KAPTINA I.
1 Ate qi ishte çë herën’ e parë, ate qi kemi gjegjunë, ate qi kemi pamë me syt t’anë, ate qi e vum ore, edhe duertë t’ona e preknë, për Fjalën’ e jetësë
2 (edhe jeta u shpërfaq, edhe e kemi pamë, edhe dëshmoimë, edhe apimë za për jetën’ e pasosëme, qi ishte tek Ati, edhe u shpërfaq mbë ne);
3 ate qi kemi pam’ e kemi gjegjunë, e apimë za juve, qi të keni edhe ju piesë me ne, edhe piesa jonë të jetë me Atën’ edhe me Birin’ e ati Iesu Krishtinë.
4 Edhe u shkrueimë juve këto, qi të jet’ i plotë gëzimi juei.
5 Edhe kyi ashtë zani qi kemi gjegjunë prei ati, edhe u apimë za juve, se Perëndia ashtë dritë, edhe s’asht’ as ndonji errësinë mb’ate.
6 Ndë thanshim se kemi piesë me ate, edhe ecimë nd’errësinët, rreimë, edhe s’baimë të vërtetënë.
7 Por ndë ecimë ndë dritët, sikurse ai ashtë ndë dritët, kemi piesë njiani me tietërinë, edhe gjaku i Iesu Krishtit të Birit ati na pastron prei qish-do faji.
8 Ndë thanshim se s’kemi faj, gënjeimë vetëhenë t’onë, edhe e vërteta nuk’ashtë ndër ne.
9 Ndë rrëfefshim fajetë t’ona, ashtë besëtar edhe i dreitë, qi të na fali fajetë, edhe të na pastrojë prei qish-do të shtrembëte.
10 Ndë thanshim se s’kemi fëjyem, baim’ ate rrenës, edhe fjala e ati s’ashtë ndër ne.
Fjala e jetës
1 Po ju shkruajmë për Fjalën e jetës
që ishte nga fillimi,
që e dëgjuam
dhe e pamë me sytë tanë,
që e soditëm
dhe e prekëm me duart tona.
2 Jeta u shfaq dhe ne e pamë. Prandaj dëshmojmë dhe ju shpallim jetën e amshuar, që ishte me Atin dhe na u shfaq neve. 3 Po ju shpallim atë që pamë dhe dëgjuam, që edhe ju të keni bashkësi me ne, sepse bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin. 4 Këto gjëra po i shkruajmë që gëzimi ynë të jetë i plotë.
Perëndia është dritë
5 Ky është lajmi që dëgjuam prej tij dhe po jua njoftojmë juve: Perëndia është dritë dhe në të nuk ka kurrfarë errësire. 6 Po të themi se kemi bashkësi me të, por jetojmë në errësirë, gënjejmë dhe nuk veprojmë sipas së vërtetës. 7 Por po të jetojmë në dritë, sikurse ai është në dritë, kemi bashkësi me njëri-tjetrin dhe gjaku i Jezuit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat. 8 Po të themi se nuk kemi mëkat, mashtrojmë veten dhe e vërteta nuk është në ne. 9 Po të rrëfejmë mëkatet tona, Perëndia që është besnik dhe i drejtë do të na i falë mëkatet e do të na pastrojë nga çdo padrejtësi. 10 Po të themi se nuk kemi mëkatuar, e bëjmë Perëndinë gënjeshtar dhe fjala e tij nuk është në ne.