1 Mjeshtrit të korit. Për vegla me tetë korda. Psalm i Davidit.
2 Mos më qorto, o Zot, me zemërimin tënd,
mos më ndëshko me mërinë tënde.
3 Ki mëshirë për mua, o Zot, se po tretem,
shëromë, se po më dridhen kockat.
4 Shpirtin ma ka zënë tmerri,
po deri kur, o Zot?
5 Kthehu, o Zot, e çliroje shpirtin tim,
shpëtomë për hir të mirësisë sate,
6 se ndër të vdekurit s'ka kush të kujton,
e në skëterrë s'ka kush të falënderon.
7 U lodha së rënkuari,
e njom përnatë shtratin tim,
me lot e lag shtrojën time.
8 M'u fikën sytë nga brenga,
m'u dobësuan prej të gjithë armiqve të mi.
9 Largohuni nga unë ju që bëni paudhësi,
se Zoti e dëgjon ngashërimin tim.
10 Zoti e dëgjoi përgjërimin tim
dhe lutjen time do ta pranojë.
11 U turpërofshin e u tmerrofshin të gjithë armiqtë e mi,
e menjëherë u kthefshin pas të çnderuar.
Mbë të parinë kënkëtuar, mbi Neginoth, mbi Sheminith. Psallm’ e Dhavidhit.
1 Zot, mos më qërto ndë zëmërimt tënt, as mos më mundo ndë mërit tënde.
2 Përdëlle-më, o Zot, sepse jam i pafuqiçim; shëro-më, o Zot, se u tuntnë eshtërat’ e mia.
3 Edhe shpirti im u tunt fort, po ti, o Zot, gjer kur?
4 Kthehu, o Zot, ruaj shpirtinë t’im, shpëto-më për përdëllimt tënt.
5 Se s’ka kush të të kujtonjë ndë vdekëjet, edhe ndë varr kush do të të lavduronjë?
6 U lodha ndë psherëtimënë t’ime, gjithë natënë lanj shtratnë t’im, lak shtresënë t’ime me lott e mi.
7 Syri em u fyshk prej hidhërimit, u plak për punë të gjithë arëmiqet mi.
8 Largohuni prej meje, gjithë ju që punoni pa udhë, se Zoti ndigjoi zën’ e të qarit t’im.
9 Zoti ndigjoi të luturitë t’im, Zoti priti të faluritë t’im.
10 U turpërofshinë e u tunçinë fort gjith’ arëmiqt’ e mi, u kthefshinë prapazi e u turpërofshinë së shpejti.