahen emri i Perëndisë dhe mësimi ynë. 2 Ata që i kanë besimtarë zotërinjtë e tyre le të mos i shpërfillin, sepse janë vëllezër. Përkundrazi, t'u shërbejnë edhe më mirë, sepse u shërbejnë vëllezërve besimtarë e të dashur.
Besimi është pasuri
Këto gjëra mësoju e këshilloju të tjerëve. 3 Kush u mëson njerëzve një mësim tjetër e nuk ndjek fjalët e vërteta të Zotit tonë Jezu Krisht dhe mësimet e besimit tonë, 4 ai është mburravec e nuk di asgjë. Atij i janë bërë sëmundje rragatjet e kapja pas fjalëve. Nga këto vijnë smira, grindjet, fyerjet, dyshimet e liga, 5 zënkat pa fund të njerëzve me mendje të shthurur, të privuar nga e vërteta dhe që e shohin besimin në Perëndinë si mjet përfitimi . 6 Besimi në Perëndinë është pasuri e madhe për atë që kënaqet me aq sa ka, 7 sepse asgjë nuk kemi sjellë në këtë botë dhe asgjë nuk mund të marrim prej saj. 8 Nëse kemi ushqim e veshmbathje, le të mjaftohemi me kaq. 9 Ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në kurthin e djallit dhe në shumë dëshira të marra e të dëmshme, që i fundosin njerëzit në rrënim e shkatërrim. 10 Lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave. Duke rendur pas parasë, disa u larguan nga besimi dhe i shkaktuan vetes shumë dhimbje.
Lufta e mirë e besimit
11 Por ti, o njeri i Perëndisë, largohu nga këto gjëra. Përkundrazi kërko drejtësinë, përkushtimin ndaj Perëndisë, besimin, dashurinë, durimin e zemërbutësinë. 12 Lufto luftën e mirë të besimit dhe rrok jetën e amshuar, për të cilën të thirri Perëndia e për të cilën ke dhënë dëshminë e mirë të besimit para shumë dëshmitarëve. 13 Të bëj thirrje para Perëndisë, që i jep jetë gjithçkaje dhe para Krishtit Jezu, që dha dëshminë e mirë në kohën e Ponc Pilatit, 14 që ti ta zbatosh këtë urdhërim të panjollë e të paqortueshëm deri në ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht.
15 Kur të vijë koha,
ardhjen e tij do ta tregojë Perëndia,
i lumi,
i vetmi sundues,
mbreti i mbretërve
e Zoti i zotërve.
16 Vetëm ai është i pavdekshëm
e banon në dritën
që asnjeri nuk i afrohet dot.
Atë nuk e ka parë asnjë njeri
e as nuk mund ta shohë.
Atij i qoftë
nderi
dhe fuqia e amshuar!
Amen!
17 Pasanikët e kohës së tanishme urdhëroji të mos u rritet mendja, as të mos e mbajnë shpresën në pasigurinë e pasurisë, por në Perëndinë që na jep gjithçka me zemërgjerësi për të mirën tonë. 18 Urdhëroji të bëjnë të mirën, të jenë të pasur në vepra të mira, të jenë zemërgjerë dhe të gatshëm për të dhënë. 19 Kështu ata do të grumbullojnë për vete një thesar e do të vënë themel të mirë për të ardhmen, që të marrin jetën e vërtetë .
20 O Timote, ruaje çka t'u besua! Largohu nga fjalët e zbrazëta, që janë kundër besimit, si dhe nga kundërthëniet e së ashtuquajturës dituri, 21 të cilën disa e pranuan dhe humbën besimin.
Hiri qoftë me ju!