KAPTINA IV.
1 Përmbaskëndai, o vëllazën, u lutemi juve edhe u porosisimë për Zotinë Iesu, sikurse i muertë prei nesh se si duhetë me ecun’ edhe me i pëlqyem Perëndisë, kështu të tepëroni ma tepërë.
2 Sepse e dini qish farë porosiash u lam juve prei Zotit Iesu.
3 Sepse kyi ashtë dashunimi i Perëndisë, shenjtënimi juei, të hiqni dorë prei kurvënisë;
4 gjithë-se-cilli të dijë me mbaitun’ anën’ e vet ndë shenjtënim e ndë nderë,
5 jo ndë pësime dëshërimi, porsi ata kombetë qi s’ngjofinë Perëndinë.
6 Të mos kapërcejë kushi e t’i bajë shtrembëtë të vëllait vet mbë këte punë, sepse Zoti ashtë shpagimtar për gjithë këto, edhe sikurse u tham juve çë përpara, edhe e vërtetuem me deshmi.
7 Sepse Perëndia nukë na thirri ndë ndynësinë, por ndë shenjtënim.
8 Përandai ai qi shkel këto , nukë shkel nierinë, por Perëndinë, qi na dha Shpirtin’ e vet të shenjtënueshiminë.
9 Edhe për dashunimin’ e vëllazënisë s’keni nevojë me u shkruem juve, sepse ju jeni të mësuem prei Perëndisë për me dashunë njiani tietërinë,
10 sepse ju e bani këte mbë gjithë vëllazënit qi janë ndë gjithë Maqedonit. Por u lutemi juve, o vëllazën me tepëruem ma tepërë mbë këte ,
11 edhe me nxituem të rrini urtë, edhe të bani të tuejatë, edhe të punoni me duert tueja, sikurse u porositëm juve,
12 qi të ecëni ndër të jashtëmit sikurse ka hie, edhe të mos keni nevojë për askend.
13 Edhe nukë due të jeni të paditun’, o vëllazën, për ata qi kanë fjetunë, qi të mos idhënohi, sikurse edhe ata të tierëtë qi s’kanë shpëresë.
14 Sepse ndë besoimë se Iesui vdiq edhe u ngjall, kështu edhe ata qi kanë fjetunë me anë të Iesuit Perëndia ka me i prumë bashkë me ate.
15 Sepse këte ua thomi juve prei fjalësë Zotit, se na të gjallëtë qi kemi mbetunë mbë të ardhëmen’ e Zotit, s’kemi me ua mbërrim’ atyneve qi kanë fjetunë.
16 Sepse Zoti vetë ka me sdripunë prei qielli me urdhënim, me za engjulli të parë, edhe me trumbetë Perëndie, edhe ata të vdekunitë qi vdiqnë mbë Krishtinë kanë me u ngjallunë ma pari,
17 mbasandai na të gjallëtë qi kemi mbetunë, kemi me u rrëmbyem bashkë me ata ndë renat, për me i dalunë përpara Zotit nd’erët, edhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotinë.
18 Përandai ngushulloni njiani tietërinë me këto fjalë.
Jeta që i pëlqen Perëndisë
1 Së fundi, o vëllezër, ju mësuat prej nesh sesi duhet të jetoni ashtu siç i pëlqen Perëndisë. Ju lutemi dhe ju bëjmë thirrje në emër të Zotit Jezu, që të vazhdoni të jetoni kështu, madje të përparoni edhe më shumë. 2 Ju i dini udhëzimet që ju dhamë nga ana e Zotit Jezu. 3 Vullneti i Perëndisë është që ju të bëni një jetë të shenjtë, të hiqni dorë nga kurvëria, 4 që çdonjëri prej jush të dijë ta mbajë të shenjtë dhe me nder trupin e vet, 5 dhe të mos ia nënshtrojë atë pasioneve të epshit siç bëjnë kombet që nuk e njohin Perëndinë. 6 Askush të mos e mashtrojë e as të mos i bëjë keq vëllait të vet në këto gjëra, sepse për të gjitha këto do të hakmerret Zoti, gjë që jua kemi thënë dhe jua kemi dëshmuar edhe më parë. 7 Sepse Perëndia nuk na thirri në ndyrësi, por në shenjtërim. 8 Prandaj kush hedh poshtë këto udhëzime, nuk hedh poshtë një njeri, por hedh poshtë Perëndinë që ju ka dhënë Shpirtin e tij të Shenjtë.
9 Sa për dashurinë vëllazërore, nuk keni nevojë që t'ju shkruaj, sepse vetë Perëndia ju ka mësuar ta doni njëri-tjetrin. 10 Është e vërtetë që ju e bëni këtë për të gjithë vëllezërit që janë në gjithë Maqedoninë, por ne ju bëjmë thirrje o vëllezër, të përparoni edhe më shumë në këtë gjë. 11 Përpiquni të jetoni në paqe, të shikoni punët tuaja dhe ta fitoni jetesën nga duart tuaja, siç ju kemi udhëzuar edhe më parë. 12 Kështu do të jetoni me nder në sy të atyre që janë jashtë kishës dhe nuk do t'ia keni nevojën askujt.
Ardhja e Zotit
13 O vëllezër, ne nuk duam që të mos e dini se çfarë do të bëhet me ata që kanë vdekur, që të mos hidhëroheni edhe ju si ata që nuk kanë shpresë. 14 Nëse besojmë se Jezui vdiq dhe u ngjall, po kështu edhe Perëndia do t'i ngjallë bashkë me të ata që vdiqën dhe që kishin besuar në të.
15 Këtë po jua themi me fjalët e Zotit: ne të gjallët, që do të jemi ende gjallë kur të vijë Zoti, nuk do ta takojmë Zotin përpara atyre që kanë vdekur, 16 sepse vetë Zoti, me një kushtrim, me zë kryeengjëlli dhe me trumbetën e Perëndisë, do të zbresë nga qielli dhe të vdekurit që kishin besuar në Krishtin do të ngjallen të parët. 17 Pastaj, ne që do të kemi mbetur ende gjallë, do të rrëmbehemi bashkë me ata në re për ta takuar Zotin lart; dhe kështu do të jemi gjithmonë bashkë me Zotin. 18 Prandaj ngushëllojeni njëri-tjetrin me këto fjalë.