1 Mjeshtrit të korit, për zëra të lartë . Psalm i Davidit.
Alef
2 Të përlëvdoj me gjithë zemër, o Zot,
dhe tërë veprat e tua të mrekullueshme rrëfej.
3 Me ty gëzohem e ngazëllohem
dhe emrit tënd i këndoj, o i Tejlartë!
Bet
4 Kur tërhiqen pas,
armiqtë e mi pengohen
e zhduken nga prania jote.
5 Se ti i dhe të drejtë çështjes sime,
i ulur në fron si gjykatës i drejtë.
Gimel
6 Kombet i qortove,
të paudhët i shkatërrove
dhe emrin e tyre përgjithmonë e fshive.
7 Armiqtë morën fund, u rrënuan përjetë;
qyteteve u vure plojën,
askush nuk i kujton.
He
8 Por Zoti qëndron përjetë,
e ka gatitur fronin për gjykim.
9 Botën do ta gjykojë me drejtësi
e popujt me paanësi.
Vau
10 Zoti është strehë për të shtypurit,
strehë në kohë të vështira.
11 Ata që e njohin emrin tënd
kanë besim te ti,
se ti, o Zot,
nuk i braktis ata që të kërkojnë.
Zain
12 Këndojini Zotit që banon në Sion,
shpalluni popujve veprat e tij.
13 Se ai që ndëshkon gjakatarët u kujtua
dhe klithmën e skamnorëve nuk e harroi.
Het
14 Mëshiromë, o Zot,
që prej portave të vdekjes më shpëton.
Shiko si më poshtëruan ata që më urrejnë,
15 që tërë lavditë e tua të shpall
dhe te portat e Sionit
të ngazëllej për shpëtimin tënd.
Tet
16 Kombet ranë në gropën që hapën vetë,
laku që vetë e vunë ua zuri këmbën.
17 Zoti e dëfteu veten dhe bëri drejtësi,
e zuri të paudhin në grackën që vetë kishte ngritur. higajon selah
Jod
18 Në skëterrë rënçin të paudhët,
mbarë ato kombe që harrojnë Perëndinë.
Kaf
19 Se nevojtari nuk do të harrohet kurrë,
dhe shpresa e fatkeqëve nuk do të humbë asnjëherë.
20 Ngrihu, o Zot,
që të mos dalë më i fortë njeriu,
që kombet të gjykohen prej teje.
21 Tmerroji, o Zot!
Kombet ta dinë mirë
se janë vetëm njerëz. selah