KAPTINA IV.
1 Mbassi pësoi pra Krishti ndë misht për ne, armatisi edhe ju me ate mendim, sepse ai qi pësoi ndë misht, pushoi prei fajit,
2 qi ta shkojë jetën’ e mbaskëndaishime ndë misht, jo ma ndë dëshërime nierëzish, por ndë dashunim të Perëndisë.
3 Sepse miaft ashtë për ne koha e jetësë t’onë qi shkoi, se punuem dashunimin’ e kombevet, tue ecunë ndë ndynësina, ndë dëshërime, ndë të deitunë, ndë lodërti, ndë të pime, edhe ndë lutëje idhujsh të paudhë.
4 Edhe përandai u vien mërekulli, se nuk’ ecëni bashkë me ata mb’ate vërshimin’ e plang-prishëjesë, edhe u neminë,
5 të cillëtë kanë me i dhanë fjalë ati qi ashtë gati me gjukuem të gjall’ e të vdekunë.
6 Sepse për këte punë u ungjillëzue ungjilli edhe mbë të vdekunit, qi të gjukohenë si nierëzitë ndë misht, e të rrojënë ndë shpirt, si don Perëndia.
7 Edhe e mbrapëna e të gjithave u afrue: urtësohi pra, e rrini squtë ndë të falunat.
8 Edhe mbë të gjitha të doni fort njiani tietërinë, sepse: “dashunia ka me mbuluem shumicë fajesh”.
9 Bahi njiani mbë tietërin’ asish qi duenë të huejtë pa murmurime.
10 Gjithë-se-cilli sikurse muer dhunëtinë, kështu le t’i bajë piesë njiani-tietërit, si guvernorë të mirë të shumit hirit Perëndisë.
11 Ndë foltë kushi, le të flasi si fjalë Perëndie; ndë shërbeftë kushi, le të shërbejë si prei asai fuqisë qi i ep Perëndia, qi të lavdohetë Perëndia mbë të gjithë me anë të Iesu Krishtit, mbë të cillin’ ashtë lafti edhe pushteti ndë jetët të jetëvet. Amen.
12 O të dashunë, mos mërekullohi për ate provimin’ e nxetë qi u ba mbë ju, sikurse gjaiti mbë ju ndonji pun’ e mërekullueshime,
13 por gëzohi sikurse jeni piesëtarët’ e pësimevet Krishtit, qi të gëzohi tue u gazmuem edhe ndë të sbuluemit të laftit ati.
14 Nd’ u shafshi për emënin’ e Iesu Krishtit, jeni të lumunë, sepse Shpirti i laftit edhe i Perëndisë prahetë mbë ju; mbas atyneve nemetë, por mbas jush lavdohetë,
15 sepse as ndonji prei jush le të mos pësojë si vrasës, a si viedhës, a si keq-bamës, a si asi qi shikon punët’ e hueja,
16 por ndë pësoftë si i Krështenë, le të mos ketë turp, por le të lavdojë Perëndinë mbë këte anë,
17 sepse e mbërrini koha me filluem gjyqi prei shtëpisë Perëndisë; edhe ndë filloftë ma përpara prei jush, qish do të jet’ e mbrapëna atyneve qi s’bindenë mbë ungjillin’ e Perëndisë?
18 Edhe “kur i dreiti mezi shpëtohetë, i pabesi edhe fajtori ku do të duketë?”
19 Andai edhe ata qi pësojënë mbas dashunimit Perëndisë, le t’apinë shpirtënat’ e vet n’dorë ati me të punuem të mirë, si mbë besëtarinë krijetar.
Kujdestarë të hirit
1 Meqenëse Krishti vuajti në trup, atëherë duhet që edhe ju të armatoseni me të njëjtën mendësi, sepse ai që vuan në trup pushon së mëkatuari. 2 Që tani e tutje ta jetoni atë që ju ka mbetur nga jeta në trup jo sipas kënaqësive njerëzore, por sipas vullnetit të Perëndisë. 3 Mjaft kohë keni humbur duke jetuar sipas dëshirave të kombeve, duke jetuar në fëlligështi, në kënaqësi, në dehje, në darka të shfrenuara, në të pira e në idhujtari të neveritshme. 4 Tani atyre u duket çudi që ju nuk rendni më me ta në të njëjtin lumë poshtërsish dhe prandaj ju fyejnë. 5 Ata do t'i japin llogari atij që është gati për të gjykuar të gjallët e të vdekurit. 6 Për këtë arsye ungjilli iu shpall edhe të vdekurve, që të gjykohen sipas njerëzve në trup e të jetojnë sipas Perëndisë në shpirt.
7 Fundi i të gjitha gjërave është afër! Bëhuni të urtë e rrini zgjuar për lutje.
8 Para së gjithash, të keni dashuri të madhe për njëri-tjetrin, sepse dashuria mbulon shumë mëkate.
9 Jini mikpritës për njëri-tjetrin pa murmuritur.
10 Secili prej jush, si kujdestar i mirë i dhuntive të ndryshme të Perëndisë, ta përdorë dhuntinë e tij për t'u shërbyer të tjerëve. 11 Kush predikon, le të predikojë fjalët e Perëndisë dhe kush shërben, le të shërbejë sipas fuqisë që i jep Perëndia, që Perëndia të përlëvdohet në gjithçka nëpërmjet Jezu Krishtit, të cilit i përket lavdia e pushteti, në shekuj të shekujve! Amen!
Vuajtja e të krishterëve
12 Fort të dashur, mos u çuditni për sprovën e zjarrit nëpër të cilën po kaloni për t'u sprovuar, si të ishte diçka e jashtëzakonshme. 13 Por gëzohuni që jeni pjesëtarë të vuajtjeve të Krishtit, që edhe kur të shfaqet lavdia e tij, të gëzoheni e të ngazëlloheni.
14 Lum ju nëse ju tallin për shkak të emrit të Krishtit, sepse Shpirti i lavdisë dhe i Perëndisë prehet mbi ju . 15 Askush nga ju të mos vuajë si vrasës, vjedhës, keqbërës apo pse përzihet në punët e të tjerëve. 16 Nëse vuan si i krishterë, të mos ketë turp, por të përlëvdojë Perëndinë për këtë emër. 17 Erdhi koha që gjykimi të fillojë nga shtëpia e Perëndisë. Nëse fillon së pari me ne, si do të jetë fundi i atyre që nuk iu bindën ungjillit të Perëndisë?
18 Nëse i drejti
shpëton me vështirësi,
ç'do të ndodhë me të pafeun
e mëkatarin?
19 Ata që vuajnë sipas vullnetit të Perëndisë, le të bëjnë të mirën e le t'ia besojnë plotësisht shpirtin krijuesit besnik.