KAPTINA III.
1 Për të zanë besë ashtë fjala: ndë i ka anda kuit me u bam’ episkop, dëshëron punë të mirë.
2 Duhetë pra episkopi me qenun’ i pazanë me faj, burr i nji grueje, i esulltë, i mentshim, i hieshim, miku i të huejëvet, i zoti për me mësuem.
3 Jo pianec, jo rrafës, jo të detë fitim të keq, por të jet’ i butë, asi qi s’don të zihetë, asi qi s’lakëmon për argjand;
4 të guvernojë mirë shtëpin’ e vet, të ketë dielm ndën’ urdhënë sikurse i ka hie
5 (sepse, ndë qoftë kushi qi s’di me guvernuem shtëpin’ e vet, si do t’i ketë kujdes kishësë Perëndisë?);
6 të mos jet’ i mësuem rishtazë, qi të mos mbahetë mbë të math, e të bierë ndë dam të diallit.
7 Edhe ai duhetë me pasun’ edhe deshmi të mirë prei të përjashtëmvet, qi të mos bierë ndë turpëni e ndë lak të diallit.
8 Xhakonatë por kështu duhetë të jenë të hieshim, jo me dy faqe ndër fjalë, jo të ven’ ore mbë shumë venë, as mbë fitim te keq;
9 të kenë mysterin’ e besësë ndë ndërgjegjëje të këthiellëtë.
10 Edhe këta le të provohenë ma pari, mbasandai le të bahenë xhakona, ndë qofshinë të patërhiekunë me faj.
11 Gratë por kështu të jenë të hieshime, jo gërgasa, të esullta, besëtare mbë të gjitha.
12 Xhakonatë le të jenë burra të nji grueje qi guvernojënë mirë dielmt’ edhe shtëpiat’ e veta,
13 sepse ata qi bajënë shërbim të mirë, fitojnë shkallë të mirë për vetëvetëhenë, edhe kanë shumë sy e faqe ndë besët qi ashtë mbë Iesu Krishtinë.
14 Këto po ju shkruej, tue shpëryem me ardhunë për së shpeiti te ti,
15 por nd’ u vonofsha, qi të dish si duhetë me u prumë ndë shtëpi të Perëndisë, e cilla ashtë kisha e Perëndisë gjallë, shtylla edhe të mpështetunit’ e të së vërtetësë.
16 Edhe pa ndonji fjalë kundrë i math ashtë mysteri i besësë: Perëndia u diftue ndë mish, duel i dreitë ndë shpirt, u duk ndër engjuj, u predikue ndër kombe, u zu besë ndë botët, hipi ndë qiell me laft.
Cilësitë e peshkopëve
1 Kjo fjalë është e besueshme: nëse dikush kërkon të bëhet peshkop, dëshiron një punë të mirë.
2 Peshkopi duhet të jetë i patëmetë, burrë i një gruaje, i kthjellët, i matur, i sjellshëm, mikpritës, mësues i zoti, 3 jo pijanec, jo i dhunshëm , por i durueshëm, jo grindavec, jo lakmitar parash. 4 Ai duhet ta drejtojë mirë shtëpinë e vet e t'i ketë fëmijët të bindur e shumë të sjellshëm. 5 Nëse dikush nuk di sesi të drejtojë shtëpinë e vet, si do të kujdeset për kishën e Perëndisë? 6 Peshkopi të mos jetë i ri në besim, që të mos i rritet mendja e të mos bjerë në të njëjtin dënim me djallin. 7 Ai duhet të gëzojë edhe respektin e atyre që janë jashtë kishës, që të mos përgojohet e të bjerë në kurthin e djallit.
Cilësitë e dhjakëve
8 Po ashtu edhe dhjakët duhet të jenë të denjë, jo me dy fytyra , jo të dhënë pas verës së tepërt, as lakmitarë fitimesh të pandershme. 9 Ata duhet ta mbajnë me ndërgjegje të pastër të fshehtën e besimit. 10 Këta le të vihen më parë në provë, pastaj nëse janë të paqortueshëm, le të shërbejnë. 11 Po ashtu gratë e tyre të jenë me dinjitet, të mos shpifin, të jenë të përmbajtura e besnike në gjithçka. 12 Dhjakët të jenë bashkëshortë të një gruaje, t'i drejtojnë mirë fëmijët dhe shtëpitë e tyre. 13 Sepse ata që e kryejnë mirë shërbesën fitojnë një emër të mirë për veten dhe shumë guxim në besimin që është në Krishtin Jezu.
E fshehta e besimit
14 Këto gjëra po t'i shkruaj me shpresë se do të vij te ti së shpejti, 15 por nëse vonohem, të dish sesi duhet të sillet njeriu në shtëpinë e Perëndisë, që është kisha e Perëndisë së gjallë, shtylla dhe themeli i së vërtetës. 16 Pa dyshim, e madhe është e fshehta e besimit:
Perëndia u shfaq në trup njerëzor,
u shpall i drejtë nga Shpirti,
u pa nga engjëjt,
u predikua mes kombeve,
u besua në botë,
u ngrit në lavdi.