1 Mjeshtrit të korit, këngë në melodinë e virgjëreshave. E bijve të Korahut.
2 Perëndia është streha dhe fuqia jonë,
ndihmë që na gjendet përherë në ngushticë.
3 Prandaj s'do të trembemi po të lëkundet toka
e malet të tranden në zemër të detit.
4 Le të gjëmojnë ujërat, shkumë le të lëshojnë,
malet le të dridhen kur të fryhet deti. selah
5 Rrëketë e lumit qytetin e Perëndisë gëzojnë,
vendin e shenjtë ku i Tejlarti banon.
6 Mes tij është Perëndia e nuk do të tronditet,
ai do ta ndihmojë kur të agojë mëngjesi.
7 Kombet bënë trazira, mbretëritë u tronditën,
Zoti gjëmoi e toka u tret.
8 Me ne është Zoti i ushtrive,
streha jonë është Perëndia i Jakobit. selah
9 Ejani e shihni veprat e Zotit,
ai urdhëroi mjerime mbi tokë.
10 Ai i pushon luftrat anekënd tokës,
ai i thyen harqet e copëton ushtat,
e qerret me zjarr i djeg.
11 Ndaluni dhe dijeni se unë jam Perëndi.
I lartë përmbi kombe,
i lartë përmbi tokë.
12 Me ne është Zoti i ushtrive,
streha jonë është Perëndia i Jakobit. selah
Mbë të parinë kënkëtuar, për të bijt’ e Koreut: kënkë mbi Allamoth.
1 Perëndia është mpshtetëja jonë, edhe fuqia, ndihmë fort e gatije ndë shtrëngimet.
2 Përandaj nuk do të kemi frikë, kur të tundetë dheu, edhe të ndërronjënë vënt maletë ndë kërthizë të detëravet;
3 gjëmonjënë e përzihenë ujërat’ e atyreve, tundenë maletë prej lartësisë ati. Sellah.
4 Rrëket’ e lumit kanë për të gëzuarë qytetn’ e Perëndisë, të shënjtëruarinë (vëndin’) e tendavet të Lartit.
5 Perëndia është në mes t’ati, edhe nukë do të tundetë; Perëndia do t’i ndihnjë që shpejt ndë mëngjes.
6 U përzienë kombe, u tuntnë mbëretëri, dha zën’ e ti i Larti, u tret dheu.
7 Zoti i fuqivet është bashkë me ne, Perëndia i Jakovit është ndihmëtari ynë. Sellah.
8 Ejani, e shihni punët’ e Zotit: ç’farë punë të maniçime bëri ndë dhet.
9 Pushon luftëtë gjer ndë anët’ të dheut, copëton hark, edhe thyen armë, edhe diek qerre ndë ziar.
10 Pushoni, e ngjihni, se unë jam Perëndia, do të lartonem ndër kombet, do të lartonem ndë dhet.
11 Zoti i fuqivet është bashkë me ne, Perëndia i Jakovit është ndihmëtari ynë. Sellah.