1 Kush banon nën strehën e të Tejlartit,
qëndron nën hijen e të gjithëpushtetshmit.
2 Do t'i them Zotit: «Ti je streha ime e fortesa ime,
je Perëndia im, te ti kam besim».
3 Ai do të të çlirojë nga laku i gjuetarit
dhe nga plaga vdekjeprurëse.
4 Me pendët e tij do të të mbulojë,
nën krahët e tij strehë do të gjesh,
shqyt e mburojë është besnikëria e tij.
5 Nuk do ta kesh frikë tmerrin e natës
e as shigjetën që vringëllon ditën,
6 as murtajën që endet nëpër terr
e as shfarosjen që shkreton në zheg.
7 Le të bien mijëra përreth teje,
apo dhjetëra mijëra në të djathtën tënde,
ty nuk do të të prekë asgjë.
8 Vetëm hap sytë
e shih ndëshkimin e të paudhëve.
9 Zoti është streha jote,
i Tejlarti banesa jote,
10 nuk të prek asnjë e keqe
dhe tendës sate sëmundje nuk do t'i afrohet.
11 Ai do të urdhërojë engjëjt e tij
të të ruajnë përgjatë të gjitha udhëve.
12 Në duart e tyre do të të mbajnë,
që këmba jote të mos ndeshë në gur.
13 Mbi këlyshë luanësh e mbi nepërka do të shkelësh,
do të shtypësh luanë e gjarpërinj.
14 «Do ta çliroj, sepse më deshi,
do ta mbroj, se njohu emrin tim.
15 Do të më thërrasë e unë do t'i përgjigjem,
në vështirësi me të do të jem,
do ta shpëtoj e nder do t'i jap.
16 Do ta kënaq me jetë të gjatë
dhe shpëtimin tim do t'i dëftej».
1 Kush rri ndë ndihmë të Lartit, do të ketë të ndenjuritë ndënë hijet të Fuqi-madhit.
2 I kam për të thënë Zotit: Ti je mpshtetëja ime, edhe ndihmësi im, Perëndia im, kam për të shpëryerë mbë atë.
3 Se ay do të të shpëtonjë prej kurthit gjahtorëvet, edhe prej murtajësë që u bie njierëzet.
4 Do të të mbulonjë me pëndët e tia, edhe do të shpërenjç ndënë fletët t’ati; e vërteta e ati do të jetë qark teje armë edhe mburonjë.
5 Nukë do të frikësonesh prej frikësë natësë, (as) ditënë prej shigjetësë së hidhët,
6 as prej murtajës, që ecën ndë errëcirë, (as) prej prishëjesë që shkreton ndë mes të ditësë.
7 Një mijë do të bienë së mëngjërit teje, edhe dhietë mijë së diathtit teje, po te ti nukë do të afronetë.
8 Veç me syt të tu do të shikonjç, edhe do të shohç çpagimn’ e fajtorëvet.
9 Se ti vure Zotnë për shpëresënë t’ime, të Lartinë për pshtetëjenë tënde.
10 Nukë do të avitetë ndonjë e keqe, edhe frushkullë nukë do të afronetë ndë tendët tënde.
11 Se do të urdhëronjë ëngjëjt’ e ti për ty, që të ruanjënë ndë gjithë udhët të tua.
12 Do të të ngrenë mbi duar, që të mos përpiekç këmbënë tënde mbë gur.
13 Do të shkelç mbi leon e mbi aspidhë, do të shkelç mbi këlysh leoni e mbi drangua.
14 Se shpëreu mbi mua, përandaj do t’e shpëtonj, do t’e lartonj, se ngjohu emërinë tim.
15 Do të thërresë mbë mua, edhe do t’e ndigjonj, do t’i jem përanë ndë shtrëngim, do t’e shpëtonj, edhe do t’e lavdonj.
16 Do t’e nginj me ditt të gjata, edhe do t’i dëftenj shpëtimnë tim.