1 Psalm i Asafit.
Perëndia, Zoti Perëndi, foli,
tokën mbarë mblodhi
nga lindja në perëndim të diellit.
2 Prej Sionit, bukurisë së përkryer,
Perëndia shkëlqeu.
3 Perëndia ynë po vjen e nuk do të heshtë,
i paraprin zjarri që përpin,
përreth tij thëllimi i tërbuar.
4 Thërret qiejt prej së larti bashkë me tokën,
për të gjykuar popullin e tij:
5 «Mblidhuni tek unë, o besnikë,
ju që me fli besëlidhjen me mua lidhët».
6 Qiejt shpallin drejtësinë e tij,
se gjykatës është vetë Perëndia. selah
7 «Dëgjomë, o populli im,
dua të flas, o Izrael!
Kam për të dëshmuar kundër teje,
unë jam Perëndia, Perëndia yt.
8 Nuk po të qortoj për flitë e tua,
flitë e tua të shkrumbimit i kam përherë përpara.
9 Mëzat nuk do të pranoj prej shtëpisë sate
e as cjap prej tufave të tua.
10 Se të miat janë tërë kafshët e pyllit,
egërsirat e mijëra male.
11 I njoh tërë shpendët e lartësive,
gjallesat e fushës janë të miat.
12 Po të kisha uri, s'do të të lypja ty,
e imja është bota e gjithçka në të.
13 Mos do të ha gjë mish demash,
a do të pi gjak cjepsh?
14 Kushtoji Perëndisë fli përlëvdimi
e përmbushi betimet ndaj të Tejlartit.
15 Ditën e fatkeqësisë më thirr,
do të të shpëtoj e do të më lavdërosh». selah
16 E të paudhit Perëndia i thotë:
«Përse, vallë, i shpall rregullat e mia,
përse goja jote flet për besëlidhjen time,
17 kur ti e urren qortimin
e fjalët e mia i hedh pas shpine?
18 Kur sheh një vjedhës, shoqërohesh me të,
me kurorëshkelësit bëhesh bashkë.
19 Gojën ia ke kushtuar së keqes,
gjuha jote thur mashtrime.
20 Ulesh e flet kundër vëllait tënd,
shpif kundër birit të nënës sate.
21 Këto i ke bërë e unë kam heshtur,
ke menduar se jam si ti.
Por, ja, ku po të qortoj
e po t'i përplas para syve».
22 Kuptojeni, pra, mirë këtë gjë,
ju që Perëndinë harroni,
në mos do t'ju bëj copë e çikë
e s'do të ketë kush t'ju shpëtojë.
23 Kush më kushton fli përlëvdimi më nderon,
atij që ecën udhës së drejtë
do t'i tregoj shpëtimin e Perëndisë.
Psallm’ e Asafit.
1 Perëndia i perëndivet, Zoti foli, edhe thirri dhenë, nga të lindurit e diellit, gjer ndë të perënduarit.
2 Perëndia u duk prej Sionësë, (që është) ball’ i bukurisë.
3 Perëndia ynë do të vinjë, edhe nukë do të pushonjë; do të digjetë ziar përpara ati, edhe er’ e fortë qark ati.
4 Do të thërresë qiellë së siprëmi, edhe dhenë, për të gjykuarë llausn’ e ti.
5 Përmbëlithni të drejtët’ e mi, të cilëtë bënë dhiatë me mua mbi kurbane.
6 Edhe qiejtë do t’apënë zë për drejtërin’ e ati, se Perëndia vetë është gjykatës. Sellah.
7 Ndigjo, o llauzi im, se unë do të flas, o Israill, se do të martyris kundrë teje: unë jam Perëndia, Perëndia yt.
8 Nukë do të të qortonj për kurbanet’ e tu, edhe kurbanetë të diegurë gjithë janë përpara meje kurdo.
9 Nukë do të pres prej shtëpisë s’ate viçrë, as sqep prej tufëvet tua.
10 Se gjith’ egërsirat’ e pyllit janë të miatë, edhe bagëtia që janë mbi një mijë male.
11 Ngjoh gjithë shpesët’ e malevet, edhe egërsirat’ e fushësë janë bashkë me mua.
12 Ndë më arthtë u, s’do të them ty, sepse imeja është bota, edhe të mbushurit’ e asaj.
13 Mos do të ha mish demash, a do të pi gjak sqepësh?
14 Bën-i Perëndisë kurban lavdurimi, edhe ep-i të Lartit uratat’ e tua,
15 edhe thirrë-më ndë ditë të shtrëngimit, se do të të dëlir, edhe do të më lavduronjç.
16 Po Perëndia i tha fajtorit: Ç’ke ti, që tregon urdhërimet’ e mi, edhe zë ngojesh dhiatënë t’ime?
17 Edhe ti ke mëri të mësuaritë, edhe hedh prapa teje fjalët’ e mia.
18 Ndë pafsh viedhës, ecën bashkë me atë, edhe piesa jote është bashkë me kurvarët.
19 Goja jote flet shumë keq, edhe gjuha jote gërsheton gënjeshtrë.
20 Rri e flet kundrë t’yt vëllai, edhe vë skandallë kundrë të birit s’at ëme.
21 Këto bëre, edhe pushova, more me mënt, se jam vërtet posi ti; do të të qërtonj, edhe do të nxier gjithë fajetë përpara syvet tu.
22 Viri ndër mënt pra këto, ju që harruatë Perëndinë, se mos u rrëmbej ndonjë herë, edhe s’ka se kush t’u shpëtonjë.
23 Ay që bie kurban lavdurimi, më lavduron, edhe ati që ndreq udhënë, do t’i dëftenj shpëtimn’ e Perëndisë.