KAPTINA IV.
1 Të dashunë, mos i besoni qish-do fryme, por provoni frymatë ndë janë prei Perëndiet, sepse shumë profet-rrenësa duelnë ndë botët.
2 Prei kësai e ngjifni frymn’ e Perëndisë; qish-do frymë qi rrëfen me gojë se Krishti ka ardhunë ndë mish, ashtë prei Perëndiet,
3 edhe qish-do frymë qi s’rrëfen me gojë se Krishti ka ardhunë ndë mish, nuk’ ashtë prei Perëndiet; edhe këjo ashtë fryma e antikrishtit, qi keni ndëgjuem se vien’ edhe çë tashi ashtë ndë botët.
4 Ju jeni prei Perëndiet, dielmthit’ e mi , edhe i keni mundun’ ata, sepse ai qi ashtë ndër ju, ashtë ma i math se ai qi ashtë ndë botët.
5 Ata janë prei botet, përandai flasinë prei botet, edhe bota i ndëgjon ata.
6 Na jemi prei Perëndiet; ai qi ngjef Perëndinë, na ndëgjon, ai qi s’ashtë prei Perëndiet, nukë na ndëgjon. Prei kësai ngjofimë frymën’ e së vërtetësë, edhe frymën’ e gënjeshtrësë.
7 Të dashunë, le të demi njiani tietërinë, sepse dashunia ashtë prei Perëndiet; edhe kush-do qi don, ka lemë prei Perëndiet, edhe ngjef Perëndinë.
8 Ai qi nukë don, nuk’ e ngjofi Perëndinë, sepse Perëndia ashtë dashuni.
9 Ndë këte u shpërfaq dashunia e Perëndisë mbë ne, se Perëndia dërgoi Birin’ e vet vetëm-leminë ndë botët, qi të rroimë me anë t’ati.
10 Mbë këte ashtë dashunia, jo se na deshëm Perëndinë, por se ai na deshi, edhe dërgoi Birin’ e vet qi të jetë shpërblim për fajet t’ona.
11 Të dashunë, ndë na deshi kaqi shumë Perëndia, edhe na kemi detyrë me dashunë njiani tietërinë.
12 Askushi s’e ka pamë kurrë Perëndinë; ndë daçim njiani tietërinë, Perëndia mbet mbë ne, edhe dashunia e ati ashtë mbaruem mbë ne.
13 Prei kësai e ngjofimë, se mbesimë mb’ate, edhe ai mbë ne, sepse na ka dhanë prei Shpirtit vet.
14 Edhe na kemi pamë, edhe dëshmoimë, se Ati dërgoi Birinë Shëlbuesin’ e botësë.
15 Ai qi të rrëfejë me gojë , se Iesui asht’ i Bir’ i Perëndisë, Perëndia mbet mb’ate, edhe ai mbë Perëndinë.
16 Edhe na kemi ngjofun’ edhe kemi besuem dashuninë qi ka Perëndia mbë ne. Perëndia ashtë dashuni, edhe ai qi mbet ndë dashunit, mbet mbë Perëndinë, edhe Perëndia mb’ate.
17 Mbë këte ashtë mbaruem dashunia me ne, qi të kemi kucim ndë ditët të gjyqit, sepse sikurse ai ashtë, kështu edhe na jemi ndë këte botë.
18 Nuk’ ashtë frikë ndë dashunit, por dashunia e mbarueme nxier jashtë frikënë, sepse frika ka mundim; edhe ai qi ka frikë, nuk’ asht’ i mbaruem ndë dashunit.
19 Na duem’ ate, sepse ai na deshi përpara.
20 Ndë thashtë kushi, se due Perëndinë, edhe të ketë mëni vëllan’ e vet, ashtë rrenës, sepse ai qi të mos detë vëllan’ e vet qi e ka pamë, si mundetë me dashunë Perëndinë qi nuk’ e ka pamë?
21 Edhe këte porosi e kemi prei ati: Ai qi don Perëndinë, don edhe vëllan’ e vet.
Sprovoni shpirtrat
1 Fort të dashur, mos i besoni çdo shpirti, por vërini në provë shpirtrat për të parë nëse janë nga Perëndia ose jo, sepse në botë kanë dalë shumë profetë të rremë. 2 Shpirtin e Perëndisë do ta njihni nga kjo gjë: çdo shpirt që rrëfen se Jezu Krishti ka ardhur me trup njerëzor, është nga Perëndia. 3 Çdo shpirt që nuk e rrëfen Jezuin , nuk është nga Perëndia. Ky është shpirti i antikrishtit, për të cilin keni dëgjuar se po vjen dhe, madje, tashmë ai është në botë.
4 Por ju, bijtë e mi, jeni nga Perëndia dhe i keni mundur ata, sepse ai që është në ju është më i madh se ai që është në botë. 5 Ata janë nga bota, prandaj flasin me gjuhën e botës dhe bota i dëgjon. 6 Ndërsa ne jemi nga Perëndia. Ai që njeh Perëndinë, na dëgjon. Ai që nuk është nga Perëndia, nuk na dëgjon. Prej kësaj do ta dallojmë Shpirtin e së vërtetës nga shpirti i mashtrimit.
Perëndia është dashuri
7 Fort të dashur, le ta duam njëri-tjetrin, sepse dashuria është nga Perëndia. Kush ka dashuri, ka lindur nga Perëndia dhe e njeh Perëndinë. 8 Ai që nuk ka dashuri, nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri. 9 Ja si është shfaqur dashuria e Perëndisë në ne: Ai dërgoi në botë Birin e tij të vetëmlindur që ne të jetojmë nëpërmjet tij. 10 Këtu qëndron dashuria: nuk e deshëm ne Perëndinë, por na deshi ai dhe dërgoi Birin e tij si flijim për të shlyer mëkatet tona. 11 Fort të dashur, meqenëse Perëndia na deshi në këtë mënyrë, atëherë edhe ne duhet ta duam njëri-tjetrin.
12 Askush nuk e ka parë ndonjëherë Perëndinë. Po ta duam njëri-tjetrin, Perëndia qëndron në ne dhe dashuria e tij është e përsosur në ne. 13 Ja si e dimë se ne qëndrojmë në të dhe ai qëndron në ne: ai na ka dhënë nga Shpirti i tij. 14 Ne kemi parë e dëshmojmë se Ati e dërgoi Birin e tij si shpëtimtarin e botës. 15 Nëse dikush rrëfen se Jezui është Biri i Perëndisë, Perëndia qëndron në të dhe ai në Perëndinë. 16 Ne e kemi njohur dhe i kemi besuar dashurisë që Perëndia ka për ne.
Perëndia është dashuri. Ai që qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë dhe Perëndia qëndron në të. 17 Dashuria është e përsosur në ne kur nuk kemi frikë për ditën e gjykimit, sepse në këtë botë ne jetojmë sikurse ai. 18 Në dashuri nuk ka frikë, madje, dashuria e përsosur e dëbon frikën. Frika ka të bëjë me ndëshkimin dhe ai që ka frikë, nuk është i përsosur në dashuri.
19 Ne kemi dashuri, sepse Perëndia na deshi i pari. 20 Po të thotë ndonjë: «Unë e dua Perëndinë», por urren vëllanë e vet, ai është gënjeshtar. Kush nuk do vëllanë, të cilin e sheh, nuk mund të dojë as Perëndinë, të cilin nuk e ka parë. 21 Këtë urdhërim kemi prej tij: kush e do Perëndinë, të dojë edhe vëllanë e vet.