1 Mjeshtrit të korit. Psalm i bijve të Korahut.
2 Dëgjojeni këtë mbarë ju popuj,
mbani vesh të gjithë ju banorët e botës,
3 vegjëlia e paria,
të pasur e të varfër bashkë:
4 Goja ime do të flasë urti,
zemra ime do të përsiatë me mençuri.
5 Do t'i vë vesh fjalës së urtë,
gjëegjëzën time do ta zbuloj me lirë.
6 Përse të frikësohem në ditë fatkeqësie,
kur të më rrethojë paudhësia e kundërshtarëve të mi,
7 e atyre që shpresojnë te pasuria e vet,
që mburren me të mirat e tyre të shumta?
8 E pra, njeriun nuk e shpengon dot njeriu
e askush nuk ia shlyen dot Perëndisë shpagimin e vet.
9 Shpengimi i shpirtit është i shtrenjtë
e nuk paguhet dot asnjëherë,
10 që njeriu të jetojë përgjithmonë
e të mos e shohë gropën e varrit.
11 Të gjithë e shohin se i urti vdes,
merr fund i marri e i pamendi
dhe pasurinë të tjerëve ua lënë.
12 Varri do të jetë shtëpia e tyre përjetë ,
banesa e tyre brez pas brezi,
edhe pse u vunë tokave emrin e vet.
13 Edhe njeriu fisnik mund të mos e gdhijë natën,
i ngjashëm është me kafshët që ngordhin.
14 Ky është fati i tyre, marrëzia e tyre,
fundi i atyre që kënaqen me fjalët e veta. selah
15 Si delet do të shkojnë drejt skëterrës
e vdekjen do të kenë bari.
Të drejtët do të sundojnë mbi ta në agim,
trajta e tyre në skëterrë do të tretet,
larg vendbanimeve të tyre.
16 Por Perëndia do ta shpengojë shpirtin tim,
prej kthetrave të skëterrës do të më nxjerrë. selah
17 Mos u frikëso kur dikush pasurohet,
kur shtëpia e tij bëhet më e lavdishme,
18 se, kur të vdesë, nuk do të marrë asgjë,
e lavdia pas nuk do t'i shkojë.
19 Sa qe gjallë, e quante veten të bekuar,
«Më thurin lavde, se më ka shkuar mbarë», mendonte.
20 Por edhe ai do të bashkohet me brezninë e etërve të vet,
që dritën nuk do ta shohin më kurrë.
21 Njeriu fisnik nuk arrin të kuptojë,
ngjan me shtazët që ngordhin.
Mbë të parinë kënkëtuar. Psallmë për të bijt’ e Koreut.
1 Ndigjoni këto, gjithë llauzetë; mbani vesh, gjithë sa rrinë ndë dhet,
2 të mëdhenj e të vogjëlë, të pasurë e dorë-hollë bashkë.
3 Goja ime ka për të folurë dituri, edhe mendimi i zëmrësë s’ime urtësi.
4 Do të ul veshnë t’im ndë paravoli, do të cgjith fjalën’ e errëtë me qitharë.
5 Përse të frikësonem ndë ditë të keqe, (kur) të më qarkonjë pa-udhëria që është ndë udhë?
6 Ata që venë shpëresënë ndë të mirat të tyre, edhe mburrenë për të shumëtit’ e pasëjesë tyre.
7 Asnjë nukë munt të shpërblenjë vëllanë, as të apë Perëndisë shpërblim për atë.
8 Sepse (nukë gjen) ndern’ e çpërblimit shpirtit ati, edhe nukë gjendetë kurrë,
9 që të rronjë gjithë jetënë, e të mos shohë prishëje.
10 Sepse sheh të mençuritë që vdesënë, sikundrë edhe të marrin’ e të pamençiminë që vdirenë, edhe lënë të mirat’ e tyre ndë të tierë.
11 Ata mendonenë me vetëhe, se shtëpit’ e atyreve do të jenë gjithë jetënë, të ndënjturat’ e atyreve bres pas brezi; quanjënë dheratë me ata emërat’ e tyre.
12 Po njieriu që është mbë nder, nukë mbetetë, po gjan bagëtivet që vdirenë.
13 Këjo udh’ e atyreve është marrëzi e atyreve, po fëmijëvet atyre u vinjënë t’ëmbëla ndë gojët fjalët’ e atyreve. Sellah.
14 Posi dhëntë u hothnë ndë varr, vdekëja do t’i kullosë, edhe të drejtëtë do të zotëronjënë mbi ata ndë mëngjes, edhe fuqi’ e atyreve do të vietëronetë ndë varrt, për të ndënjturit e tyre.
15 Po Perëndia do të çpërblenjë shpirtinë t’im prej dorësë varrit, sepse do të më marrë. Sellah.
16 Mos ki frikë, kur të bënet’ i pasurë njieriu, a kur t’i shtonetë lavdia e shtëpisë ati,
17 sepse kur të vdesë, s’ka për të marrë me vete gjë, as s’ka për të cbriturë bashkë me atë lavdim i ati.
18 Ndonëse bekoi shpirtin’ e ti ndë jetë të ti, edhe (njierëzitë) do të të lavduronjënë, kur t’i bëjsh mirë vetëvetëhesë.
19 Ka për të vaturë ndë bres t’atrëvet ti, gjithë jetënë s’kanë për të parë dritë.
20 Njieriu që është mbë nder, edhe s’kupëton, gjan bagëtivet që vdirenë.