1 Te ti, o Zot, kërkova strehë,
mos lejo të turpërohem asnjëherë.
2 Sipas drejtësisë sate shpëtomë e çliromë,
prire veshin drejt meje e shpëtomë.
3 Bëhu për mua shkëmbi,
ku gjej përherë strehim.
Ti ke urdhëruar shpëtimin tim,
se ti je shkëmbi dhe fortesa ime.
4 O Perëndia im, shpëtomë nga dora e të paudhit,
nga kthetra e keqbërësit dhe e shtypësit.
5 Se ti, o Zot, je shpresa ime,
te ti, o Zot, kam besim që në rini.
6 Te ti jam mbështetur që në bark të nënës,
prej barkut të saj ti më nxore,
ty të përlëvdoj përherë.
7 Për shumë njerëz u bëra si shenjë mrekullie,
se ti ke qenë streha ime e fortë.
8 Goja ime është plot lavde për ty,
tërë ditën ty të madhëron.
9 Mos më hidh poshtë në pleqëri,
mos më braktis kur të më lënë fuqitë.
10 Ja, armiqtë e mi po flasin kundër meje,
ata që më përgjojnë, po shestojnë bashkë.
11 «Perëndia e ka braktisur», thonë.
«Ndiqeni pas e kapeni,
se nuk ka kush ta shpëtojë».
12 O Perëndi, mos u largo prej meje,
o Perëndia im, shpejto të më ndihmosh!
13 U turpërofshin e u shofshin
kundërshtarët e shpirtit tim,
u poshtërofshin e u turpërofshin
ata që më duan të keqen.
14 E unë do të shpresoj gjithmonë te ti,
do të të lavdëroj gjithnjë e më shumë.
15 Goja ime do të shpallë drejtësinë tënde,
gjithë ditën do të kumtojë shpëtimin tënd,
që nuk di ta mat.
16 Do të shpall veprat e fuqishme të Zotit, Zotit tim,
do të sjell ndër mend drejtësinë që është vetëm e jotja.
17 O Perëndi, ti më ke mësuar që në rini,
e deri tani unë shpall mrekullitë e tua.
18 As kur të plakem e të thinjem,
mos hiq dorë prej meje, o Perëndi,
derisa t'ia shpall pushtetin tënd kësaj breznie,
fuqinë tënde të gjithë atyre që do të vijnë.
19 Drejtësia jote, o Perëndi, arrin lartësitë,
se ti ke bërë vepra madhështore.
O Perëndi, kush është i ngjashëm me ty?
20 Ti, që më dhe shumë fatkeqësi e mjerime,
ti do të ma përtërish jetën,
nga thellësitë e tokës do të më nxjerrësh,
lart do të më ngresh sërish.
21 Do të më japësh më shumë madhështi.
Do të kthehesh e do të më ngushëllosh.
22 E unë do të të përlëvdoj me tingullin e lirës,
besnikërisë sate do t'i këndoj, o Perëndia im,
do të të himnoj me harpë, o i shenjti i Izraelit.
23 Buzët e mia do të ngazëllejnë, kur të këndojnë për ty,
bashkë me shpirtin tim, që ti e shpengove.
24 Edhe gjuha ime do të flasë tërë ditën për drejtësinë tënde,
u turpërofshin e u poshtërofshin ata që ma duan të keqen.
1 Shpëreva mbë ty, o Zot: mos u turpërofsha kurrë.
2 Për drejtërinë tënde ruaj-më, edhe shpëto-më; ul veshnë tënt ndek unë, edhe shpëtomë.
3 Bën-m’u gur për të ndënjurë, që të vete atie përherë; ti urdhërove të më shpëtojsh, se ti je guri im edhe kasteli im.
4 O Perëndia im, shpëto-më prej dorësë fajtorit, edhe prej dorësë të paudhit edhe të shtrëmbërit.
5 Se ti je pritëja ime, o Zot Perëndi, shpëresa ime që prej dialërisë s’ime.
6 U mpshteta mbë ty që nga barku, ti je mbulesa ime që nga barku i ëmësë s’ime, kam për të lavduruarë ty përherë.
7 U bëshë posi kafsh’ e egrë mbë të shumëtit, po ti je e forta mpshtetëja ime.
8 U mbushtë goja ime me lavdurim, që të lavduronj lavdinë tënde gjithë ditënë.
9 Mos më hith tej ndë kohë të pleqërisë, mos hiq dorë prej meje, kur të më lërë fuqia.
10 Se arëmiqt’ e mi flasënë për mua, edhe ata që ruanjënë shpirtinë t’im, bënjënë këshillë bashkë,
11 duke thënë: Perëndia hoqi dorë prej ati, ndiqeni edhe zireni, se s’ka kush ta shpëtonjë.
12 O Perëndia im, mos u mërgo prej meje; o Perëndia im, nxito të më ndihç.
13 U turpërofshin’ e u shofshinë arëmiqt’ e shpirtit t’im, i mbuloftë marrëzia e turpëja ata që kërkonjënë të keqenë t’ime.
14 Po unë përherë do të shpërenj mbë ty, edhe do të shtonj lavdurimet’ e tu mbë të gjithë.
15 Goja ime ka për të dëftyerë drejtërinë tënde (edhe) shpëtiminë tënt gjithë ditënë, se nukë ngjoh numëratë.
16 Do të hynj ndë fuqë të Zotit Perëndisë, do të kujtonj drejtërinë tënde vetëmë.
17 O Perëndi, ti më mësove që prej dialërisë s’ime, edhe deri tani dëfteve punët’ e tua të maniçimetë.
18 Mos hiq dorë prej meje as gjer ndë pleqërit, edhe gjer ndë të cbardhurit e qimevet mia, o Perëndi, gjer sa t’i dëftenj krahënë tënt këti brezi, (edhe) fuqinë tënde gjithë atyreve që vinë pas.
19 Sepse drejtëria jote, o Perëndi, është fort lart, sepse ti bëre punëra të mëdha; o Perëndi, kush është si ti,
20 i cili më dëfteve shumë shtrëngime edhe të këqia, edhe u ktheve e më dhe frymë të gjallë, edhe më nxore përsëri nga avyssat’ e dheut.
21 Shtove madhërinë t’ime, edhe u ktheve e më ngushëllove.
22 Andaj edhe unë, o Perëndia im, do të lavduronj me organë psalltiri ty, edhe të vërtetënë tënde; ty do të të psall me qitharë, o Shënjt’ i Israillit.
23 Do të gëzonenë buzët’ e mia, kur të psall për ty, edhe shpirti im, që e çpërbleve.
24 Po edhe gjuha ime do të shkonjë ndër mënt drejtërinë tënde gjithë ditënë, sepse u marruan’ e u turpëruanë ata që kërkonjënë të keqenë t’ime.