KAPTINA V.
1 Edhe për mote e për kohëna, o vëllazën, s’keni nevojë me u shkruem juve,
2 sepse ju e dini fort mirë, se dita e Zotit porsi viedhësi natënë, kështu vien.
3 Sepse kur thonë paqtim edhe siguri, atëherë vien përmbi ata befas të hupunitë, porsi të dhimtunat’ e barkut gruesë me barrë, edhe s’do të kenë se ku me ikunë.
4 Por ju, o vëllazën, nukë jeni nd’errësinë, qi t’ua mbërrijë ajo ditë porsi viedhës.
5 Të gjithë ju jeni bij drite e bij dite, nukë jemi të natësë, as t’errësinësë.
6 Le të mos flemë pra sikurse edhe të tierëtë por le të rrimë squtë, edhe le të jemi esullë.
7 Sepse ata qi flenë, natënë flenë, edhe ata qi dehenë, natënë dehenë,
8 por na, mbassi jemi të ditësë, le të jemi esullë, e le të veshimë thuraken’ e besës, e të dashunisë, edhe për përkrenare shpëresën’ e shpëtimit.
9 Sepse Perëndia nukë na ka urdhënuem për zemërim, por për fitimin’ e shpëtimit me anë të Zotit t’ynë Iesu Krishtit,
10 qi vdiq për ne, qi të rroimë bashkë me ate, kur të jemi squtë, a kur të kemi fjetunë.
11 Përandai ngushulloni njiani tietërinë, edhe ndërtoni njiani tietërinë, sikurse edhe bani.
12 Edhe u lutemi juve, o vëllazën, t’i dini ata qi mundohenë ndër ju, e rrinë përmbi kryet tuei mbë Zotinë, e u mësojnë juve;
13 edhe i nderoni ata me ma tepërë dashuni për punën’ e atyne. Kini paqtim ndërmiet jush.
14 Edhe u lutemi juve, o vëllazën, mësoni të pahymitë ndë rrieshtë, ngushulloni zemër-vogjëlitë, u ndimoni të sëmunëvet, kini zemërë të gjanë mbë të gjithë.
15 Këqyrni mos i bajë kushi tietërit keq për të keq, por kërkoni përherë me bamë të mirënë njiani tietërit, edhe të gjithëve.
16 Përherë gëzohi.
17 Pa pushim fali.
18 Për qish do gja epni të falunë ndersë, sepse kyi ashtë dashunimi i Perëndisë te ju mbë Iesu Krishtinë.
19 Mos shueni Shpirtinë.
20 Mos hethni poshtë profetënitë.
21 Provoni të gjitha, mbani të mirënë.
22 Hiqni dorë prei qish do farë të keqeje.
23 Edhe vetë Perëndia i paqtimit u shenjtënoftë juve të tanë, edhe u rueit’ e tanë fryma juei, edhe shpirti, edhe mishi pa palavi ndë t’ardhëmen’ e Zotit t’ynë Iesu Krishtit.
24 Besëtar asht ai qi u thërret juve, edhe ai ka me e bamë.
25 O vëllazën, fali për ne.
26 U falni me shëndet gjithë vëllazënavet me të puthunë të shenjtënueshim.
27 U ve mbë be juve mbë Zotinë me u kënduem letëra mbë gjithë shenjtënit vëllazën.
28 Hiri i Zotit t’ynë Iesu Krishtit qoftë bashkë me ju. Amen.
E para (Letëra) mbë Thessalonikanët u shkrue prei Athine .
1 O vëllezër, sa për kohën dhe për orën se kur do të ndodhin këto gjëra, nuk keni nevojë t'ju shkruaj, 2 pasi ju vetë e dini mirë se Dita e Zotit do të vijë siç vjen vjedhësi natën. 3 Kur t'ju thonë: «kemi paqe dhe siguri», atëherë mbi ta do të bjerë papritur shkatërrimi. Ata nuk do t'i shpëtojnë dot dhe do të vuajnë si gruaja në dhimbjet e lindjes.
4 Por ju, o vëllezër, nuk jeni në errësirë që ajo ditë t'ju zërë në befasi, si vjedhësi; 5 ju të gjithë jeni bij të dritës dhe bij të ditës. Ne nuk jemi as të natës, as të errësirës. 6 Prandaj të mos flemë si të tjerët, por të vigjilojmë dhe të jemi të kthjellët. 7 Sepse ata që flenë, flenë natën dhe ata që dehen, dehen natën. 8 Por ne, meqenëse jemi të ditës, le të jemi të kthjellët, duke veshur besimin dhe dashurinë si parzmore dhe shpresën e shpëtimit si përkrenare.
9 Perëndia nuk na caktoi të vuajmë zemërimin e madh, por na caktoi të marrim shpëtimin përmes Zotit tonë Jezu Krisht, 10 i cili vdiq për ne. Kështu, kur të vijë ai, edhe nëse vigjilojmë, edhe nëse jemi duke fjetur, do të jetojmë bashkë me të. 11 Prandaj ngushëlloni dhe ndihmoni njëri-tjetrin për t'u rritur në besim, sikurse edhe po bëni.
Porositë e fundit
12 Tani, o vëllezër, ju lutemi t'i vlerësoni ata që Zoti i ka ngarkuar për të qenë drejtuesit tuaj, që ju shërbejnë me mund dhe që ju këshillojnë. 13 Çmojini dhe nderojini me dashuri për punën që bëjnë. Jetoni në paqe mes jush. 14 O vëllezër, ju bëjmë thirrje t'i qortoni ata që nuk jetojnë siç duhet, t'i ngushëlloni zemërlëshuarit, t'i ndihmoni të dobëtit në besim dhe të jeni të duruar me të gjithë. 15 Kini mendjen se mos ndokush ia kthen dikujt të keqen me të keqe. Gjithmonë kërkoni të mirën për njëri-tjetrin dhe për të gjithë.
16 Gëzohuni gjithmonë. 17 Lutuni pa pushim. 18 Falënderoni për çdo gjë, sepse ky është vullneti i Perëndisë për ju përmes Krishtit Jezu.
19 Mos e shuani Shpirtin. 20 Mos i përbuzni profecitë. 21 Shqyrtoni çdo gjë, mbani atë që është e mirë. 22 Hiqni dorë nga çdo lloj ligësie.
23 Vetë Perëndia i paqes ju shenjtëroftë plotësisht dhe gjithë qenia juaj, shpirt, mendje e trup qoftë e paqortueshme kur të vijë Zoti ynë Jezu Krisht. 24 Perëndia që ju thirri është besnik dhe do ta bëjë atë që ka thënë.
25 Vëllezër, lutuni edhe për ne.
26 Përshëndetni të gjithë vëllezërit me puthje të shenjtë.
27 Ju përbetohem në emër të Zotit, që kjo letër t'u lexohet të gjithë vëllezërve .
28 Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju!