1 Mjeshtrit të korit. Për Gititin. Psalm i Asafit.
2 Ngazëlleni në Perëndinë, forcën tonë,
brohoritni për Perëndinë e Jakobit.
3 Merrjani këngës e bjerini dajres,
lirës gazmore e harpës bashkë me të.
4 Bjerini bririt për hënën e re,
për hënën e plotë, ditën e të kremtes sonë.
5 Se ky është rregull për Izraelin,
vendim i Perëndisë së Jakobit.
6 Kjo dëshmi iu dha Jozefit,
kur doli prej tokës së Egjiptit.
Dëgjova një zë që nuk e njihja:
7 «Ia hoqa barrën prej shpatullave,
duart prej shportës ia lirova.
8 Më thirre në fatkeqësi e të çlirova,
t'u përgjigja i fshehur mes gjëmimit,
tek ujërat e Meribës në provë të vura. selah
9 Dëgjomë, o populli im, e do të të qortoj.
Ah, sikur të më dëgjoje, o Izrael!
10 Nuk do të ketë te ti perëndi tjetër,
para asnjë perëndie të huaj nuk do të përkulesh.
11 Unë jam Zoti, Perëndia yt,
unë të nxora prej tokës së Egjiptit,
hape gojën e do të ta mbush.
12 Por populli im nuk ma dëgjoi zërin,
Izraeli nuk më vuri vesh.
13 Atëherë i lashë në ngurtësinë e zemrës së tyre
të ecnin sipas shestimeve të tyre.
14 Ah, sikur të më dëgjonte populli im!
Ah, sikur të ecte Izraeli udhëve të mia!
15 Atëherë do t'i poshtëroja menjëherë armiqtë e tij,
dorën do ta ktheja kundër kundërshtarëve të tij.
16 Ata që e urrejnë Zotin do t'i nënshtroheshin,
ky do të ishte fati i tyre në amshim.
17 E unë do ta ushqeja me grurin më të mirë,
do ta ngopja me mjaltë prej shkëmbi».
Mbë të parinë kënkëtuar, mbi Gittith: Psallm’ e Asafit.
1 Gëzohuni për Perëndin’ e fuqisë s’anë, brohorini për Perëndin’ e Jakovit.
2 Merni kënkë, edhe birni tympanësë, psalltir të pëlqyerë bashkë me qitharë.
3 Birni pipësë ndë hënë të re, ndë ditë të shënuarë të së kremëtesë s’anë.
4 Se ësht’ urdhërë mbë Israillë, edhe nom’ i Perëndisë Jakovit.
5 Vuri këtë (për) martyri ndë Josifi, kur doli ay prej dheut Misirit, (atie ndek) ndigjova gjuhë që nuk’ e ngjohnje;
6 largova supn’ e ati prej barrësë; duart’ e ati u hoqnë prej kofinit
7 Më thirre ndë shtrëngim, edhe të shpëtova, t’u përgjegja prej vëndit të fshehurit bubullimësë, të çprovova në ujërat’ e Merivahut. Sellah.
8 Ndigjo, o llauzi im, edhe do të bënj martyri kundrë treje,
9 o Israill, ndë më ndigjofsh, mos jetë ndë ti perëndi i huaj, edhe mos adhurojsh perëndi të huaj.
10 Unë jam Zoti Perëndia yt, që të nxora prej dheut Misirit; cgjero gojënë tënde, edhe do të ta mbush.
11 Po llauzi im nukë ndigjoi zënë tim, edhe Israilli s’më mbajti vesh,
12 përandaj i dhashë ata ndër dëshërimet e zëmrësë atyreve, ecnë ndër dëshërimet e tyre.
13 Të më kish ndigjuarë llauzi im, Israilli të kish ecurë mbë udhët e mia,
14 sa-kaqë-herash do të keshë vënë poshtë arëmiqt’ e atyreve, edhe do të keshë vënë dorënë t’ime mbi ata që i shtrëngonjënë.
15 Arëmiqt’ e Zotit do të ishinë gënjyerë tek ay, edhe do të kishinë kohë kurdo,
16 edhe do t’i kishtej ushqyerë me ballën’ e grurit, edhe me mialtë guri do të të nginjnje.