1 Lutje e Davidit.
Mba vesh, o Zot, e më dëgjo,
se jam skamnor e nevojtar.
2 Ruaje shpirtin tim, se jam besniku yt, o Perëndia im.
Shpëtoje shërbëtorin tënd që ka besim te ti.
3 Mëshiromë, o Zot,
se ty të thërras gjithë ditën.
4 Gëzoja shpirtin shërbëtorit tënd,
se te ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim.
5 Ti je i mirë, o Zot, i gatshëm për të falur
e plot mirësi për ata që të thërrasin.
6 Vëri vesh lutjes sime, o Zot,
dëgjoje zërin e përgjërimit tim.
7 Ditën e fatkeqësisë të thërras,
sepse ti më përgjigjesh.
8 Nuk ka si ty mes perëndive, o Zot,
nuk ka si veprat e tua.
9 Ti i krijove të gjitha kombet,
para teje do të vijnë e do të përkulen
dhe emrin tënd do të lavdërojnë, o Zot.
10 Ti je i madh e bën mrekulli,
vetëm ti je Perëndi.
11 Mësomë, o Zot, udhën tënde,
që të eci në të vërtetën tënde,
më bëj ta druaj emrin tënd me gjithë zemër.
12 Do të të falënderoj me gjithë zemër, o Zot, Perëndia im,
dhe emrin tënd do ta lavdëroj përjetë.
13 E madhe është mirësia jote ndaj meje,
nga thellësitë e skëterrës më shpëtove.
14 O Perëndi, kryeneçët u ngritën kundër meje,
turma gjakatarësh kërkojnë vdekjen time
e ty nuk të kanë për gjë.
15 Por ti, o Zot, je Perëndi i dhembshur e i mëshirshëm,
i ngadaltë në zemërim dhe plot mirësi e besnikëri.
16 Kthehu nga unë e ki mëshirë për mua,
jepi fuqi shërbëtorit tënd,
birin e shërbëtores sate shpëtoje.
17 Dëfto një shenjë mirësie ndaj meje,
që ta shohin ata që më urrejnë e të turpërohen,
se ti, o Zot, më ndihmove e më ngushëllove.
Urat’ e Dhavidhit.
1 Kërrus veshnë tënt, o Zot, edhe ndigjo-më, se unë jam dorë-hollë e i nevojëshim.
2 Ruaj shpirtinë t’im, se jam i drejtë; ti, o Perëndia im, shpëto shërbëtorinë tënt, që shpëren mbë ty.
3 Përdëllye-më, o Zot, se ty po thërres gjithë ditënë.
4 Gëzo shpirtin’ e shërbëtorit tënt, se ndë ti, o Zot, vara shpirtinë t’im.
5 Se ti, o Zot, je i mirë, e i dhëmpshurë, e shumë i përdëllyeshim mbë gjithë ata që thërresënë mbë ty.
6 Mba-i vesh të falurit t’im, o Zot, edhe ndigjo zën’ e lutjesë sime.
7 Do të thërres mbë ty ndë ditë të shtrëngimit t’im, se do të më ndigjonjç.
8 Nukë të gjan ndonjë ndër perëndirrat, o Zot, as nukë janë posi punët’ e tua.
9 Gjithë kombetë që bëre, do të vinjënë, e do të adhuronjënë përpara teje, o Zot, edhe do të lavduronjënë emrinë tënt;
10 se ti je i math, edhe bën punë të maniçime, ti je i vetëmi Perëndi.
11 Hiq-më ndë udhët tënde, o Zot, edhe do të ecënj ndë të vërtetët tënde; ngjit zëmrënë time ndë frikët të emërit tënt.
12 Do të të lavduronj, o Zot Perëndia im, me gjithë zëmrënë time, edhe do të lavduronj emrinë tënt, gjithë jetënë,
13 se përdëllimi yt ësht’ i math mbë mua, edhe shpëtove shpirtinë t’im prej varrit fort të poshtërm.
14 O Perëndi, të pa-udhëtë u ngritnë kundrë meje, edhe përmbëledhëje të fortësh kërkuanë shpirtinë t’im, edhe nukë të vunë përpara vetëhesë tyre.
15 Po ti, o Zot Perëndia im, je i dhëmpshurë, edhe i përdëllyeshim, e zëmrë-gjerë, e përdëllim-math, e i vërtetë.
16 Shtierë sytë mbë mua, edhe përdëllye-më; ep-i fuqinë tënde shërbëtorit tënt, edhe shpëto të birrë e shërbëtoresë sate.
17 Bën ndek unë shënjë për të mirë, që të shohën’ ata që më kanë mëri, edhe të turpëronenë, se ti, o Zot, më ndihe, edhe më ngushëllove.