1 Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit. Këngë.
2 U ngrittë Perëndia e u shpërndafshin armiqtë e tij,
ata që e urrejnë ikshin prej tij.
3 I zhduksh ata ashtu siç davaritet tymi,
siç shkrin dylli prej zjarrit,
ashtu u shfarosshin të paudhët para Perëndisë.
4 Por të drejtët gëzojnë,
para Perëndisë ngazëllejnë
e plot hare brohorasin.
5 Këndojini Perëndisë,
këndojini himne emrit të tij,
hapini udhë atij që kalëron në shkretëtirë ,
Zot është emri i tij,
ngazëlleni para tij.
6 Atë i jetimëve dhe mbrojtës i vejushave
është Perëndia në banesën e tij të shenjtë.
7 Perëndia strehon të vetmuarit,
çliron të robëruarit,
por kryeneçët banojnë në djerrinë.
8 O Perëndi, kur i prive popullit tënd,
kur marshove në shkretëtirë, selah
9 toka u drodh e qiejt u zbrazën
para teje, Perëndisë së Sinait,
para Perëndisë së Izraelit.
10 Shi të begatshëm dërgove, o Perëndi,
trashëgiminë tënde të drobitur përtërite.
11 Aty banoi grigja jote, o Perëndi,
ti u kujdese tërë mirësi për të mjerin.
12 Zoti tha një fjalë,
të shumta janë lajmëtaret:
13 «Arratinë marrin mbretërit e ushtrive, arratinë marrin,
gratë e shtëpive ndajnë prenë.
14 Edhe nëse shtriheni mes tufave për të pushuar,
krahët e pëllumbeshës shkëlqejnë nga argjendi,
pendët e saj praruar janë nga ari.
15 Kur i gjithëpushtetshmi shpartalloi mbretërit,
mali i Calmonit zbardhi nga dëbora».
16 Mal madhështor është mali i Bashanit,
mal me thepa mali i Bashanit.
17 Përse, o male të thepisura, me smirë e shikoni
malin që Perëndia për banesë zgjodhi?
Atje do të banojë përgjithmonë Zoti.
18 Karrocat e Perëndisë janë me mijëra,
me mijëra e dhjetëra mijëra,
mes tyre qëndron Zoti,
ashtu si në Sina, tërë shenjtëri .
19 U ngjite në lartësi, zure robër,
dhurata prej njerëzve e prej kundërshtarëve more,
që atje të banosh, o Zot Perëndi.
20 Bekuar qoftë ditë për ditë Zoti,
Perëndia që kujdeset për ne,
ai që na shpëton. selah
21 Perëndia ynë është Perëndi që shpëton,
prej Zotit Perëndi vjen shpëtimi nga vdekja.
22 Perëndia do t'ua copëtojë kryet armiqve,
kokat tërë flokë atyre që ecin në udhë ligësie.
23 Zoti tha: «Do t'i kthej nga Bashani,
nga thellësia e detit do t'i kthej,
24 që këmbët t'i zhytësh në gjakun e armiqve,
që gjuha e qenve të tu të lëpijë pjesën e vet».
25 E panë shpurën tënde, o Perëndi,
shpurën e Perëndisë tim, mbretit tim,
tek hynte në shenjtërore.
26 Para ecnin këngëtarët,
pas u vinin muzikantët,
mes vashave që u binin dajreve.
27 Bekoni Perëndinë nëpër kuvende,
bekoni Zotin, ju prej gurrës së Izraelit.
28 Atje u prin Benjamini, më i vogli,
pas vijnë prijësit e Judës me trupën e tyre,
prijësit e Zabulonit, prijësit e Neftaliut.
29 Perëndia yt urdhëroi të kesh fuqi,
fuqinë që Perëndia e shfaqi për ne.
30 Për hir të tempullit tënd në Jerusalem,
dhurata do të të sjellin mbretërit.
31 Kanosi egërsirat e kallamishteve,
tufën e demave bashkë me viçat e popujve,
që të nënshtrohen e pllaka argjendi të sjellin .
Shpërndaji popujt që luftës i gëzohen.
32 Dërgata do të vijnë nga Egjipti,
Kushi duart do të shtrijë kah Perëndia.
33 O mbretëri të tokës, këndojini Perëndisë,
këndojini himne Zotit, selah
34 atij që kalëron mbi qiejt e qiejve të lashtë,
atij që ngre zërin, zërin e tij të fuqishëm.
35 Shpallni fuqinë e Perëndisë,
madhëria e tij qëndron mbi Izraelin,
fuqia e tij më lart se retë.
36 I mrekullueshëm je, o Perëndi,
në shenjtëroren tënde!
Perëndia i Izraelit i jep fuqi
e forcë popullit të vet.
Bekuar qoftë Perëndia!
Mbë të parinë kënkëtuar. Psallmë kënke e Dhavidhit.
1 U ngrittë Perëndia, edhe u përndafshinë arëmiqt’ e ati, edhe ikçinë prej syvet ati ata që e kanë mëri.
2 Sikundrë vdiretë tymi, (kështu) u vdiershinë (ata), sikundrë tretetë qiriu përpara ziarit, kështu u vdierçinë fajtorëtë prej syvet Perëndisë.
