1 Lutje e Moisiut, njeriut të Perëndisë.
O Zot, ti ke qenë streha jonë
brez pas brezi.
2 Para se të lindnin malet,
para se të krijoje tokën e botën,
prej amshimit në amshim, ti je Perëndia.
3 Ti e kthen njeriun në pluhur,
e thua: «Kthehuni, o bijtë e njeriut!».
4 Se një mijë vjet në sytë e tu
janë si dita e djeshme që kaloi,
porsi orët e rojës së natës.
5 Në gjumë, si përmbytja i përlan,
si bari që mugullon në mëngjes janë.
6 Në mëngjes lulëzon e mugullon,
në mbrëmje vyshket e thahet.
7 Prej zemërimit tënd morëm fund,
prej furisë sate u tmerruam.
8 Paudhësitë tona i ke vënë para vetes,
të fshehtat tona në dritën e fytyrës sate.
9 Tërë ditët tona fashiten prej mërisë sate,
vitet tona marrin fund si një ofshamë.
10 Vitet e jetës sonë janë shtatëdhjetë,
ja, tetëdhjetë për më të fortët;
vitet më të mira janë mundim e dhimbje,
teren shpejt e ne kalojmë.
11 Kush e njeh forcën e zemërimit tënd?
Si droja ndaj teje ashtu është furia jote.
12 Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona,
që të fitojmë një zemër plot urti.
13 Kthehu, o Zot! Deri kur?
Ki mëshirë për shërbëtorët e tu!
14 Na ngij në mëngjes me mirësinë tënde,
që të ngazëllejmë e të gëzojmë në të gjitha ditët tona.
15 Bëna të gëzojmë për aq ditë sa na mundove,
për aq vite sa kaluam në fatkeqësi.
16 Le të shfaqet vepra jote te shërbëtorët e tu,
te bijtë e tyre madhështia jote.
17 Ardhtë mbi ne mirësia e Zotit, Perëndisë tonë,
bëje të shkojë mbarë veprën e duarve tona,
përparoftë vepra e duarve tona!
Urata e Moisiut, njieriut Perëndisë.
1 O Zot, ti na u bëre mpshtetëje bres pas brezi.
2 Para se të lenjënë maletë, edhe të gatuajsh dhenë e botënë, edhe që nga jeta e jetësë, ti je Perëndia.
3 Kthen edhe e bën njierinë pluhurë, edhe thua: Kthehuni, o të bijt’ e njierëzet.
4 Se një mijë viet ndë syt të tu janë posi dit’ e dieshme që shkoi, edhe (posi një) të ruajturë nate.
5 I bën t’i rrëmbenjë ujëtë; janë posi ëndërrë, posi bar ndë mëngjes, që përtërihetë.
6 Ndë mëngjes lulëzon e përtërihetë, mbrëmanet këputet’ e thahetë.
7 Se po humbemi prej mërisë s’ate, edhe po përzihemi prej zëmërimit tënt.
8 Vure pa-udhëritë t’ona përpara teje, edhe të mpshehëtatë tona ndë dritë të faqesë s’ate.
9 Se gjithë dittë t’ona shkonjënë ndë zëmërimt tënt; shkojmë vietë t’anë, posi mendim që shkon ndër mënt.
10 Ditt’ e vietvet t’anë janë prej vetiu shtatë-dhietë viet, edhe ndë qofshinë tetë-dhietë viet nga pun’ e shëndetit, po më e shuma (piesë) e atyreve është mundim e dhëmbëje, sepse shkon shpejt, edhe na fluturojmë.
11 Kush ngjeh fuqin’ e mërisë s’ate, edhe të zëmërimit tënt, pas frikësë s’ate?
12 Mëso-na të numërojmë kështu ditt t’ona, që të ngjitmë zëmrënë ndë dituri.
13 Kthehu, o Zot, gjer kur? Edhe bënu i përdëllyeshim mbë shërbëtorët e tu.
14 Nginj-na me përdëllimnë tënt ndë mëngjest, edhe do të gëzonemi e të ngazëllonemi gjithë dittë t’ona.
15 Gëzo-na për ato ditt që na mundove, edhe për ata viet që pam të këqia.
16 U çpërfaqtë puna jote mbë shërbëtorët e tu, edhe lavdia jote mbë të bijt e atyreve,
17 edhe qoftë ndriçimi i Zotit Perëndisë t’anë mbi ne, edhe ndreq punën’ e duaret t’ona ndër ne, edhe punën’ e duaret t’ona ndreq-e.