3 Po të drejtët’ u gëzofshinë, u ngazëllofshinë përpara Perëndisë, u gëzofshinë me gëzim.
4 Këndoni Perëndisë, psallni emërit ati, bëni gati udhënë ati që shkon kaluar nga të perënduarëtë; emëri i ati është Zot, edhe gëzohuni përpara ati.
5 At’ i të varfëret, edhe gjykatës i të vevet është Perëndia ndë të shënjtëruarinë vëndin’ e ti.
6 Perëndia bën të vetëmitë të rrinë ndë shtëpi, nxier të lidhuritë me hekura ndë trimëri, po krye-ngrituritë rrinë ndë dhe të thatë.
7 O Perëndi, kur dilnje përpara llauzit tënt, kur shkonje ndëpër shkretëtirët, Sellah.
8 U tunt dheu, edhe ata qiejtë pikuanë prej sysh Perëndisë, ai Sinai (u tunt) prej sysh Perëndisë, Perëndisë Israillit.
9 O Perëndi, dërgove mëjaft si mbë trashëgimt tënt, edhe kur ishtej pa fuqi, ti e forcove.
10 Përmbëledhëja jote ndenji nd’atë, bëre gati për dorë-hollinë me të mirënë tënde, o Perëndi.
11 Zoti tha fjalë: ata që dhanë zë të mirë ishinë fushat’ e madhe.
12 Mbëretërë fushatave duke ikurë iknë, edhe ata që mbetnë ndë shtëpi ndaninë plaçkatë.
13 Edhe ndë dergjeshitë ndë mest të vatrësë, (po do të ini si) fletë pëllumbi të ergjëndëruara, edhe pupulat e ati me ar të verdhë.
14 Fuqi-madhi kur përndantej mbëretërë nd’atë, u bë (i bardhë) posi dbora ndë Sallmon.
15 Mal’ i Perëndisë (është posi) mal’ i Vashanësë, mal’ i lartë (posi) mal’ i Vashanësë.
16 Përse kini zili, o male të lartë? (Ky është) mali, që i pëlqeu Perëndisë të rrijë nd’atë, sepse Zoti ka për të ndenjurë (nd’atë) kurdo.
17 Qerret’ e Perëndisë janë njëzet mijë mijërash, që i heqënë, Zoti është ndë mest t’ atyre (posi) ndë Sina, ndë të shenjtëruarinë (vënt).
18 Hipe lart, skllavose skllavëri, more dhurata për njierëzit, po edhe (për) të pandigjuarit, që të rrish (ndërmiet atyreve), o Zot Perëndi.
19 Qoft’ i bekuarë Zoti ditë për ditë, që na bën udhën’ e mbarë, Perëndia i shpëtimit t’ynë. Sellah.
20 Perëndia ynë është Perëndi shpëtimi, edhe prej Zotit Perëndisë është të nxierrëtë nga vdekëja.
21 Po Perëndia ka për të dërrmuarë kryet’ e arëmiqvet ti, kryetë me qime atyre që ecënjënë nd’udhë të këqia.
22 Zoti tha: Kam për të kthyerë prej Vashanësë, kam për të kthyerë prej të thellavet detit,
23 që të ngjyhetë këmba jote ndë gjak të arëmiqet, (edhe) gjuh’ e qenet tu prej ati.
24 U panë çapet’ e tu, o Perëndi, çapet’ e Perëndisë t’im, mbëretit t’im, ndë vënt të shënjtëruarë.
25 Vininë përpara psalltrëtë, prapa ata që u bijnë drurëvet, ndë mes vashëra duke rënë tympanavet.
26 Bekoni Perëndinë ndër mbëledhëje, (bekoni) Zonë, (ju që ini) prej burimit Israillit.
27 Atie ishtej Venjamin’ i vogëlë, i par’ i atyreve, urdhëratësit’ e Judhesë, zotërinjt’ e atyreve, urdhëratësit’ e Zabullonit, urdhëratësit’ e Nefthaliut.
28 Perëndia yt urdhëroi fuqinë tënde: o Perëndi, forco këtë që punove për ne.
29 Për kishënë tënde ndë Jerusalimë, mbëretrë do të të bijenë dhurata.
30 Qërto egërsiratt’ e kallamishtësë, tufën’ e demavet bashkë me viçret’ e llauzevet, që ulnjënë kryetë duke prurë copëra ergjëndi, përndaj kombetë që duanë luftëra.
31 Kanë për të ardhurë njierës të mëdhenj, dërguarë nga Egjyptia; Ethiopia shpejt ka për të ndejturë duart’e saja ndë Perëndia.
32 Këndoni Perëndisë, o mbëretërit’ e dheut, psallni Zotit, Sellah,
33 ati që ecën kaluar mbi qiejt e qiejet që jetet, na ndek ep zën’ e ti, zën’ e fortë.
34 Epni lavdi Perëndisë, madhëri’ e ati është mbi Israillë, edhe fuqi’ e ati mbi ret.
35 I frikëshim je, o Perëndi, prej vëndevet tu të shënjtëruarëvet; Perëndia i Israillit ësht’ ay që ep fuqi e forcatë llauzit ti. I bekuarë qoftë Perëndia.